Riciklimi i ushqimeve të skaduara dhe hedhja e tyre në treg rrezikon jetën e konsumatorëve

    522
    Sigal

    Abuzimi me ushqimet e paketuara, qytetari Krantja: EHVV-ja shet sallam të paketuar nën peshë

    Çdo ditë jeta jonë rrezikohet nga pasiguria e ushqimeve që konsumojmë. Dëgjojmë shpesh vetëgjyqësi apo denoncime të familjarëve që kanë humbur të afërmin e tyre, për shkak të helmimeve ushqimore. Po çfarë bëjnë organet përgjegjëse të kontrollit për të siguruar tregun ushqimor për konsumatorët shqiptar? Burime të sigurta tregojnë për “Telegraf” se shumica e ushqimeve të skaduara tërhiqen nga tregu nga vetë kompanitë e prodhimit, të cilat i riciklojnë dhe i hedhin prapë në treg. Ky përbën skandalin e radhës, përsa i përket sigurisë së konsumatorit, pasi siç thuhet, kjo punë e kompanive nuk monitorohet nga askush, apo nuk bëhet nga kompani të licencuara për riciklim. Pra, nëse sallami, për shembull, i prodhuar nga X kompani skadon, prishet, atëherë firma [rodhuese e tërheq nga tregu, e ripërpunon dhe e hedh përsëri në treg. Norma e fitimit për këto kompani është shumë më e rëndësishme se jeta e konsumatorëve që e konsumojnë produktin, por mesa duket edhe më e rëndësishme se vetë reputacioni i firmës. Ndërsa shteti shqiptar verbërohet dhe shurdhohet përpara këtyre fakteve.

    Ushqime nën peshë

    Sikur të mos mjaftonte rritja e çmimeve dhe varfërimi çdo ditë e më shumë i konsumatorëve shqiptarë, së fundmi është shtuar së tepërmi dhe fenomeni i vjedhjes në peshë të produkteve ushqimore të paketuara. Nëse blen disa nga këto produkte dhe i vendos në një peshore, do të dallohet qartë se cila peshë është shënuar në ambalazhimin e tyre dhe cila është pesha që tregon peshorja. Toleranca për ushqimet e paketuara është vetëm 5 gram, ndërkohë që atyre ju mungojnë mesatarisht nga 50-100 gram. Në fakt, këto produkte duke u peshuar bashkë me ambalazhin duhet të peshonin 10 gram më shumë. Këtë problem e denoncon në gazetën “Telegraf” qytetari Beqir Krantja, i cili ka kuptuar që ka qenë pre e këtij abuzimi që bëhet me ushqimet e paketuara. “Po blija sallam EHVV nga ato të paketuarat në një nga dyqanet e lagjes dhe pa dashje shitësi e vuri në peshore. Edhe pse shënonte 500 g, ajo peshonte 60 g më pak. Për kuriozitet vura në peshore edhe ushqime të tjera të paketuara, të cilat më rezultuan nga 50-100 g më pak se ajo e shkruara në paketim. U skandalizova nga ky fakt. Pse ky veprim nga ana e prodhuesve dhe për më tepër nga ata që e shesin veten për kompani serioze? Çfarë bën shteti? Pse kjo mënyrë për të zhvatur, përveçse me çmime të larta, por edhe me mangësira në peshë. Qytetari që është mësuar të blejë një produkt do vazhdojë ta blejë atë, por të paktën mos abuzo me peshën. Tani unë nuk blej më kurrë ushqim të ambalazhuar, se nuk dua që të mbështes abuzimin dhe vjedhjen me vetëdije të plotë, tani që e mora  vesh, edhe pse rastësisht” shprehet z. Krantja. Mashtrimet në peshë kanë vite që denoncohen dhe bëhen mediatike, por deri më tani nuk ka asnjë përgjigje ligjore nga organet kompetente. Edhe pse kemi ligje, nuk kemi akte nën ligjore që të vërë detyra dhe gjithashtu ka një mefshtësi tek organet e kontrollit. Vjedhje në sasi bëhet edhe për vajin apo produkteve të tjera, pre e të cilave bien tregtarët e rrethinave dhe të fshatrave të largëta të cilët furnizohen në tregjet e shumicës në kryeqytet. Për të justifikuar rritjen e çmimeve si prodhuesit, ashtu edhe tregtarët, u referohen krizave globale ose tregut të lirë në rregullat e të cilit qeveria nuk mund të ndërhyjë. Por vjedhja përmes mashtrimit në peshë nuk i referohet asnjë rregulli dhe është një vepër penale e ndëshkueshme nga ligjet e shtetit, i cili këtu ka tërë hapësirën e mundshme për të ndërhyrë, por deri tani, nuk e ka bërë, duke i lënë njerëzit të vidhen sa përmes çmimit, ashtu edhe përmes peshës.