Rexhep NDREU*/“Fshati digjet, zakoni s`prishet”

    500
    Sigal

    Reflektime për ndalimin e katastrofës së mëtejshme në pyje

     Histori e shkurtër e dhimbshme

     Në median vizive dhe atë të shkruar kemi kohë që po shohim gjithnjë e më shpesh pamje e fakte tronditëse për shkatërrimin e paskrupullt të sipërfaqeve të gjera të pyjeve në të gjitha anët e vendit. Në këtë batërdi nuk kursehen as parqet kombëtare, zonat e mbrojtura, pyjet rreth rezervuarëve të hidrocentraleve dhe atyre ujitës, brezi pyjor mbrojtës bregdetar etj., megjithëse për mbrojtjen e të gjitha këtyre pasurive me funksione të veçanta ka ligje dhe organizma të ngarkuara që duhet të përgjigjen për ruajtjen e tyre. Po cilët janë autorët dhe mjetet e shkatërrimit? Janë të shumtë. Firma dhe individë, me iniciativë private e pa pyetur për ligje e rregulla, marrin motosharrat dhe u hyjnë pyjeve ku duan e presin sa duan dhe i transportojnë në mes të ditës apo të natës nëpër rrugët kombëtare, para policisë pyjore dhe asaj rrugore, në shumicën e rasteve pa u thënë askush një fjalë. Firmat shfrytëzuese të pyjeve, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike të fshatarëve në zonat e thella, u kërkojnë atyre të përgatitin lëndë, dru zjarri  e qymyrdruri, ua blejnë lirë dhe i shesin në tregun e zi apo i eksportojnë. Ndërsa ministria raporton disa shifra qesharake për sasitë e lëndës dhe druve të zjarrit të nxjerra në ankand e të shfrytëzuara prej këtyre kompanive. Sigurisht, që një pjesë e korruptuar e personelit pyjor, zyrtarëve të tjerë dhe e drejtuesve vendorë bashkëpunojnë në këtë veprimtari kontrabande kriminale.

    Nuk dimë ndonjë rast që doganat të kenë reaguar për ato mijëra metrakub dru zjarri e mijëra tonë qymyrdruri që eksportohen pa- me dhe leje të lëshuara nga ministria përkatëse dhe organet e ngarkuara për ruajtjen e pyjeve. Madje, po zbatohet me mjaft sukses një ‘metodë e re’ për të lehtësuar punën e firmave pyje-shkatërruese, duke u ofruar produkte gjysmë të gatshme: i venë zjarrin pyllit që i kanë vënë syrin, marrin nga Ministria licencë për prodhim qymyrdruri dhe nga drurët e përcëlluar e ‘gjysmë të gatshëm’ të djegur prej tyre prodhojnë qymyrin dhe e eksportojnë për në Greqi e Itali.

    Ka dhe drejtues të qeverisjes vendore që, pyjet shtetërorë të transferuar në pronësi të komunave e bashkive për përdorim nga banorët e vendit, i konsiderojnë si pronë të tyre dhe i shfrytëzojnë për interesat  e tyre. Edhe në ato raste që personeli pyjor i kap dëmtuesit e pyjeve me prerje të paligjshme apo me djegie dhe i procedon penalisht, shumica dërrmuese e këtyre dëmtuesve nuk dënohen fare ose  e kalojnë fare lehtë. Me mijëra hektarë pyje janë djegur gjatë këtyre viteve, por statistikat e Ministrisë tregojnë sipërfaqen pyjore pothuajse të pa ndryshuar në vite. Raporti për Gjendjen e Mjedisit 2010 ( i botuar në 2011, ndërsa raporti për vitin 2011 nuk dihet kur del), jep sipërfaqen dhe vëllimin e pyjeve si vijon:

    Viti sipërfaqja, ha     Vëllimi drusor

    2009     1,042,790 ha     75,726,100 m3

    2010     1,042,760 ha     76,503,900 m3

    “…me një rritje prej rreth 777,800 m3, gjë që është mjaft pozitive dhe tregon për një kujdes të treguar ndaj kësaj pasurie natyrore kombëtare” (f. 212); por nuk shpjegohet se ç’është ky kujdes. Një faqe më poshtë jepet sipërfaqja e pyjeve për vitin 2009 1,045,000 ha. Më tej, në raport theksohet se “megjithëse sipërfaqja e djegur në vitin 2010 është më e madhe se në 2009, vlera e dëmeve është më e ulët, gjë që është mjaft pozitive për vetë sektorin e pyjeve dhe kullotave, e cila tregon se sa vjen e më shumë po vihet në mbrojtje kjo pasuri e madhe dhe shumë e rëndësishme natyrore për vendin tonë” (f.215). Kjo është thjesht një ironi, në mos tallje me një gjendje shkatërrimi që ka shqetësuar çdo qytetar shqiptar. Këto shifra të ngjallin mosbesim dhe opinioni i përhapur është se këtu kemi manipulime të shifrave dhe vetëkënaqësi të pabazuar të organeve përgjegjëse, që dezinformojnë publikun, duke pasur parasysh edhe pakësimin e vëllimit drusor nga prerjet e paligjshme që i përmend dhe raporti në vlerë lekë, por jo në metër kub, si dhe dëmet nga sëmundjet e insektet. Ndërkaq, dihet se, të paktën pyjet halorë të pishës e bredhit, nuk ripërtërihen pas djegies, veçse në ndodhtë ndonjë mrekulli natyrore për përhapjen e farërave që nga larg, apo duke i mbjellë artificialisht (sipërfaqet prej mijëra hektarësh të djegura të paktën gjatë këtij dhjetëvjeçari). Le të sjellim në kujtesë edhe një fakt: studimi i kryer nga një organizatë ndërkombëtare duke përdorur pamjet satelitore, nxori se sipërfaqja e pyjeve dhe shkurreve të djegura në vitin 2007 ishte 84,000 ha, ndërsa Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave raportonte 4,150 ha.

    Në publik, gjendja aktuale e pyjeve të Shqipërisë konsiderohet katastrofike. Ndër shkaqet kryesore mund të përmendim: kontrolli i pamjaftueshëm për parandalimin e dëmtimeve; moszbatimi i ligjit dhe i masave ndëshkuese, favorizuar dhe nga korrupsioni; ecja me ritme të ngadalta e transferimit të pyjeve në pronësi të komunave dhe akoma më vështirë më tej dhënia në përdorim të fshatit e të familjeve fshatare; transferimi i pyjeve nga shërbimi pyjor tek komunat pa asnjë mbështetje tjetër (duhej transferimi përkatësisht i personelit pyjor dhe fondeve përkatëse të pagave, i mjeteve e pajisjeve, investimeve etj.); përqendrimi ende i lartë i kompetencave tek Ministria dhe shërbimi pyjor, përfshirë pyjet komunale etj.

    *Kryetar i Federatës Kombëtare të Përdoruesve të Pyjeve e Kullotave Komunale