Replikat/ Blushi: Ministrat e lidhin vettingun me modelin e këpucëve. Balla: Inatin mos ja nxirr…

503
Seanca e sotme e Kuvendit është e katërta radhazi që mblidhet pa praninë e deputetëve të opozitës, të cilët vijojnë prej gati tre javësh protestën e tyre në cadrën e vendosur para selisë së Kryeministrisë, me kërkesën për krijimin e një qeverie teknike që do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme
Pavarësisht mungesës së deputetëve të opozitës, seanca e sotme është shoqëruar me debate sa i takon reformës në drejtësi.
Deputetët Taulant balla e Ben Blushi kanë replikuar lidhur me seancën e jashtëzakonshme plenare që u zhvillua më 5 mars, ku parashikohej të votoheshin emrat për komisionin e vettingut, gjë që nuk u arrit.
Kreu i partisë “LIBRA” Ben Blushi nga Kuvendi në fjalën e tij u shpreh se procesi i vettingut nga disa ministra po interpretohet në mënyrë qesharake.
“Dalin disa ministra dhe thonë se pas procesit të vettingut, do të ndryshojë modeli i këpucëve, do të rritet numri i bletëve në Dibër apo do të ndryshojë çmimi i arrës në Tropojë. Jo të nderuar. Vetingu ka për qëllim që të fusë disa ish-¬ministra, ish-¬kryebashkiake apo qeveritarë vrasës në burg. Kaq e thjeshtë është” tha Blushi.
Nga ana tjetër ai kërkoi që të ndryshojë rendi i gjërave përsa i përket reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut.
“Dy proceset janë bllokuar. Reforma në Drejtësi është bllokuar me një vendim nul. Të ndryshoni rendin e gjërave. Bëni ç’është e mundur që të ketë zgjedhje të besueshme. Për ju nuk më vjen keq por për Shqipërinë po. Shkatërrim të mbarë por Shqipëria nuk e meriton këtë çmim” përfundoi fjalën e tij Blushi.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit socialist Taulant Balla, i cili duke iu drejtuar Blushit i tha: “Nuk ia ke haberin reformës në drejtësi”.
REPLIKAT BALLA-BLUSHI
Blushi: Vendi është në krizë, ndërsa reforma në drejtësi është e bllokuar. Vettingu vë drejtësi duke arrestuar politikanë. Procesi i vettingut u bllokua me vendim anti-kushtetues
Balla: Nuk ia ke haberin reformës në drejtësi. Reformën je mësuar ta diskutosh në kafe. Por ky është proces diskret dhe i bazuar në ligj. Kthimi të Avokati i Popullit është për rishqyrtim. Ato që thua i ke inate me PS, s’kanë lidhje me vettingun. Bojkoti i opozitës është për të bllokuar komisionin ad hoc.
Blushi: Vendimi që morët për shtyrjen e afatit është joligjor. Duartrokitje të vakëta korre Taulant. Premtova që nuk do bëj debat me ty, por edhe unë i infektuar nga ky parlament jam e shkel fjalën time.
RENDI I DITES
Rendi i ditës i seancës së sotme ka pak çështje për diskutim, pr/ligjin “Për administrimin e ujitjes dhe kullimit”, si dhe votimin e pr/rezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit dhe Largimit e Përpunimit të Ujrave të Ndotura për vitin 2016”, si dhe emërimin e një anëtari të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Sigal