RRËFEN JOVAN BIZHYTI

1306
Si u ndodhën anijet e flotës tonë luftarake në Sevastopul, në vitin 1960
Mbresa të jetuara
Ishte janar i vitit 1960. Tensioni politik midis udhëheqjes sovjetike dhe asaj shqiptare, po vinte në rritje. Baza luftarake detare e “Traktatit të Varshavës”, me nëndetëset dhe bazën lundruese “Katalnikov”, sapo ishte instaluar në gjirin strategjik të Vlorës. Ndërsa flota detare shqiptare me nëndetëset dhe anijet e tjera luftarake, ishte fuqizuar dhe qëndronte e gatshme në bankinat e sapongritura në thellësi të gjirit të Pashalimanit. Ishte një sukses për ushtrinë shqiptare dhe për armën e flotës luftarake, e cila nga disa anije të vogla e primitive që kish trashëguar nga e kaluara, para dhe veçanërisht pasçlirimit, ishte fuqizuar në një shkallë shumë më të lartë, me anije të një teknike më moderne. Flota luftarake ishte kompletuar me anije të vogla të shpejta katërsiliruese, me dragamina për fushat minuese në det, me gjuejtësa luftarak me armatim modern, me nëndetëse të teknologjisë së avancuar të viteve 50-60 dhe baza ndihmëse e tyre, me anije ndihmëse mbiujëse si, çmagnetizuesja, rimorkjator, çisterno për furnizimin e anijeve me karburant e ujë, draga për thellimin e porteve, e të tjera. Në atë fillim viti 1960, kjo teknikë e lartë luftarake që u sigurua me ndihmën e BS, duhesh përvetësuar dhe mirëpërdorur në funksion të mbrojtjes së atdheut. Për një periudhë të shkurtër, marinarët shqiptarë e përvehtësuan shpejt teknikën luftarake dhe morën anijet në përdorim, duke larguar ekuipazhet dhe instruktorët rusë.Erdhi një kohë që kjo teknikë duhej mirëmbajtur dhe riparuar herëpashere. Disa nga anijet luftarake kishin plotësuar afatet e shërbimeve të remontit dhe duhet të futeshin në dokun e servisit. Për nëndetëset po ngrihej me urgjencë një ofiçinë dhe një dok remonti në Pashaliman, ndërsa për anijet mbiujëse, nuk kishte ende një të tillë. Në Durrës ekzistonte një kantjer për riparimin e peshkarexheve, i cili nuk plotësonte kushtet dhe kapacitetet për anijet luftarake të përmasave më të mëdha. Ndaj duhej patjetër që disa prej tyre të dërgoheshin për të kryer këto shërbime riparimi në BS dhe kryesisht në Sevastopul, ku ishte dhe përqëndrimi i Flotës Luftarake Detare të BS për Detin e Zi dhe Mesdheun. Anijet e para që u planifikuan për t’u nisur në Sevastopul ishin Çmagnetizuesja, një anije speciale për çmagnetizimin e nëndetseve dhe anijeve të tjera luftarake mbiujëse. Anija tjetër ishte Çisternoja, që furnizonte anijet me karburant dhe ujë, po ashtu dhe disa dragamina, që i përkisnin bazës së flotiljes së ishullit të Sazanit, e të tjera më pas. Në fillimet e janarit të vitit 1960, e para u nis për në Sevastopul anija Çmagnetizuese. Ishte e dielë pasdite kur marinarët morën detyrën për lundrim dhe u vendosën secili në postet e tyre luftarake. Detyra ishte dhënë për lundrim të gjatë e të vështirë. Spiranca u ngrit në portin e Vlorës dhe anija pasi kaloi meso-kanalin midis Karaburunit e Sazanit, u drejtua për në jug në thellësi të detit Jon e më tej në Mesdhe. Ishte një ditë e ftohtë janari dhe me erë të fortë që ngrinte dallgë të fuqishme. Anijet dërgoheshin drejt Sevastopulit një e nga një, që të mos krijohej ideja e lëvizjeve të grupuara, për arsye se në Mesdhe zhvillonin stërvitje anijet luftarake të Flotës së 6-të Amerikane dhe druheshin për t’iu shmangur ndonjë incidenti. Aq më tepër që anijet luftarake shqiptare nuk kishin të drejtë të lundronin në kufijtë ndërkombëtarë, ndaj lundrimi kryhej me flamurin sovjetik, si anije luftarake të flotës detare sovjetike. Dhe jo vetëm flamuri, por dhe veshjet e marinarëve shqiptarë ishin si uniforma ruse dhe ylli në kapele me simbolin sovjetik, drapër dhe çekan. Në këtë rrugëtim të gjatë, anija shqiptare shoqërohej nga një anije rimorkiator sovjetik, që udhëhiqte kursin e drejtimit, si dhe për t’u gjendur në ndihmë për çdo defekt të papritur. Së bashku me ekuipazhin shqiptar, në anije ndodheshin dhe tre oficer drejtues sovjetik, një komandant drejtimi, një oficer inxhinier mekanik për teknikën dhe një oficer radist-sinjalizues për ndërlidhjen me qendrën nëpërmjet radio-marrëses. Kjo për faktin se oficerët drejtues të anijeve luftarake shqiptare, nuk kishin përvojë në lundrime të gjata ndërkombëtare. Deti ishte shumë i trazuar, veçanërisht lundrimi në ujërat e Mesdheut karshi ishullit të Korfuzit dhe drejt Peloponezit, krijoi situata shumë të vështira, pasi anija jonë ishte e përmasave të vogla dhe me konstruksion të lehtë druri. Lundrimi zgjati 6 ditë e net pa ndaluar dhe anija jonë hyri në portin ushtarak të Sevastopulit në mesnatën e gjashtë të lundrimit nga porti i Vlorës. Gjithçka për rreth ndriçohej nga dritat e anijeve në mes të asaj errësire janari me ngarkesa të dendura resh dëbore. Qyteti nuk dukej, qëndronte i fshehur pas disa kodrave të buta, që ndaheshin si gishtat e dorës nga gjire deti, që hynin në thellësi të gadishullit. Gjithçka për rreth zbardhonte nga dëbora që kish rënë ato ditë të ftohta janari. Anija jonë u ankorua në një bankinë pranë disa anijeve të vogla luftarake, dhe përtej më në thellësi dalloheshin anijet gjuajtës të rëndë luftarakë, si dhe kryqëzorë të përmasave të mëdha. Flota e Detit të Zi ishte nga më të mëdhatë e më modernet që kishte BS deri në vitet ’60.
Të nesërmen kur zbardhi dita, ai gji i madh dukej si një qytet anijesh luftarake që lundronte mbi kaltërsi, mbushur me zhurma motorësh, e lëvizje marinarësh që popullonin atë qytet të mbiujshëm. Pas disa ditësh, erdhën një e nga një edhe anijet e tjera luftarake shqiptare si, Çisternoja, dragaminat e tjera. Divergjencat politike ndërshtetërore sovjeto-shqiptare ende nuk ishin shfaqur hapur në popull dhe miqësia e marrëdhëniet e ngushta midis dy popujve ishin ende të ngrohta e miqësore. Fillimisht, marinarët shqiptarë u pritën si miq dhe në muajt e parë u përfshinë në programe vizitash e takimesh miqësore në fabrikat e uzinat ushtarake të Sevastopulit, në kolkozet e sovkozet e fshatrave dhe sektorëve bujqësorë që shtriheshin rreth atij qyteti të bukur e me ndërtime tradicionale, me sheshe që mbanin emrat e heronjve të luftërave të hershme ruso-turke, me simbolet e statujave të tyre madhështore. Në përgjithësi këto takime shoqëroheshin me koncerte të vogla, bankete, fjalime e përshëndetje të ngrohta miqësore dhe mbrëmje argëtuese vallëzimi. Nga Shqipëria nuk vinte asnjë informacion. Gjatë asaj kohe kishin ndodhur disa ngjarje të rëndësishme. Ishte arrestuar një grup i madh armiqësor, me në krye ish komandantin e Flotës Luftarake Detare të Shqipërisë, Kontra Admiralin Teme Sejko e kuadro të tjerë. Po ashtu marrëdhëniet politike midis PK sovjetike dhe udhëheqjes shqiptare, ishin thelluar më tej. Marinarët shqiptarë ishin të izoluar, nuk dëgjohej as Radio Tirana dhe nuk vinin as gazetat shqiptare e materiale të tjera informative. Mbrëmjeve shpesh, marinarët shkonin në pallatin e kulturës të qytetit për argëtim, ku zhvilloheshin programe koncertesh, filma dhe mbrëmje vallëzimi. Një natë, disa marinarë sovjetikë që sapo ishin kthyer nga Shqipëria, në biseda e sipër, u shprehën se, “Komandanti i Flotës Luftarake Detare të Shqipërisë është arrestuar”! (E kishin fjalën për Teme Sejkon). Marinarët shqiptarë nuk kishin informacion, ndaj u shtangën si të habitur, dhe këto fjalë po u dukeshin si provokime! Mos u vini veshin,- u thoshte komandanti,- se dhe këtu ka provokatorë, është popullsi e madhe. Qyteti i Sevastopulit ato kohë ishte me statusin, “Qytet Ushtarak”, i mbyllur, ku nuk hynte e dilte njeri pa leje. Edhe shqiptarët hynin e dilnin në bazën e anijes të pajisur me leje qarkullimi dhe sipas një liste emërore që verifikohej nga rojet e postbllokut. Meqenëse Sevastopuli kishte lidhje të ngushta me Shqipërinë nëpërmjet bazës detare të Vlorës, ku kishte shumë anije dhe marinarë sovjetikë, në përgjithësi opinioni për Shqipërinë ishte pozitiv. Për këtë arsye, një ditë maji 1960, erdhi në Sevastopul udhëheqësi sovjetik, Nikita Hrushovi dhe organizoi një aktiv të gjerë në pallatin e kulturës të marinarëve me komunistë, kuadro drejtues, e ushtarakë, për t’i sqaruar mbi marrëdhëniet sovjeto-shqiptare, sigurisht u fol për udhëheqjen shqiptare si tradhtare e idealeve komuniste dhe devijimin nga rruga e kampit socialist të lindjes. Nga ajo ditë, qëndrimi ndaj efektivave të anijeve shqiptare ndryshoi totalisht, u ndërprenë takimet miqësore, vizitat e aktivitetet e tjera. Anijet tona kishin hyrë në një dok servisi të madh së bashku me anije të tjera të flotës sovjetike, ku po kryhej remonti i tyre. Vizitat e oficerëve madhorë të flotës ruse në anijet tona nisën të shpeshtohen, duke bërë presion ndaj komandës drejtuese, që të braktisnim anijet dhe të strehoheshin në një repart ushtarak tokësor, për t’u kthyer në Shqipëri pa mjetet, me avionin e linjës Moskë-Budapest-Tiranë. Pra, kërkonin të mbanin anijet me çdo kusht. Komandanti i Çmagnetizueses, kapiten i parë Xhevit Selimullari, një ushtarak trim, besnik dhe patriot, si dhe komandantët e anijeve të tjera shqiptare, përpara këtij presioni politik e ushtarak, nuk u thyen për asnjë çast. Pa humbur kohë i dërguan një radiogram komandës eprore të Vlorës, ku kërkohej sqarim për situatën politike dhe për qëndrimin që duhej mbajtur në kushtet e krijuara. Vigjilenca dhe qëndrimi patriotik i marinarëve ishte i shkallës më të lartë dhe të vendosur për të mos i dorëzuar anijet me çdo kusht, qoftë edhe me sakrifica sublime. Pas disa ditësh, vjen në Sevastopul atasheu ushtarak shqiptar në Moskë, gjeneral Ramohito, një kuadër ushtarak i kohës së Luftës, i përgatitur dhe shumë patriot. Ai mori takime me efektivat në çdo anije shqiptare që ndodhej aty, sqaroi me imtësi situatën politike në vendin tonë dhe qëndrimin e udhëheqjes dhe të shtetit shqiptar në marrëdhënie me BS dhe vendet e tjera të kampit socialist. Njëkohësisht, kërkoi që efektivat e anijeve tona luftarake të mos dorëzoheshin me asnjë çmim, duke rritur përpjekjet për përfundimin sa më parë të remontit të anijeve, e për të qenë në gatishmëri të plot lundrimi. Muajt korrik-gusht 1960 ishin vendimtarë. Pas përfundimit të riparimit, në dokun e remontit, anijet nisën të dilni një e nga një në gjirin e bazës. Për anijet shqiptare ishte dhënë porosia që të pengoheshin me çdo kusht për të mos dal nga doku riparues. Anija Çmagnetizuese duke përfituar nga rasti, manovroi me zgjuarsi dhe shkathtësi të komandant Xhevitit, duke lundruar pas një kryqëzori që po dilte nga porta e dokut dhe ashtu papritur u gjend në ujërat e gjirit. Me manovrime të tilla mundi të dali dhe anija e Çisternos, ndërsa dragaminat u mbajtën forcërisht dhe efektivat e tyre u kthyen pas disa ditësh me vajonin e linjës. Pas shumë presionesh e pengesash, anijet shqiptare, Çmagnetizuesja dhe Çisternoja, mundën të dalin nga porti i Sevastopulit një ditë fillim shtatori, duke marrë rrugën e lundrimit të gjatë drejt portit të Vlorës, drejt Shqipërisë. Kur anijet tona arritën në gjirin e Vlorës gjithë krenari e gëzim, sirenat e anijeve tona luftarake oshtinë në shenjë përshëndetje e mirëseardhje në bazën detare të Pashalimanit, duke shpërndarë një jehonë të fuqishme, që përcillej deri lartë Karaburunit e lartësive të Llogorasë. Dhe ato ditë të ashpra historike të viteve 1960-61, ishin kohë betejash e debatesh të zjarrta politike të gjeneralëve me grada e ofiqe të mëdha, të kapiteneve të rangjeve të ndryshme dhe të politikanëve të bindur të regjimit komunist. Zërat e gjeneralëve sovjetikë me tone të larta dëgjoheshin si kakarisje korbash, ndërsa baza lundruese detare “Katalnikov” me nëndetëset e “Traktatit të Varshavës”, morën rrugëtimin e gjatë, për ta lënë Shqipërinë të vetme nën kërcënimin e fqinjëve të përtej detit. Ata ikën një ditë vjeshte, duke marrë me vete ç’ka i përkiste “Traktatit të Varshavës”, ndërsa pjesa tjetër e flotës mbeti shqiptare. Gjiri i Vlorës u lehtësua nga pesha e nëndetëseve dhe anijeve të tjera luftarake të huaja. Ata ikën si dielli pas një perëndimi të vranët, pa lënë pas shkëlqim e dritë, ikën gjithë dëshpërim; të lodhur e të vrarë, duke marrë me vete dhe pasthirrmën: “Do ta kujtosh Vlorën, Gjeneral”!
Sigal