Rritet ndotja në plazhet e Durrësit

    434
    Sigal

    Infeksionistët dhe dermatologët në Durrës kanë paralajmëruar dhe kanë dhënë alarmin, se “ndotja në disa pika, ku njerëzit bëjnë plazh, ka rritje ndaj duhet të bëjnë  kujdes me ujin, rërën dhe ushqimet”. Por, ndonëse është  deklaruar marrja e masave për sigurimin e një sezoni turistik të pastër, kjo gjë nuk është arritur, veçanërisht për plazhet që kanë frekuentimin më të lartë në Durrës. Nga të dhënat e  publikuara  nga ekspertët e Shëndetit Publik në Durrës, rezulton se edhe për këtë sezon situata më problematike paraqitet në qytetin e Durrësit. Dermatologët dhe infeksionistët deklaruan se, “në disa zona është këshilluar që të mos bëhet frekuentimi i tyre, duke qenë se analizat e kryera kanë dëshmuar prezencën e një ngarkese të lartë mikrobiologjike në ujë. Probleme të shumta janë vënë re edhe në plazhin e Zhironit, te “Bërryli”, në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”, te “Plepat”. Përveç zonave të përmendura më sipër problematike ka rezultuar edhe plazhi në Golem. Në raportin e hartuar pohohet se plazhi i Plepave është i ndotur përtej parametrave të konfirmuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë apo dhe ato të komunitetit evropian. Shkak për këtë është bërë gjetja e ngarkesës së lartë bakteriologjike. Analizat kanë treguar se situata paraqitet problematike në plazhin e vjetër të këtij qyteti, i cili pothuajse çdo vit ka qenë prezent në listën e plazheve të ndotura. Njëkohësisht edhe përgjatë zonës  Teuta- Plepa ujërat e zeza shpesh derdhen në det. Kategoria më e rriskuar mbeten fëmijët. Rreziku qëndron në faktin se janë sëmundje ngjitëse. Ato mund të transmetohen lehtë, nëse nuk respektohen kushtet higjieno-sanitare. Mbetet detyrë e bashkisë për të eliminuar problemet me ndotjen dhe për të siguruar  higjienë maksimale për turistët vendas dhe ata të huaj.