Rrezikimi i kualifikimit në Botëror, Italia në prag të kolapsit financiar

651
Pas sigurisë së “play off”-eve të nëntorit, ndonëse “apokalipsi” i mungesës së pjesëmarrjes në Botërorin 2018 nuk është shmangur ende, Kombëtarja italiane duhet të bëjë llogaritë edhe me bilancin financiar të federatës, i cili është edhe aseti më i madh i përfaqësueses.
Mungesa e prezencës në Kupën e Botës, e cila do të startojë 14 qershorin e vitit të ardhshëm, do të ofronte dëme të pallogaritshme, jo vetëm në aspektin e imazhit, por mbi të gjitha në arkëtimet financiare. Por le ta nisim nga këto të fundit…
FITIMET E BOTËRORIT
Duhet nënvizuar se vlera totale që do të shpërndahet në “Rusi 2018” do të rritet me 20 për qind (700 milionë dollarë) kundrejt Botërorit brazilian, i cili preku shifrën 576 milionë dollarë, nga të cilat 100 milionë janë të destinuara për sigurimin e shëndetit të lojtarëve dhe 70 si pagesë për klubet në të cilin lojtarët pjesëmarrës që janë të impenjuar në turne.
Në Rusi, secila prej 32 finalisteve do të arkëtojë 2 milionë dollarë për përgatitjet, ndërsa 16 të eliminuarat pas fazës së grupeve do të ngushëllohen gjithsesi me 10 milionë dollarë secila. Kalimi i grupeve dhe udhëtimi drejt finaleve do të garantojë të tjerë “xhetona”, me finalistet që do të ndajnë mes tyre 90 milionë dollarë, 50 për fituesen dhe 40 milionë dollarë për të dytën e klasifikuar, kundrejt 60 të një Botërori më parë (35 për fituesen, 25 për vendin e dytë).
Nëse hipotetizojmë një Itali që do ta nderonte pjesëmarrjen të paktën deri në çerekfinale (pas eliminimit që në grupe në dy Botërorët e fundit), Federata “axurre” do të arkëtonte një shumë prej 25 milionësh, një çek që gjithsesi është jo pak i majmë.
TËRMET NGA ELIMINIMI
Por, në rast të një “apokalipsi” dhe një udhëtimi të munguar në Rusi, pa dyshim që ky fakt do të provokonte një zinxhir zhvlerësimi të markës “Itali”, me efekte jo ndoshta rrënuese, po natyrisht shumë të rënda në lidhje me arkëtimet që vijnë nga sponsorët dhe televizionet. Të ardhurat vjetore të Federatës Italiane të Futbollit janë pak më pak se 45 milionë euro në vit (buxheti 2016).

Federata ka sigluar në 2014-ën një kontratë 4-vjeçare me “Infront” dhe grupin “24 orë”, të cilët deri në 2018-ën janë mbështetësit e marketingut të federatës. Kontrata parashikon 57 milionë euro të ardhura për të gjithë periudhën, e thënë ndryshe 14.25 milionë euro vjetore të garantuara, pavarësisht nga rezultatet e kombëtares.

Këtyre shifrave u shtohen 18.7 milionë euro vjetore nga akordi me “Puma”-n deri në vitin 2022, i cili është sponsori i bazës teknike dhe, siç evidenton “Report Calcio 2016”, por pa harruar edhe 13 sponsorë të tjerë, që investojnë në këtë “markë” të rëndësishme që është Italia. “Puma”, përveç kësaj pagese fikse, i ofron kombëtares së parë edhe disa honorare të tjera milionere për evente speciale, siç ndodhi edhe në Europianin francez.

Objektivi i deklaruar i drejtorit të përgjithshëm në federatë, Mikele Uva, është ai i të arriturit te 70 milionë dollarë të ardhura nga marketingu. Por është e dukshme se mungesa e kualifikimit për në “Rusi 2018”, jo vetëm do ta bënte të paarritshëm për objektiv, por do të kishte një efekt depresiv edhe në kontratat për t’u rinovuar me sponsorët, pas vitit 2018, për katërvjeçarin e ardhshëm që të dërgon drejt Botërorit të radhës, “Katar 2022”.

Të tjera pasoja negative që do të lindnin, janë ato që lidhen me kontratat televizive. “Axurrët” garantojnë një mesatare prej 12 milionë spektatorësh, një hallkë e rëndë- sishme prej 8 milionë dollarësh. Për këtë arsye, televizioni “Rai” i paguan federatës afro 25 milionë euro të drejta televizive, një shpenzim i pajustifikueshëm në të ardhmen, për një kombëtare jashtë Botërorit. Një situatë, e cila duhet shmangur absolutisht me çdo kusht…
Sigal