Sadedin Fishta:Kushtet e vështira dhe diskriminimi që po u bëhet punonjësve të policisë

    58

    INTERVISTA/Flet Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, Sadedin Fishta

     Sindikata e punonjësve të policisë e sheh me shqetësim situatën e vështirë në të cilën punojnë punonjësit e Policisë së Shtetit sot. Ajo që e bën ende më të vështirë situatën është trajtimi i ulët financiar që trajtohen sot këta punonjës. Në lidhje me këto kushte ka folur në një intervistë për “Telegraf”, kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, Sadedin Fishta. Ai është shprehur se: “Pagat e ulëta në Policinë e Shtetit dhe mungesa e burimeve financiare kanë bërë që 75% e punonjësve të kenë të ardhura mujore familjare për frymë nën minimumin e jetesës”.

     -Zoti Fishta, si i shikoni kushtet e punës në të cilat punojnë punonjësit e policisë në ditët e sotme?

    -Nisur nga analiza e situatës aktuale, Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit vëren me shqetësim se krimi nuk po kursen as jetët e punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës. Vrasjet e kryekomisarëve në Durrës e Tiranë e kanë çuar numrin e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës e për shkak të saj në 251veta e mbi 300 të plagosur. Punonjësit e policisë po paguajnë një çmim mjaft të lartë për ruajtjen e rendit e të sigurisë publike. Këto forca po punojnë në kushte pune mjaft të vështira materiale e financiare, në raport me krimin dhe kriminelët, të cilët posedojnë fuqi financiare, mjete, armatim e pajisje speciale edhe më të sofistikuara se ato të policisë. Punonjësit e Policisë, çdo ditë po rrezikojnë jetën e tyre, për zbatimin e detyrave të rendit e të sigurisë publike, pa kontrata të sigurimit të jetës.

     -Pak më lart përmendët kushtet e vështira financiare të këtyre punonjësve, a e përballojnë jetesën këta punonjës policie me këto paga?

    – Sipas paragrafit 32 të Kodit Europian të Etikës për Policinë”, policia ka të drejtë që të ketë një pagë dhe siguri shoqërore të përshtatshme, si dhe masa speciale për shëndetin dhe siguri për shkak të natyrës së veçantë të punës së policisë”. Po ashtu edhe në nenin 88 të Ligjit të Policisë së Shtetit përcaktohet se “punonjësi i policisë ka përparësi në trajtimin në pagë për shkak të përgjegjësisë dhe të rrezikshmërisë së lartë në detyrë”, ndërkohë që trajtimi financiar aktual nga shteti i punonjësve të policisë nuk i përgjigjet këtyre detyrimeve. Pagat e ulëta në Policinë e Shtetit dhe mungesa e burimeve financiare kanë bërë që 75% e punonjësve të kenë të ardhura mujore familjare për frymë nën minimumin e jetesës.

     -Çfarë i shqetëson më shumë punonjësit e policisë ditën e sotme dhe a janë zgjedhur problemet e pagesës për orët jashtë orarit?

    -Punonjësve të policisë u janë mohuar gjatë viteve të fundit:

    1. Vjetërsia në punë siç e përfiton edhe gjithë administrata tjetër e shtetit”, duke bërë që punonjësit të marrin aktualisht rreth 18% më pak të ardhura mujore

    2. Rritja mesatare e pagave ka qenë në raport të zhdrejtë me ndalesat në pagë, ku në dhjete vitet e fundit, rritja e pagave ka rënie nga 19.7% në 0%, duke marrë për bazë inflacionin në vite, ndërkohë që niveli i ndalesave është rritur nga 16.2% në 2003 në 25.6% në 2011-2012.

    3. Kontributi që paguajnë punonjësit e policisë për trajtimin suplementar është rritur nga 1% në 5%, ndërkohë që përfitimi financiar i punonjësit që merr pension të parakohshëm është ulur 2.43 herë.

    4. Punonjësit e policisë, që nga viti 2008 nuk marrin pagesë për ushqimin. Ky trajtim është i miratuar me V.K.M. nr. 494 datë 01.08.2007, duke bërë që realisht të mos marrin rreth 10 mijë lekë në muaj.

    5. Shumë punonjësve u është hequr trajtimi financiar për pune të dëmshme për shëndetin, e parashikuar në nenin 88 pika 4 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, duke bërë që rreth 400 punonjës të mos marrin trajtim financiar në masën 7 mijë lekë në muaj, në një kohë që punonjësit e tjerë të administratës publike e përfitojnë këtë trajtim.

    6. Nuk u jepet paga e 13-të në fund të vitit sipas nenit 88, pika 5 e ligjit “Për policinë e Shtetit.

    7. Për shkak të transferimeve të shumta e pa kriter, punonjësve iu reduktohet paga neto rreth 40%, duke i sjellë pasoja direkte financiare buxhetit familjar, përveç papunësisë së bashkëshorteve, fëmijëve si dhe të qenit i pastrehë.

    8. Pagat e strukturave të tjera të administratës publike janë rritur ndjeshëm, ndërkohë që Policia e Shtetit nuk ka përfituar nga kjo rritje, pavarësisht se në nenin 88 të Ligjit të Policisë së Shtetit thuhet se “punonjësi i policisë ka përparësi në trajtimin në pagë për shkak të përgjegjësisë dhe të rrezikshmërisë së lartë në detyrë.

    9. Shumë punonjës policie që trajtohen me uniformë civile, për shkak të funksionit organik, për një periudhë prej dy vitesh, nuk marrin vlerë e detyrimit të pa paguar financiar, shumë kjo që për një drejtori Qarku kap vlerën 2.450.000 lekë të reja.

    10. Mos pagimi i urdhër pagesave për orët e natës, orët suplementare dhe shërbimet jashtë rrethi (dietat), për vitin 2012 e në vazhdim, ka dëmtuar rëndë buxhetin familjar të punonjësve të policisë, në veçanti Forcave Lëvizëse Operacionale.

    11. Mos planifikimi i fondeve në buxhet për vendimet ekzekutuese të zyrave përmbarimore për punonjësit e policisë, të cilët kanë fituar gjyqe ndaj Policisë së Shtetit, ka sjellë bllokim të buxhetit të policisë, me pasoja që nga mossigurimi i automjeteve policore në të gjitha qarqet, bllokimi i tenderëve deri te bllokimi i blerjeve të mjeteve më të domosdoshme logjistike. Për të gjitha këto, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit duhet të ngrejë zërin për t’u krijuar kushte normale pune punonjësve të policisë, që ata të kryejnë detyrën e tyre në përputhje me ligjin.

     -Sa është vlerësuar puna e policisë nga qeveria sot dhe si i vlerësoni programet e partive politike që po shpalosin?

    -Qeveria, asnjëherë nuk është ndalur seriozisht që të diskutojë me sindikatën problemet e policisë për masat drastike të ndërmarra ndaj saj, të cilat si rezultat i krizës ekonomike, e kanë rënduar situatën në aspektin social e profesional. Reduktimi drastik i fondeve, përtej vendosjes së besimit dhe dhënies së një drite shprese për punonjësit e policisë, po agravon disbalancat sociale dhe krijojnë më tepër padrejtësi, të cilat shtojnë përdorimin e dhunës “në emër e në zbatim të ligjit” dhe rrisin ndjeshëm pasigurinë e qytetarëve. Niveli i stresit në të cilin punojnë forcat e rendit është shumë i lartë për të pasur një performancë dinjitoze në zbatimin e detyrës. Punonjësi i policisë, përveç pasigurisë që ka për jetën, i shtohet dhe presioni psikologjik i eprorëve për të ruajtur vendet e punës nga ndonjë transferim i mundshëm apo lirim i padrejtë, të cilat janë bërë një sëmundje e keqe në radhët e policisë. Mbi 70% e punonjësve janë transferuar brenda një viti, shifër kjo mjaft e lartë për një organizatë policie. Shumica janë transferuar “për nevoja pune”?!. Në këto raste, të gjithë eprorët i dinë “nevojat e punës”, me të cilat kanë justifikuar transferimin, ndërsa vetë i transferuari nuk vihet në dijeni për këto “nevoja pune” që transferohet. Për arsyet e transferimit, kohën e qëndrimit, çdo punonjës policie duhet të njoftohet 30 ditë përpara, veprim, i cili nuk ka ndodhur asnjëherë, duke rënë ndesh me Rregulloren e Personelit.

     -Cilat janë nevojat më emergjente që duhet të plotësohen për punonjësit e policisë?

    Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit, ne si Sindikatë kërkojmë, pa marrë përsipër shkeljet flagrante të punonjësve, të cilët ndiqen nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, apo nga institucionet e tjera ligjore, të mos jepen vlerësime para kohe për fajësi apo pafajësi të punonjësve të policisë, pa u kryer verifikimet, apo pa u shprehur organet përkatëse, si prokurori, gjykatë etj, deri në dhënien e një vendimi të formës së prerë. Këto veprime nuk e motivojnë, por e demotivojnë punën e punonjësve të policisë.

    Sindikata e punonjësve të policisë nuk pajtohet me asnjë rast tendencioz ndaj punonjësve e policisë në ushtrimin e detyrës, ku përveç denigrimit të figurës dhe personalitetit të punonjësit, cenohen rëndë edhe familjarët e tyre. Sindikata merr në mbrojtje cilindo punonjës policie, anëtar të saj, të cilët cenohen padrejtësisht nga subjektet politike apo shtetërore.