Rrapo Danushi: “Qeveria po na zhvlerëson çdo ditë me çmimet, do të marri përgjigje nga ne”

    392
    Sigal

    FORUM/Flasin përfaqësuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti” për çmimet e kompensimit

     Qeveria në mbledhjen e Këshillit të Ministrave pak ditë më parë miratoi një vlerë të re të çmimeve të tokave në të gjithë vendin, e cila do të jetë e vlefshme për tri vitet në vijim. Sipas asaj, që është përcaktuar edhe në vendim çmimet e reja hyjnë në fuqi automatikisht pas botimit në Fletoren Zyrtare, pasi me ndryshimet e reja ligjore nuk kalon për miratim në Kuvend. Por në lidhje me çmimet e reja kanë reaguar shoqatat e pronarëve, pasi sipas tyre, këto çmime janë ulur disafish. Që nga dita e botimit në Fletoren Zyrtare, harta e re e çmimeve ul disafish çmimet e pronave në disa zona në Tiranë, por më së shumti ato në zonat turistike. Por në tërësi çmimet e tokave vijnë me ulje në të gjithë vendin. Kështu çmimi i një metri katror në zonat më të kërkuara të Tiranës, që përfshinë ish–Bllokun, Kryeministrinë dhe vilat rrotull Piramidës, aktualisht ishte 180 mijë lekë ndërsa me çmimet e reja është ulur disafish. Gjithashtu, ulje e madhe e vlerës është hasur edhe në zonat turistike, sidomos në zonën e Jugut, ku çmimi zyrtar i trojeve për efekt kompensimi varionte aktualisht nga 35 mijë lekë në 140 mijë lekë për metër katror, ndërsa çmimi i ri i miratuar pak ditë më parë nga qeveria, parashikon një vlerë disa herë më të ulët. Sipas përfaqësuesve të shoqatave, metodologjia e re për përllogaritjen e çmimeve të pronave ka në thelb disa defekte që kanë çuar në një ulje të madhe të çmimeve zyrtare të pronave nga ato që realisht aplikohen në tregun e pasurive. Sipas pronarëve:

    Së pari, nuk janë marrë në konsideratë kontratat e këmbimit që tregojnë edhe çmimet reale. Në Tiranë toka nuk para shitet, por jepet për ndërtim me një koeficient kthimi 40 për qind të vlerës së objektit.

    Së dyti, harta e re e vlerave të pronave e ul ndjeshëm faturën për ish- pronarët, por nga ana tjetër krijon një problem shumë të madh edhe me kompensimin fizik të pronave.

    Kompensimi fizik lihet në hije

    Një tjetër çështje që pronarët e trajtojnë me mjaft shqetësim dhe që nuk është marrë në konsideratë nga qeveria, është  çështja e kompensimit fizik. Me çmimet e reja të pronave shteti del më i fituar dhe ish-pronarët sërish të humbur. Për ndërtimin e një vepre publike, Buxhetit të Shtetit do t’i kushtojë shumë pak kompensimi. Mirëpo vlerat e reja të pronave krijojnë amulli me kompensimin fizik. Sipas pronarëve, duke ulur me disafish tokat në rrethet periferike të vendit, rritet sipërfaqja me të cilën do të kompensohen ish-pronarët për tokat e “humbura” në Tiranë. Ndërkohë, në lidhje me çmimet e reja të kompensimit dhe me kompensimin fizik kanë folur për “Telegraf”, përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorpsi, Kryetari i shoqatës “Bregdeti” Niko Nesturi dhe Rrapo Danushi, përfaqësues i Shoqatës së Pronarëve.

     Përfaqësuesi i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorpsi

     -Ne e kuptojmë që edhe metodika e miratuar në vitet e kaluara, nuk ka qenë me çmimet reale që duhet të kompensoheshin pronarët, por ishin çmime të përafërta. Ne atëherë pranuam sepse ishim në kushtet që nuk kishte çmime fare që ishin vendosur për kompensimin e pronarëve. Dhe që nga viti 2005 kur dolën çmimet e para, e deri më sot janë nxjerrë katër çmime dhe ato janë ulur dhe kanë ndryshuar në mënyrë të pazakontë. Po ashtu unë doja të thoja që për pronarët ka humbur një koncept që e parashikon Kushtetuta. Për pronarët ka humbur koncepti i sigurisë juridike. Është e pakuptimtë se si çmimet mund të bien në një kohë që çmimet kanë një tendencë në rritje. Është një lëvizje çmimesh e pakuptimtë. Por ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që e kanë trajtuar këtë çështje. Por pasi të dali vendimi në Fletoren Zyrtare ne do të vendosim edhe për rrugët që do të ndjekim. Për çmimet që do të uleshin ne e kishim një sinjal. Edhe tani që ka kaluar një javë që janë miratuar dhe akoma nuk ka dalë i zbardhur ky vendim në Fletoren Zyrtare. Po ashtu, në një nen të këtij ligj thuhet që qeveria nuk ka të drejtë që të japin me qira ose koncesion objekte të ngritura mbi pronë private, por kjo nuk e ka penguar qeverinë. Një nga 12 rekomandimet është dhe ai që ka të bëjë me pronën. Rekomandimi thotë në mënyrë taksative që duhet të miratohet, të hartohet nga qeveria një ligj për të drejtën e pronës. Detyra që i ka vënë Këshilli i Europës qytetarëve shqiptarë nuk është kompensimi financiar, por është kompensimi fizik.

     Rrapo Danushi, përfaqësues i Shoqatës së Pronarëve 

    Kompensimi fizik do të bëhet, sepse toka mbetet aty ku është dhe nuk ka rrota që të lëvizi. Kompensimi fizik do të bëhet, madje qeveria ka toka të mjaftueshme për ato që s’kanë prona. Janë 702 mijë hektarë që duhen kompensuar dhe ka 340 pronarë dhe 40 mijë hektarë tokë janë të shtetit. Por nuk është çështja që nuk ka tokë për kompensimin, por këto janë akoma me mendësi të vjetër. Ndërsa për çmimin unë do të thoja që tjetër çmim ka në Sarandë, tjetër çmim ka në Vlorë dhe nuk mund të vendosen çmimet si do qeveria. Qeveria po na zhvlerëson me këto çmime që vë, por dhe ajo do ta marri përgjigjen nga pronarët.

     Kryetari i shoqatës “Bregdeti”, Niko Nesturi

    Unë jam i mendimit që shifrat janë shumë herë më të ulëta se më parë. Më keq çmimet janë për zonën bregdetare, pasi në zonat turistike sipas vendimit çdo lloj prone trajtohet si tokë bujqësore. Domethënë nëse në Ndroq, apo në Pezë janë 60 mijë lekë për metër katror, në bregdet janë njëqind e ca lekë metri katrorë. Që nga Ura e Mifolit dhe deri në Ksamil janë zonë turistike e mirëfilltë dhe nuk mund të trajtohet me çmime qesharake kjo zonë. Por duhet të kujtojmë dhe diçka që në bregdet nuk janë regjistruar akoma pronat. Po të shkojmë në atë prizëm po shkojmë në proverbin e vjetër popullor që “tigani në zjarr e peshku në det”  dhe kështu pa matur dhe pa u regjistruar mirë pronat nuk mund të bëhet kompensimi. Tërë zona bregdetare nuk është regjistruar në kuptimin e mirëfilltë. Kompensimi fizik, nuk bëhet se nuk duan që ta bëjnë kompensimin fizik.