Rrahman PERLLAKU/ Nderim në 100- vjetorin e lindjes për partizanin trim Sali Ormeni

    639
    Sigal

     Këshilli i Qarkut të Vlorës, e nderoi kolonel Sali Beqir Ormenin me Titullin “Nderi i Qarkut”

    *Gjenerali Lejtnant në pension

    “Hero i Popullit”

     Sali Ormëni ose “Komandant Taborri”, siç e thërrisnim ne në luftë. Lindi më 15 janar 1914 në fshatin Tragjas të Vlorës. Megjithëse kanë kaluar mbi 60 vite që ai është ndarë nga jeta në mënyrë tragjike, ne po e kujtojmë sot, pasi luftëtarët e shquar nuk harrohen, jo vetëm nga bashkëluftëtarët dhe brezi i tyre, por kujtohen edhe nga brezat pasardhës, për kontributin që kanë dhënë në luftërat për liri e pavarësi kombëtare. Saliu bën pjesë ndër ata burra luftëtarë trima që kanë dhënë kontribut të veçantë në Luftën Nacional Çlirimtare, duke drejtuar e komanduar në beteja luftarake si komandant batalioni e brigade. Më erdhi shumë mirë kur mësova se Këshilli i Qarkut të Vlorës me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë e ka shpallur Saliun nder i atij qarku. Me këtë vendim ai Këshill ka nderuar veten dhe figurën e Sali Ormënit në radhorin e njerëzve të shquar të Vlorës. Saliu lindi dhe u rrit në një mjedis patriotik e liridashës të tragjasasve si fshat që ka nxjerrë luftëtarë e figura të shquara të kombit, heronj e heroina sidomos në LANÇ. Djemtë e vajzat e Tragjasit mbushën me partizanë jo vetëm radhët e Brigadës së pestë e të dymbëdhjetë sulmuese të Qarkut të Vlorës, por edhe me shumë kuadro të këtij qarku, i gjeje pothuajse në të gjitha brigadat partizane si në të parën, në të njëzetepestën e në gjithë malësinë e jugut. Në këtë mjedis patriotësh e liridashës të Tragjasit u rrit e u edukua edhe Saliu si luftëtar i përmasave, si trim dhe gojë ëmbël. Me Saliun u njoha e na bashkoi fati në radhët e brigadës së pestë partizane kur ai qysh në formimin e saj u emërua në detyrën e komandantit të batalionit të dytë e unë në atë të komisarit në një batalion tjetër. Do të luftonim në krah të njëri-tjetrit në betejat e mëvonshme të ardhshme. Kjo nuk vonoi që nga inaugurimi i asaj brigade më 20 janar 1944, pothuaj 70 vite më parë, morëm detyrën luftarake, në të cilën dy batalionet tona do të vendoseshin krah për krah për të përballuar forca të shumta naziste gjermane të komanduara nga majori Vonskanzani që mësynin në drejtimin Salari-Turan për të dalë në Kurveleshin e sipërm me qëllim që të rrethonin e asgjësonin forcat tona partizane që po mbronin këtë rajon. Për tre ditë me luftime të ashpra përballuam goditjet e artilerisë gjermane, duke mbajtur nga ana jonë pozicionet e zëna.

    Ditën e katërt lajmërohemi nga komanda e brigadës, për t’u tërhequr pasi rrezikoheshim nga rrethimi i gjermanëve, sepse forcat naziste kishin përparuar dukshëm nga Golemi e Zhurikuqi, si dhe Dhërmiku e Bletaj. Forcat naziste po dilnin në Pllajën e Kurveleshit. E vetmja dalje nga rrethimi prej nesh na mbetej të kalonim malin e Këndrevicës, nga pllaja e Nivicës për të zbritur në Dhemblan. Merret me mend të kaloje Këndrevicën mbi 2000 metra lartësi se sa vështirë ishte megjithëse të detyruar. Ngjitja nga jugu e pllajës së Nivicës na dukej më e qetë, por kur dolëm në lartësi të malit, në pjesën veriore u gjendëm në një dendësi mjegulle e stuhi dëbore me një temperaturë deri në 15 gardë nën zero.  Për ne ishin momente çoroditëse, humbëm orientimin, partizanët filluan të lëviznin pa drejtim. Pothuajse pësuam disfatë ku lamë mbi 20 vetë të vrarë e të ngrirë në dëborë. Të çorientuar me afro 200 partizanë zbritëm në Salari, ku na u vranë nga gjermanët edhe 10 veta. Në këtë natë të vështirë për ne drejtuesit doli një detyrë shumë e madhe për të shpëtuar njerëzit. Iu afrova në këtë rast në krahë gjak ftohtit, trimit e të mençurit Sali (Taborrit), i cili më dha kurajo: “Në një moment i thashë Taborrit se jemi bërë për të vrarë veten”. Ai ma ktheu me shpoti e me zërin e tij karakteristik të ëmbël:  “Rrahman të vrasësh veten në këtë situatë është gjëja më e lehtë, por kryesorja është që të nxjerrim këta njerëz të gjallë nga kjo gjendje”. E në fakt e përballuam situatën. Gjithnjë në jetë i kam kujtuar këto fjalë të atij burri trim, të urtë e të mençur dhe kur dëgjova se “ka vrarë veten” nuk m’u besua kurrë e që edhe sot nuk mund ta besoj (nga libri “Mirënjohje familjeve vlonjate” që më mbajtën si birin e tyre në fq. 33, 34, RR. P.)

    Saliu edhe pas çlirimit të atdheut megjithëse tre herë i plagosur me shtatë plagë në trup gjatë luftës punoi me përkushtim dhe arriti në detyra të larta, sigurisht në bazë të aftësive të tij drejtuese, por në kohën kur u vra mbante detyrat e zv/ministrit të Punëve të Brendshme dhe gradën e Kolonelit kur patjetër do të merrte dhe gradën e Gjeneralit. Për fat të keq ai u nda nga jeta në kohën e pjekurisë dhe të shtimit të mundësive për të kontribuar më shumë në interesat e vendit. Por për ironi të fatit ky luftëtar e drejtues i orëve të para në luftën për çlirim e pak vite pas saj ndërroi jetë në mënyrë enigmatike. Tragjasi ka rritur e edukuar shumë trima e trimëresha, heronj e heroina, burra të mençur të aftë, një ndër ta ka qenë patjetër edhe Sali Ormëni (Taborri). Por në fakt megjithë këto sakrifica e përkushtim në luftë e pas saj një pjesë nga më të mirët e kuadrove u zhgënjyen. Besoj do më lejohet të kujtoj disa prej tyre bij e bija të Tragjasit: Sinan Gjonin, sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së qarkut të Vlorës, një nga organizatorët e parë të lëvizjes Antifashiste, u internua nga fashistët dhe vritet pas çlirimit për arsye të pasqaruara. Po në rrethana të pasqaruara asnjëherë u vra i riu Fejzo Gjomemo, që me fjalën e tij tronditi fashistët e bashkoi rininë e popullit të Vlorës në demonstratën e parë antifashiste në 28 nëntor të 1941. U vra zv/komisari i çetës së parë plakë partizane të Vlorës, Gjemil Çakërri për të vetmin faj se dyshohej si pjesëtar i të ashtuquajturit grup franksionist të Vlorës. Sigurisht, meqë rasti na u dha për përvjetorin e lindjes së Sali Ormënit mund të cilësojmë se asnjëherë nuk u bënë të njohura akuzat e kurdisura nga Sigurimi i Shtetit, as rrethanat me të cilat u vra me gjithë përpjekjet e pareshtura të familjarëve të tij për të zbardhur çështjen.

    Kohët e fundit në arshivat sekrete në akuzat që bën Mehmet Shehu në plenumin, ku goditet Saliu i ashtuquajtur i vetëvrarë midis të tjerave thuhet:“Sali Ormëni ka pasur urrejtje të madhe kundër udhëheqjes së Sigurimit dhe vetë Sigurimit, e sidomos kundër Kadri Azbiut dhe ka arritur t’i nxjerrë revolen për të vrarë Kadri Azbiun…! (“Dy plenume misterioze”, fq. 50, të XH.I.) Diktatura goditi dy të rinj që morën pjesë në luftë 16 vjeç, trima e të talentuar, me shkolla e akademi të larta, drejtues të lartë ushtarakë, që kishin merituar edhe gradën e Gjeneralit, Abaz Fejzo e Halim Ramohito. Që vuajtën internim e burgosje për një kohë të gjatë deri në vdekjen e parakohshme.

    I përmenda këta luftëtarë trima të Tragjasit të cilët ishin dhënë jetën në shërbim të atdheut në lule të rinisë, si edhe qindra luftëtarë të këtij fshati që nuk i meritonin dënimet e persekutimet, në të kundërt meritojnë respekt e nderim si bij të atij fshati siç ishte Tragjasi i tyre, që ishte nga fshatrat e Qarkut të Vlorës që u dogj krejtësisht nga fashistët, gërmadhat e mureve të shembura e tregojnë qartësisht këtë. Mua si luftëtar dhe kuadër i lartë që pësova si edhe këta bij të shquar më kishte dhënë fati që të njihesha me ata bashkëkohës e të vëllazërohesha me trimat e trimëreshat e Vlorës dhe gjithë Labërisë. Dhe e them me sinqeritet se e kam për nder ta quaj për detyrë, t’i kujtoj këta bij dhe lebrit që sot s’janë gjallë si edhe ata që jetojnë. Me librin tim kushtuar familjeve vlonjate që më kanë mbajtur si birin e tyre jam përpjekur të lë një kujtim vlerësimi, e mirënjohjeje trimave e trimëreshave të kësaj kohe për sakrificat që bënë në luftën për çlirimin e atdheut. Megjithëse, unë mbetem borxhli sa të kem jetën për t’i kujtuar e nderuar siç m’ u dha rasti për bashkëluftëtarin trim, të paharruarin përjetë Sali Beqir Ormënin (Taborr Imami).