Rrëfehet Renato Milloshi: Çfarë di për konfliktin e Jani Aliajt me Elton Çiçon

    60
    I vetëdorëzuari në Policinë e Tiranës disa ditë ma parë në Policinë e Tiranës, Renato Milloshi, ka dëshmuar sot lidhur me vrasjen e Elton Çiços. Renato, djali i kryetarit të ndjerë të Partisë Komuniste të Shqipërisë të pas viteve ‘90, Hysni Milloshi, është pronari i makinës tip “Ford” me të cilën lëvizi Jani Aliaj drejt lokalit në “Bllok” për të ekzekutuar Elton Çiçon.
    Në dëshminë e tij para hetuesve ai është shprehur se nuk ka pasur dijeni për vrasjen e Çoços, ndonëse pranon se ka qenë në dijeni të konfliktit mes Janit dhe Eltonit.
    “Nuk kam pasur lidhje me vrasjen e Çiços. Vura në dispozicion makinën. Isha në dijeni të konfliktit mes Janit dhe Eltonit, por nuk kam marrë pjesë në vrasje”, është shprehur Milloshi.
    Por në këtë pikë të dëshmisë së tij, ai ka refuzuar të flasë më tej, duke u shprehur se nuk mund të japë detaje me pretendimin se është i sëmurë.
    “Nuk mund të jap detaje se jam i sëmurë. Jam i rënduar psikologjikisht dhe kërkoj asistencën e një mjeku”, tha Renato Milloshi.
    DOREZIMI I RENATO MILLOSHIT
    Vetëdorëzimi i Renato Milloshit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka ndodhur pas dhjetë ditësh negociata me të kërkuarin, avokatin dhe familjarët e tij.
    Zyrtarisht nga Policia e Tiranës thuhet se 36¬ vjeçari Renato Milloshi u paraqit me vullnetin e tij në polici bashkë me avokatin. Ai mësohet se ka qenë jashtë Shqipërisë deri një muaj më parë, kur është rikthyer në vendin tonë.
    “Pas ngjarjes jam fshehur në periferi të Tiranës ku kam jetuar në banesa të ndryshme. Me Jani Aliajn nuk kam kontaktuar. Kam dëgjuar që ka ikur jashtë vendit”, ka rrëfyer shkurt Milloshi.
    Gjatë dhjetë ditëve të fundit, avokati i Renato Milloshit mësohet se ka hyrë në kontakt me Policinë dhe ka negociuar vetëdorëzimin e të riut.
    Emri i Renato Milloshit si i dyshuar për ngjarjen u bë publik rreth një muaj pas vrasjes së Elton Çiçës, nga shtetasi Jani Aliaj. Bazuar në provat e gjetura në vendin e ngjarjes, nga pamjet e kamerave dhe nga një sërë informacionesh të tjera, Policia dhe Prokuroria akuzuan Renato Milloshin si ndihmës në ngjarje.
    Më konkretisht, sipas Policisë, Milloshi akuzohet se ka drejtuar makinën tip “Ford” me ngjyrë të zezë, me të cilën Jani Aliaj ka lëvizur natën e vrasjes së Elton Çiçës në Tiranë. Shpallja në kërkim e Renato Milloshit u bë pikërisht pas identifikimit të makinës nga kamerat e sigurisë.
    Elton Çiça u vra me dy plumba nga një person që hyri në lokalin “De Niro”, më 1 maj 2016, në orët e mbrëmjes. Viktima u qëllua në tavolinë, ku ndodhej bashkë me një zyrtar të Policisë, një gazetar dhe një mjek, të tre të njohur të tij.