Rexhep Ndreu:Ecuria e reformave juridike në pyje

    445
    Sigal

    Reflektime për ndalimin e katastrofës së mëtejshme në pyje

    Me ndryshimet demokratike pas viteve ’90, edhe në pyje filluan masat e reformës për kalimin në ekonominë e tregut. Si bazë shërbeu Ligji i Pyjeve i vitit 1992. Në bazë të këtij ligji dhe Rregullores së Ministrisë së Bujqësisë të vitit 1996, ndër të tjera, një projekt me grante nga USAID dhe një tjetër me kredi nga Banka Botërore, punuan për decentralizimin e qeverisjes së pyjeve e kullotave, kalimin e një pjese të tyre në pronësi të komunave e bashkive për përdorim komunal nga fshatarësia, duke nxitur pjesëmarrjen e banorëve dhe të komunave, për plotësimin më të mirë të nevojave të tyre dhe për të ndaluar degradimin e mëtejshëm të këtyre pasurive natyrore. Gjatë këtyre 20 vjetëve, krahas përpjekjeve të institucioneve shtetërore dhe shërbimit pyjor të vendit dhe projekteve të mësipërme, kanë dhënë mbështetje mjaft të vlefshme edhe qeveria italiane, zvicerane, holandeze, suedeze, japoneze dhe FAO, duke dhënë asistencë teknike dhe duke treguar rrugët për riorganizimin e sektorit, trajnimin e specialistëve dhe drejtuesve të mjaft hallkave shtetërore e të shoqërisë civile për ringritjen e pyjeve si burim i ripërtëritshëm natyror. Në sektorin e pyjeve, pa përmendur mjedisin në përgjithësi, kjo asistencë teknike u shoqërua me investime për reforma konkrete me fonde të Bankës Botërore dhe të qeverive të vendeve të tjera, që i kalojnë 50 milionë dollarë, përveç fondeve të Qeverisë shqiptare. Por, efektiviteti i këtyre investimeve nuk ka qenë gjithnjë i arrirë, pasi janë zhbërë disa gjëra të bëra më parë nga qeveria dhe vetë administrata shtetërore, duke shpërdoruar fonde e duke lejuar vazhdimin e shkatërrimit të pyjeve. Me ligjin e pyjeve të vitit 2005, ndër të tjera, u vendos ndarja e funksioneve menaxhuese nga ato kontrolluese dhe krijimi i drejtorive pyjore rajonale. Me gjithë përmirësimet e mëvonshme të ligjit, e deri sot, kjo masë nuk gjeti zbatim, që do të thotë se një pjesë e organizimit të sotëm të sektorit pyjor është i kundërligjshëm. Ndërkaq, mjaft kompetenca mbetën të përqendruara në dorë të institucioneve qendrore. Për më tepër, ndërkohë u suprimua Drejtoria  e Përgjithshme  e Pyjeve dhe Kullotave, e krijuar me mjaft mundim dhe që pati ndikim tejet pozitiv në zhvillimin e pyjeve, u shkurtua personeli i saj dhe administrata e cunguar kaloi nga Ministria e Bujqësisë në atë të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Me fonde të Projektit të Bankës Botërore, ndër të tjera, u krijua dhe pak më vonë u zhduk Njësia e Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS) për pyjet dhe specialistët e kualifikuar nga ky Projekt kaluan në veprimtari private. Po ashtu, u hoqën koordinatorët rajonalë të emëruar nga projekti, që ishin ndër specialistët më të mirë.

    Mjaft projekte të menaxhimit të pyjeve komunale të kryera nga Projekti i BB janë bërë e ribërë para afatit të caktuar (10 vjeçar) dhe gjatë punës për hartimin e mjaft prej tyre nga firma të licencuara nuk u identifikuan në terren e të pasqyroheshin në harta përdoruesit tradicionalë faktikë të pyjeve e kullotave (fshati, familjet), sikurse kërkohej nga termat e referencës. Sigurisht, që këta plane duhen ribërë edhe vetëm për të përmbushur këtë aspekt të fundit, mjaft të nevojshëm për vazhdimin e reformës. Por, edhe në ato komuna e fshatra ku janë identifikuar përdoruesit tradicionalë dhe janë pasqyruar në planet e mbarështrimit, ecuria e procesit të transferimit është në mes të rrugës, pasi nuk ka përfunduar regjistrimi i pronave pyjore e kullosore në pronësi të komunave e më pas të vazhdonte regjistrimi i këtyre pronave në përdorim të fshatit dhe familjeve përdoruese. Në kuadrin e projektit të BB, janë ngritur e funksionojnë mbi 250 shoqata  të përdoruesve të pyjeve e kullotave komunale, 11 federata rajonale dhe Federata Kombëtare, mbi 2000 komisione të pyjeve të ngritur në fshatra, të cilët kanë qenë pjesë e vendimmarrjes për kufijtë e pyjeve dhe kullotave të fshatit dhe kufijtë e këtyre pronave midis përdoruesve. Janë kryer edhe punime pyjore e kullosore, si dhe janë zbatuar projekte punimesh në mikrobasene në komuna të ndryshme. Në bashkëpunim me agjencitë holandeze e suedeze për  zhvillim ndërkombëtar, shërbimi këshillimor pyjor dhe federatat rajonale e Federata Kombëtare kanë realizuar programe për t’i trajnuar këto komisione për regjistrimin e kufijve të fshatrave, si dhe me njohuri të thjeshta për menaxhimin e qëndrueshëm të pyllit të fermerit. Del pyetja: a ka përvoja të mira në vend për ruajtjen dhe mbarështrimin e pyjeve? Pa tjetër që ka, në çdo zonë e krahinë, në veri e në jug të Shqipërisë. Edhe pa u larguar nga rrugët kombëtare, ca më tepër në brendësi të zonave rurale, dhe të shikosh në shpatet e maleve përreth, do të vëresh pyje të rinj 15-20 vjeçarë të përtërirë e të zhvilluar më së miri. Janë pikërisht ata pyje që i kanë ruajtur vetë fshatrat pjesët e quajtura zabel apo musha dhe i kanë përdorur bashkërisht si fshat, apo ngastra pyjesh që i kanë ruajtur vetë familjet, me iniciativën e tyre, të cilat i kanë përdorur tradicionalisht brez pas brezi dhe pretendojnë se u përkasin atyre (pavarësisht se historikisht nuk i kanë me dokumente pronësie, pasi nuk i kanë regjistruar ndonjëherë në hipotekë për shume arsye historike). Kjo përvojë është evidentuar dhe publikuar herë pas here, por administrata qendrore dhe një pjesë e atyre vendore nuk e kanë mbajtur parasysh në politikat dhe në hartimin e ligjeve, e kanë mohuar njohjen dhe zbatimin e gjerë të saj, kryesisht për arsye korruptive, por, mbështetur dhe në mangësitë e ndjeshme të politikave për decentralizimin dhe privatizimin e pyjeve, si dhe në mangësitë e theksuara në ligjin aktual të pyjeve. Nivelet alarmante të prerjeve të paligjshme në pyje në Shqipëri kanë tërhequr edhe vëmendjen e ekspertëve të huaj, njëri prej të cilëve është dhe Pettenella, i cili shprehet se: “Është e rëndësishme të theksohet se problemi i prerjeve ilegale nuk mund të zgjidhet kurrë vetëm përmes pajisjeve apo mjeteve të reja teknike, as dhe nëpërmjet një numri të rritur rregulloresh dhe një koordinimi më të mirë ndërmjet agjencive të ndryshme. Zbatimi i ligjit nuk përbën një problem serioz kur toka pyjore i është shpërndarë komuniteteve lokale… Rezultatet paraprake të shpërndarjes së tokës pyjore tek këto komunitete janë shumë inkurajuese, si për ndikimet pozitive mjedisore të tyre, ashtu dhe për efektet sociale rishpërndarëse”. Projekti i BB ka hartuar më shumë se 20 raporte, të cilët u janë dërguar Ministrive përkatëse, ndër të tjera, edhe me analiza për komunat ku janë identifikuar përdoruesit dhe janë vendosur në harta kufijtë midis fshatrave dhe të pyjeve të fshatrave e të familjeve, të miratuara në këshillat e komunave. Por edhe për to, po vonohet procesi i regjistrimit të pyjeve në pronësi të komunave, pa le regjistrimi në përdorim të familjeve fshatare. Ndërsa qeveria jonë deri tani nuk ka pranuar për t’ua dhënë këto pyje në pronësi familjeve tradicionale.

    *Kryetar i Federatës Kombëtare të Përdoruesve të Pyjeve e Kullotave Komunale