Sigal

Presidenti Meta nuk e dekreton projektligjin, duke zbardhur edhe 9 arësyetimet, ku ka gabuar Qeveria e parlamenti dhe pse cënohet Kushtetuta. Reagojnë kryebashkiaku Veliaj: Vendimi është sabotim

Presidenti i Republikës bën me dije se dje më datë 27 korrik 2018, ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 37/2018

-Së pari, ky ligj shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta. 

Paracaktimi i drejtpërdrejtë me ligj nr. 37/2018, nga Kuvendi i një operatori ekonomik, me të cilin shteti ka zgjedhur të bashkëpunojë për të kryer një punë publike, duke shfrytëzuar dhe tjetërsuar pasurinë publike, pa iu nënshtruar më parë një procesi transparent të hapur konkurrimi, shkel parimin e barazisë përpara ligjit dhe cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë lirinë e veprimtarisë ekonomike. Trajtimi preferencial që i bëhet me ligj të veçantë kompanisë propozuese, në raport me shtetasit dhe subjektet e tjerë, që do të dëshironin të ishin pjesë e një konkurrimi të ndershëm për të hartuar qartë propozimet e tyre me qëllim që në të ardhmen t’u krijohej mundësia për të ndërtuar një partneritet me autoritetet publike për zhvillimin e tyre ekonomik, është shkelje e hapur dhe e drejtpërdrejtë e këtyre parimeve kushtetuese.

Ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre. 

Në asnjë prej dokumenteve që shoqërojnë këtë ligj qoftë relacionin e qeverisë, qoftë në raportet e Kuvendit të komisioneve përkatëse, nuk citohet nëse ekziston ndonjë dokument shkencor i plotë për ti dhënë përgjigje shteruese pyetjes, nëse godinat e Teatrit Kombëtar përbëjnë një trashëgimi kulturore në vlerësim dhe të veprimtarisë që aty është krijuar, apo realizuar ndër vite. Për këtë çështje qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës, duhet të tregojnë përkushtimin e tyre për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht pa dëmtuar trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen. 

-Ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim.

 Në kundërshtim me detyrimet që parashikon Konventa, Kuvendi i Shqipërisë me procedurë të përshpejtuar, ka miratuar një propozim të iniciuar fillimisht nga Bashkia e Tiranës dhe të propozuar nga qeveria, duke i hapur rrugë kështu shembjes së godinave të Teatrit Kombëtar, pa një studim të mirëfilltë shkencor për një ruajtje të efektshme të kësaj trashëgimie jomateriale.

Ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. 

Propozimi i mbërritur kishte për objekt tjetërsimin e pronës publike “truall dhe ndërtesa”, të cilat pjesërisht janë në pronësi të Bashkisë Tiranë, në zbatim të nenit 113 të Kushtetutës, dhe neneve 54, 55 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ishte e detyrueshme që Kryetari i Bashkisë së Tiranës këtë shprehje interesi të subjektit privat duhet ta parashtronte, paraprakisht, për diskutim përpara Këshillit Bashkiak të Tiranës, i cili kishte dhe ka kompetencën për të shprehur vullnetin për tjetërsimin e sipërfaqes prej 2100 m² në pronësi të Bashkisë Tiranë. Nga shqyrtimi i praktikës dokumentare, që ka shoqëruar projektligjin, rezulton se ky proces i detyrueshëm ligjërisht, nuk është kryer. Presidenti Republikës, vlerëson se ndjekja e një praktike të tillë rezulton të mos ketë bazë kushtetuese dhe ligjore, pasi kemi të bëjmë me një veprim propozues, i cili kërkonte patjetër një shprehje të vullnetit nga organi, të cilit i takon kjo kompetencë, pra, Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ndërkohë, në dokumentet parlamentare në lidhje me këtë devijim fillestar, nuk ka asnjë shpjegim apo përpjekje për të marrë vendimin apo qëndrimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, nëse ky këshill dëshironte apo jo, që prona publike në pronësi të Bashkisë së Tiranës të përfshihej në të tilla procedura tjetërsimi, sipas propozimit të paraqitur nga një subjekt privat. Në kundërshtim me këtë fakt, qeveria dhe Kuvendi nëpërmjet një procedure të përshpejtuar ka miratuar ligjin nr.37/2018, duke realizuar kështu dhe një cënim të bazës ligjore dhe kompetencave kushtetuese të Këshillit Bashkiak, duke anashkaluar parashikimin e drejtpërdrejtë kushtetues dhe të ligjit organik që rregullon veprimtarinë e organeve të qeverisjes vendore. Kuvendi ka vendosur me ligj që prona e Bashkisë së Tiranës do të duhet të tjetërsohet dhe autoriteti që do ta realizojë dhe udhëheqë këtë proces është Kryetari i Bashkisë apo personi i autorizuar prej tij. Pra, shkelja antikushtetuese e Kuvendit, në këtë rast, është e dyfishtë. E para, sepse Kuvendi me procesin legjislativ ka vendosur a prori tjetërsimin e pronës publike të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që kjo është kompetencë e Këshillit të Bashkisë; dhe e dyta, sepse në përcaktimet e ligjit të ri nr.37/2018, Kuvendi ka përcaktuar se atributet sesi kjo pronë tjetërsohet dhe zhvillohet nëpërmjet nënshkrimit të një kontrate përfundimtare, janë në kompetencë të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës apo personit të autorizuar prej tij. Në vlerësim të sa më sipër, konstatohet se jo vetëm ligji nr. 37/2018 është antikushtetues referuar parimeve të sipërcituara, por edhe vet inicimi i këtij procesi përmban elemente antikushtetues, të cilët do të duhet të rivlerësohen edhe një herë nga Kuvendi, në rishqyrtimin e këtij ligji. 

– Së pesti, ligji nr. 37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë.

Propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik. Kërkesa për shprehje interesi nga investitori privat “Fusha sh.p.k”, nuk është shoqëruar me asnjë dokument shterues të autoritetit publik, përmes të cilit të bëhej një analizë ekonomike-financiare mbi leverdinë e tij. Në relacion përmendet shifra 30 milionë euro, e cila referohet si vlera që do të ketë Teatri ti ri Kombëtar, por kjo shifër nuk mbështetet në asnjë dokument (pa asnjë preventiv projekti). Ndërkohë, në relacionin e qeverisë, por dhe raportet e komisioneve, vihet në dukje se vlera e pronës publike që vendoset në dispozicion është 6 milionë euro, por e pashoqëruar me një analizë të qartë dhe të plotë tregu mbi këtë çështje. Presidenti Republikës vlerëson se trualli publik për nga vendndodhja e tij në qendër të qytetit të Tiranës, nuk duhet të tjetërsohet, pasi për sipërfaqen që ai paraqet mund të studiohet dhe shfrytëzohet mundësia për ndërtimin edhe të një Teatri të ri Kombëtar me fonde publike, duke krijuar kështu një mjedis të përshtatshëm për shfrytëzim për të ardhmen, por duke ruajtur njëkohësisht dhe historinë, kujtesën dhe trashëgiminë kulturore të krijuar në kompleksin aktual të godinave të Teatrit Kombëtar, të cilat duhet të mirëmbahen dhe restaurohen. Vetëm në këtë mënyrë kjo trashëgimi do të ruhej dhe do ti transmetohej brezave të ardhshëm.

– Së shtati, ky ligj nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë 

Ndërkohë, siç dhe arsyetuam ligji nr. 37/2018, cenon barazinë para ligjit, nismën dhe veprimtarinë e lirë ekonomike, duke anashkaluar parimet dhe detyrimet për konkurrim të hapur dhe transparent të parashikuara qoftë në Kushtetutë, por dhe në ligjin nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar dhe ligjin nr. 125/2013 “Për partneritetin publik privat”, i ndryshuar.

– Së teti, miratimi i ligjit nr.37/2018 nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë. Ligji nr.37/2018, cenon jo vetëm parimin e sigurisë ligjore, por ai trondit edhe stabilitetin/ligjor aktual, mbi të cilin rregullohen marrëdhëniet e pronësisë dhe zhvillimit të saj, referuar akteve ligjore në fuqi. 

Së fundmi,në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Kryebashkiaku Veliaj ka sulmuar presidentin Meta, pas vendimit të këtij të fundit për kthimin e ligjit të teatrit. Ai e quan zhgënjim kthimin e ligjit duke theksuar se është një sabotim i qytetit. “Kthimi nga Presidenti i Ligjit që do t’i jepte Tiranës tonë një Teatër të Ri, modern, i projektuar nga një prej arkitektëve më në zë të gjeneratës sonë, ishte një zhgënjim! Jo sepse Presidentët, në të kaluarën, nuk janë bërë palë me partitë politike për të kundërshtuar projekte si ai i Këndit të Lodrave te Liqeni, por sepse mendova se pas 3 vitesh progres në qytetin tonë, me një Shesh të Ri, një Bulevard të Ri, një Pazar të Ri e një Unazë të Re, e kishim tejkaluar kohën e sabotimeve të qytetit dhe se ishte krijuar pjekuria për të dalë mbi partitë e mbi familjet politike në vend.” Më tej ai e ka quajtur qëndrimin e kryebashkiakëve të vendit si një teatër që ngjasonte me një skenar të parapërgatitur në zyrat e PD-së. “Teatri i sotëm në kryeqytet, me kryetarë bashkish nga Kamza e Shkodra, që kanë probleme serioze me funksionimin qyteteve të tyre, mund të na ishte kursyer. I ngjan protestuesve të importuar nga ish-presidenti për Këndin e Lodrave. Të gjithë e dimë si përfundoi ajo betejë: Presidenti u diskreditua në histori si një noter partiak. Kurse, ultimatumi prej kalamani të SHQUP-it nga ish-gjumashi i bashkisë së Tiranës, nuk do kalonte dot as një audicion për teatër kukullash. Skenar i qepur keq në parapritje të refuzimit të ligjit, që fyen inteligjencën e kujtdo që i thotë vetes qytetar.”

Veliaj shkruan se vendimi i Metës tregoi qartazi ndarjen mes atyre që janë kundër zhvillimit të Tiranës dhe të tjerëve, që janë pro zhvillimit të vendit. “Por, vendimi i sotëm solli një dobi, sepse ndau qartazi palët në Tiranë. Ata që shkatërruan Zogun e Zi apo Sheshin Skënderbej para një dekade, janë po ata sot. Të gjithë bashkë kundër zhvillimit. Lajmi i mirë është se, pala tjetër – shumica e arsyeshme – është sot më kompakte dhe më e bashkuar se kurrë. Aktorë, regjisorë, qytetarë e progresistë kanë parë se veç me punë, pasion e përkushtim ne mund ta ndryshojmë Shqipërinë e ta kthejmë Tiranën në stolinë moderne të kombit tonë.” Në fund të reagimit, kryebashkiaku shkruan se në shtator parlamenti do e rivotojë ligjin e teatrit, duke i hapur rrugën prishjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të teatrit të ri. “Teksa pritëm 40 vjet për një Teatër të ri, do presim edhe 40 ditë që Parlamenti ta rivotojë në shtator e t’i hapë rrugë projektit modern – në tokën e vet e me teknologjinë më të fundit. E mira, e bukura dhe e drejta, herët a vonë, triumfojnë; është vetëm çështje kohe! Koha e humbur është e vetmja dhimbje që kemi në këtë banalitet politik sepse për ne çdo minutë vlen shumë, ndërsa për ata që kanë vrarë dekada të tëra kohë shqiptare, koha është vetëm një mjet për të na penguar. Sidoqoftë, ne nuk do t’i humbasim këto dyzetë ditë, por do bashkëpunojmë me komunitetin teatror që të jemi gati sapo të kalojë ligji. Shumë faleminderit të gjithë përfaqësuesve të denjë të atij komuniteti, për peticionin dërguar Presidentit dhe të gjitha autoriteteve e partive parlamentare. Teatri i Ri Kombëtar tanimë ka nisur të marrë jetë dhe së bashku, ne do ta ndërtojmë për nderin e një kombi të tërë. Për kënaqësinë e një populli të tërë. Për dinjitetin e një komuniteti të tërë. Për Shqipërinë dhe Tiranën që duam! Forca! Bashkë!”