Reshat Kripa: “Partitë, demagogji me të përndjekurit, ndryshimet që duhen në projektligjin e ri”

    420
    Sigal

    Flet Reshat Kripa, Kryetar i Degës së Tiranës në Shoqatën Antikomuniste Shqiptare

     Të përndjekurit politikë kanë bërë një amendament që ka më tepër se një vit, i cili parashikon disa ndryshime. Amendamenti parashikon që emrat e të dënuarve politikë, por që janë miratuar nga Këshilli i Ministrave, të paguhen me një këst. Por kur ky amendament kaloi në komisionet e ligjeve u vendos që këto të dënuar të paguhen me dy këste. Në lidhje me këto çështje që kanë të bëjnë me amendamentin, por edhe me premtimet e partive politike ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Reshat Kripa Kryetar i Degës së Tiranës në Shoqatën Antikomuniste Shqiptare. Ndërkohë që, në lidhje me premtimet që po bëhen nga opozita për të përndjekurit, zoti Kripa është shprehur se po bëhet demagogji. Sipas tij, Partia Socialiste po bën demagogji me kategorinë e ish të përndjekurve politikë.

     -Zoti Kripa, çfarë po bëhet me ligjin për dëmshpërblimin dhe amendamentin që pritet të miratohet në Kuvend?

    -Është bërë një amendament që ka më tepër se një vit, i cili parashikon disa ndryshime; parashikon që të dënuarit, miratuar nga Këshilli i Ministrave, të paguhen me një këst, që më mbrapa në diskutimet e Komisionit është vendosur që të paguhet me dy këste. Ndërkohë që, janë disa të dënuar që kanë në dosjet e tyre si shënim nenin e “terrorizmit”. Ky nen duhet thënë se, konsiderohet si nen, ordiner. Të tillë janë konsideruar të arratisurit nga burgu i Burrelit, në të cilin një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u kapën dhe u dënuan sërish. Me të njëjtin nen u dënuan dhe të burgosur nga revolta e Spaçit. Kjo revoltë u quajt si akt terrorist, në të cilën ngelen 4 persona të vrarë dhe disa të dënuar, të cilët nuk përfitojnë dëmshpërblim. Ky projektligj ka kaluar për miratim në Komisionin e Ekonomisë dhe Komisionin e Ligjeve, madje i është bërë dhe një ndryshim në këtë fazë. Ky ndryshim ka ndodhur, për shkak të propozimit të vetë anëtarëve socialistë në Komisionin e Ligjeve, të cilët kanë hedhur idenë që të ulet mosha nga 85-vjeç në 75 vjeç, të cilët do të përfitojnë dëmshpërblim me dy këste. Ky ligj, tashmë i ka kaluar prej shumë kohësh Parlamentit, i cili ende s’ka kaluar për votim. Nëse qeveria nuk ka fonde dhe mundësi për të arritur në zbatim këto projekte për ish- të përndjekurit, atëherë ky është një tjetër problem.

     – Sa është numri i ish të përndjekurve në total që presin të dëmshpërblehen?

    -Sipas një llogarie të thjeshtë, të dënuar politikë që jetonin në vitin 2009 kanë qenë 3200 persona, ndërsa nga ata që nuk jetojnë pas vitit 2009 janë 800, ndaj mbeten për dëmshpërblim gjithsej 2400 persona, të dhëna këto nga Ministria e Financave. Ndërkohë, kemi dhe informacione për të dëmshpërblyer gjatë vitit 2011, mbi moshën 85 vjeç që jetonin, ndërkohë ata që kanë humbur jetën janë rreth 50 persona. Ndaj, sa i takon kësaj moshe, kanë ngelur për t’u dëmshpërblyer 350 persona. Një tjetër të dhënë që ne kemi si shoqatë është dhe ajo e viteve të burgut. Vitet e burgut janë llogaritur mesatarisht për çdo person, 8 vite burg. Për 300 persona që jetojnë dhe që janë mbi moshën 85-vjeç, kostoja totale është 10. 950.00 euro, kjo vetëm me një këst. Ndërkohë, nëse do të bëhej likuidimi i tyre në dy këste, atëherë do të duheshin 5.475.000 euro. Nëse shteti nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të dëmshpërblyer të gjithë ish të dënuarit politikë, atëherë detyrimisht për këtë moshë duhet ta bëjë.

     -Partitë politike po bëjnë premtime për të përndjekurit në prag të fushatës elektorale. A besoni se do të bëhen realitet premtimet që bëhen për të përndjekurit?

    -Ne si shoqatë jemi antikomunistë, që do të thotë që përkrahim forcën politike të djathtë. Mënyra sesi e sheh blloku socialist historinë është e kundërt nga ajo që e konceptojmë ne. Ne kemi kritikat tona ndaj pushtetit të sotëm, siç janë defektet e projektligjit që përmenda më lartë, ndaj është dhe rreziku i bojkotimit. Ndaj, mosvajtja në zgjedhje është e barabartë me votën kundër. Këtë gjë, duhet të këtë parasysh Partia Demokratike. E theksoj me të madhe që çështjet e ish të përndjekurve politikë është politizuar së tepërmi nga Partia Socialiste. Ajo po përdoret për demagogji për zgjedhjet e 23 Qershorit. Ne kemi të drejtat tona që na takojnë me ligj dhe jo me anë të demagogjive. Edhe një grup të përndjekurish politikë që dhe për ne nuk janë të përndjekur, kjo pasi, një pjesë e tyre janë arrestuar për një vepër ordinere dhe është kthyer politike. Disa prej tyre kanë vjedhur dhe tashmë qarkullon në ditët e sotme si i përndjekur politikë.