Robert Mulellari, ish-skënderbegasi, futbollisti i “Partizanit” dhe ushtaraku i njohur ndërron jetë

2550
Sigal

 

Kujtim Boriçi

Maksim Fejzulla

Nesër, Robert Mulellari, ish-skënderbegas, futbollist i njohur i ekipit të “Partizanit” dhe ushtarak karriere nga më të mirët, nesër mbushte 60 vjeç . Bashkëshortja e tij Lavdija dhe vajza e vetme, Inesi, bashkë me familjarët, kishin përgatitur gjithçka me detaje, për t’ia bërë gjithçka surprizë të dashurit të tyre. Të njëjtën gjë kishin bërë dhe shokët duke zgjedhur dhuratat dhe urimet me këtë rast. Por gjithçka e përgatitur për këtë gazim të madh, kthehet në zi e trishtim. Kjo, pasi dje, në orën 11:00, ai ndërron jetë papritur, si pasojë e një goditje të rëndë në organet jetësore.  Sot, të martën në orën 12:00, bëhet ceremonia e varrimit, duke filluar nga banesa e tij në fundin e rrugës “Zhan Dark , përballë maternitetit të ri, drejt varrezave publike në Tufinë… Nuk mund ta besojmë se ai ka ikur nga jeta, teksa kemi të gjallë në memorie detaje të shumta nga jeta, veçanërisht së fundi në përgatitjen e pjesës së tretë të librit “Skënderbegasit ndër vite…”. Kontributi i tij qe i jashtëzakonshëm. Mes lotëve e dhimbjes, ne dhe shokët e tij, i shprehim ngushëllimet e thella familjes: “Lamtumirë i dashur dhe i shtrenjtë Berti! Ti po ikën në parajsë, por ne do të kemi kurdoherë pranë, të mrekullueshëm siç ke qenë gjithmonë, brilant!”. Në këtë ditë, në vend të homazhit, duke falënderuar e përfshirë dhe ngushëllimet e drejtuesve të gazetës “Telegraf” për gatishmërinë, po botojmë vetërrëfimin e jetëshkrimit të tij nga vetë Roberti, që përfshihet në pjesën e tretë të librit “Skënderbegasit ndër vite…”:

 

*                          *                                 *

Quhem Robert Mulellari. Shkolla “Skënderbej” ishte vatra e shtrenjtë ku mori hov ëndrra ime për tu bërë futbollist, por dhe institucioni ku unë mora edukatën dhe nisa hapat e karrierës së ushtarakut të Forcave të Armatosura. Kam lindur më 30 Maj 1958 në Ersekë të Kolonjës. Vitet e fëmijërisë, shënojnë fillimin e ëndrrave dhe lindjen e pasioneve që lidhen më të ardhmen, të cilat shpesh nxiten edhe nga pyetje të tilla si: “çfarë do të bëhesh kur të rritesh” apo “çfarë të pëlqen më shumë të merresh në të ardhmen”. i gjendur në rrethana të tilla, dhe i edukuar në një familje me tradita atdhetare (babai im ka qenë partizan në rininë e tij të hershme), veçanërisht në vitet e fundit të shkollës 8-vjeçare, po më përvijohej mendimi për t’u bërë oficer. Ndërkohë kisha edhe pasionin e madh për futbollin, të cilin kisha filluar ta ushtroja që në shkollën fillore, duke qenë pjesë e ekipeve të moshave të “Gramozit”, Ersekë. Pra isha vënë përballë ëndrrës për t’u bërë oficer dhe pasionit e dëshirës për të vazhduar futbollin, të cilat mund të mishëroheshin, vetëm nëse do të ndiqja Shkollën Ushtarake “Skënderbej”. Dhe kështu vendosa. Në Gusht 1973, marr emrin “skënderbegas”, duke realizuar kështu ëndrrën e fëmijërisë. Dhe Gushti i atij viti, jo vetëm ishte i nxehtë, por shënoi edhe fillimin e një jete krejt ndryshme nga ajo që lashë pas në vendlindjen time, ashtu sikurse edhe qindra bashkëmoshatarë të mi. Vinim në një mjedis tërësisht të panjohur, shumë të vështirë për moshën që kishim, me kërkesa shumë të larta dhe me angazhim të madh e të vazhdueshëm gjatë gjithë ditës, cilat të përziera me kujtimet e bukura të jetës së fëmijërisë dhe mallin për familjen, përbënin një sfidë të vërtetë, në radhë të parë të qëndrueshmërisë së karakterit tonë. Por me kalimin e ditëve të para, dalëngadalë fillon ambientimi me jetën ushtarake, si dhe njohja dhe krijimi i shoqërive të para, të cilat do të konsolidoheshin më tej në vitet dhe dekadat e ardhshme. Fillimi i procesit mësimor na mundësoi njohjen me shokët e rinj të klasës që vinin nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, të cilët i kujtoj me radhë duke filluar me shokun tim të bankës Bardhyl Hoxha, i cili ka qenë në vazhdimësi një mbështetje e madhe për të realizuar ëndrrën time (mbarimin me sukses të Shkollës Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1977) dhe në të njëjtën kohë zhvilluar më tej, pasionin tim për futbollin. Në vazhdim, dua të kujtoj me shumë mall shokët e tjerë të klasës si ‘Dëshmorin e Atdheut’ Albert Lelaj dhe më tej, Fuat Spahiu, Shërbet Zguro, Artan Babi, Maksim Malaj, Agim Hysi, Robert Dervishi, Bashkim Abazi, Dhori Spirollari, Vladimir Qirjazi, Rahman Lupi, Hasan Ahmetaj, Petrit Koka, Kolë Gjoka, Tonin Qitaj, Dashamir Shehi, Nikollaq Pano, Vasil Karoli, Ferit Olldashi, Durim Beqiri, Koço Kita, Preng Lala, Fatos Zeneli, Luan Alia, LlazarZguro, Pali Sota, Vasil Peçi, Sinan Rrodhaj, Shkëlqim Mullaj, Kastriot Shurdhi, Kastriot Manaj, Emiliano Koxhioni, Sali Kasa, DhiogjenThanasi, Perlat Skëndo dhe Preng Lala. Me respekt të veçantë kujtoj mësuesin tonë kujdestar Mato Idrizi, një ndër zbuluesit më të mirë të kohës, i cili kishte bërë përzgjedhjen e klasës tonë, duke krijuar për herë të parë klasën e Radio-Zbulimit në shkollën “Skënderbej”, ku si veçori nga klasat e tjera, kishte edhe mësimin e gjashtë gjuhëve të huaja, përkatësisht nga 6 grupet respektive. Krenaria e të qenit në këtë klasë, si dhe motivimi dhe mbështetja që na ka dhënë mësuesit Mato Idrizi, Besnik Karafili, Gjeraqina Spahiu, Ana Prifti, Fiqiri Shtëpani, inxhinier Shaban Bardhoshi, Drita Karoli, Vasilika Vasi, Skënder Shkupi, Sanie Tabaku, Inxhinier Jorgji Kona, Astrit Greva etj., krijuan një mjedis shumë të ngrohtë, çka ndikoi shumë pozitivisht në jetën tonë të përditshme dhe në rezultatet e shkëlqyera të klasës, të cilat janë padyshim një rast i veçantë për të gjithë historinë e Shkollës “Skënderbej”. Një fakt tjetër që e bën klasën tonë të veçantë është se nga gjiri i saj kanë dalë katër gjeneralë dhe konkretisht Maksim Malaj, i cili u bë edhe Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Hoxha, VladimirQirjazi dhe Dhori Spirollari. Pas përfundimit të Shkollës Ushtarake “Skërderbej”, filluam studimet në degë të ndryshme të Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve, dhe u titulluam oficerë në vitin 1982. Më tej, në vitin 1990-1992,  ju kthehem edhe një herë studimeve ushtarake, ku përfundova Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, në Tiranë. Pavarësisht natyrës dhe vështirësive të profesionit të oficerit, unë e kam patur për nder të shërbej për rreth 20 vjet si oficer, në detyra dhe funksione të rëndësishme, kryesisht në Brigadën e Këmbësorisë në Ersekë, si: Instruktor Stërvitje dhe Zjarri; Shef Personel-Organizimi; Shef Zbulimi; Shef Operativ dhe Komandant i kësaj Brigade, deri në vitin 2000. Më tej, i jam përkushtuar aktivitetit tim privat, të cilin e ushtroj edhe sot. Ndërsa jam krenar për vitet e qenies nën uniformë nga viti 1973 deri në vitin 2000, më poshtë dua të shpreh aktivitetin, emocionet, fitoret, gëzimet etj, që lidhen me vazhdimin e pasionit tim për futbollin. Ishte viti 1973, i sapo ardhur në shkollën “Skërderbej”, ku në një veprimtari sportive, përfshirë edhe futbollin, profesori i paharruar Melsi Çobani, më përzgjodhi si një futbollist me të ardhme. Më tej, bëhem pjesë e ekipit të shkollës “Skënderbej”, me trajner të palodhurin dhe pasionantin e jashtëzakonshëm Sherif Çiçiku. Ndërsa në vitin 1975,  kam përjetuar emocione të veçanta kur u bëra pjesë ekipit të të rinjve të Partizanit, por gjithsesi, duke mbetur “besnik” i ekipit të shkollës, të cilën për 4 vjet e përfaqësova në të gjitha kampionatet dhe veprimtaritë në nivel shkollash të mesme në Tiranë, duke i fituar të gjitha kupat dhe duke bërë krenarë qindra skënderbegas, të cilët na ndiqnin kudo. Në këto ndeshje kam pasur fatin të kem “kundërshtar” të pa harruarin Arben Minga dhe më tej, Agustin Kola, Halit Gega, Edmond Gëzdari, Skënder Hodja, Kiço Mile etj.

Po ashtu përfaqësim të shkëlqyer kemi edhe në spartakiadat e ushtrisë. Mbresëlënëse, kanë qenë edhe ndeshjet e zhvilluara në stadiumin kombëtar “Q.Stafa” dhe në stadiumet e fushat sportive në Krujë, Rrëshen e rrethe të tjera, duke promovuar ekipin e “begsave” në të gjithë Shqipërinë. Me kë rast, kujtoj me shume dashuri shokët e ekipit të shkollës: Perlat Musta, Artur Lekbello, të paharruarin Arjan Hametaj, Vasil Peçi, Shkëlqim Mullaj, Haziz Çeço, Koço Manxhari, Bektash Duduni, Agron Hysi, Ismail Bajrami, Sokol Qehaja, Përparim Saliko, Feta Guri, Agron Hoxha, Halim Goxhaj etj. Pas përfundimit të Shkollës “Skënderbej”, në vitin 1977-1978,  përjetova emocione të tjera të veçanta, ku bëhem pjesë e ekipit të “Sopotit”,  pjesëmarrës nëkampionantin kombëtar, duke paturfatin të luaj me futbollistin e talentuar të asaj kohe, Agim Janku. Ndërsa me fillimin e Shkollës së Bashkuar, u bëra përsëri pjesë e ekipit të shkollës, i cili nën kujdesin e veçantë të Komandantit, Rustem Peçi, ka pasur suksese të spikatura, duke u identifikuar edhe si ekipi më i mirë i të gjitha kohërave. Ekipit të Shkollës së Bashkuar ju “bashkëngjita” edhe në vitet e studimit në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm (1990-1992), i cili luante në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Dytë. Dua të veçoj marrëdhëniet e shkëlqyera që kishin me pedagogët, disa nga të cilët edhe ish-futbollsitë të talentuar të Partizanit dhe Shkëndijës, që kontribuonin për ekipin e Shkollës, si: Tomor Shehu, Sulejman Starova, Ilir Lame, Luftar Guri, Luan Qosja, Muharren Kacabani etj. Gjithsesi, kulmin e karrierës time si futbollist, e kam paturme ekipin e qytetit tim të lindjes, “Gramozi” i Ersekës, më të cilin kam luajtur 10 vjet, madje në të gjitha pozicionet (përjashtuar portier), përfshirë kapiten ekipi. Jam krenar për emocionet që ju kemi dhuruar qytetarëve kolonjar, dhe veçanërisht atyre të Ersekës, të cilëve ju shpreh mirënjohjen më të sinqertë për mbështetjen që na kanë dhënë.

 

Meditimi rreth një veprimtari të gjatë ushtarake dhe sportive, copëza të së cilës i përshkrova më lart, më kthejnë edhe një herë tek shoqëria ime e Shkollës “Skënderbej”, që daton në vitin 1973, e cila duket se është më e qëndrueshmja dhe kjo falë edhe angazhimeve e pro aktivitetit të disa shokëve tanë, ku veçoj Shërbet Zguro, Vasil Karoli, Bardhyl Hoxha, Vladimir Qirjazi, Maksim Malaj, Rrahman Lupi, Durim Beqiri, Koço Kita, Kolë Gjoka, Artan Babi etj., të cilët herë pas here iniciojnë dhe organizojnë takime spontane deri tek takimet “zyrtare” me bashkëshortet. Këto takime na shërbejnë për të kujtuar ngjarjet më të rëndësishme dhe kujtimet më të mira që ruajmë për njëri tjetrin, si dhe atë më të rëndësishmen, qëndrueshmërinë e shoqërisë së shkollës “Skërderbej”.

 “Të martën mw 29 Maji 2018 në orën 12:00, bëhet ceremonia e varrimit, duke filluar nga banesa e tij në fundin e rrugës “Zhan Dark , përballë maternitetit të ri, drejt varrezave publike në Tufinë… Nuk mund ta besojmë se ai ka ikur nga jeta, teksa kemi të gjallë në memorie detaje të shumta nga jeta, veçanërisht së fundi në përgatitjen e pjesës së tretë të librit “Skënderbegasit ndër vite…”. Kontributi i tij qe i jashtzakonshëm. Mes lotëve e dhimbjes, ne dhe shokët e tij, i shprehim ngushëllimet e thella familjes: “Lamtumirë i dashur dhe i shtrenjtë Berti! Ti po ikën në parajsë, por ne do të kemi kurdoherë pranë, të mrekullueshëm siç ke qenë gjithmonë, brilant!”. Në këtë ditë, në vend të homazhit, duke falënderuar e përfshirë dhe ngushëllimet e drejtuesve të gazetës “Telegraf” për gatishmërinë, po botojmë vetërrëfimin e jetëshkrimit të tij nga vetë Roberti, që përfshihet në pjesën e tretë të librit “Skënderbegasit ndër vite…”: