Resmi Osmani/ Vanë nanës e i thanë

    432
    Sigal

    Nënat fisnike dhe trimëresha në Folklorin Çam

    E kam thënë edhe herë tjetër, që mbledhësit e folklorit të krahinës së Çamërisë, Fatos Mero Rrapaj, Sejdi Kondi. Ibrahim Daut Hoxha e të tjerë, na kanë lënë trashëgim një thesar, me qindra krijime-perla, ku pulson dhe regëtin me drithërimë shpirti çam. Në këtë thesar të pashtershëm, studiuesi, sa herë që t’i drejtohet, do të gjejë befasi dhe lëndë të mjaftueshme për të trajtuar historinë dhe botën shpirtërore të kësaj krahine, që më 1913 u shkëput dhunshëm nga trupi i atdheut.

                                                               ***

    Çamëria mitike, vendi i orakullit pellazgjik të Dodonës, i lumit te Akeronit dhe Nekromantise, ku Odiseu takoi shpirtrat e të vdekurve të vet, vendi i elimëve gjigantë, e bukur dhe e begate, e lagur nga ujërat e Jonit, me pesë skela, e ndodhur në veri te botës greke, që së lashti ishte portë hyrëse nga perëndimi për në lindje. Si e tillë ajo ishte e lakmuar dhe shesh luftërash të paprera, kundër maqedonasve, romakëve, dyndjeve sllave, anzhuinëve, turqve dhe në kohët më të vona i fqinjëve jugorë grekë. Toka e Çamërisë është e mbrujtur me gjak dhe nëntoka e saj e mbjelle me eshtra. Çdo brezi i takonte të kishte luftën e vet dhe t’i paguante lirisë haraçin e gjakut. Kësisoj luftërat dhe pasojat e saj ishin si një fatalitet i pashmangshëm, si një kusht ekzistencial. Veç shkatërrimit dhe rrënimit, humbja me e madhe ishte ajo e jetëve njerëzore. Vdekja si dukuri natyrore, sido që është një ndodhi e pranuar dhe e pashmangshme kur ndodh natyrshëm, atëherë kur njeriu e mbyll jetën e vet, sidoqoftë është e rëndë e hidhur dhe e dhimbshme. Ndërsa kur jeta shkëputet në lule të moshës, përjetimi i saj nga prindërit, e të afërmit, është tejet i rëndë si një goditje rrufeje, që e kthen shpirtin në gërmadhë pikëllimi. Por ndjenja e nderit, e detyrës, e krenarisë, kur jeta flijohet për një kauzë të drejtë, vendos një baraspeshë ndjesore ku dalin në reliev trimëria, guximi dhe vetëmohimi. Kjo ndodh në të shumtat e këngëve trimërore, veçanërisht në ato ku luftohet për vatrën, nderin dhe atdheun.

    Në folklorin çam, janë me qindra këngët, baladat e vaj-rënkimet ku rapsodët mjeshtërisht kanë ngallmuar gurët e çmuar të fjalës, në vargje me bukuri dhe forcë mahnitëse. Aty janë ndodhitë trimërore, në përkujtim të akteve burrërore dhe të trimave, të ngjara në tërë hapësirën çame apo edhe jashtë saj. Ato janë si një enciklopedi e luftërave, përpjekjeve dhe e vdekjes, si një akt sublim, si një kurorë që vendoset në kujtimin e të rënit, por edhe si shenjë pavdekësie e kujtimi për brezat që do të vinë. Më ka tërhequr vëmendjen sesi shprehet në këngët trimërore dhe baladat, një ndjenjë tejet njerëzore, qëndrimi dhe durimi i dhimbjes, kur të afërmit mësojnë kumtin e hidhur të vdekjes së njeriut të tyre të dashur. Për vdekjen e trimit, “klajnë male e klajnë fusha”, hidhërohen gurët dhe drurët, motra qan si qyqe, e zeza grua qan krua më krua, qan dhe kali në katua. Po nëna? Për të, në disa raste, përdoren ca vargje të kursyer, në dukje të thjeshtë, por me peshë të rëndë, si pllaka e gurit të varrit, me ndjesi ideo-emocionale e shpirtërore të pazakonshme e tronditëse në përmbajtjen dhe domethënien  e tyre:

    “Vanë nanës e i thanë,

    Ti djalin ta kanë vrarë.

    Mos me thoni këtë fjalë,

    Se djalin e kam të gjallë,

    Mirë bënë që e vranë,

    Se trimat ashtu e kanë,

    Kur lëftojnë për vatanë…”

    Këto vargje nuk janë stereotip, megjithëse të njëjtë në përmbajtje, ndryshohen sipas rasteve dhe gjenden në një numër më të kufizuar këngësh, kur i vrari është një trim i njohur dhe vrasja ka ndodhur tradhtisht, me pabesi, por edhe në luftë e përpjekje me armiqtë e vërtetë turq apo grekë. Nga hulumtimet e mia (aq sa kam mundur), të tilla vargje nuk i kam gjetur ne folklorin e krahinave te tjera, kësisoj ato janë thjesht krahinore, çame. Në aspektin kohor, ato shfaqen nga gjysma e parë e shekullit të XIX-të, me fillimin e reformave të Tanzimatit (1832) e më vonë, kur u vu shërbimi i detyruar ushtarak, kur u shfaq dalja e komitëve maleve për të mos shërbyer në ushtrinë turke (që turqit i quajtën me përbuzje hajdutë). Nizami ishte shtate vjet, në Jemenin e largët, në shkretëtirat përvëluese të Arabisë, Redifi katër. I gjejmë këto vargje edhe në këngët për të rënët në luftërat e kohës së lidhjes së Prizrenit dhe ato ballkanike, e deri në ditën tragjike të 27 qershorit 1944, në një periudhë gati njëqindvjeçare. Por jam i mendimit se nënshtarti i saj duhet të jetë më i thelle në kohë, qyshkur luftërat u bënë pjesë e zgjidhjes forcërisht të mosmarrëveshjeve njerëzore dhe kombëtare.

    Në këtë shqyrtim, vetiu lind pyetja: përse kumti i rëndë i vdekjes, apo siç i thonë në Çamëri mandata, i jepet nënës, dhurueses së jetës, që është qenie më e ndjeshme dhe e brishtë dhe jo babait, që si natyrë e forcë shpirtërore duron më shumë? Nënës, ngaqë lidhjet shpirtërore nënë-bir janë më të forta, më të thella, është trupi i bekuar i nënës ku është ngjizur fëmija. Nëntë muaj që ai ka qenë pjesë e qenies së saj dhe është ushqyer me gjak e më pas me qumështin e saj, që ka thithur tërë dashurinë kujdesin dhe dhembshurinë. Që ajo e ka rritur siç rritet një lule, që të bëhej më i miri, më i bukuri, më i dashuri, i dituri dhe më trimi. Askush tjetër nuk mund ta përjetojë më shumë humbjen e djalit sesa nëna. Edhe vetë djali, për fundin e tij tragjik, i drejtohet nënës. Në motërzimet çame të  baladës së njohur “Mbeçë more shokë mbeçë”, nizami i drejtohet nënës: Selam t’i bijni nënesë/të m’i shesë qetë e zesë/ti japë hakën së resë….

    Vargu i parë, “vanë nanës e i thanë”, në dukje është prozaik e i papërcaktuar, por parapërgatitor për atë që do t’i thuhet nanës.  Sidoqoftë edhe ai ka ngarkesë dramatike. Emri i nënave nuk dihet, nuk thuhet, por emri “Nanë” i thotë të gjitha. Ato janë nënat e trimave: të Çelo Mezanit, Osman Takës, Riza Janinës, Abedin Madanit, e Beqirit, e Qaniut etj. Nëna dhe gra çame, që kanë lindur dhe rritur djem trima që flijohen për liri.

    Vargu i dytë, “Ti djalin ta kanë vrarë” i thënë drejtpërdrejtë, është i beftë si vetë vrasja, asgjësues, një goditje përvëluese rrufeje, që zemrën dhe shpirtin i kthen në gërmadhë. Por nëna e duron. E zënë në befasi ajo papritur thotë: “Mos me thoni këtë fjalë/ se djalin e kam të gjallë”. Në dukje të parë, kjo përgjigje ngjan si një kundërshtim mosbesues për lajmin e kobshëm, por në vargjet që vijojnë krijohet bindja se nëna, këtë vdekje e quan si një rilindje, se trimat nuk vdesin, për ta nuk ka vdekje dhe se vetë vdekja e tyre është pohim i jetës, prandaj ajo thotë: “Mos me thoni këtë fjalë/ se djalin e kam të gjallë”, është një psikologji shqiptare, që  e gjejmë edhe në krahinat e tjera, në Gegëri shprehet me vargun”Me dhan jetën si me le”

    Më poshtë vjen vargu: “Mirë bënë që e vranë”. Duket si një pohim befasues dhe disi i çuditshëm, për miratimin e ndodhisë, por për njohësit e të folmes së Çamërisë dhe frazeologjisë së saj, nuk është ashtu. Shprehja “Mirë bënë që e vranë” , do të thotë, “Paçka që e vranë”, apo “Ani” si do të thoshin në Kosovë, sepse edhe mund të vritej, ngaqë trimat vriten për nder,vatër,liri dhe atdhe, por nganjëherë edhe për një fjalë që shkel kodin e nderit!. Si e tillë vdekja është në rrjedhën e pranuar të jetës. Se në fund të fundit trimat ashtu e kanë! Nëna si dhuruese e jetës e pranon vdekjen në emër të jetës.

    Nëna, edhe pse përjeton një dhimbje të tillë helmuese, zemërtronditëse, trallisëse, do që me patjetër, djali të ketë vdekur si trim dhe për një qëllim dhe ideal të lartë. Në një variant të këngës së Çelo Mezanit, nënës i thuhet: Çelonë ta zunë të gjallë/koshadhet me kajmekam/ nana u tha këto fjalë:/ në kloftë fjalë e vërtetë/ e kam për ta vrarë vetë! Prapë nanës kur i thanë: Çelon tij ta kanë vrarë…./ Nana u tha këto fjalë: Mirë bënë që e vranë,/ se trimat ashtu e kanë. Edhe në rastin e Zeqo Kipes: “ Zeqon ta zunë të gjallë” dhe përgjigja e nanës: Në kloftë fjalë e vërtetë/ e kam për të vrarë vetë. Shihet se turpi e paburrëria ishin më të rënda se vdekja, aq sa nëna mund ta vriste vetë birin e saj!. Dhe më tej: Gjene vanë e i thanë/Zeqonë ta kanë vrarë;/mirë bënë që e vranë /se trimat ashtu e kanë.

    Kur kanë ndodhur ngjarjet që trajtohen në këto këngë për trimat, në Çamëri ishte forcuar ndjenja kombëtare dhe të qenët shqiptar. Krahina, pavarësisht nga vilajetet quhej pjesë e Shqipërisë, prandaj në fund, si një ngushëllim por edhe krenari, në gojën e nënave vihen fjalë të tilla,si ato në rastin e Beqir Bakos nga Paramithia: Nana pa lot në qepallë/e puth beqirin në ballë/ I thotë “Aferim o djalë/tij të kam gjithmonë të gjallë/ se re shehit për vatanë/ dhe nderove bab e nanë/ Re shehit për Shqipërinë / e nderove Çamërinë.

    Përballimi me çastin e parë te vdekjes, është edhe madhështia e e portretit të tyre shpirtëror. Sidoqoftë, ato ishin nëna, në vend të zemrës nuk kishin një gur. Drama e tyre e vërtetë fillonte pasi trupin e birit ia dorëzonin tokës. Në heshtjen e natës, në netët e pagjuma, ato i lagnin me lot dhimbje jastëkët. Kjo është e pranueshme dhe njerëzore.

    Por këto nëna, djemtë e të cilave flijoheshin për Shqipërinë dhe Çamërinë si pjesë e atdheut, nuk ishin vetëm qendrestare të dhimbjes. Nga radhët e tyre pati luftëtare trimëresha, që ngjeshën armët dhe luftuan krah për krah me vëllezërit dhe burrat e tyre. Ka edhe Çamëria Shotat dhe Norat e saj, paçka se ato s’janë bërë aq sa duhet të njohura. Daije Sako, nga Gardhiqi i Paramithisë, që luftoi ne frontin e Janinës, mori hakën e të vëllait dhe të të birit që ranë dëshmorë në atë luftë dhe vetë mori disa plagë. Kënga e quan “Bil e shqiptarit” dhe “Moj Daije, moj vetëtimë”. Një tjetër trimëreshë është Merushe Ismaili, nga Shalësi i Konispolit, e cila që tetëmbëdhjetë vjeçe, bashkë me të shoqin u rreshtua që më 1908 në çetën Çamëria që komandohej nga Muharrem Rushiti dhe luftoi deri në shpalljen e pavarësisë. Kënga e përjetëson me vargjet: Ç’është ajo që lufton sheshit/ Merushja bil e arbëreshit/Ç’është ajo trime sulote/ Merushja një shalësjote/ Moj Merushe  sishqiponjë/ luftove turq e evzonë… Ka patur edhe gra të tjera luftëtare nga fshatrat dhe qytetet e Çamërisë që ngjeshën armët dhe luftuan trimërisht.

                                                          *      *      *

    I shkrova këto radhë me dashuri për nënat e vuajtura, fisnike dhe trimëresha  të Çamërisë, dhe gjithë nënat shqiptare, me nderimin që kanë bijtë për nënat.