Rrapo Hajredin Danushi/ Kryeministri Rama ka sot përgjegjësinë historike për kthimin e pronës tek i zoti

    428
    Sigal

    PRONARËT/Kërkesat për Kryeministrin Rama, për deputetët, për politikën e Brukselit dhe Washingtonit

    Duke ndjekur në TV diskutimet e deputetëve për programin e Qeverisë Rama, me datën 14-15 Shtator 2013, si shtetas ndiej detyrimin qytetar, moral dhe patriotik të ripërsëris edhe një herë ato që kam qenë i detyruar t’u them politikanëve me dhjetëra herë nga 1991 e deri sot. Kanë kaluar dy dekada dhe unë u plaka në drejtimin e Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, duke u përsëritur politikanëve të njëjtat gjëra, që përmblidhen me fjalët: Demokracia fillon, kur t’i ktheni shqiptarit pronën që ia grabiti diktatura; Zbatoni detyrimet kushtetuese të përcaktuara qartë në nenet 41 dhe 181;  Ndaloni vjedhjen e pronave që po e bëni në emër të ligjit; Mos vazhdoni ta shkatërroni vendin; Mos turpëroni më tej veten tuaj, do mbeteni përfundimisht të njollosur. Dhe pa dyshim, që rilindja e demokracisë kërkon të fillohet me korrigjimin e gabimeve me pronën. Pjesa e A.Z.Çajupit, që znj. Mersila Doda i lexoi krahut të majtë, në fakt i përshtatet të dy krahëve që kanë qenë në pushtet gjatë këtyre 22 vjetëve. Këtë situatë duhet ta kuptojë dhe ta analizojë, në radhë të parë, Kryeministri Edi Rama, sepse për pronën ai ndodhet njëlloj si Sali Berisha në vitin 1991. Këtë vlerësim duhet ta bëjë dhe ambasadori i BE-së, Brukseli, Ambasadori i SHBA-së, dhe specialistët e Shtëpisë së Bardhë që ndjekin politikën për Shqipërinë dhe Ballkanin, përndryshe përpjekjet e tyre për demokraci do jenë pa sukses.

    Sali Berisha dhe  Fatos Nano, duke mos kthyer pronën tek i zoti, kanë ecur në rrugën e tradhtisë kombëtare. Sistemi që u projektua nga Berisha –Nano, sipas udhëzimeve të Katovicës, është hibrid i demagogjisë me disa elementë të çrregullt të demokracisë që kanë shërbyer për të maskuar anarkinë, kleptokracinë dhe klimën e pandëshkueshmërisë për individët që shkelin ligjin. Saliu bëri pronarë ata që nuk kishin asnjë pronë të trashëguar dhe la me gisht në gojë pronarët me premtimin e kompensimit!!! Nga ky tranzicion pseudo-demokratik dolën të fituar një pakicë që kishin  mbështetjen e ndonjë deputeti, apo pushtetari dhe nuk pyetën për ligjet dhe për Kushtetutën.

    Nga deputetët e kësaj legjislature, për pronën reflektoi drejtë z. Shpëtim Idrizi (PDIU), duke thënë se nuk mund të kërkohet zgjidhje e pronës së çamëve në Greqi, pa zgjidhur problemin e pronës së shqiptarëve në Shqipëri. Z.Namik Dokle analizoi mirë situatën, pranoi gabimet e bëra, denoncoi mbi 8000 të vrarë për shkak të anarkisë së pronës dhe sistemin korruptiv që është përhapur kudo. Në mënyrë të saktë, u shpreh zoti Duka. Z. Shehu, çuditërisht, e vuri theksin tek kompensimi dhe jo tek kthimi dhe Kushtetuta, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shprehu shqetësim për gjetjen e parave për legalizimin, ndërsa Sali Berisha dhe deputetët e tjerë nuk përmendën kthimin fizik të devijuar, të pa përfunduar, pushtimin e pronave me ndërtime pa leje dhe pasojat e kësaj situate!!.

    Kryeministri Edi Rama ka sot përgjegjësinë historike për kthimin e pronës tek i zoti. Ky është problemi më themelor për rilindjen e demokracisë. Ajo që ne pronarët kërkojmë, është që Kryeministri Edi Rama të vendosë prioritet të 100 ditëve të para, çlirimin e pronave nga poseduesit abuzivë dhe kthimi i pronës tek i zoti, në përputhje me nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës. Kjo kërkesë nuk ka nevojë për premtim, pasi është detyrim kushtetues, për të cilën deputetët betohen, por që politikanët e derisotëm e kanë shkelur. Shqipëria nuk ka se si të pranohet kandidat në BE pa kthyer pronën, në përputhje me nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës, në këtë gjendje kur shteti ligjor dhe shteti i të drejtës ekzistojnë formalisht, por në fakt janë zëvendësuar me “shteti jam unë”, kur pronat i përfiton shkelësi i ligjit dhe janë me mijëra raste, kur vendimet e gjykatave nuk ekzekutohen. Deputetët që mendojnë se problemi i pronës nënkupton kompensim apo legalizim, janë pjesë e programit të Katovicës, që synojnë të mbrojnë ata që kanë përfituar padrejtësisht ato prona që duhet t’iu kthehen pronarëve, ose janë prona të shtetit. Këta janë politikanët dhe klanet që kanë përfituar nga amullia e krijuar me ligjet kontradiktore 1991-2013 dhe në këtë kategori mund të jenë dhe Sali Berisha apo Jozefina Topalli, por faktet duhet t’i saktësojnë specialistët.

    Të gjithë deputetët i njohin përpjekjet e mëdha të shoqatës tonë për problemin e pronës, problem që e kemi paraqitur edhe në kancelaritë ndërkombëtare, por që për 23 vjet kanë rënë në veshin e shurdhër të politikanëve që kanë drejtuar në periudhën 1991-2013. Shoqata e pronarëve me mbështetjen e shumë ekspertëve, ka hartuar draftin për zgjidhjen përfundimtare, të qëndrueshëm të problemit të pronave. Drafti ynë përmbledh në një ligj të vetëm të 16 ligjet ekzistuese, eliminon pikat e dobëta dhe përplasjet midis tyre, respekton të drejtën e pronës në harmoni me detyrimet kushtetuese dhe kërkesat e BE-së dhe zgjidhja e problemit të pronës nuk ka nevojë për faturë financiare. Ky projektligj i mbron vendimet e kthimit të tokës bujqësore, të bëra me ligjin 7501 deri në masën që nuk bien ndesh me nenin 41 të Kushtetutës. Në faqen www.defendingproperty.com, ku është paraqitur projektligji, kemi pasur vlerësime të ndryshme. Kryeministri Edi Rama, nëse ka vullnetin ashtu siç ka premtuar, tashmë e ka të gatshëm instrumentin, projektligjin me të cilin brenda 100 ditëve të para, maxhoranca zgjidh aspektin juridik të pronës dhe zbatimi realizohet shpejt, pasi nuk ka faturë financiare për arkën e shtetit. Nëse Kryeministri Edi Rama e fillon me korrigjimin e paudhësive me pronën, ai vendos postbllokun ligjor ndaj mafies së pronave, që deri sot është mbështetur nga politikanët. Me zgjidhjen e problemit të pronës, vendoset paqja sociale, Shqipëria futet në rrugën e duhur të zhvillimeve demokratike dhe njëkohësisht e djathta do të ndihmohet të shlyejë një pjesë të mëkateve.

    Në lidhje me diskutimet e shumë deputetëve, pavarësisht nga ndryshimet pozitive në këto 23 vjet si rrugët, tunelet, interneti, prokurimet elektronike, NATO etj. etj, por populli nuk jeton në demokraci dhe sistemi nuk është aspak demokratik. Ish-kryeministri Sali Berisha, nuk mbajti premtimin dhe shkeli parimin bazë të demokracisë, kthimi tek i zoti të pronës së grabitur. E gjithë periudha 1991-2013 është pseudodemokraci, ku korrupsioni me pronat arrin majat më të larta. Edhe sistemi i Enverit pati realizime të padiskutueshme, si zhdukja e analfabetizmit, zhdukja e malaries, masivizimi i arsimit, hapja e universitetit, elektrifikimi i vendit etj. Ndryshimet pozitive janë pasojë e punës, e djersës dhe e parasë së popullit, por sa për sistemin, pa asnjë dyshim, Enver Hoxha ndërtoi sistem diktatorial, kriminal dhe antidemokratik. Megjithatë propaganda e quante atë “sistemi më demokratik në botë”, edhe pse qytetari burgosej, nëse dikush e spiunonte se ai kishte biseduar për liritë dhe të drejtat e njeriut, për rëndësinë e pronës private, për parimet e Helsinkit etj.

    Besoj se të Qeveria dhe Kuvendi do ta kenë patriotizmin dhe mençurinë për të kuptuar se duhet filluar me korrigjimin e gabimeve në kthimin e pronës, pas të cilës mund të bëhen kompensimet dhe legalizimet. Deklarojmë publikisht se jemi në pritje të veprimeve konkrete. Për aq kohë sa maxhoranca dhe Kuvendi, nuk do marrë në shqyrtim draftin që i kemi propozuar, duke e përmirësuar atë për të realizuar titujt e pronësisë konform Kushtetutës, por do veprojë si ka bërë deri sot Sali Berisha, ajo ecën në rrugën e tradhtisë kombëtare.

    *Kryetari Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi”