Rrënimi i Sukthit: Shkolla e zaptuar nga mejhanet, fusha e sportit me kyç dhe Pallati i Kulturës, jo funksional

    647
    Sigal

    Rikthejini pronat publike komunitetit të Sukthit!

     Ina Kurti

    Shkolla 9-vjeçare Sukth

    Shkolla, ku unë u edukova, mora mësimet e para dhe zura shoqërinë e parë. Dikur është quajtur “NB 8 Nëntori”, Sukth dhe më pas shkolla “Njazi Mastori”, emri i një mësuesi të gjuhë-letërsisë, intelektual i asaj kohe. Dikush i cili lexonte dhe me sakrifica mbante funksionale bibliotekën e shkollës, u nderua me vendosjen e emrit të shkollës pas vdekjes së tij. Shkollë kjo, një nga më të mëdhatë e Bashkisë së Sukthit, ku dhe numri i nxënësve është i kufizuar nga kërkesa të mëdha. Restaurimi i saj u bë në vitin 2000, ardhja e një epoke të re ku kishte fushën, gjelbërimin dhe hapësirën e mjaftueshme, pasi nxënësit që studionin në të ishin dhe janë akoma shumë. Në ditët aktuale gjysma e oborrit është e rrethuar nga mure, që po t’i shohësh në brendësi të shkollës dallohen si gradaçela, ku nuk lejohen të dalin të burgosurit. Pjesa e jashtme e saj, sa herë kalonin prindërit tanë të na jepnin nga një gurabije 50 lekëshe në atë kohë, aktualisht është e kthyer në dyqane. Të gjitha ndërtesat brenda territorit të shkollës, janë hedhur në procese gjyqësore dhe të fituara nga Bashkia Sukth. Në bazë të ligjit 7501 neni 8 pika 1  “Kur ndërtesat në pronësi të pronarit shtet nuk përdoren më për interes publik, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar shtetit”. Dokumenti i vetëm që dispononin ishte një kontratë qiraje e dhënë nga Këshilli Bashkiak, ku me ligjin e mëparshëm kontrata e qirasë është e fuqishme vetëm 3 deri në 6 muaj. Përsëri këto objekte vazhdojnë të jenë. Rikthejini pronat publike këtij komuniteti!

    Pas saj shihet një ndërtesë, e cila më parë kishte ndërtime pa leje, u prishën me pretendimin se do bëhej lulishte për banorët, por nuk u bë asgjë tjetër veçse zaptim nga një më i fortë për të bërë vilën e tij me përmasat e 1 pallati, që i bllokoi dritën pallateve të tjera.

     Pallati i Kulturës, Bashkia Sukth, një nga pallatet më të mëdha në Shqipëri, ku fondi i dhënë nga shteti në kohën e monizmit u bllokua dhe u kritikua sepse një vend aq i vogël me aq pak banorë nuk mund të investonte për një objekt kaq të madh. U mbarua dhe u ngrit nga puna vullnetare e banorëve të asaj kohe, jo më shumë se 2000 banorë. Pikërisht, nga këtu rrjedh emri im. I pari film, i parë nga mami dhe babi im “INA” në gjuhën çifute do të thotë “e bukur”, ndërsa në gjuhën arabe do të thotë me “Ne”. Me keqardhje kjo është pjesa e vetme që mund të fotografohet, pasi pjesa tjetër e zënë nga “zaptues” shfrytëzohet si bare dhe biznese private. Pjesa e kinemasë është e kthyer në gërmadhë, pjesa e biletarisë është e kthyer në një bilardo, pjesa e bibliotekës është e kthyer në bar dhe birrari, salla e leximit e shkatërruar. Pjesa e lulishtes në banjo publike për qentë, pjesa tjetër e lulishtes në bare, noteri dhe dyqane me perspektivë për t’u dhënë me qira. Në këto ambiente të zaptuara, të hedhura dhe në procese  gjyqësore, janë të fituara nga Bashkia Sukth. Në bazë të ligjit 7501 neni 8 pika 1, “Kur ndërtesat në pronësi të pronarit shtet nuk përdoren më për interes publik, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, shtetit”, duhet të rikthehet prona. Është një nga diskutimet më të bujshme në kafenetë e Sukthit, por asnjë nuk merr guximin të flasë hapur. Kur një numër prej 2000 banorësh benë këtë mrekulli, si është e mundur që 30 000 banorë që janë aktualisht, nuk e mbajnë dot këtë vend?!

     

    Fusha e sportit Bashkia Sukth

    E pamundur, që me aktivitetet sportive të këtij komuniteti mos të më lidhë asgjë, pasi babai im ka luajtur në të. Më kujton kohën kur i çoja ujë gjatë ndeshjeve të futbollit dhe i drejtoja pyetjen: Babi po tani do bësh gol?  Më pas çdo gjë u prish,  mbahej si një ambient publik për banorët e zonës dhe pikërisht kjo është fusha që mua më dhuroi një fëmijëri të mrekullueshme. Por, meqenëse ishte ambient për ekipin sportiv,  çuditërisht ishte po pjesëtar i familjes sime, daja im (që ka luajtur për këtë ekip), ai person, i cili e rimëkëmbi duke mbledhur fonde vullnetare nga individë dhe biznesmenë për restaurimin, duke mbledhur sportistë të zotët. Lanë ekipet për të cilat luanin, kundrejt një page, për të luajtur vullnetarë për vendin e tyre, Sukthin. Kjo gjë ndodhi për pak kohë, deri në momentin kur këta sportistë

    ia dolën. Ministria e Kulturës aprovoi një fond për aktivitetet kulturore dhe mund të paguheshin, u ndërruan të gjitha dhe në ekipin tonë nuk luan absolutisht asnjë banor i kësaj zone. Duke bërë që dhe ata pak të rinj që mund të paguheshin, i jepen të rinjve të qyteteve të tjera. Djemtë tanë u deshën vetëm kur ishte pa pagesë. Të zhgënjyer nga kjo situatë, pjesa dominuese e këtyre sportistëve ikin emigrantë, ku jashtë vendit vlerësohen dhe marrin kupa e tituj për skuadra të vendeve përkatëse. Me fushën çfarë u bë!? Asgjë, çelësat janë të varura si këmborë në qafën e dikujt, të cilit duhet t’i marrësh leje për të bërë vrap në mëngjes ose pasdite dhe prapëseprapë nuk lejohet, sepse e ka private. Vlerësoni djemtë tanë dhe jepini mundësinë të kontribuojnë për vendin tonë! Vlerësojini siç i vlerëson bota, sepse ata vlejnë!

    Vijon….