Rrugët dhe kriteret, si mund të punësoheni si infermier në Gjermani

    5633
    Në fushën e infermierisë, Gjermania ka një nevojë në rritje për punonjës të kualifikuar, një mundësi për punonjës të arsimuar në Shqipëri, për t’u zhvilluar (trajnuar) më tej e për të krijuar përvoja të vlefshme, të cilat do të jenë të tilla edhe pas rikthimit në Shqipëri. Shqipëria është ndër vendet e para partnere për ndërmjetësimin e punonjësve në fushën e infermierisë me Gjermaninë. Për tu ardhur në ndihmë gazeta “Telegraf” pasqyron procedurat dhe kriteret që bëjnë të mundur punë mundur punësimin tuaj.

    Çfarë mundësish ofrohen për punonjësit?
    Infermierët shqiptarë mund të përfitojnë deri në 18 muaj kualifikim të mëtejshëm profesional e gjuhësor si punonjës „mysafirë“ në Gjermani.

    Çfarë kushtesh duhen plotësuar?
    Ushtrimi i testuar i profesionit është parakusht për njohjen shtetërore të diplomës në Gjermani. Deri në marrjen me sukses të provimit për njohjen e diplomës, punonjësit do të punojnë fillimisht si ndihmës-infermierë/ndihmës-infermiere.

    Cili është synimi i këtij projekti?
    Punonjësit njohin metoda dhe teknologji moderne në fushën e infermierisë – në klinika dhe në institucione të tjera të kujdesit të shëndetit në Gjermani.

    Kush mund të aplikojë?
    Shtetas shqiptarë, mbi 22 vjeç, me studime të përfunduara në fushën e infermierisë në Shqipëri dhe në rastin ideal me përvojë konkrete në profesion dhe me njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane

    Si dhe ku mund të aplikojnë të interesuarit?
    Aplikimet bëhen nëpërmjet postës dhe në rrugë elektronike me e mail dhe duhet t’i bashkëngjiten në dy kopje dokumentet e mëposhtme. 
    Dokumentet e nevojshme 
    Dëshmitë e notave për të gjithë vitet e shkollës mjekësore (Infermieri e Përgjithshme), në shqip dhe të përkthyera në gjermanisht.
    Dokumenti përfundimtar i Studimeve / Diplomë të specialitetit në shqip dhe të përkthyera gjermanisht.
    Jetëshkrim (CV) në gjuhën gjermane me të dhëna mbi arsimimin, kualifikimin, njohuritë e përvojat profesionale dhe njohuritë në kompjuter.
    Kopje të Librezës së punës / dokument i punësimit (përkthyer në gjermanisht).
    Dëshmi penaliteti.
    Dokument që vërteton njohuritë në gjuhën gjermane / Certifikatë

    Çilat janë kushtet që duhet të përcaktohen në kontratë?
    Kohëzgjatja e marrëveshjes së punësimit është të paktën një vit dhe jo më shumë se 18 muaj. Orari javor i punës është i njëjtë me numrin normal të orarit të punës me kohë të plotë, në përputhje me kontratën kolektive ose pagesës tipike të punësimit me kohë të plotë.

    Përcaktohet e drejta për pushime.
    Paga bruto përcaktohet shprehimisht dhe përputhet me kushtet normale të vendit në fjalë sipas kontratës kolektive.
    Punëdhënësi ndihmon në gjetjen e një banese të përshtatshme dhe të përballueshme financiarisht për punonjësin.
    Për punonjësit që marrin pjesë në këtë kualifikim është i vlefshëm legjislacioni gjerman i punës.

    “Kriteret e përzgjedhjes”.
    Përzgjedhja e kandidatëve fitues do të bëhet në bazë të shqyrtimit për plotësimin e të gjitha kërkesave të aplikimit, aftësinë profesionale dhe eksperiencën e punës të kandidateve si dhe njohjes së gjuhës gjermane. Kandidatët e përzgjedhur paraprakisht mbi bazën e dokumentacionit i nënshtrohen një intervistë me përfaqësuesit e palës gjermane

    “Procedura e përzgjedhjes”
    Në fazën e parë bëhet përzgjedhja paraprake e aplikantëve. Bëhet kontrolli paraprak I përmbushjes së kritereve formale të aplikimeve të kandidatëve. Kjo nënkupton shqyrtimin e dokumenteve për të gjithë aplikantët që kanë mbërritur brenda afatit të parashikuar. Në këtë fazë mund të bëhen edhe verifikime për saktësinë e dokumenteve të paraqitur nga aplikantët. Në këtë fazë bëhet lista përfundimtare me renditjen sipas cilësisë së kandidatëve që kanë aplikuar (që plotësojnë kriteret formalë dhe ato në aspektin profesional dhe gjuhësor) dhe shpallet lista e personave që do të ftohen në intervistë. Kandidatët e përzgjedhur njoftohen ( kontaktohen në numrat e telefonit dhe në adresën e postës elektronike) për të marrë pjesë në intervistat përzgjedhëse (rreth 30 minuta për çdo intervistë). Është përgjegjësi e kandidatëve që të sigurohen që të jenë të arritshëm në numrin e telefonit dhe në adresën e postës elektronike. Në rast pamundësie për tu kontaktuar apo mosparaqitje në intervistë në datën dhe orën e paracaktuar, kandidati do të konsiderohet i përjashtuar nga përzgjedhja.

    Në fazën e dytë bëhen intervistat për përzgjedhjen e kandidatëve.
    Kandidatët që paraqiten për të marrë pjesë në intervistë duhet të kenë me vete si dokument mbështetës dhe identifikues Pasaportën ose Letërnjoftimin. Në intervistat për përzgjedhjen përfundimtare mund të jenë të pranishëm edhe punëdhënësit gjerman, të cilët do të përzgjedhin kandidatët fitues për të vazhduar kualifikimin e mëtejshëm në Gjermani. Personave të përzgjedhur për tu punësuar në Gjermani do të informohen mbi procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm për marrjen e vizës gjermane për arsye punësimi dhe hyrjen në Gjermani. Të gjitha fazat e përzgjedhjes do të dokumentohen nëpërmjet mbajtjes se procesverbaleve të posaçme.

    Nga kush e merr miratimin punonjësi?
    Nëse plotësohen kushtet për një marrëveshje të rregullt punësimi, ZAV i Agjencisë Federale së Punës lëshon një leje për punëkërkuesin (aplikantin), i cili e njeh këtë të fundit si „punëmarrës sezonal (mysafir)“. Ky vërtetim së bashku me kontratën e punësimit i dërgohet institucionalisht palës shqiptare, e cila ia përcjell atë aplikantit. Punëmarrësi lejohet të punojë vetëm për punëdhënësin e cilësuar në lejen e lëshuar. 

    Cilat janë rregullat për siguracionin e shëndetit dhe për siguracionin nga aksidentet?
    Punonjësit mysafirë detyrohen të sigurohen sipas detyrimit për sigurimet shoqërore në Republikën Federale të Gjermanisë. Mbrojtja ligjore nga aksidentet nis menjëherë pas hyrjes në Gjermani. Në momentin e nisjes së marrëveshjes së punësimit, punonjësi duhet të ketë mbrojtjen me sigurime shëndetësore për një periudhë të mjaftueshme.

    Udhëzime për procedurën e udhëtimit dhe të kërkesës për vizë
    Si vërtetim për lejimin e pjesëmarrjes në procedurën për migrimin e punonjësve sezonalë (mysafirë) vlen vërtetimi nga Agjencia Federale e Punës për ushtrimin e një pune sipas § 39 të Ligjit për Qëndrimin (AufenthG) në lidhje me § 40 të Rregullores së Marrëdhënieve të Punësimit (BeschV). Me vërtetimin e lejes, punonjësi paraqet kërkesën për vizën e hyrjes në përfaqësinë gjermane (Ambasadë). Viza lëshohet për një afat tremujor. Kjo vizë garanton si të drejtën për qëndrim në Gjermani, ashtu edhe lejen për të punuar për punëdhënësin e cilësuar paraprakisht. Në këtë moment, punonjësi mund të udhëtojë drejt Gjermanisë. Përpara se viza të skadojë, punonjësi duhet të paraqesë në kohë kërkesën për leje-qëndrim në zyrën përkatëse të punës, e cila përgjigjet për zonën ku banon punëmarrësi. Leja e punës vërteton në të njëjtën kohë edhe lejen për ushtrimin e profesionit. Nuk është e nevojshme deklarata paraprake pranë Agjencisë Federale të Punës.
    Sigal