Sadedin Fishta: Projektligji shkel të drejta kushtetuese, ka vend për abuzime

    384
    Sigal

    Ligji i ri për Policinë, flet kreu i sindikatës Sadedin Fishta: Ja risitë në përfitimet financiare

    Ligji i ri për Policinë përdor dy standarde dhe kjo për Sadedin Fishtën kreun e Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit është antikushtetuese. Kështu, Neni 44

    “Ndërprerja e marrëdhënieve të punës të punonjësit të policisë”, pika 3 parashikon se “Punonjësit të policisë, të cilit i shkurtohet funksioni organik në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të Policisë dhe nuk ka vend të lirë për gradën që mban, sipas shkronjës “ç”, të pikës 2, të këtij neni, i ofrohet një funksion i një niveli më të ulët duke ruajtur gradën për një periudhë deri në një vit. Pas kalimit të këtij afati, në pamundësi sistemimi për gradën që ka, punonjësi lirohet nga Policia”. Sipas z. Fishta kjo është absurde, pasi nuk mund t’i vesh afate punonjësit të policisë për rirekrutimin në forcat e policisë. Shteti ka investuar për këtë punonjës dhe s’mund të hedhë poshtë këtë investim, është kosto si për shtetin, por edhe për shoqërinë. Kjo është antikushtetuese dhe ne, edhe nëse miratohet ky projektligj do e çojmë këtë pikë në Gjykatën Kushtetuese, pasi shkelet një e drejtë kushtetuese. Janë të përcaktuara saktë se kur punonjësi i policisë lirohet nga detyra. Kjo pikë lë vend për abuzime.

    Ndërsa në Nenin 47 “Rikthimi në polici”, pika 3, thuhet se “Personi, që trajtohet me pension të parakohshëm suplementar ose pension të shërbimit, pavarësisht nga përcaktimi i pikës 1, të këtij neni, nuk rikthehet në Polici”. Edhe ky nen bie ndesh me të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të qenë në marrëdhënie pune deri kur mbush moshën e daljes në pension pleqërie. Si mundesh t’ia heqësh të drejtën një personi 47 vjeç (meshkujt) apo 42 për gratë. Gjithashtu është dhe një kosto për shtetin, që paguan pa punonjës, të cilët nuk janë në marrëdhënie pune. Por sipas, kreut të sindikatës së policëve, kështu ndodh kur shteti nuk fton grupet e interesit të japin mendimet dhe sugjerimet e tyre gjatë hartimit të ligjeve të reja, të cilët prekin drejtpërsëdrejti punonjësit dhe të ardhmen e tyre.

     Paketa e përfitimeve (financiare)

     Sadedin Fishta tregon se ky projektligj ka risi përsa i përket përfitimeve financiare që kanë policët. Në paketën e përfitimeve është futur paga e 13-të, njihet vjetërsia në punë, detyrimi i shtetit për sigurimin e jetës dhe kredi pa interes për policët e pastrehë. Gjithashtu risi janë dhe disa nene për pensionin e parakohshëm suplementar dhe pensionin e shërbimit.

     Trajtimi financiar gjatë qëndrimit në punë

    Punonjësi i policisë, për shkak të përgjegjësisë dhe të rrezikshmërisë së lartë në detyrë në raport me strukturat e tjera të administratës shtetërore, ka përparësi në trajtimin financiar, ku përfshihen: a) paga mujore e cila përbëhet nga paga për gradë, shtesë për çdo vit vjetërsie shërbimi dhe shtesë për natyrë të veçantë pune; b) kompensimi për privacionet që i krijohen punonjësit të policisë për largësi nga vendbanimi sipas kostos së transportit publik dhe paga për papunësinë e bashkëshortit/es; c) trajtimi me ushqim për punonjësit e policisë; ç) ndihma financiare në masën e një page mujore në rastet e fatkeqësive në familje; d) shpërblimi në fund të vitit, në masën e një page mujore; dh) shpërblimi nga drejtori i Policisë së Shtetit deri në masën e 6 (gjashtë) pagave mujore, për rezultate të larta në kryerjen e detyrës. Kriteret e përfitimit të shpërblimit përcaktohen me udhëzim të ministrit. Shpërblimi përballohet nga fondi i pagave. e) ndihma e menjëhershme financiare në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, sipas akteve të vlerësimit të dëmit.

     E drejta për përfitim kredie me interesa të butë

    Punonjësi i policisë përfiton kredi për strehim me një interes në masën 3%. Rimbursimi i interesave të kredisë ndërpritet për punonjësin e policisë vetëm në rastin kur ai/ajo përjashtohet nga Policia.

    Sigurimi i jetës

    Punonjësi i policisë përfiton sigurim jete sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

    Trajtimi financiar pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës

    Punonjësi i policisë, që ndërpret marrëdhëniet e punës me Policinë e Shtetit, përfiton:

    a) pagesë kalimtare; b) pension të parakohshëm suplementar; c) pension shërbimi;

    ç) pension suplementar pleqërie.

     Pensioni i parakohshëm suplementar

    Punonjësi i policisë, që ndërpret marrëdhëniet e punës, përfiton pension të parakohshëm suplementar në masën 50% të pagës referuese të muajit në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim. Këtë pension e përfitojnë të plotë punonjësit e policisë të cilët kanë vjetërsi shërbimi 15 (pesëmbëdhjetë) vite për meshkujt dhe 12 (dymbëdhjetë) vite për femrat, si dhe kanë mbushur moshën 47 vjeç për meshkujt dhe 42 vjeç për femrat. Për çdo vit shërbimi mbi 15 vite për punonjësit e policisë meshkuj dhe 12 vite për punonjësit e policisë femra, punonjësi përfiton shtesë në masën 2% të pagës referuese të muajit të fundit. Shuma e përfitimit nuk duhet të jetë më shumë se 65% e pagës referuese të muajit të fundit. Për çdo periudhë shërbimi 10-15 vjet për punonjësit e policisë meshkuj dhe 7-12 vite për punonjësit e policisë femra, punonjësi i policisë përfiton pension të parakohshëm në masën 3% më pak se 50% të pagës referuese për çdo vit. Punonjësi i policisë, që plotëson kriteret e këtij neni, përfiton pension të parakohshëm suplementar, pa u trajtuar me pagesë kalimtare. Rregullat dhe procedurat e trajtimit me pension të parakohshëm suplementar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

     Pension shërbimi

    Punonjësi i policisë ka të drejtë të dalë në pension shërbimi kur ka plotësuar 25 vite vjetërsi shërbimi dhe moshën 50 vjeç. Punonjësi i policisë, që përfiton pension shërbimi, përfiton shpërblim të menjëhershëm në masën e 12 (dymbëdhjetë) pagave të pagës referuese të muajit të fundit. Masa e pensionit është 65% e pagës referuese të muajit të fundit dhe për çdo vit shërbimi mbi 25 vjet masa e pensionit rritet me 1% të pagës, por nuk duhet të kalojë 85% të pagës. Punonjësi i policisë, që plotëson kriteret e këtij neni, përfiton pension shërbimi, pa u trajtuar me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm suplementar. Rregullat dhe procedurat e trajtimit me pension shërbimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

     Vjetërsia për trajtim financiar pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës

    Për përfitimin e pagesës kalimtare, njihet vjetërsia që ka punonjësi në strukturat e Policisë së Shtetit, me status policor. Punonjësit, për përfitimin e pensionit të parakohshëm suplementar, pensionit të shërbimit, si dhe të shtesës së pensionit të pleqërisë, i njihet: a) vjetërsia në strukturat e Policisë së Shtetit; b) vjetërsia në strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë; c) vjetërsia në strukturat e Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Shërbimit Informativ të Shtetit, Shërbimit Informativ Ushtarak; ç) vjetërsia në strukturat e Policisë së Burgjeve dhe Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit; d) koha e studimit në shkollat e larta ushtarake, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Policisë së Shtetit brenda apo jashtë shtetit; dh) koha e njohur si vjetërsi shërbimi me vendim gjyqësor.