“Ruleta” e penalltive ndëshkon Skënderbeun

466
Sigal

LIGA E EUROPËS/ Radash, Orelesi dhe Nimaga nxjerrin jashtë loje korçarët. Shehi pret dy penallti

Një Skënderbe dominues dhe i madh në “Qemal Stafa”, një ekip që dominoi për 120 minuta ukrainasit e Çernomorets Odesës, duke e fituar 1-0 takimin dhe e çuar në shtesa, pas rezultatit të përgjithshëm 1-1, por fati i penalltive ishte me Odesën (6-7), pavarësisht se Orges Shehi priti dy penallti, por gabimet nga pika e bardhë të Radashit, Orelesit dhe Nimagës i nxorën jashtë kampionët e Shqipërisë nga Liga e Europës. Gjithsesi, ka një shpresë shumë të vogël, pasi shorti që do të hidhet sot në UEFA, do të rifusë sërish një skuadër të eliminuar pas përjashtimit të turqve të Fenerbahçes. Skënderbeu largohet pas një performance të jashtëzakonshme, që nisi me kualifikimin në turin e parë të Ligës së Kampioneve ndaj Neftçit dhe eliminimit dinjitoz me Shahktar Karagandit. Kampionët e Shqipërisë dëshmuan një futboll praktik, një skuadër kompakte në fushë jo vetëm në fazën ofensive, por dhe atë mbrojtëse ku neutralizuan kundërsulmet e kundërshtarëve tanë, që kishin lënë në tribunë dy lojtarët shqiptarë: Elis Bakaj dhe Kristi Vangjeli. Trajneri Mirel Josa ishte i qartë në misionin e tij.  Një formacion ofensiv me synimin për të dalë te goli sa më shpejt. Dhe këtë mund ta bënte duke guxuar dhe luajtur me dy sulmues, edhe pse të rinj si Mario Morina dhe Andi Ribaj. I vetmi shqetësim ka qenë mesfushorit Zeljko Tomiç, i cili ka probleme shëndetësore. Kroati ka pasur temperaturë në ditët e fundit dhe, sikurse pritej, e nis takimin nga stoli. Me rikthimin e Shkëmbit Lilaj luan paksa më i spostuar në të djathtë të mesfushës, duke ardhur kështu në ndihmë të manovrës sulmuese. Pjesa tjetër e skuadrës nuk ndryshon, teksa rikonfirmohet katërshja e mbrojtjes me Ademir, Radas, Gvozdenoviç e Arapi. Trajneri i ka kushtuar vëmendje të veçantë fazës sulmuese dhe u ka kërkuar lojtarëve të zbresin në fushën kundërshtare me forca të shumta. Në mungesë të gjigandit Pejiç, dyshja Morina-Ribaj, të mbështetur nga Shkëmbi e Muzaka, do të jenë ata që do godasin portën kundërshtare, por pa harruar këtu Orelesin, që ka marrë detyra të qarta. Josa u ka kërkuar lojtarëve të jenë shumë të matur në veprimet e tyre dhe të godasin portën. Gjithashtu ai ka dhënë porosi të veçanta edhe për repartin e prapavijës. Skënderbeu arriti ta gjejë shpejt golin, kur Andi Ribaj realizoi golin e tij në minutën e 19-të, duke shpërblyer besimin e trajnerit Mirel Josa dhe barazuar shifrat në 1-1, duke përfshirë dhe rezultatin 1-0 të Çernomoretsit në Odesa. Pra, gjithçka e barabartë, kur duheshin edhe 70 minuta nga koha e rregullt. Nigeriani Nuredin Orelesi ishte një digë e vërtete në mesfushë, ndërkohë që kapiteni Bledi Shkëmbi ka orkestruar me finesë një skuadër shumë kompakte, ku dallohen edhe Gvozdoneviçi dhe Radashi, ndërsa në portë Orges Shehi ishte një spektakël më vete. Çernomoretsi ushtroi një presion të vazhdueshëm për të shënuar golin me vlerë kualifikuese, por koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1-0, çka e çoi ndeshjen në shtesa, për të përjetuar 120 minuta dramatike, teksa në pesë minutat e fundit Skënderbeu luajti me dhjetë lojtari, pasi Arapi u dëmtua, por zëvendësimet ishin kryer të plota. Në serinë e penalltive, i pari gjuajti kapiteni korçar Bledi Shkëmbi duke realizuar. I pari nga Çernomeretsi ishte Didenko, por Shehit i shkoi topin ndër duar. Kroati Radash u paraqit te pika e bardhë dhe pret portieri i Çernomoretsit, Bezotosni. Penallti e humbur në momentin e gabuar. Fontanello realizoi për ukrainasit. Ribaj ishte lojtari i tretë për Skënderbeun: gol, 2-2. Kutas, futbollisti i tretë te pika e penalltisë dhe gol: 2-3. Portieri Orges Shehi kundër portierit të Odesës, gol, por gjuajtje e tij u anulua nga gjyqtari. Edhe gjuajtja e tij e dytë përfundoi në rrjetë: 3-3. Gai, autori i golit në Ukrainë: 3-4. Gjuajtja e fundit e Skënderbeut i takoi Gvozdenoviçit: 4-4. Braziliani Leo Matos perballë Shehit, dhe Orgesi bën mrekullinë, duke e pritur atë: 4-4. Bicaj, në penalltinë e gjashtë për korçarët: 5-4 për Skënderbeun. Samodin: 5-5. Sabien Lilaj në penalltinë më të rëndësishme në karrierën e tij: 6-5! Braziliani Anderson Santana: 6-6! S’kanë fund emocionet në “Qemal Stafa”. Nigeriani Orelesi te pika e bardhë: shtyllë, e pafalshme! Fatale! Kovalçuk dhe pret Shehi! Një mrekulli! Çfarë emocionesh në impiantin ndërkombëtar! Nimaga për Skënderbeun: pret portieri kundërshtar, i cili do të gjuajë edhe penalltinë dhe gol: 6-7 për Çernomorets, që kualifikohet për në fazën e grupeve. Radash, Orelesi dhe Nimaga, këta ishin ata që nuk shënuan. Gjithsesi, një eliminim dinjitoz. Të lumtë, Skënderbeu!

LIGA E KAMPIONEVE

Turi i dytë eliminator

17 korrik 2013

Neftçi-Skënderbeu    0-0

23 korrik 2012

Skënderbeu-Neftçi    1-0

Turi i tretë eliminator

30 korrik 2013

Shahkter-Skënderbeu  3-0

Sot, 6 gusht 2013

Skënderbeu-Shahkter  3-2

Liga e Europës

22 gusht 2013

Çernomorets-Skënderbeu 1-0

29 gusht 2013

Skënderbeu-Çernomorets 1-0

Ndeshja shkoi në shtesa. Çernomoretsi fitoi 7-6 me penallti

 Shuhet ish-trajneri i Shpresave, Artan Bushati

 Ish-trajneri i ekipit Kombëtar Shpresa, Artan Bushati është ndarë nga jeta, pasi një sëmundje të rëndë e të pashërueshme. Trajneri i njohur ka ndërruar jetë në banesën e tij, në Shkodër, ndërkohë që kishte marre mjekimeve dhe në Itali, por pa munguar të fitojë betejën më të rëndësishme personale. Ish-trajneri i Vllaznisë është një figurë shumë e njohur në rrethin futbollistik në Shqipëri, por jo vetëm. 50-vjeçari u bë i njohur, pasi ka drejtuar ekipin kombëtar “Shpresa” për më shumë se tre vjet, ekipin e Elbasanit (doli nënkampion në sezonin 2004-2005), por edhe ekipin e tij të vendlindjes. Bushati në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte edhe pjesë e listave të LSI në këtë qark, por nuk arriti të merrte një mandat deputeti

Kuksianët humbën 3-1 me Trabzonsporin në Turqi. Golin e vetëm për verilindorët shënoi serbi Lazar Popoviç

  Kukësi largohet krenar nga Europa

 Kukësi i dha fund aventurës europiane në Ligën e Europës pas humbjes 3-1 në ndeshjen e kthimit me Trabzonsporin, që e çoi rezultatin e përgjithshëm në 5-1 në favor të turqve, por skuadra verilindore hyri në histori si ekipi i vetëm shqiptar që ka kaluar tre ture në Europë. Formacioni i Armadndo Cungut tentoi mrekullinë, por nuk ia doli të shkonte në fazën e grupeve të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në kontinent në rang klubesh. Gjithsesi, Kukësi e shënoi goli e nderit në Turqi, teksa Trabzonpori doli i pathyeshëm nga katër përballjet me skuadrat shqiptare, përfshirë dhe dy fitoret me Vllazninë. Trajneri i nënkampionëve hedh pothuajse të njëjtin formacion me takimet e tjera, me ndryshimin e vetëm se në të djathtë luan titullar Dritan Smajli. Në sulm Popovic është i vetëm, me Prognin dhe Hoxhën që mbështesin në krah. Dhe pa u nxehur mirë lojtarët në fushë, është serbi Popovic që në minutën e 11-të vë nën presion turqit, duke shënuar golin e parë. Kuksianët në delir, gjendje që zgjat shumë pak, vetëm 3 minuta, pasi braziliani Paulo Henrique vendos barazpeshën. Kukësi kërkon disa herë të rigjejë avantazhin, por porta e Kivrak mbetet e paprekur. Madje Trabzonspor tregohet i rrezikshëm me francezin Malouda, që mbetet rreziku kryesor për mbrojtjen e Kukësit. Është pikërisht ish-futbollisti Chelseat që i jep epërsinë turqve në pjesën e dytë në minutën e 54-t.  Takimi më pas merr vetëm një drejtim dhe 10 minuta pas golit të dytë vjen dhe i treti. Është braziliani Paulo Henrike ai që plotëson dygolëshin personal, duke vulosur dhe rezultatin përfundimtar 3-1. Me këtë humbje mbyllet aventura e Kukësit në debutimin evropian, ku nënkampionët e sezonit të kaluar shkruan historinë në futbollin shqiptar me kalimin e tre tureve në kompeticionet evropiane, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Megjithatë Kukësi ka një shpresë për të shkuar në fazën e grupeve të Europa League, pasi UEFA ka vendosur se vendi i lënë bosh nga skualifikimi i Fenerbahce do të zgjidhet me short nga skuadrat e eliminuara në fazën “play-off-it”. Pas humbjes në të dyja takimet e eliminatorëve të Ligës së Kampioneve ndaj Arsenalit, ashtu siç përcaktojnë rregullat e UEFA-s, Fenerbahce do të kalonte direkt në fazën në grupe të Ligës së Evropës. Por vendimi i drejtësisë sportive për përjashtimin e turqëve, lë një boshllëk që do të plotësohet nga njëra prej skuadrave që u eliminua mbrëmjen e djeshme. Përcaktimi i emrit të skuadrës nuk do të bëhet mbi bazën e ndonjë rezultati, por do t’i lihet fatit në dorë. Kështu, të gjitha skuadrat e eliminuara, pra 30 prej tyre, do të vendosën në një vazo për të përzgjedhur vetëm njërën. Shorti do të vendosë emrin e skuadrës që do të vazhdojë në grupet e Europa League, ku kuksianët do të shpresojnë që fati t’u buzëqeshë atyre.

ECURIA E KUKËSIT NË EUROPË

LIGA E EUROPËS

Turi i parë

4 korrik 2013

Flora Talin–Kukësi   1-1

11 korrik 2013

Kukësi-Flora Talin   0-0

Turi i dytë

18 korrik 2013

Kukësi-Sarajevo      3-2

25 korrik 2013

Sarajevo-Kukësi      0-0

Turi i tretë

1 gusht 2013

Kukësi-Metalurg D.   2-0

8 gusht 2013

Metalurg D.-Kukësi   1-0

Faza play-off

1 gusht 2013

Kukësi-Trabzonspor   0-2

8 gusht 2013

Trabzonspor-Kukësi   3-1

 Berisha firmos katër vjet me Lacion

 Etrit Berisha mund të quhet zyrtarisht një futbollist i Lacios. Pas një tratative shumë të gjatë, “telenovela” e portierit të kombëtares kuqezi ka përfunduar në orët e vona të mesnatës së të mërkurës, kur 24-vjeçari ka hedhur firmën mbi kontratën e re me klubin italian. Palët kanë rënë dakord, duke gjetur gjuhën e përbashkët mes tyre. Berisha ka firmosur një kontratë 4-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 500 mijë euro në sezon. Në Romë, portieri shqiptar do të gjejë Igli Taren, një ndër njerëzit që e bindi për të firmosur me skuadrën laciale, kapitenin Lorik Cana, por edhe ndoshta pasardhësin e tij në portën e Shqipërisë, Thoma Strakosha.

 Hysaj nuk lëviz nga Empoli

 Elseid Hysaj do të vijojë karrierën tek Empoli, të paktën edhe për sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi 19-vjeçar i kërkuar nga Lacio gjatë merkatos së verës, siguroi për mediat italiane se nuk do të lëvizë nga Toskana. Aktivizimi titullar dhe pjesëmarrja deri në fazën “play-off” të Serisë B, ishte diçka e bukur për lojtarin e kombëtares shqiptare, por më e vështira, sikurse e pranon dhe vetë, vjen tani. Empoli e nisi me fitore sezonin e ri në Serinë B, duke mundur në shtëpi Latinan me rezultatin 3-1. Hysaj deklaron se në një kampionat ku konkurrenca është rritur shumë, objektivi kryesor mbetet mbijetesa.

 Agon Mehmeti, gati për Slloveninë

  Agon Mehmeti, sulmuesi i Olhanenses në kampionatin portugez, do të jetë prurja më e re në kombëtaren kuqezi për dy ndeshjet eliminatore të Botërorit Brazil 2014 me Slloveninë dhe Islandën, që do të zhvillohen në transfertë. Mehmeti ka lindur në vitin 1989 në Podujevë, ndërsa është formuar si futbollist në Akademinë e Malmos. Në janar të 2012 u transferua te Palermo, ku luaji vetëm 3 ndeshje, pasi në verë të këtij viti u dha në formën e huazimit te Novara në Serinë B. Në korrik të 2013, Mehmeti kaloi sërish në formën e huazimit në Ligë e parë Portugeze me Olhanense, duke u shndërruar menjëherë një nga pikat e forta të ekipit.