Rinovim pa ensima, brezi i dytë rinovon Lejen Afatgjatë

    452
    Sigal

    GREQI/ Kodi i ri i Emigracionit, ndihmëset shtëpiake, legalizimi deri në mars 2014

    Çfarë “fsheh” thesi i surprizave?

    Në vijim të mjaft artikujve për legjisla­turën e re të emigracionit në Greqi, po përmbledhim pikat më të rëndësishme, si dhe praktikën që do të ndiqet për zbatim. Siç është shpallur prej javësh, nga fillimi i vitit 2014 do të hapen qen­drat “one stop shop” zyrat e shërbimit të emigrantëve, një risi e vërtet nga e cila presim shumë. Por jo akoma! Siç e keni vënë re, çdo institucion apo zyrë shërbimi në Greqi do pak më shumë kohë se deklarohet për të funksionuar normalisht. Për këtë arsye, drejtori i “one stop shop” në Athinë ka kërkuar mirëkuptimin e emigrantëve dy javët e para të vitit 2014, duke theksuar se, çdo gjë do të funksionojë normalisht pas 15 janarit.

    ***

    Probleme, pa filluar mirë akoma

    Dhe pas lajmit të mirë, le të marrim një shije paraprake se si do jetë eks­perienca e emigrantëve në realitet. Këshilli i Nëpunësve të Njësive me një Stacion, në një deklaratë për shtyp, bëjnë të ditur se vetëm 100 prej tyre do të duhet të plotësojnë kërkesat e 40% të shtetasve të ligjshëm nga vende të treta në Greqi. Nga këta, 70 nëpunës janë në dispozicion nga viti 2012. Një shembull konkret, në drej­torinë e Pireut janë vetëm 12 nëpunës që do duhet të mbyllin çështjet e rreth 50.000 emigrantëve me dokumente, nga vendet e treta. Ndërkohë që pritet punësimi i një numër të konsid­erueshëm ish-policë të Bashkisë, çfarë memorandumi nuk e lejon të bëhet para marsit të vitit 2014.

    Këshilli i Nëpunësve të Administratës së Decentralizuar ka kërkuar në publik mirëkuptimin e qytetarëve për vonesat fillestare në kryerjen e procedurave, duke shpjeguar hollësisht dhe arsyet përse ndodhin, për shkak të krizës së thellë shumëmujore në administratën greke dhe jo mungesat e qëllimshme, për të dëmtuar familjen emigrante. Nga ana tjetër, edhe gazeta këshillon, nëse ofrohet koha, sa më durim dhe sa më vonë vizitën e parë në “Petru Ralli”, duke e shmangur krejt të paktën 2 javët e para të vitit.

    ***

    Ndihmëset shtëpiake, legalizimi deri në mars 2014

    Në vendimin e fundit të ministrisë së Brendshme janë referuar sekretari i Përgjithshëm i Integrimit Social, Agje­los Sirigos si dhe drejtore, D. Papado­poulou. Bëhet fjalë për një vendim që vlen 6 muaj nga dita e publikimit në fletoren zyrtare, në muajin shtator. Domethënë, deri në mars të vitit 2014, të interesuarat duhet të nxitojnë të plotësojnë dokumentet e t’i dorëzojnë në ministrinë e Brendshme. Fillimisht, pajisen me leje njëvjeçare, ndërsa rinovimi bëhet për leje 2-vjeçare. Gjatë diskutimit, nga përfaqësues të shoqat­ave të emigracionit është kërkuar të pajisen me këtë leje qëndrimi të gjitha gratë e punësuara “brenda”, me një de­klaratë përgjegjësie të punëdhënësit. Nga ana e tij, sekretari i Përgjithshëm e ka refuzuar këtë kërkesë duke theksuar se në këtë mënyrë do të hapet një in­dustri e tërë shfrytëzimi emigrantësh. Veç të tjerash ka thënë dhe se nuk duhet të lejohet që një shans i tillë në vend të ndihmojë, të hapi probleme të tjera. Dokumenti i domosdoshëm për pajisjen me këtë leje qëndrimi është diagnoza mjekësore nga organet kompetente të shëndetësisë dhe sa para­shikon vendimi ministror. Të gjitha de­tajet janë diskutuar gjerë e gjatë, për të lehtësuar e jo vështirësuar legalizimin.

    Ja vendimi i plotë:

    Vendimi i përbashkët ministror i min­istrisë së Brendshme dhe ministrisë së Punës ofron shansin e legalizimit dhe punësimit me siguracion të rregullt të gjitha grave që punojnë me persona in­validë ose të moshuar. Leja e qëndrimit & e punës fillimisht është 1-vjeçare, me të drejtë rinovimi me 2-vjeçare, ndërsa kërkesa bëhet nga i interesuari dhe punëdhënësi. Përfitojnë të punësuarit për ndihmën e personave me aftësi fizike të kufizuara deri në 80%. Kujdes! Ky vendim ministror vlen 6 muaj nga data e publikimit, në shtator 2013, domethënë, me të dhënat e sotme, vlen deri në mars 2014.

    Shtetasi i vendit të tretë, i interesuar për legalizimin në këtë kategori, duhet të paraqesë në organin kompetent të bashkisë për pajisjen me leje qëndri­mi:

    -Kërkesën e plotësuar

    -3 fotografi me ngjyra

    -Fotokopje të pasaportës

    -Vendim të KEPA të IKA-ETAM për përqindjen e invaliditetit të personin nën kujdestari si dhe diagnozën e mje­kut për nevojshmërinë e kujdestarisë, si dhe vërtetimin për asistencën si in­valid apo i paralizuar.

    -Deklaratë përgjegjësie e punëd­hënësit vendas, prind ose i afërm i shkallës së parë, se shtetasi i huaj of­ron shërbime ndihmëse të paktën një vit para se publikimit të vendimit min­istror dhe se nuk kanë të punësuar në të njëjtin pozicion asnjë shtetas tjetër nga vendet e treta.

    -Kontratë pune me të cilën shtetasi i huaj do të sigurohet në entet sigu­ruese dhe do të paguhet sipas rregul­lores vendase të punësimit.

    -Certifikatë shëndetësore e shtetasit të vendit të tretë, ku të vërtetohet se nuk vuan nga sëmundje të rrezikshme për shëndetin publik.

    -Taksa paravolo, sipas dispozitave të par. 1 neni 92 ligji 3386/2005.

    ***

    Brezi i dytë rinovon Lejen Afatgjatë?

    Veçanërisht për brezin e dytë nuk do të vlejnë kriteret e të ardhurave, të do­mosdoshme për të gjithë të rriturit që do të ndjekin procedurën e pajisjes me leje afatgjatë. Në ligj përfshihen dhe fëmijët, prindërit e të cilëve kanë hum­bur të drejtën e pajisjes me leje qën­drimi për mungesë ditë pune-ensima. Kështu, fëmijët e emigrantëve nën 18-vjeç do të pajisen me një leje qën­drimi afatgjatë, e cila do të rinovohet automatikisht në një leje të përher­shme, pa deklaruar të ardhura vjetore apo kontratë pune.

    ***

    Rinovim pa ensima

    Të gjithë emigrantët që nuk kanë patur mundësi të rinovojnë dokumentet, ofrohet shansi i rinovimit vetëm me Librin e Shëndetit, për të cilin mjaftojnë 50 ensima. Kushti tjetër është që sa po ndjekin rrugën ligjore për anulimin e vendimit refuzues të lejes së qëndrimit (prosfigi sto dikastirio), të tërheqin padinë nga gjykata.

    -Deri në 30 qershor, emigrantët që kanë patur leje qëndrimi dhe e kanë humbur për mungesë ensimash, do të mund të rinovojnë lejen e qëndrimit vetëm me librin e shëndetit.

    ***

    Çfarë ndodh pas 30 qershorit?

    Si sekretari i Përgjithshëm, Angjelos Sirigos, ashtu dhe drejtorja e Çështjeve të Emigracionit, Despoina Diaman­topoulou, kanë bërë të qartë se nuk është e mundur të mos bazohet rino­vimi në sigurimet shoqërore. Eliminimi i enteve siguruese do të ishte dhe fundi i punësimit me kontratë të rregullt pune të emigrantëve, do të shfrytëzo­hej egër nga çdo punëdhënës vendas, apo i huaj. Kështu që ensimat do të jenë gjithnjë bazë për rinovimin e lejes së qëndrimit. POR, numri i kërkuar pas 30 qershorit 2014 do të jetë në varësi të situatës së atëhershme të vendit. Organet kompetente të ministrisë do të gjykojnë në momentin e caktuar se çfarë mundësish kanë këto grupe emigrantësh të sigurojnë ensima, sa do të jenë ensimat e kërkuara për librin e shëndetit e faktorë të tjerë të jetës ekonomike të vendit e do të marrin vendimin e duhur, siç kanë theksuar “për të mirën e në shërbim të familjes emigrante, që nuk jemi aspak të predis­pozuar të ndjekim nga Greqia”.

    Kujdes! Sipas D. Diamantopoulou, ven­dimi i IKA për rinovimin e librit të shën­detit me 50 ensima është sot në fuqi. Ky vendim muajt e ardhshëm mund të ndryshojë. Kështu, emigrantët duhet të jenë në gatishmëri e të mos anashka­lojnë me detyrimet e sigurimeve sho­qërore, për të mos humbur shanset e legalizimit.

    ***

    Rinovimi i LEJES 10-VJEÇARE- lejes PA AFAT

    Si do të rinovohen lejet 10-vjeçare, pa afat, ishte një nga pyetjet që ka marrë përgjigje në diskutimin e të mërkurës, 18 dhjetor. Sipas ministrisë së Brendshme, këto leje qëndrimi do të zëvendësohen gjatë rinovimit me lejen afatgjatë (5-vjeçare). Emigrantët NUK do të pajisen më me një status të tillë, me hyrjen në fuqi të Kodit të Ri të Emigracionit. Nëse disponuesit nuk plotësojnë kushtet për Lejen Afat­gjatë, atëherë do të pajisen me lejen 3-vjeçare.

    ***

    Bashkimi Familjar, pa të ardhura vjetore

    Një tjetër risi në favor të emigrantëve është dhe pezullimi i deklaratës ta­timore. Konkretisht, përveç herës së parë, kur do të merret viza nga bash­këshorti/ja e emigrantit për Bashkim Familjar, kur të ardhurat vjetore duhet të jenë 8.500 + 2.500, në rinovimet e lejes së qëndrimit për Bashkim Familjar, nuk do të kërkohen të ardhurat vjetore. Mbetet në fuqi shuma 8.500 euro për kryefamiljarin, por deri në 30 qershor nuk merret parasysh për rinovimet e lejeve të qëndrimit.

    ***

    Rinovim pa kontratë pune

    Me Kodin e ri të Emigracionit nuk do të kërkohet kontratë pune për rinovimin e lejes së qëndrimit. Leja e parë e qën­drimit do të ketë afat 2-vjeçar, rinovimi do të bëhet për leje 3-vjeçare.

    ***

    Ligji i nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve

    Kodi i Emigracionit nuk zëvendëson Kodin e Nënshtetësisë, e veçanërisht nenet e anuluara pak muaj më parë,- ka theksuar Angjelos Sirigos,- proce­durat që kanë ngrirë këtu e thuajse një vit do të shqyrtohen kur të miratojmë projektligjin e ri të nënshtetësisë. Do të ketë një projektligj të tillë, që është në përgatitje e sipër dhe që shpresojmë të paraqitet në parlament në muajt mars-prill 2014. I. Londo