Sabah Goci: Emigrantët të mos friken, përderisa paguajnë kontribute, do marrin pension dhe këtu, dhe në vendin ku jetojnë

    452
    Sigal

    Intervistë/ Sabah Goci, Drejtor i Përfitimeve në ISSH: 15 vite punë për pension minimal

    Kontributi mujor që duhet të paguajë një individ që dëshiron të përfitojë pension është 4 100 lekë. Pagesa të tilla mund t’i bëjë edhe çdo individ, i cili ka boshllëqe në muajt apo vitet e tij të sigurimit, kryesisht ata që punojnë në sektorin privat, ku pagesa e sigurimeve nuk është korrekte. Që të përfitosh një pension minimal në Shqipëri, nevojiten 15 vite pune. Por Instituti i Sigurimeve thotë se kush paguan në avancë, sigurimet përfiton edhe ulje. Për këto, si dhe për lehtësirat që u janë krijuar emigrantëve për të plotësuar boshllëqet e viteve  të domosdoshme për të përfituar pension, me anë të sigurimeve vullnetare, flet në një intervistë për “Telegraf” z.Sabah Goci, Drejtor i Përfitimeve në ISSH.

    Një kategori njerëzish për arsye të ndryshme nuk janë në punë, por për të marrë një pension pleqërie paguajnë sigurime vullnetare. Kur të vijë dita e daljes në pension, çfarë pensioni do të marrin ata me sigurime vullnetare?

    Është njëlloj si me qenë në punë, ashtu dhe kur paguan kontribute vullnetare. Një i punësuar ka një pagë x edhe kontributi x mbahet në bazë të kësaj page. Nëse kontributi është mbi pagën minimale, është e pranueshme, është e mirë, por dhe përfitimi do të jetë minimal. Kështu kur kontributet i paguan në nivelin e pagës minimale dhe pensionin do ta marrësh minimal, sikur je i punësuar, ashtu dhe kur i paguan në mënyrë vullnetare.

    Në cilat raste mund të bëhet i nevojshëm sigurimi vullnetar?

    Duhet të kuptosh që skema vullnetare është komplementare, është plotësuese. Kur nuk ke mundësi reale për të ndjekur skemën bazë, për një arsye ose tjetër, apo edhe për një gjendje të rëndomtë shëndetësore që nuk të fut në kushtet e invalidit, pra nuk ke mundësi për të ndjekur punën dhe sigurimin e detyrueshëm, (skemën e sigurimeve shoqërore), atëherë për të plotësuar këtë boshllëk që krijohet njeriu në mënyrë vullnetare shkon e bën një marrëveshje me Sigurimet Shoqërore. Krijohet dhe lidhet realisht një marrëveshje ku qytetari paguan në mënyrë vullnetare dhe kërkon nga ISSH që këtë periudhë ta njohë si periudhë sigurimi. Me këtë marrëveshje në dorë, i llogariten shumat sesa duhet të paguajë për këto periudha që ISSH merr përsipër ta mbrojë dhe qytetari merr përsipër t’i paguajë. Duke marrë përsipër në këtë formë, qytetari paguan paratë dhe është gjithmonë i mbrojtur dhe ka një marrëveshje institucionale.

    Sigurime vullnetare mund të bësh dhe për periudha të parakohshme?

    Patjetër dhe kjo është me interes, sidomos për emigrantët dhe sa herë kemi emetuar emisione televizive, sidomos për ta. Kjo vlen për ta, sepse kanë lënë një karrierë në Shqipëri dhe veçanërisht ata që kanë lënë më pak se 15 vjet në Shqipëri, nuk mund të kenë kushte përfitimi, se dispozita ligjore shqiptare thotë se po ke 15 vjet e lart merr pension të pjesshëm, po ke 15 vjet pa një ditë s’e merr dot.

    Atëherë ç’do ndodhë?

    Kjo kategori për të përfituar të paktën një pension të pjesshëm duhet të plotësojë këtë 15 vjeçar, duhet të investojnë nëpërmjet skemës vullnetare që sapo cituam. Për çfarë emigrantësh kemi në Itali, ne kemi lidhur marrëveshje me sindikatat dhe konfederatat e punëtorëve, që na e kanë marrë përsipër t’i kryejnë shërbimet falas, jo vetëm për të informuar të gjithë qytetarët që punojnë apo jetojnë në Itali, për të krijuar mundësinë e njohjes së dispozitës ligjore në Shqipëri, por edhe për të kryer transaksionin duke u siguruar në mënyrë vullnetare për të krijuar periudha mbrojtjeje. Mos të friken asnjëherë, se kudo që të jetojnë apo punojnë, në Itali, apo në Greqi, ata që paguajnë sigurime në Shqipëri, do të marrin një pension për aq periudhë sigurimi që kanë. Kudo që të punojnë në botë, do marrin pension dhe atje në vendin ku punojnë, edhe këtu në Shqipëri, pra janë të drejta të barazvlefshme, sepse tashmë ne po hyjmë në Komunitetin Europian. Ato të drejta që  mbrojnë komunitetin evropian, do të na mbrojnë edhe neve.

    Ku duhet të aplikojë një emigrant për përfitimin e kontributeve në Shqipëri?

    Ai mund të aplikojë duke ardhur në të gjitha agjencitë e sigurimeve shoqërore, që janë të shpërndara në të gjithë vendin, ose duke autorizuar ndonjë pjesëtar të familjes për të bërë aplikimin. Ndërsa në Itali mund të aplikojë që andej nëpërmjet zyrave të patronateve. Tjetër pikë është, duke bashkuar periudhat e punës së ish-ndërmarrjeve shtetërore dhe këto periudha që i ble nëpërmjet këtij lloj sigurimi, atëherë mund të sigurohesh deri në 15 vjet që mund të përfitohen, kur burrat të arrijnë moshën 65 vjeç dhe gratë 60 vjeç. Në këtë mënyrë nuk mund t’u humbasë asnjë vit. Problemi i dytë që dua të shtroj lidhur me këtë çështje është që ISSH me bashkëpunimin e patronateve italiane që kanë zyra në Shqipëri (INAS dhe AKLI, AKAI etj) dhe që janë të shpërndara në të gjithë Italinë mund të aplikojnë që andej. Ata mund të shkojnë në këto zyra dhe të marrin informacionin e duhur sepse të gjithë personat që punojnë aty, e njohin legjislacionin shqiptar. Informacioni që jepet dhe kërkesa që bëjnë në patronatet italiane regjistrohet nga punonjësit dhe dërgohet në ISSH. Në këto momente instituti shqiptar i konfirmon, pastaj nëpërmjet një shërbimi që ofron Banka Intesa San Paolo mund të paguajnë kontributet dhe ato vijnë dhe regjistrohen në llogaritë e ISSH.

    Ulje për emigrantët që paguajnë në avancë kontributet vullnetare

    Sipas të dhënave, deri më tani rezulton se jashtë vendit kanë emigruar rreth 1 milion shqiptarë. Një pjesë e madhe e tyre kanë qenë në marrëdhënie pune para emigrimit dhe tashmë punojnë jashtë vendit, por të gjithë duan që këto vite të mos u humbasin pa i përfituar. Vetëm në Itali përllogaritet që 300 mijë emigrantë janë të siguruar dhe mund të aplikojnë për pension. Kontributi mujor qe duhet te paguaje një individ qe dëshiron te përfitoje pension është 4 100 lekë. Pagesa të tilla mund t’i bëjë edhe çdo individ, i cili ka boshllëqe në muajt apo vitet e tij të sigurimit, kryesisht ata që punojnë në sektorin privat ku pagesa e sigurimeve nuk është korrekte. Që të përfitosh një pension minimal në Shqipëri nevojiten 15 vite pune. Por Instituti i Sigurimeve thotë se kush paguan në avancë sigurimet, përfiton edhe ulje. Emigrantët, të cilët do të paguajnë paradhënie kontributet vullnetare të sigurimeve shoqërore për efekt pensioni, mund të përfitojnë një ulje prej 6 % të shumës. Kështu, të gjithë ata që do të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore për një periudhë kohore prej 3 muaj, do të kenë një ulje të kësaj mase në 1,5 %, për pagesën 6-mujore do të kenë një ulje prej 3 %, ndërsa kush lidh kontratën paraprake për një vit, do të ketë një zbritje prej 6 % të shumës së kontributit. Aktualisht, niveli minimal i kontributit vullnetar për sigurimet shoqërore për emigrantët është 4.110 lekë në muaj, ndërsa në vit arrin vlerën e 49.320 lekë. Sipas statistikave zyrtare, në skemën vullnetare të sigurimeve shoqërore janë të regjistruar rreth 27.300 emigrantë.

    Ç’përfaqëson sigurimi vullnetar

    Sigurimi vullnetar është një e drejtë që vepron për të gjithë personat e interesuar, shtetas shqiptarë ose të huaj në Shqipëri, dhe jo vetëm për shtetasit shqiptarë kur jetojnë jashtë shtetit.  Në kushtet kur për të përfituar një pension pleqërie duhen 15-35 vjet sigurim, është e rëndësishme që të mos krijohen ndërprerje në karrierën e punës dhe në periudhat e sigurimit. Në çdo moment të jetës së tij çdo individ duhet të jetë i siguruar. Personat të cilët nuk janë në marrëdhënie pune, duhet të jenë klientë të skemës së sigurimit vullnetar për të qënë të siguruar në vazhdimësi. Kjo skemë njeh të drejtën për vazhdimin vullnetar të sigurimit në kushtet e ndërprerjes së sigurimit të detyrueshëm. Është në interes të qytetarëve që nëse ndërpresin sigurimin e detyrueshëm,  të vazhdojnë sigurimin në mënyrë vullnetare. Në këtë rast ata sigurohen për të gjitha degët e sigurimit që kanë pasur në sigurimin e detyrueshëm si: në rast sëmundjeje,  invaliditeti nga aksidenti në punë e sëmundjet profesionale, barrëlindje, si dhe për të gjitha llojet e pensioneve. Kjo skemë njeh të drejtën për mbulim vullnetar të periudhave të kaluara. Si rrjedhojë personat e interesuar mund të sigurohen vullnetarisht për periudha të kaluara, që nuk janë mbuluar nga sigurimi i detyrueshëm, duke filluar nga 01.10.1993. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar.