Rritja e kredive të këqija tregon se Banka Qendrore ka punuar keq sepse nuk e ka parandaluar rritjen e kësaj shifre.

695
Sigal

Intervista/ Flet Prof, Alqi Naqellari: JA KU PO SHKON BANKA E SHQIPËRISË

Ende vazhdon të diskutohet në ambiente të ndryshme por edhe në media problemi i vjedhjes së Bankës dhe Guvernatorit të ri. Diskutimet janë nga më të ndryshmet dhe befasueset. Ndër të parët që e kishte parandier kolapsin e kësaj banke ka qenë pedagogu Alqi Naqelalri që më shumë se dy vjet më parë pati deklaruar për Telegraf, se politika e BK është e gabuar.

 Si është sot gjendja në Bankën e Shqipërisë?

Përgjigje. Pavarësisht se në aparencë  duket e qetë, sot gjendja në Bankën e Shqipërisë nuk është e mirë. Kjo e parë në disa aspekte.

E para, prej disa muajsh mungon stafi i plotë i Këshillit të Mbikëqyrjes. Mungesa e plotë e anëtarëve të këtij Këshilli si dhe përgojimi për një pjese të tyre se janë aktivë në politikë dhe duhen larguar ka bërë që Banka Qendrore të vazhdojë aktivitetin e saj në kushte jo normale. Kjo shihet edhe në veprimet e fundit të saj. Ajo vendosi që të ulë normën bazë të interesit në 2.25% me argumentin se do të mbajë inflacionin në kuotat e parashikuara 3, +-1 dhe se do ndikojë në uljen e kostos së kredive me synim gjallërimin e ekonomisë. Gjuha e argumenteve të bëra në materialin e paraqitur në Këshillin e Mbikëqyrjes qe po ajo që unë e kam parë në çdo analizë dhe ulje të kësaj norme, nuk kishte asnjë ndryshim nga argumentet e mëparshme. Konkluzioni që unë nxjerr për këto veprime të kësaj Banke është i thjeshtë. Këta njerëz akoma nuk duan ta kuptojnë se Banka Qendrore e Republikës së Shqipërisë për shumë arsye, që unë do mundohem ti ceki më poshtë, nuk e kontrollon dot inflacionin dhe se efekti i transmisionit të politikave monetare ka shkuar drejt zeros.

E dyta, sot mungon një pjesë e rëndësishme e personelit që ka qenë e lidhur me sigurinë dhe administrimin e rezervave, çdokush me të drejtë shtron pyetjen: çfarë bëhet sot me sigurinë, a janë vendosur kamera dhe aparate që regjistrojnë dhe ruajnë regjistrimin për vite të tëra apo vazhdojnë me aparatet e para që regjistrojnë deri në dy muaj? A janë zëvendësuar këta njerëz, dhe çfarë njerëzish janë ata që i kanë zëvendësuar? Përsëri të kallëpit që ishin; miq, nipër e mbesa të kupolës së bankës apo fëmijë, gra, nipër e mbesa të qeveritarëve, të presidentëve apo të deputetëve? Çdokush mund të pyesë se a është hartuar ndonjë Rregullore e re mbi qarkullimin e vlerave monetare apo ka mbetur ajo që ishte? A është konkrete apo jo përgjegjësia për lëvizjen e këtyre vlerave, etj, etj.

E treta, prokuroria po vazhdon ende punën për sqarimin e problemit të vjedhjes sepse janë hedhur shumë dyshime se sasia e vjedhur nuk është aq sa është deklaruar por është shumë më e madhe. Nga shtypi kemi parë se po kërkohet të ballafaqohen zhdoganimet me hyrjet në magazinat e parasë, daljet nga linjat e prodhimit me zhdoganimet, daljet nga magazinat me destinacionet etj. Po kërkohet të ribëhet kontroll mbi eliminimin e parave të dëmtuara, mbi mënyrën dhe rregullat e eliminimit të tyre, etj. Pra punonjësit e Bankës punojnë nën një trysni psikologjike sepse gjithkush mendon se nesër do ti vijë radha të pyetet. Në këto kushte askush nuk mund të punojë i qetë. Të qetë do të punojnë kur ky problem të përfundojë dhe përgjegjësit e këtyre abuzimeve të shkojnë para drejtësisë.

E katërta, rolin e guvernatorit po e luan zv/guvernatorja që për mendimin tim është edhe ajo përgjegjëse për çfarë ka ndodhur në këtë bankë. Nuk mundet dot që zv/guvernatorja të luajë rolin e guvernatorit në kushtet e një trysnie psikologjike kur ish kolegët dhe kolegët e saj presin të dalin para dyerve të drejtësisë. Në këtë mënyrë puna në dukje e qetë është tërësisht e tensionuar.

 

A është fituar sot siguria në BK ?

Në një Bankë Qendrore nga e cila varen politikat monetare dhe ecuria e ekonomisë së një vendi është e vështirë që të fitohet siguria. Të tilla deklarime se janë rritur depozitat kur u konstatua vjedhja, dhe se kreditë kanë shenja të rriten janë histori për tu dhënë kurajë investitorëve shqiptarë tu drejtohen Bankave Tregtare sepse në të vërtetë asnjë gjë nuk ka lëvizur nga vendi, përkundrazi përqindja e kredive të këqija ndaj totalit të tyre ka ardhur gjithnjë e në rritje. Këto shihen në treguesit monetarë të botuar në Raportet Statistikore mujore të kësaj banke. Biznesmenët po ju drejtohen tregjeve informale më shumë se bankave. Siguria për një punë normale teknike do fitohet kur të vendoset jo vetëm guvernatori i ri por kur të ndryshojë edhe një pjesë e mirë e stafit të bankës e cila ka qenë e lidhur sado pak me veprimet e personave përgjegjës që sot janë para drejtësisë.

 Cila është masa e parë që duhet të marrë Guvernatori i ri dhe si duhet të jetë apo kush duhet të jetë Guvernatori i ri?

Përpara se ti përgjigjem pyetjes së parë do bëj ca sugjerime për kandidaturën që ka propozuar Presidenti i Republikës. Do ta bëj këtë edhe sepse unë jam një nga ata që ka paraqitur CV te Presidenti për këtë post të rëndësishëm. Unë prisja që Presidenti të emëronte ndonjë Profesor, Akademik apo Doktor në fushën e Ekonomiksit dhe të Financave që Shqipërisë nuk i mungojnë. Të paraqiste ndonjë kandidaturë të njohur në fushën e letrave, personalitet, intelektual që ka dhënë kontribut të veçantë në fushën e analizës së modelit të  sistemit financiar shqiptar, dhe nuk prisja që CV e një personi  kandidat për Guvernator, të varej nga sa vite ka punuar në bankë. Arsyeja që Presidenti zgjodhi këtë kandidaturë ishte vetëm puna e tij në sektorin bankar, në BQ, Rajfaizen dhe në Sozhe. Thotë se ka punuar edhe në Fed-in Amerikan. Unë do ta pyesja Presidentin se çfarë pozicioni ka pasur në Fed, pse është larguar nga ajo punë që çdo ekonomist i botës do ta lakmonte? A ka qenë i suksesshëm në punën e tij në Bankat Tregtare? Edhe mund të ketë qenë por unë di që Sozhe dhe Rzb nuk janë nga Bankat më të mira të nivelit të dytë, por janë banka që kanë luhatje në fitimet e tyre. Gjithsesi nuk do të thotë se nëse ke qenë i suksesshëm në një bankë tregtare do jesh edhe në një bankë qendrore. Banka Qendrore është krejt ndryshe nga një Bankë Tregtare. Bankat Tregtare janë biznese, janë firma që kanë si objektiv maksimizimin e fitimit, ndërsa Banka Qendrore nuk ka ato objektiva dhe ato funksione që ka një bankë e nivelit të dytë. Ajo mund të drejtohet me shumë sukses nga një makroekonomist sesa nga një ekonomist me përvojë në bankat e nivelit të dytë. I tillë ka qenë edhe ish-guvernatori, por ja ku e çoi bankën. Meqenëse ky person ka punuar në Bankën Qendrore a ka dhënë ndonjë kontribut në mendimin ekonomik bankar apo financiar në përgjithësi? A është dakord ky person me këtë sistem financiar që aplikohet sot në Shqipëri? A është dakord me qenien e tre monedhave si monedha zyrtare në Republikën e Shqipërisë? Përgjigja ime është po, ky është dakord me të gjitha këto sepse nëse do kishte rezervat e tij do ti kishte shprehur ato publikisht. Unë nuk kam lexuar ndonjë shkrim të tij ku të kërkojë largimin e euros dhe të dollarit nga tregu i kredive dhe i depozitave, nuk kam lexuar të japi mendime për krijimin e bursës apo për modelin e ri ekonomiko-financiar.

Atëherë lind pyetja: Çfarë do ndryshojë ky guvernator i ri në bankë? Unë them se nuk do të ndryshojë gjë. Do jetë siçishte dhe ekonomia shqiptare do vazhdojë të vuajë përsëri nga sistemi bankar. Në situata të tilla me kurs këmbimi fleksibël në ekonomitë e vogla të hapura, efekt kanë politikat monetare dhe jo politikat fiskale. Të bëjë çfarë do gjëje qeveria me politika ekspansioniste, nuk do arrijë rritje të qëndrueshme ekonomike, vetëm se do provokojë rritje momentale të kërkesës agregate. Vetëm politikat e bankës e bëjnë ekonominë të eci përpara, por në këto kushte me këtë gjykim të presidentit për guvernatorin unë jam skeptik se nuk do ndodhë hiç gjë dhe ekonomia e Shqipërisë do shkojë gjithnjë e më keq. Ky person do jetë vazhdues i politikave të ish guvernatorit dhe që besoj se ka ardhur këtu me miratimin e tij nuk mund të ndryshojë gjë në bankë. I theksova të gjitha këto sepse, vendimin e marrë, e shikoj si një fyerje që Presidenti i Shqipërisë i ka bërë inteligjencës shqiptare, është fyerje për Akademikët, Profesorët, Doktorët, për gjithë pedagogët e Universiteteve, për ata njerëz që kanë dhënë kontribute të çmuara në mendimin ekonomik shqiptar, pavarësisht se nuk janë dëgjuar asnjëherë prej Bankës Qendrore dhe prej Qeverive përkatëse.

Unë nuk kam fare besim se guvernatori i ri do bëjë ndonjë çudi. Ky do jetë njësoj si i pari, as mish dhe as peshk, kështu siç kanë qenë raportet e tyre për vite të tëra. Nëse nuk ndryshohet objektivi themelor i Bankës së Shqipërisë, nëse nuk mësohet se inflacioni në Shqipëri, nuk është monetar por është i importuar, nëse nuk shikohet si domosdoshmëri krijimi i një banke agrare me kapital tërësisht shtetëror, nëse nuk shihet si imperative largimi i euros dhe dollarit nga depozitat dhe kreditë, ndryshimi i kursit të këmbimit dhe krijimi i bursës, do të thotë se nuk do ketë ndryshime dhe ekonomia shqiptare do vazhdojë të përkeqësohet.

A do të ndëshkohen mëkatarët e mëdhenj?

Mëkatarët më të mëdhenj për mua janë ish guvernatori, zv/guvernatorja, anëtarët e Këshillit të Mbikëqyrjes, drejtorët dhe shefat e departamenteve të sektorit ku ndodhi vjedhja përveç atyre që kishin përgjegjësi direkte materiale. Si në rastin e vjedhjes së floririt, edhe në këtë rast  do dënohet homologu i fshatarit nga Krraba, do bëjë ca vite burg dhe do dali.  Në Shqipëri dënohen adoleshentë për 1 gram drogë dhe nuk dënohen ata që vjedhin miliarda. Kjo është Shqipëria, nuk e ndërrojmë dot.

Sa ndikon aktualisht BK në bankat e nivelit të dytë?

Kjo pyetje meriton një analizë më vete por unë do ti përgjigjem shumë shkurt. Banka Qendrore ndikon shumë në ecurinë e biznesit të Bankave Tregtare ose Bankave të nivelit të dytë. Ajo ka një sërë lidhjesh të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. Banka Qendrore është thuajse po aq përgjegjëse sa janë drejtuesit e një banke që falimenton sepse ajo di në çdo moment situatën financiare, të depozitave dhe të kredive të të gjitha bankave tregtare. Ajo kryen veprime të përditshme me to. Ndryshe Bankën Qendrore ne e quajmë edhe Bankë e Bankave. Kështu si të jetë Banka Qendrore do jenë edhe bankat tregtare, ato janë fytyra e Bankës Qendrore. Nëse Banka Qendrore është keq, edhe ato janë keq. Rritja e kredive të këqija tregon se Banka Qendrore ka punuar keq sepse nuk e ka parandaluar rritjen e kësaj shifre.

Albert Z. ZHOLI