Reportazh për këngët e atdheut tim…

1118
Agim JAZAJ 
Vitet bëjnë të tyren, duke përshkuar rrugën e pa ndërprerë, dhe (mos) korrigjuar të shkuarën, por dhe duke thelluar të tashmen, lënë në harresë ngjarje, dhimbje, bëma e gjëma, por dhe bartin në shtratin e tyre; histori, ngjarje dhe intimitetet. 

Blloku i kujtesës ka skalitur fortë, madje dhe me daltë; ngjarje të cilat nuk shqiten lehtë nga kujtesa, por kanë gjithnjë eficient aktin e frymëzimit dhe të apelimit edhe për udhërrëfyesit…

Atëherë kur kufijtë ishin të mbyllur hermetikisht, të mbuluar nga akulli, kënga me ‘rreze lazeri’ shkrinte kufijtë – kallkan. 

Rreth viteve 80-të, gjithkush me haberin minimal dhe i kohës, mban mend, kur në qytetin e Vlorës, dha për artdashësit koncertin e famshëm në pallatin e Sportit, këngëtarja greke me famë, Maria Faraduri. Pallati i sportit, i sapo ngritur u mbush thek më thek- s’i i thonë llafit! 

Akujt kallkan të kohës, mes dy vendeve tentonte t’i shkrinte diplomati i shquar, ish ambasadori shqiptar në Athinë Lik Seiti. Kënga zbut edhe kafshët e egra dhe jo më njerëzit e butë… 

Shkëmbimi i këngëve nëpërmjet grupeve artistike zbuste mendjet dhe shpirtrat e egërsuar të sistemeve atë kohë. 
Të 17 këngët e Faradurit rrëmbyen duartrokitjet e artdashësve, pa ndrojtje atë kohë!
Shumë e mbajnë mend dhe e kanë shënuar fortë atë ngjarje, në kujtesën e tyre…

Një disk me 17 këngë polifonike, labe të qëmtuara nga francezi, Zherar Alba “gjezdiste” vite më parë, pa asnjë pengesë, për shumë vite, jo vetëm në Bordo e Paris të Francës, por edhe në Labëri… Publiku i Tiranës para disa vitesh pati shansin të shihte dokumentarin e regjisores bullgare, Adela Peka të titulluar: “E kujt është kjo këngë”? Regjisorja nën vëzhgimin e kamerave u vu në kërkim të origjinës së këngës. Kudo shkoi, nëpër vendet ballkanike dëgjoi edhe këngën. 

Mori gjithashtu edhe përgjigjen e pyetjes së kohës: “E kujt është kjo këngë”?: Është e gjithë Ballkanit, këndohet nga të gjithë ballkanasit…

Kënga, ambasadorja e shpirtrave ka shëtitur pa viza edhe kur ishte në fuqi ligji i vizave, këngës nuk i lypsej leje qëndrimi, ka afruar gjithmonë kombet, duke i bërë madje sfidë edhe politikave. Nëpër rrugët e mërgimit, ka emigruar edhe kënga shqiptare, bashkudhëtare me emigrantët, nëpër Evropë deri dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 
Francezi që ra në dashuri me polifoninë labe
Zherar Alba nëpërmjet agjencive turistike ka mundur të sjellë mjaft vizitor në trevën e Labërisë, të cilët dhe ata në një farë mënyre janë bërë studiues dhe koleksionistë të pasionuar të zakoneve dhe traditave virtuoze të kësaj treve.
Një disk me 17 këngët polifonike labe i hedhur në qarkullim në Francë vite më parë kishte pushtuar tregun e vendit, magjepsi qytetarinë evropiane, dhe i bën krenarë ndoshta më shumë emigrantët e kudo ndodhur. Zherar Alba, studiuesi francez ka bredhur vite më parë nëpër fshatrat e lumit të Vlorës, duke qëmtuar këngët polifonike labe si dhe ekzekutuesit dhe krijuesit e saj. Alba ka marrë pjesë edhe në dasmat, darkat e drekat e njerëzve të thjeshtë në fshatrat e Lumit të Vlorës, në bregdetin e magjishëm, të 7 fshatrave të Himarës, ku grupet polifonike i kanë dhënë dimensione të reja dhe vlera të pakthyeshme këngës, kulturës, traditës shqiptare. Poeti Muhamet Tartari në moshën djaloshare ka ndenjur me grupet net e ditë, me to pranë, në vatrat e ngrohta të Labërisë, pa qepur syrin. 

Xherar Alba me një mbiemër simbol dhe koincidues, me rrënjën e emrit të vendit tonë, Albania. Këto grupe kanë qenë të pranishme duke dhënë koncerte shpesh para publikut artdashës francezë vite më parë. Është një traditë ku gërshetohet; kureshtja dhe adhurimi, ku rrezatohet dhe kultura, tradita dhe historia e vendit. Me një kuriozitet të pa shoq Alba, mbiemër i rrënjës; Albania, qysh kur mblidhte koleksionet e flamujve të vendeve të ndryshme e më pastaj duke dëgjuar Radio Tiranën, befasohej nga trumbetimet e sistemit të shkuar. 

Për të parë nga afër ai, zbriti në “Vendin e Shqiponjave”, në vitin 1995, sigurisht i ruajtur në distancë nga “kalecat”, “cubat” e sigurimit të shtetit. Për tre muaj shëtiti nëpër vendin e izoluar. Kur zbriti në Durrës dhe ishte mahnitur, jo nga mrekullitë e sistemit, por nga mrekullia njerëzore. Njerëzit e varfër, por jo në shpirt, e prisnin francezin si mikun e tyre, sipas traditës që s’u mungonte. Tek vendet e varfra, gjenden shumë shpirtra të pasur. Brodhi nëpër fshatra duke qëmtuar dhe gjurmuar folklorin lab. Nëpër shënimet e tij shkruante fjalë të rralla të trevës, mbresa, lodhjen, shënimet, duke i përmbledhur në libërthin e tij: “S’ka problem”, një shprehje e përdorur shpesh nga shqiptarët. Nga miqësimi me poetin, Halil Jaçellari do t’i vinte radha miqësimit me grupet e polifonisë labe, qëllimi i tij në vizitën enkas. Pas kësaj miqësie të lidhur, Alba do të vinte sërish në Shqipëri, që ai tashmë e quan Atdheun e tij, të dytë. Gjatë vizitës së rastit ai ndoqi dhe Festivalin tradicional Kombëtar të Gjirokastrës, ku ndjeu dhe preku nga afër mrekullinë e tij që synonte. Së bashku me tre francezë të tjerë, ai ndihmoi në binjakëzimin e shkollave, dhënien e bursave për studime pasuniversitare për mjek nga Shqipëria. Gjithashtu grupet polifonike labe mund të shkonin lehtësisht në Francë, me mundësimin e krijuar prej tij, duke dhënë koncertet për artdashësit francez. Së bashku me Patrik Lavaud, drejtorin e festivalit, nëpërmjet distributorit të njohur, evropian aso kohe: “Harmonia, Mundi” ku dhe prodhoi diskun me 17 këngët polifonike labe, kryesisht të Vranishtit të Vlorës, etj shënon me krenarinë e punës disa vjeçare dhe këmbëngulëse, poeti, Muhamet Tartari. Nëpërmjet librave të tij, Shqipëria ka gjetur një publicitet maksimal, sa dhe miqësor, duke rritur prestigjin edhe për këta njerëz shumë vonë të njohur. Gjithashtu Alba nëpërmjet agjencive turistike ka mundur të sjellë mjaft vizitor në trevën e Labërisë, të cilët dhe ata në një farë mënyre janë bërë studiues dhe koleksionistë të pasionuar të zakoneve dhe traditave virtuoze të kësaj treve. Duke shkëmbyer traditën dhe kulturën njerëzore, ai ideonte që të rritet dhe fryma e zhvillimit të turizmit malor, në klimën shumë të pastër, si zonë e “virgjër”. Në këtë mënyrë pasioni i tij është kultivuar si domosdoshmëri dhe fitimprurës edhe për banorët, duke i bërë sfidë njëherazi dhe emigrimit që është kthyer në fenomen gërryes i shoqërisë shqiptare!

Gazetari emigracionit në Francë, Vasil Qesari, i ka përcjell këto mesazhe mbresëlënëse, duke ngacmuar ndjenjat artdashëse të njerëzve të këngës kudo ndodhen edhe në emigracionin e Greqisë, ku është dhe prezenca më e madhe e emigracionit. 

Kënga mbetet bashkë udhëtarja e pandashmja e emigrantëve, ilaçi për shërimin e plagëve të kurbetit. Vargjet e këngës: ”Këngët e atdheut tim, janë ilaçe, janë shërim” edhe për emigrantët. Teksa ndiqnim; kabanë magjepsëse, gjirokastrite dje në “Sheshi Orizi” ,së bashku me Elson Isufajn, “Te rrapi në Mashkullorë”, më gjallëruan të tërin, më mbuloi muza e polifonisë labe. Ato më ngacmuan, duke i dëgjuar përkitazi me gjendje aktuale të vendit, ku lider-kalanderët e quajnë Shqipërinë si plaçkën e tyre dhe jo si pasurinë e gjithë Shqiptarëve. 

Këngët mbeten “shtruar” rreth tryezës së shqiptarëve, të emigrantëve, në kasetofonët e makinave, rrugëve të kurbetit!

Janë ilaç e janë shërim…
“Këngët e Atdheut tim janë ilaçe, janë shërim”. Kënga bën këmbë, ngjitet nëpër basamakët e kohës, prehet në ballkonet e historisë… Edhe kënga mori arratinë në këto kohë të marra. E ruajti gurra e popullit në gjirin e pashtershëm të tij. Shumë këngëve të gurrës së popullit iu vu kryqi, për “virusin” e politizimit. Këngët burrërore dhe burimore ngelen në kujtesën e njerëzve, po dhe kanë emigruar bashkë me emigrantët. Nuk mund t’i mbulojë kurrsesi pluhuri i kohës; krijimet e poetit, artistit, vlonjat, të bregut Lefter Çipa, kënduar nga grupi i mirënjohur i Pilurit: ”Bejkë e bardhë e borë e malit”. ”Shko moj shko kuace e kuqe”, ”Në të çelur të bajames”, etj. Këngët e vallet e grupit polifonik të Vranishtit; ”O trima Vallen ma mbani”. ”Gjithë shqiptarët rreth Flamurit”. ”Tre vëllezër idealesh”, Abdyl, Naim dhe Samiun, të krijuara nga poeti i njohur, Muhamet Tartari, kanë çuditur edhe kombet evropiane, në Gjermani, Francë, në Hanburg, buzë detit të Veriut, këngët polifonike janë përzierë me dallgët e Baltikut dhe me ison e Elbës, janë “puthur” dhe me valët e Egjeut. Polifonia labe, këngëtarët dhe krijuesit e këngëve ku nuk janë sosur? Edhe në botën e qytetëruar ato, ata kanë zënë vendin e merituar duke prezantuar veten dhe kulturën e kombit. I dashuruar marrëzisht me polifoninë labe, studiuesi francez, Zherar Alba, ka bredhur pothuaj me polifoninë labe, nëpër gërxhe, duke i qëmtuar dhe i marrë me vete, në fshatrat e lumit të Vlorës, nëpër bregdetin e mahnitshëm të Himarës, portreti i të cilit është skalitur thellë në shpirtin poetik të poetit: Muhamet Tartarit, i cili tregon për karizmin e këtij të madhërishmi. Ai është magjepsur me melodinë, polifoninë labe, duke i dhënë shtysën për krijimin e një disku CD me këngët burrërore dhe burimore të Vranishtit, krijuar pothuaj nga krijuesi Tartari dhe të hedhura në tregun e madhe të kulturës së madhe franceze.
Në shpirtin e popullit
Kënga, këngëtarët dhe krijuesit, kanë vendin më të rezervuar, në thesarin e kombit, privilegjin e merituar. Ata janë në shpirtin e popullit. Disku me këngët polifonike labe, ka në inventarin e vet 17 këngë polifonike perla, këngëtarët e njohur si: Nazif Çela, Lavdosh Shkurtaj, Arap Çeloleskaj, Leonora Shkurti, Hasime Skëndo, Arjan Hasanbelliu etj, të cilët e kanë merituar me kohë stërmundimin e studiuesit francez, Alba. 

Por, politika fatkeqësisht nuk ngjan aspak nga kultura, nga kënga kjo ambasadore e madhe që ka ngritur ura të mirëkuptimit dhe miqësie, bredh nëpër botë, pa viza dhe leje qëndrimi me kohë. Është e mirëpritur dhe duartrokitur edhe në Bordo të Francës, në Pire të Greqisë marrësi i polifonisë Labe, Vasil Sera, Ëngjëll Tahiri, etj. 

Gjergji Aliaj, shoferi i linjës Vlorë-Athinë, këngë dashes me origjinë nga krahina e “Kudhës Grehoti”, i vjetër, ose Sevasteri, mbante në inventarin e shumtë të polifonisë edhe këngët kënduar nga grupi i origjinës së tij. “O Kudhës, Kudhës Grehoti”… 

Janë këngët e vendit tim, që ka nxjerrë diplomat, komandant, poetë, e mjek, njerëz të admirueshëm. Njerëzit e këngës i transmetojnë ato brezave. Shumë këngë të tjera të grupit magjepsëse, ruajnë e transmetojnë, historinë, kanë zënë vendin e merituar në altar, duke iu bërë qëndresë edhe marrëzisë së kohës. Këngët dhe vallet-thesare dhe visare të kombit e të kulturës janë HIPOTEKA të pa prekshme, kurrë nuk dalin në ankand, dëshmojnë dhe përcjellin historinë, traditën…

Grupet polifonike të Lapardhasë, bilbilat e Pilurit e të Tragjasit, ”kënga himariote: ”Vajza e valëve”. “Thëllëza që shkel mbi vesë”, ansambli i qytetit, grupi i Vezhdanishtit, i Bolenës, ”Xinxërfile” e Armenit, do të bëjnë rezistencë tek brezat pasardhës…Poeteve, krijueseve të këngëve dhe ekzekutuesve si: Muhamet Tartari e Lefter Çipa, Feti Brahimi e Odise Goro, Hamdi Pulo e Shkëlqim Alimerko, Idai Lamaj, Lefter Haxhiraj e Nertesi Asllani, Tomorr Lelaj e Sejmen Gjokoli, ish organizatori dhe dirigjenti i grupeve të Vlorës, Haxhi Dalipi, qytetaria vlonjate dhe ajo shqiptare iu heqin kapelën! 

Gurra popullore thesar i pa çmuar
Tabani i Atdheut që nuk ka të shuar…
Viteve më radhë ajo ka kënduar
Në arkivin profesionale dhe atë personale zënë vend ngjarje, njerëz, heronj, data, gëzime po edhe hidhërime. Dhe herë pas here jo gjithkush i shfleton, përkujton, i pasuron dhe i rihedh sërish si një “menu” për të shuar etjen e dëgjuesve dhe lexuesve! 

Dhe vazhda e ruajtjes së traditës dhe e pasurimit të saj shtrohet për herë të parë në sofrën zonale të Bashkisë Selenicë; Festivali Folkloristik Drashovicës 2016, ideuar, organizuar dhe sponsorizuar nga biri i Labërisë Dr. Bujar Leskaj, dhe zoti i konakut, kryetari i Bashkisë, Përparim Shametaj, ku u ngjitën në këtë skenë të këngës, polifonike grupet dinjitoze të Piluri, grupi polifonik i Bratit, i Dushkarakut, Selenicës, Kotës, Gorishtit, Kotës, Sevasterit, të cilët edhe u nderuan me Certifikatën e nderit nga juria Përkatëse… 

Vargjet e poetit Kristo Çipa, u kënduan dhe u skalitën në darkën e organizuar nga Bashkia Selenicë, në Drashovicë, ura ku nis Labëria:
Sa herë vritet e vërteta,
Fati atdheut përzihet,
Ashtu si vendet e shenjta,
Gjaku i gurit flakë ndizet
Ju bijtë e trimërisë,
Me zjarr dielli gatuar,
Për hallet e Shqipërisë,
Gjer te Zoti kini shkuar!
O mejdan i Labërisë,
Historia të vjen rrotull,
Zemërakun e lirisë,
E ka kurdisur ky popull!…
Sigal