Roland Uruçi: Prejardhjen time shqiptare dua ta reflektoj edhe në filmat e mi

    107

    INTERVISTA/ Flet për publikun shqiptar Roland Uruçi, aktori, skenaristi dhe regjisori i njohur shqiptar në New York

    Kush është Roland Uruçi dhe jeta e tij artistike

    Roland Uruçi është një aktor i njohur në skenat e New Yorkut, ku ka performur për 15 vite. Këto vitet e fundit i talentuari Roland Uruçi po merr emër dhe si një regjisor dhe skenarist filmash. Produksioni teatral “Invitation to Marriage” e bëri një personazh mjaft të famshëm për publikun shqiptaro-amerikan në ShBA. Disa nga filmat ku Rolandi ka marrë pjesë si aktor janë: True Colors, Grand Theft Auto IV, The Left Hook, Across Dot Ave, etj. Roland Uruçi rrjedh nga një familje patriotike shqiptare. Ai është nipi i patriotit të madh të kombit Haxhi Lleshi (Hero i Popullit), i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Rilindjen Kombëtare dhe Pavarësinë dhe shërbeu si ministër nga 1944-‘46. Këto vlera kombëtare Roland Uruçi i shfaq edhe sot dhe krenohet me prejardhjen e tij shqiptare në projektet artistike që zhvillon. Roland Uruçi ka lindur në Dibër të Maqedonisë dhe në vitin 1969 emigroi në Brooklyn, New York ku u shpërngul me familjen. Dy djemtë e tij Dilon dhe Kastriot Uruçi merren gjithashtu me aktrim në filma dhe teatër. Vitet e para të aktrimit Roland Uruci i kaloi me grupin komik teatral “Bathing with Toasters” (në fillim Ground Zero), ku performoi për 8 vite. Më pas ai u bë pjesë e kompanisë teatrale “Phare Play Theater Company” në New York, nën drejtim të Blake Bradford, ku Rolandi mori përvojë si drejtor/regjisor artistik. Shfaqja teatrale origjinale “Invitation to a Marriage” pati një sukses të madh në New York. Në 2013 Roland Uruci shkruajti, drejtoi dhe redaktoi një film të shkurtër me titull “The Superintendent”, bazuar në një histori të shkurtër nga Blerta Alikaj, me fokus burrneshat shqiptare. Tani regjisori Roland Uruci është në pri-produksion të një filmi me metrazh të gjatë me titull “Paftuar”. Filmi është bazuar në ngjarje të vërteta, sipas rrëfimit të Julian Bibës, dhe tregon historinë e një emigranti shqiptar që kërkon një jetë të re në Greqi gjatë viteve ‘90-të. Flitet se Luan Bexheti, Gent Basha dhe Savina Alimani janë pjesë e këtij filmi dramatik dhe filmimi do bëhet në Shqipëri.

     -Pasioni dhe profesioni juaj është produksioni i filmave. Mund të na tregoni si nisi ky pasion dhe cili ka qenë projekti juaj i parë? 

    Aktrimi dhe tregimi i historive kanë qenë gjithmonë pasioni im. Si emigrant, arti nuk është vlerësuar ashtu siç duhet sepse përqendrimi ka qenë për të gjetur një vend pune të mirë për të përballuar jetën në vend të huaj. Kur isha 30 vjeç fillova të performoj me një grup komedie në New York, që ishte nisja ime në këtë fushë. Jam shumë i pasionuar pas aktrimit dhe shkrimit të skenarëve. Pas disa vitesh u ndamë si grup dhe unë u përqendrova me aktrim, prodhim filmash dhe shkrime skenarësh. Shkruajta skenarin e një drame teatrale shumë të suksesshme në New York me titull “Invitation to a Marriage” (Ftesë në një martesë). Suksesi i kësaj shfaqjeje teatrale më dha konfidencën të prodhoj, shkruaj dhe drejtoj filmin tim të parë me metrazh të shkurtër “The Superintendent”. Në këtë film djali im i madh, Kastrioti më ndihmoi si asistent produksioni gjatë xhirimit të filmit. Ky film u pranua në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, dhe u shfaq të premten me 25 tetor 2013.

    Filmi “The Superintendent” flet për një traditë të lashtë shqiptare ‘burrneshat’ dhe rrëfen historinë se si një burrneshë, Shota (luajtur nga aktorja amerikane Brooke Volkert) emigron në Amerikë dhe jeton me këtë sekret, derisa detyrohet t’i rrëfehet një të huaji. Me këtë histori desha të tregoj një konflikt social, influencuar nga një aspekt i kulturës shqiptare. Burrneshat bazohet në karakteristika të forta të femrës shqiptare – që për ne njihet si identitet social-kulturor dhe rol gjinor për të mbushur detyrat e familjes, një koncept i huaj për shoqërinë amerikane. Burrneshat nuk duhet të keqkuptohet si ‘orientimin seksual’ siç është term dhe dukuri më e njohur në ShBA., por si term social-kulturor përsa i përket identitetit dhe rolit gjinor në familje ose shoqëri.

     -Cili ishte përjetimi juaj pasi patë filmin tuaj të parë të realizuar? A mësuat nga gabimet e fillimit?

    Xhirimi i filmit “The Superintendent” ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme. U zhvillua shumë shpejt si projekt me ndihmën e kinematografit Albert Elmazovski. Ky film ka qenë një edukim rreth komplet proçesit të tërë të bërjes së një filmi. Kam bërë filma më parë si aktor, por ky ishte i pari që ka qenë pronë e imja që nga fillimi deri në fund. Ka qenë mësimi më i madh për mua ku më ka ndihmuar shumë dhe etika e punës time dhe përkushtimi i madh që kam. Kam punuar shumë mbi 16 ditë, por isha krenar me atë që po bëja.

     -Sa e vështirë është për një shqiptaro-amerikan të bëjë rrugë të suksesshme në fushën e produksionit të filmave në Amerikë?

    Produksioni i filmave të shkurtër ose të plotë është punë e vështirë. Shumica e njerëzve shikojnë produktin final dhe mendojnë se është e lehtë. Realiteti është që minutat që shikon në ekran mund të zgjasin javë për t’u realizuar, muaj ose edhe vite, për t’u përgatitur, të xhirosh dhe redaktosh filmin. Si shqiptaro-amerikan kam avantazh nga amerikanët. Ne shqiptarët jemi më natyralë përsa i përket aftësisë së tregimit të historive dhe jeta jonë është e mbushur me plot karaktere. Gjithashtu kemi perspektivën që shumë pak e kanë, që vijmë nga një vend shumë i pasur në kulturë, histori dhe tradita. Mendoj se të qenurit shqiptar është avantazhi im në shumë aspekte të punës time artistike. Krenohem me prejardhjen time shqiptare dhe këtë dua ta reflektoj dhe në filmat e mi, respektin që kam për traditat, historinë dhe prejardhjen time shqiptare.

     -A mund të na tregoni disa nga filmat e tjera tuajat që keni realizuar deri më tani? Për cilin prej tyre jeni më krenar?

    ‘The Superintendent’ u mbarua në 2013, por kam punuar dhe në projekte të tjera. Kam punuar me Bujar Alimani të xhirojmë për një film me metrazh të shkurtër. Si dhe kam punuar me një regjisor të ri Orges Bakalli në filmin e tij të shkurtër “Made in Amerika”, që është në përfundim dhe po përgatitet për festivale. Jam krenar me të gjitha këto  projekte dhe vazhdoj të eci përpara. Kjo është e vetmja mënyrë drejt suksesit. Duhet të krijoj, të mësoj dhe të vazhdoj të merrem me projekte të tjera.

     -Aktualisht ju jeni duke prodhuar një film të ri që quhet “Paftuar”. Cili është mesazhi i këtij filmi, protagonistët e tij dhe cilat janë synimet që do të arrish me këtë prodhim?

    Momentalisht jam në proces të zhvillimit të produksionit të filmit artistik “Paftuar”. Historia e të cilit është bazuar në ngjarje reale sipas përvojës së një emigranti shqiptar që shkoi në Greqi gjatë viteve 1990-të si ilegal. E kapën sapo kaloi kufirin dhe e vendosën në kamp paraburgimi ku dëshmoi akte tmerruese ndaj tij dhe të burgosurve të tjerë. Disa nga burrat nuk kishin fat të dalin gjallë nga burgu.

    Historia e filmit Paftuar për mua nënkupton se si imigracioni është keqkuptuar dhe trajton temën e frikës ndaj të huajit. Për të qenë i qartë, mesazhi im në këtë film është për të gjithë botën, jo vetëm shqiptarët në emigrim. Ka shumë që përpiqen përditë të vijnë nga Meksika për në Amerikë. Italia ka Afrikanë që jetojnë atje. Lindja e Mesme ka po të njëjtën dukuri për shkak të luftërave. Bota ka nevojë t’i shikojë emigrantët si njerëz së pari jo si shkelës. Unë vetë jam një emigrant dhe ky tregim më prek personalisht.

     -Cilët janë disa nga emrat e rëndësishëm që po bashkëpunoni për realizimin e këtij filmi?

    Jam me fat që kam patur njerëz të mrekullueshëm me të cilët kanë bashkëpunuar në këtë projekt. Kinematografi Albert Elmazovski, që është një mik i shtrenjtë i imi, e solli vizionin tim në jetë me punën e tij. Edhe ai është me origjinë nga Dibra e Madhe. Aktorët e përkryer si Luan Bexheti, Gent Bash, Alban Merdani dhe Savina Alimani gjithashtu janë pjesë e këtij filmi. Secili prej tyre sjell diçka unike në film dhe personalisht krenohem që janë nga treva të ndryshme të Shqipërisë dhe punojnë së bashku për mrekulli. Ky është dhe qëllimi i filmave të mi, të angazhoj sa më shumë aktorë shqiptarë nga të gjitha anët e tokave Shqiptare, të prezantoj aspekte të kulturës shqiptare për publikun e huaj dhe të shfaq para botës talentin shqiptar si në filma, skenare, dhe aktrim.

     -Cili është momenti më i vështirë gjatë prodhimit të një filmi dhe si kalohen këto sfida?

    Financimi dhe koha janë dy sfidat më të mëdha për t’u kaluar. Të marrësh fonde është shumë e vështirë në ShBA, këtu ka dhurata monetare nga qeveria, por ka shumë njerëz që konkurrojnë për të njëjtën shumë, kështu është shumë e vështirë. Njerëzit e kanë të vështirë të japin para ose të përkrahin një projekt sepse unë xhiroj filma të stilit të pavarur ku rëndësi ka më shumë historia e filmit dhe jo ‘action’. Filmat e mi të shkurtër i kam financuar vetë dhe kam kërkuar shumë favore nga njerëz të ndryshëm. Për arsye të fondeve kam punë me orar të plotë, si dhe kujdesem për familjen, ndërkohë që dua të prodhoj filmat dhe projektet e mi. Gjithashtu akoma merrem me aktrim, ku performoj si aktor në filma të ndryshëm, si dhe djemtë e mi Diloni dhe Kastrioti janë aktorë dhe mundohem t’i ndihmoj të kenë sukses në këtë karrierë. Kohën e lirë e kam të kufizuar, por gjithmonë them që një person duhet të ketë qëllime sa më të larta, për të parë se ku mund të arrijë në jetë.

     -Vlerësimet për filmat më të mire në botë janë të ndryshëm. Cilin nga çmimet e rëndësishme që jepen sot do donit që të merrnit një ditë për filmat tuaj?

    Ëndërroj të fitoj çmimin Oscar një ditë për një nga filmat e mi. Dua të dal para skenës dhe të falënderoj gjyshen time. Dua të them që jam krenar që jam shqiptar, dhe të falënderoj Amerikën që më dha mundësinë për të ëndërruar shumë lart. Deri atëherë gëzohem të shikoj se si filmat e mi inspirojnë publikun dhe si temat që trajtoj ngjallin interes për diskutime dhe debate. Gjithmonë do ketë një element në filmat e mi që i bën për vete shikuesit dhe i tërheq historia. Në fund kjo është e vetmja gjë që një artist shpreson. 

     -Cili është regjisori juaj i preferuar dhe çfarë keni huazuar ju prej tij?

    E kam të vështirë të vlerësoj vetëm një regjisor. Ata janë individë dhe kanë filma që ca nuk janë dhe aq të mirë dhe ca janë të shkëlqyer. Respektoj Tarantinon për faktin që lejoi gjuhët amë të jenë prezente në filmat e tij. Spike Lee ka disa nga skenat “set up” dhe “lighting” më të mirat që kam parë në ekran. Ang Lee që solli “Life of Pi” në ekran e konsideroj si master që solli një botë të imagjinatës në realitet. I marr këto momente në vetvete dhe mësoj nga çdo element. Qoftë i mirë apo i keq, të shikosh punën e regjisorëve të tjerë është e nevojshme për t’u inspiruar.

     -Cilat janë planet e tua për të ardhmen? Sa vend zë Shqipëria në këto plane?

    Këtë vit që vjen dua të përqendrohem në filmin “Paftuar”. Është një histori që duhet t’i tregohet publikut. Kam një kast me aktorë shumë të talentuar dhe janë të gatshëm ta kryejnë projektin dhe nuk dua t’i zhgënjej. Plani është që filmi “Paftuar” të xhirohet në Shqipëri. Dua që ky film të jetë sa më real ngjarjes së vërtetë, dhe duhet patjetër filmuar në Shqipëri. Si tip nuk rri dot pa punuar, kështu po merrem me projekte të tjera. Do xhiroj dhe një film tjetër të shkurtër këtë dimër me një temë shqiptare. Si dhe gjithmonë jam duke menduar dhe shkruar ide të tjera për skenarë të shkurtër që ta vë mendjen gjithmonë në përdorim.

    Realiteti shqiptar si si tematikë filmi

    Më pëlqen të shqyrtoj tema shqiptare. Janë shumë unike për arsye të influencave kulturore nga fqinjët dhe historia e larmishme që kemi. Shqipëria dhe njerëzit janë në udhëkryq të aq shumë histori dhe kulturë sa më shokon nganjëherë ky fakt. Puna është që ne skenaristët nuk duhet të humbasim në perceptimet botërore se kush jemi ne. Ajo është gjëja më e lehtë që bëhet. Duhet të jemi të aftë të shikojmë humorin, tragjedinë, nderin në vetvete para t’i vlerësojë bota. Një skenarist duhet të jetë i sinqertë se kush jemi edhe nëse nuk i përputhet mitit që kemi vetë për konceptin se kush është një shqiptar. Arti është për të thyer si dhe për të krijuar mite. Është për të rrëfyer diçka që mund të jetë treguar disa herë më parë, por çdo histori ka pika unike të kuptimit. Me filmat e mi dua të tregoj aspektin tim në mënyrën time të veçantë.

    Një familje aktorësh

    Dy djemtë e Rolandit, Diloni dhe Kastriot Uruçi merren gjithashtu me aktrim në filma dhe teatër. Dilon Uruçi ka lindur në Staten Island, New York në 2000. Që në moshë shumë të re ka treguar interesim për aktrim. Në moshën 8-vjeçare hyri në audicione ku i la shumë përshtypje drejtorëve të HB Studio, të cilët e pranuan në programin profesional të tyren, edhe pse standardi ishte të pranonin vetëm moshat 10 e sipër. Diloni studion në klasa aktrimi nëpërmjet HB Studio në New York. Ka marrë pjesë në disa komerciale TV në 2008 të shfaqura në New Jersey dhe NY. Roli i tij i parë ishte në filmin “Dreaming Amerikan” në vitin 2010, një film i Lee Percy, fitues i Emmy. Në filmin “Right to Love”, një film nga regjisori i shquar Paul Kurti, Dilon Uruçi luajti rolin e Azamat-it. Aktrimet e tij të fundit përfshijnë performanca teatrale në asamblenë e produksionit amerikan të shfaqjes angleze “The Machine”, shkruar nga Matt Charman me drejtore Josie Rourke. “The Machine” u shfaq në Mançester, UK, dhe u hap në New York këtë vjeshtë. Momentalisht Diloni është në prova për dramën teatrale “Medea” drejtuar nga Noel MacDuffie. Diloni luan një nga fëmijët e Euripides, një tragjedi greke. Medea do shfaqet me 8 nëntor në teatrin ‘Beckman Theater’ në New York.

     Kastriot Uruçi, aktor, producent

    Kastriot Uruçi ka lindur në Brooklyn, New York në 1995. Filmi i tij i parë ishte në produksionin “Chateau Rosaline 1937”, me regji të Maja Milanovic, kur Kastrioti ishte vetëm 13 vjeç. Kastrioti luan personazhin kryesor, ‘birin e ri’. Filmi pati shumë sukses në Europë dhe mori pjesë në festivale filmash në Ballkan si Maqedoni dhe Greqi. Kastrioti u mor me aktrim që në moshën 7-vjeçare dhe ka marrë pjesë në disa audicione. Në moshën 10 vjeçare filloi të marrë klasa për aktrim nëpërmjet HB Studio në New York. Tani Katrioti po ndjek studimet universitare për Art dhe Film në Staten Island College. Në 2010 luajti në filmin “Welcome” (2010), me regji të Maja Milanovic. Në filmin “Dreaming American” (2012), film nga i famshmi Lee Percy, Kastriot luajti rolin e Artanit të ri, vëllai i personazhit kryesor të filmit. Në këtë film ai mësoi të flas me dialektin e duhur në shqip për t’iu përshtatur historikut, strukturës dhe realitetit të filmit (bazuar në ngjarje të vërteta të Praq Rado). Kastriot luajti rolin e Eben në shfaqen teatrale “Desire under the Elms”, shkruar nga Eugene O’Neill. Shfaqja u luajt tek Teatri “View Playwrights theater” nën drejtim të Joe Gheraldi. Tani po merret me provat për shfaqen “Romeo dhe Xhuliet” po në të njëjtin teatër.