Roland Peqini: “E kalojmë dhe Metalurg Donetskun!”

584
Sigal

Mbrojtësi i nënakampionëve të Shqipërisë premton një tjetër ndeshje të madhe kundër ukrainasve

Kur Kukësi eliminoi Sarajevon në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, skuadra e Armando Cungut u bë ekipi i dytë shqiptar që kalonte dy ture në Europë, pas 26 vitesh, qysh kur Flamurtari i famshëm i Sokol Kushtës dhe Vasil Rucit e realizoi atë në vitin 1987. Tani, nënkampionët e Shqipërisë synojnë një tjetër objektiv të madh: kualifikimin me Metalurg Donteskun, pavarësisht emrit që gëzojnë ukrainasit. Mbrojtësi me përvojë, Roland Peqini, është i bindur se, Kukësi i ka të gjitha mundësitë të përsërisë suksesin ndaj estonezëve të Flora Talinit dhe boshnjakëve të Sarajevos. “Kundër Metalurgut është një ndeshje shumë e fortë por, ne do të japim gjithçka për të dalë sa më mirë”, – tha Peqini për gazetën “Telegraf”. Në katër ndeshjet e zhvilluara, Kukësi nuk ka humbur asnjë takim, çka e ka rritur jo vetëm përvojën ndërkombëtar, por dhe entuziazmin në kampin e skuadrës verilindore. Ndeshja Kukësi-Metalurg Dontesk do të luhet ditën e enjte në stadiumin “Qemal Stafa”, në orën 19:30.

 – Peqini, të enjten përballë ukrainasve të Metalurg Donetskut në “Qemal Stafa”, si e parashikoni sfidën?

– Të gjithë jemi të vetëdijshëm se, është një ndeshje shumë e fortë, pasi natyrshëm që në turin e tretë eliminator të Ligës së Europës skuadrat janë më të forta. Nëse ne e nisëm nga turi i parë, për Metalurgun ky është ballafaqimi i parë në këtë edicion. Ne duhet të bëjmë më shumë nga sa kemi bërë deri tani, për të dalë sa më mirë dhe të përballemi sa më denjësisht me Metalurgun.

– Edhe pse ky është debutimi i parë historik i Kukësit në Europë, keni eliminuar dy ekipe, Flora Talinin dhe Sarajevon. Besoj se, askush nuk e kishte parashikuar atë?

– Kukësi ka bërë përgatitje shumë serioze për të përballuar me sukses debutimin e tij të parë në Ligën e Europës, ashtu siç ka qenë shumë serioz edhe në Kategorinë Superiore, ku ne u shpallëm nënkampionë. Kemi kaluar dy ekipe shumë të forta, si Flora Talinin e Estonisë dhe Sarajavon e Bosnjës dhe kjo nuk është pak. Kemi dhënë maksimumin tonë. Kemi luajtur, duke besuar deri në fund se mund t’ia dilnim dhe ia arritëm.

– Kukësi ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar, edhe për faktin se pas 26 vjetësh një ekip kalon dy tyre, pas Flamurtarit të vitit 1987…

– Është krenari jo vetëm për ne futbollistët por, për çdo kuksian dhe çdo shqiptar, pasi ne tashmë përfaqësojmë të gjithë Shqipërinë e jo vetëm Kukësin.

– Katër ndeshje në Europë, asnjë humbje. Një tjetër rekord shqiptar i Kukësit. Merite dhe e mbrojtjes, e repartit ku aktivizohet dhe Peqini.

– Dua të them që, kemi bërë katër ndeshje të mëdha të gjithë si ekip. Jemi mbrojtur shumë mirë. Dua ta theksoj se, mbrojtja ka qenë perfekte në këto katër ndeshje, por nga ana tjetër duhet të them që na ka ndihmuar shumë dhe mesfusha dhe sulmi. Me pak fjalë, kemi qenë një në çdo moment, duke realizuar të gjitha detyrat që na ka dhënë trajneri Armando Cungu.

 – Në ndeshjen kundër Sarajevos, porteri Halili priti një penallti vendimtare, që mund të vendoste dhe fatin e ndeshjes. Cili është komenti juaj?

– Gjatë këtij viti që, ne luajmë bashkë ai ka qenë perfekt, por ndeshja kundër Sarajevos ai ka bërë një paraqitje të mrekullueshme, të cilën unë do e veçoja si më të mirën e sezonit.

 Nevil Dede: “Të gjithë mezi e presin derbin Tirana-Partizani”

 Trajneri i Tiranës, Nevil Dede, tha se gjendja e lojtarëve është e kënaqshme dhe situata aktuale është e mirë. Por, a është në gjendje ky grup për të përballuar Superligën? “Për sa i përket merkatos apo grupit aktual, them se mund të qëndrojnë vetëm 50 për qind e lojtarëve që janë. Esenca e merkatos sonë nuk ka filluar akoma. Në këtë moment klubi nuk ka buxhet dhe esenca e merkatos sonë nuk ka filluar akoma. Duke mos ditur se çfarë buxheti do të kemi, të jem realist mund të them se kjo është një situatë e vështirë. Shpresojmë që kjo të jetë java deçizive për Tiranën. Nuk besoj se do të bëhen gabime siç u bënë me Partizanin dhe Dinamon, sepse po të arrijë edhe Tirana ato nivele, nuk ja vlen më pastaj të flasësh për futbollin në kryeqytet”, – tha Dede. Këtë sezon do të kemi dhe derbin e munguar prej katër vitesh, Tirana-Partizani. “Unë do të bëja një kërkesë që të mundësojë dikush një derbi Tirana-Partizani përpara se të fillojë kampionati dhe të shohim interesimin e njerëzve që është shumë i madh. Ndaj derbi duhet luajtur fillimisht. Për ne si Tiranë është shumë e rëndësishme që Partizani është ngjitur në Superiore, sepse do të kemi më tepër ndeshje në fushën tonë, do të kemi një rivalitet më të madh, do fitojmë më shumë para”, – tha Dede.

 Sot, Shahktar Karagandy-Skënderbeu (15:00), për turin e tretë të Ligës së Kampioneve

  Mirel Josa: “Nuk trembemi nga Shahtari”

 Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, tha për mediat kazakistanase se nuk i trembet aspak “minatorëve” të Shahktar Karaganda, kur ata të përballen në “Astana Arena”. Skënderbeu do të luajë sot kundër Shahktar Karagandy, i bindur se kualifikimi ndaj azerbajxhanasve të Neftçit në turin e dytë të Ligës së Kampionëve nuk ishte një rastësi. Me dy ndeshje pa humbje (një fitore dhe një barazim), kampionët e Shqipërisë janë të gatshëm të përballojnë kazakistanezët, skuadra e të cilëve ka një buxhet prej 18 milionë eurosh. “Nesër (sot) do të luajnë dy ekipe që befasuan me paraqitjen e tyre. Unë mendoj se, Shahktari ka një avantazh të vogël, – tha Josa gjatë konferencës së tij për shtyp. – Ne do të gjendemi përballë tre dueleve: Karagandy praktikon futbollin mbrojtës, luan mirë në goditjet standarde, të cilat në fakt nuk na frikësojnë ne, si dhe kanë mbështetjen e publikur të tyre. Ne i kemi analizuar të gjithë këto momente”. Sipas Josës, citon portali sportiv kazakistanez “Vesti.kz”, për të dyja e ekipet është debutimi i parë në këtë nivel të Ligës së Kampioneve. “Ne do të përpiqemi të japim maksimumin tonë, por edhe nëse dështojmë kjo nuk do të jetë në tragjedi apo shkatërrim”, – tha Josa. Trajneri i Skënderbeut i vlerësoi kundërshtarët: “Janë të fortë fizikisht, por dhe ne kemi anët e forta tona. Nesë lojtarët do të jenë të aftë të tregojnë vlerat e tyre, atëherë shanset për të dyja ekipet janë të barabarta”.

Në fakt, udhëtimi drejt Kazakistanit ishte tepër i lodhshëm, shto këtu edhe orët e pritjes në aeroport për për të marrë vizat hyrëse kazake në Astana. Pas akomodimit në hotel dhe pushimit, skuadra nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa zbrit në fushën e “Astana Arena”, stadiumi në të cilin do të zhvillohet ndeshja, për tu ambientuar më mirë me kushtet klimaterike si dhe me orarin e takimit. Grupi i futbollistëve ka qenë i plotë dhe pavarësisht lodhjes së udhëtimit skuadra i është përgjigjur trajnerit, duke përgatitur më së miri ndeshjen e parë të turit të tretë të eliminatoreve të Champions League, të vetëdijshëm për rëndësinë e rezultatit që ka takimi i parë. Në ndryshim nga dy ndeshjet me Neftçin, korcarët kanë humbur shërbimet e ish mesfushorit të Tiranës Gilman Llika, i cili do të jetë pjesë e skuadrës së Al Faisli për dy sezonet e ardhshme. Megjithatë kosovari Leonid Abazi tregoi se është një zëvendësues i denjë, dhe që mund të mbulojë më së miri rolin e shkodranit. Josa tha se ai u befasua që do të ndeshej me Shahktarin dhe jo me BATE Borisovin: “Të jem i ndershëm me ju, mund t-iu konfirmoj se nuk prisja Shakhterin në këtë fazë. Unë e pranoj se ne jemi përgatitur për të sfiduar Baten. Por fakti që bjellorusët dolën jashtë në këtë duel tregon se kampionët e Kazakistanit janë shumë të fortë. Ne kemi ndjekur këto dy ndeshje dhe jemi gati ‘të luftojmë’ kundër tyre. Sigurisht që ne duam ta kalojmë këtë tur”, pranoi Josa.

 Bastet

Koeficienti i fitores së Skënderbeut ka shuar nga 7.20, deri në 8.00, ndërsa fitorja e Karagandit (1.40) dhe barazimi (4.20).

LIGA E KAMPIONEVE

Turi i dytë eliminator

17 korrik 2013

Neftçi-Skënderbeu    0-0

23 korrik 2012

Skënderbeu-Neftçi    1-0

Turi i tretë eliminator

30 korrik 2013

Shahktar-Skënderbeu 15:00

 Kazakët: “Jemi favoritë”

 Drejtuesit e Shahktar Karagandy u shprehën të sigurt se, janë atë fituesit e sfidës me Skënderbeun: ““Jo sepse luajmë në shtëpinë tonë dhe jo se jemi favoritë në ndeshjen e parë me Skënderbeun, por fitorja duhet patjetër, ndryshe ne nuk mund të kualifikohemi për në turin e tjetër. Ata (korçarët) kanë barazuar në ndeshjen në Azerbajxhan me Neftçin dhe dinë të mbrohen mirë, sepse nuk pësuan gol në dy ndeshje. Prandaj duhet të fitojmë me çdo kusht sfidën e parë brenda, madje duke mos pësuar gol. Natyrisht që Skënderbeu do të vijë këtu për t?u mbrojtur, kanë strategjinë e tyre, por ne nuk duhet të rrimë këmbëkryq, duhet të shënojmë patjetër. Për mua është decizive ndeshja e parë dhe jo e dyta. Nëse fitojmë këtu, ndeshja e kthimit do të jetë shumë e lehtë”, –  ka deklaruar presidenti i Shahterit të Karagandit, Yerden Khalilin.

 Bekim Balaj, një hero shqiptar në Poloni

 “Dëa mecze i dëie bramki” (dy ndeshje dhe dy gola). Një start ëndrrash për Bekim Balaj, në një kampionat të ri dhe të panjohur për të. Sulmuesi shkodran është shndërruar në harkun e 180 minutave në heroin e ri të Jagielloniës, skuadrës polake që tashmë kryeson kampionatin me gjashtë pikë të plota pas dy ndeshjeve, së bashku edhe me Legian e Varshavës dhe Piast Glivice. 22-vjeçari i Kombëtares shqiptare u huazua te Jagiellonia nga çekët e Sparta e Pragës, por transferimi i ka dhënë tashmë frytet, teksa kryeson edhe listën e golashënuesve të “Ekstraklasa”, pasi i ka shënuar të dy golat në harkun e 64 minutave lojë. Shqiptari u bashkua me ekipin e tij të ri, por ai nuk pati fatin të punonte në fazën përgatitore me Jagiellonian. Për më tepër ai mbërriti në Poloni, vetëm dy ditë përpara se të niste kampionati polak, për shkak të pajisjes me vizë. Gjatë ndeshjes së parë kundër Zavisza Bydgoszcz, trajneri Piotr Stokoviec e la Bekim Balaj në bankinë, duke e hedhur në lojë shkodranin vetëm në minutën e 68-të. Pas dhjetë minutash, Balaj shënoi golin e vetëm të takimit që i dha fitoren Jagiellonias.

“Unë jam gati të luaj, por trajneri e di më mirë se kush duhet të luajë nga fillimi”, – ishte shprehur Balaj përpara ndeshjes më Slask Vroklav ku aktivizohet shqiptari tjetër, Sebino Plaku.

Trajneri Piotr Stovoviec vendosi sërish ta lërë Bekim Balajn në bankinë. Në ndeshjen e së dielës, Bekimi zëvendësoi me fillimin e pjesë së dytë, Maciaj Gajoshin. Dhe pas vetëm gjashtë minutash lojë, Balaj shënoi në minutën e 52-të golin e 3-0, duke vendosur kështu dhe fatin e ndeshjes që përfundoi 3-2. Një gol perfekt për nga realizimi. “Pasi shënova golin e parë unë shpresoja se nuk do të ishte i fundit, dhe ja tani realizova një të dytë, – tha Bala pas ndeshjes së të dielës, gjatë një interviste për radion polake që transmeton edhe në shqip. “Kur ne udhëhoqëm 2-0 ndaj Slaskut u krijua hapësira dhe ne mund të shënonim shumë gola. Unë pata shansin tim dhe realizova. Unë besoj se ne do të ruajmë ecurinë tonë dhe do të luftojmë për të marrë nga tri pikë në çdo ndeshje”, – citohet Balaj nga portali polak “Sport.pl”. Ndeshja e radhës e Jagiellonias është ajo kundër Lechia Gdanskut.