Peshëngritësja Romela Begaj (58 kg), vendi i gjashtë në “Pekin 2008”, shpresa e fundit e vendit tonë për të hyrë në zonën e medaljeve, dështoi në “Londër 2012”, duke zënë vendin e 11-të nga 19 sportiste, pavarësisht se, si në Kinë, ashtu dhe në Angli, ajo ngriti në total të njëjtën peshë, 216 kg. Një paraqitje larg forme të nënkampiones së Europës, ku e gjithë vëmendja e delegacionit olimpik shqiptar, por edhe Shqipërisë, Kosovës, dhe kudo që ka shqiptarë ishte përqendruar te Romela, pas zhgënjimit një dite më parë të xhudistes kosovare, Majlinda Kelmendi, që u eliminua në fazën e 1/16-ve, me një fitore dhe një humbje.
SHKËPUTJE
25-vjeçarja Romela Begaj, e cila u përgatit për një kohë të gjatë në Greqi, nën drejtimin e trajnerit-bashkëshort, Gazmend Hakcani, u shfaq e sigurt në provën e parë, kur në shtangë ishin vendosur 101 kg, 3 më shumë sesa ajo kishte ngritur katër vjet më parë në “Pekin 2008”, 98 kg. Me provën e parë të ngritur me sukses, Begaj prodhoi entuziazëm në radhët e delegacionit shqiptar. Por, Romela nuk ia doli të ngrejë 103 kg në provën e dytë, ndërkohë që dështoi dhe në të tretën, duke mos pasur një përqendrim të mirë të trupit, e duke e mbyllur garën me 101 kg, duke e dalë në vendin e 7-të. Kur ajo u shpall fituese e medaljes së artë në Kampionatin Europian të Antalias, Romela ngriti 102 kg. Rezultatin më të mirë në shkëputje e arriti kinezja Li Xueying, që vendosi edhe një rekord të ri olimpik me 108 kg.
SHTYTJE
I njëjti skenar u përsërit edhe në stilin e shtytjes. E mbështetur nga i gjithë stafi, dhe me një rikthim të mirë të gjendjes psikologjike, Romela ngriti 115 kg në provën e parë, kur në tre muaj më parë në Europianin e Antalias kishte ngritur 116 kg. Me provën e parë të kaluar, shtanga u rrit 6 kg më shumë, pra 121 kg – kujtojmë se në “Pekin 2008” ishte ndalur në 118 kg – por prova nuk rezultoi e suksesshme. Edhe tentativa e tretë ishte një dështim, duke e mbyllur garën në 115 kg dhe vendin e 12-të, ndërsa në dygarësh në 216 kg dhe përfundimisht në vendin e 11-të, teksa vendi i tretë, pra medalja e bronzit u fitua nga ukrainasja Julia Kalina, me 235 në dygarësh. Medaljen e artë në peshën 58 kg e zuri kinezja Li Xueying, që në dygarësh ngriti në total 246 kg, pra 30 kg më shumë se Romela. Kinezja zuri vendin e parë në të dy stilet: shkëputje 108 kg dhe shtytje 138 kg. Medaljen e argjendtë e fitoi tajlandezja Pimsiri Sirikaev me 235 kg në total (100+135kg).
Garat dhe rezultatet e olimpistëve shqiptarë
KANË GARUAR
28 korrik ora 10:30
NOEL BORSHI
(Not, 100 metra delfin)
Vendi i 40-te nga 42 sportistë
28 korrik ora 12:00
ARBEN KUÇANA
(Qitje me pistoletë, 10 m ajër)
Vendi i 20-të nga 44 sportistë
29 korrik ora 09:30
MAJLINDA KELMENDI
(Xhudo, pesha 52 kg)
Eliminoi në 1/32 Sundeberg
U eliminua në 1/16 nga Lezhentil
30 korrik ora 12:30
ROMELA BEGAJ
(Peshëngritje, pesha 58 kg)
Rezultati: 216 kg në dygarësh
Vendi i 11-të nga 19 sporistë
DO TË GAROJNË
31 korrik ora 10:00
BRIKEN CALJA
(Peshëngritje, pesha 69 kg)
31 korrik ora 10:00
DANIEL GODELLI
(Peshëngritje, pesha 69 kg)
31 korrik ora 10:00
SIDNI HOXHA
(Not, 100 metra stil i lirë)
3 gusht ora 10:00
ADRIATIK HOXHA
(Hedhje gjyle)
4 gusht ora 15:30
ENDRI KARINA
(Peshëngritje, pesha 94 kg)
5 gusht ora 09:00
ARBEN KUÇANA
(Qitje, 50 metra pistoletë)
6 gusht ora 19:20
KLODIANA SHALA
(Atletikë, 200 metra)