Rritja e miellit me 15 %, furrtarët: Qeveria të heqë TVSH-në, që të mos rritet buka

    407
    Sigal

    Alarmohen furrat e bukës, të cilat prej ditësh tashmë po e marrin miellin 15 % më shtrenjtë. Rritja e çmimit të miellit patjetër që do të reflektohet edhe në çmimin e bukës dhe nëse kjo do të ndodhë, shqiptarët do e blejnë bukën me 120 lekë. Dhe kjo është logjike, se nëse rritet çmimi i lëndës së parë, me patjetër që kjo rritje do të reflektohet edhe te produkti final. E gjithë kjo vjen si shkak i embargos ruse të miellit për Europën. Ky vendim i Rusisë ka sjellë vendosjen e një takse prej 35 eurosh për ton grurë. Duke shtuar këtu kostot e importit, fuqizimin e dollarit (monedha me të cilën blihet drithi), por dhe 20 % e TVSH-së, bizneset e furrave të bukës nuk dihet sesa do të rezistojnë që gjitha këto kosto në rritje, të mos ndikojnë në rritjen e çmimit të bukës. Shqipëria është i vetmi vend në Europë, por dhe në rajon me vlerën më të madhe të tatimit mbi vlerën e shtuar, ndërkohë që në shumë vende nuk aplikohet fare TVSH në produktet jetike (shporta), ndërsa në disa të tjera është shumë më e ulët se në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Bujqësisë gjetja e tregjeve të reja për importin e grurit është një prej zgjidhjeve që do t’i jepet prodhuesve të miellit. Ndërsa vetë importuesit e miellit janë shprehur se gjetja e burimeve te tjera për furnizim është e vështirë dhe do kohë. Shqipëria importon mbi 50 për qind të grurit nga Rusia dhe pjesën e mbetur nga Serbia, e cila gjithashtu e importon grurin nga ky vend. Ndërsa Ministria e Bujqësisë duhet të stimulojë prodhimin e drithërave në vend, me politika lehtësuese për fermerët tanë, nga ana tjetër, përmbytjet e ndodhura në Myzeqe pak na ndihmojnë në rritjen e shpresës se situata do të përmbyset me korrjet e reja. Kështu që, topi mbetet në derë të qeverisë, nëse do të rritet apo jo çmimi i bukës, i cili është dhe produkti kryesor në tavolinat e shqiptarëve. Gjithsesi, ka ardhur koha të mendohet seriozisht për TVSH-në e produkteve të shportës.