Sadedin ÇELIKU/ Kriza ushqimore e ka dhënë sinjalin “SOS”

    440
    Sigal

    Vendet e G-20, por edhe të G-8 janë mbledhur disa herë për krizën ushqimore, kanë përcaktuar objektiva dhe plane afatmesme dhe afatgjata, por deri tani shqetësimi  vazhdon të jetë i pandryshuar. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore është shprehur me shqetësim për spiralen e rritjes së çmimeve të mallrave të konsumit të përgjithshëm. Të njëjtën gjë deklaron edhe FAO. Me masat e marra duket se rimëkëmbja është e ngadaltë. Ka disbalancim ekonomik dhe probleme të tjera që do përpiqemi t’i analizojmë më poshtë. Nga viti 1990 bota ka provuar 42 kriza. Për të përballuar këtë krizë, duhet bashkëpunim, të ulet çmimi i prodhimeve ushqimore, duke hequr barrierat dhe duke hequr dorë nga politikat monetare të ngurta. Duhet eliminuar dispropocioni midis rritjes së shpejtë të ekonomisë dhe rritjes së varfërisë. Debati midis prodhuesve dhe konsumatorëve deri tani ka çuar në rezultate shterpë që do të thotë se duhet rivlerësim i situatës e cila parashikohet që deri në vitin 2020 të përkeqësohet. Sigurisht, në krizën ushqimore kanë ndikuar shumë faktorë, por ndër kryesoret  janë: mbipopullimi i botës, zvogëlimi i sipërfaqeve dhe shndërrimi i tyre në toka industriale. Politikat fiskale për këto produkte duhet të jenë minimale dhe për disa artikuj të tjerë duhet të jenë pa taksa fare. Vendosja e kontrollit të çmimeve, kufizimi i eksporteve, vendosja e  taksave për mallrat e eksportit për të mbrojtur çmimet e tregut të brendshëm, heqja e taksave për mallrat e shportës dhe kryesisht për ushqime e medikamente, vendosja e pjesshme e politikave proteksioniste në mënyrë që të stimulohen tregjet  prodhuese vendase. Kriza ushqimore ka detyruar miliona njerëz nga vendet e pazhvilluara e të varfra të jetojnë në kufijtë e mbijetesës, gjë e cila ka bërë që ky fenomen të shoqërohet me probleme politike gati të papërballueshme. Kthimi i tokës nga bujqësore në sheshe e troje industriale dhe transformimi i saj pa kriter ka patur jo pak ndikim në krizën ushqimore. Rritja e temperaturave nga ngrohja globale ka reduktuar prodhimet bazë bujqësore, mungesa e subvencioneve ka bërë që miliona hektarë tokë, e cila prodhonte drithëra etj, të mos mbillen më, e për rrjedhojë prodhimi i përgjithshëm i këtyre artikujve ka rënë ndjeshëm. Megjithëse, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe vendet e tjera kanë dhënë ndihma për t’i dhënë shtysë sigurisë globale ushqimore, përsëri  ekspertët mendojnë se është e pamjaftueshme. Një tjetër faktor i rëndësishëm që ndikon mjaft është dhe kriza financiare globale që ka tronditur jo pak vende. Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin një konsensus të gjerë për të arritur në rregulla financiare më të ashpra, të nevojshme për të evituar që fenomenet e krizës të mos  përsëriten më siç e kemi aktualisht. Ekspertët paralajmërojnë se deri  në vitin 2050 parashikohet që popullsia në botë të shkojë rreth nëntë miliardë njerëz. Edhe pse tek vendet e zhvilluara rritja e popullsisë është konstante, madje me pak rënie, vihet re një rritje e shpejtë në disa vende si: Nigeria, India, Pakistani, Afganistani, Indonezia, Bangladeshi, Tajlanda etj.. Parashikohet që rritjen më të madhe ta ketë kontinenti Afrikan. Në vitin 2050 ato parashikojnë të bëhen një e pesta e gjithë popullsisë në botë. Sigurisht që mjaft organizata humanitare dhe zyrtarë të lartë të Kombeve të Bashkuara janë angazhuar seriozisht, por dhe kanë paralajmëruar se çmimet mund të rriten më tej si rezultat i fenomeneve të sipërpërmendura. Strukturat që merren me anti-terrorin shqetësohen  për shtimin e dhunës dhe trazirave që vijnë nga problemet e krizës  ushqimore. Shifrat e varfërisë në botë po rriten me përmasat e një cunami të heshtur që nuk njeh kufij, madje shumë njerëz nuk e kuptojnë se çfarë i ka goditur në fakt. Drejtori i Bankës Botërore shprehet se në Peru, Jemen, por dhe në vende të tjera, të varfrit janë duke shpenzuar më tepër se çerekun e të ardhurave vetëm për bukë edhe pse për ta përballuar shpesh përzihet me patate, pa përmendur  problemet që lidhen me kujdesin ndaj fëmijëve dhe kujdesin shëndetësor apo strehimin. Rritja e çmimit të grurit ka bërë që vendet e Azisë të bëjnë kujdes për prodhimin tradicional orizin, çmimin e të cilit  edhe ata e kanë rritur disa herë. Kjo është kaq e vërtetë sa që Kina krahas kujdesit që tregon për kulturën e orizit, ka marrë me koncension me mijëra hektarë tokë në Siberi dhe në temperatura mjaft të ulëta prodhon grurë dhe prodhimin e dërgon të gjithin në Kinë. Nëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ushqimi i përditshëm është i lirë, në vende të tjera është i shtrenjtë dhe  problematik. Bie fjala në familjet nigeriane shpenzohet 70 për qind e buxhetit familjar  për të ngrënë, në Vietnam rreth 65 për qind, Indonezi 50 për qind, po ashtu në këto kufij janë Koreja e Veriut, Kamboxhia, Laosi, Tajlanda, etj.. Kërkesat për ushqime të dorës së parë është rritur ndërkohë që prodhimi është reduktuar ndjeshëm. Ekspertët shqiptarë njoftojnë se kriza ekonomike globale ka prekur dhe sektorin bujqësor. Ato japin alarmin për thellimin e defiçitit tregtar për produktet bujqësore që ka arritur nivelin e rreth 600 milionë eurove. Sipas tyre, raporti i eksport– importit në bujqësi ka arritur në një me njëmbëdhjetë. Kjo do të thotë që për çdo produkt që ne eksportojmë, importojmë njëmbëdhjetë të tjerë. Edhe pse vihet re rritje e prodhimit bujqësor që është shumë pozitive, përsëri fermerët i përcaktojnë prioritetet drejt interesit të oborrit dhe fitimit, sesa për produktet bazë që ka nevojë ekonomia e popullsia. Tashmë vërejmë se po zbatohen disa politika të reja nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit që na japin shpresë e na bëjnë optimist se gjendja mund të ndryshojë në favor të zhvillimit të ekonomive bujqësore.