Rrezarta Reçi/ Fjalë dashurie për miken time të mrekullueshme Drita Pelingu

    460
    Sigal

    Në kujtesë të mikes time të mrekullueshme që do të më mungojë shumë! Për mënyrën se si ajo dashuroi jetën, artin, skenën, mësimdhënien, artin e komunikimit me njerëzit, për mënyrën se si ajo e dritësonte secilin moment të jetesës pa rënë pre e mediokritetit, e përditshmërisë, të zakonshmes…

     E dashur zysh Drita!

    Këto fjalë dashurie për fatin tim të mire t’i kam thënë deri afër ikjes tënde përfundimtare. Më shumë i flas vetes se TY, tani që ti na dhe lamtumirën e përgjithmonshme. Gjithmonë kam besuar se ti do të ishe edhe ZONJË E VDEKJES, ashtu siç dite të ishe gjatë gjithë këtyre viteve ZONJË E JETËS DHE E SKENËS. Tani që vetë vdekja i bën më të prekshme ndjesitë unë qartësoj tek vetja çastet e miqësisë së përbashkët. U lidhëm përgjatë një ARRATIE, dedikuar TY natyrisht, për të udhëtuar bashkë nëpër vite me një lidhje shpirtërore, fizike, artistike, eterike që fjala miqësi i shkon përshtat. Do më mungojnë bisedat e tua të gjata, të këndshme, kokë më kokë me një gotë pije në dorë, të cilat zgjasnin me orë dhe nuk kishin brenda asnjë element të rëndomtë…do më mungojnë momentet e shfaqjeve krah teje në poltronin ngjitur, nga unë ndiqja vjedhurazi, me admirim mënyrën se si qëndroje, se si e ndiqje pjesën dhe analizat e sakta pas shfaqjes…do më mungojnë momentet e këndshme të drekave gazmore me TY dhe Merin, ku silleshim shpengueshëm në vende idilike me gotën e verës së kuqe përpara…do më mungojë ankthi kur ti u ngjite në skenë për herë të fundit dhe unë i dija dhimbjet e tua fizike dhe të shpirtit…do më mungojë kurajo me të cilën TI, zysh Drita, përballove humbjet e rënda që të ranë… vazhdoj të të adhuroj pafundësisht për kurajon me të cilën TI përqafove jetën deri në çastin e mbramë. Unë ta kisha kuptuar kodin e asaj çfarë ti kishe vendosur të bëje me jetën, e doja këtë pjesë tënden, e vlerësoja, e respektoja, e mbështesja, prandaj albumi ynë i fotove ka vazhduar të pasurohet deri në fund, sepse kur njeriu zgjedh të jetojë, jeton! Çdo fundjavë do më mungojë telefonata jote besnike. Sapo jepej ARRATIA në transmetim, TI ishe e para, zysh Drita, që më telefonoje, jo thjeshtë për të më uruar, por i bëje një analizë të hollësishme emisionit duke e parë si një shfaqje. Gushti ishte muaji i një komunikimi intensiv telefonik ku TI më përcillje emocionet e tua duke parë ritransmetimet e ARRATISË, kurse unë mundohesha që atë dhomë tënde ku ishe sëmurë, ta mbushja me imazhet blu të jugut tënd të dashur sepse isha me pushime. Biseda pafund, minuta pafund, shkëmbim dashurie dhe përkujdesjeje…nuk të kam dëgjuar kurrë duke rënkuar, të adhuroj për forcën, uroj të mos kesh vuajtur shumë mikja ime.

    Ti mbetesh për mua një DRITË që do të më shoqërojë me dashurinë dhe kujdesin TËND të pafundëm!

    Me dashuri Rezi