Repartet ushtarake në Elbasan janë shitur për një copë bukë

    444
    Sigal

    Shumica e tyre pa komisione ligjore dhe dokumentacion të rregullt

    Shoqata e Ushtarakëve në Elbasan, prej kohësh ka kërkuar dhe kërkon nga qeveria, Ministria e Mbrojtjes dhe Prokuroria e Përgjithshme, një përgjigje zyrtare lidhur me shitjen e reparteve ushtarake në Qarkun e tyre. Sipas një prej ushtarakëve Bedri S. “unë kam punuar plot 40 vjet në ushtri, kam qenë me detyra të ndryshme, kam shëtitur në dhjetëra reparte ushtarake të vendit dhe, pothuajse, në shumicën e tyre në Elbasan, por procesi se si u krye shitja dhe shkatërrimi i tyre, duke nisur nga komandat apo pikat e tjera që kemi patur në pothuajse të gjitha fshatrat deri në Labinot Mal e Gjinar, nga Librazhdi në majat e Gramshit, mbetet e dyshimtë dhe e paligjshme”. Fakti është se ushtarakët dhe shoqata e tyre, e atyre që kanë punuar një jetë në ushtri dhe atyre që “reformat” i kanë nxjerrë në pension qysh 40 vjeç, prej vitesh kërkojnë ndalimin e shkatërrimit dhe shitjes së objekteve ushtarake. Kjo kërkesë bazohet në vlerësimin e kontributeve të tyre dhe pjesëmarrjen sipas ligjit në procesin e shitjes dhe tjetërsimit të objekteve ushtarake në banesa apo objekte të tjera sociale. Në Elbasan ka mbi 800 familje ish-ushtarakësh që vuajnë akoma për strehim, dhe kurrë nuk janë pranuar të jenë palë në procesin e shitjes së dhjetëra objekteve, të cilave edhe sot e kësaj dite nuk u dihet blerësi. Shkatërrimi i objekteve dhe reparteve ushtarake u bë qëllimisht dhe, qëllimisht, ato u lanë për t’u degraduar dhe shitur për një copë bukë mashkë me tanket, kundërajrorët, armët e municionet. Ka reparte ushtarake në ato fshatra, ku sot ka pika turistike, që janë shitur me 120 lekë të vjetra metri katror, duke mos shitur madje oborret, por vetëm objektet prej muri e betoni. Megjithëse është folur shumë qysh nga viti 2009 për ngritjen e një Korpusi Qendror Universitar për Elbasanin, duke transferuar një pjesë të fakulteteve nga godina ekzistuese, duket se shitja e objekteve të ushtrisë është bërë në disa subjekte, si tek ish -kazermat italiane të 1940, atje ku edhe ishte parashikuar ky ndërtim, dhe nuk është bërë transparenca e tyre. Procesi ndërtimit ishte parashikuar të niste në 2010 dhe në vitin e ri akademik 2013-2014 Elbasani të kishte Korpusin e tij të ri Universitar. Por ashtu siç është vepruar me godinat e ushtrisë në Elbasan, është vepruar edhe me ato në fshatrat ku kishte pika ushtarake, ku ishin tunelet e armatimeve, depove të Bazës së Ushtrisë, në Gramsh e Librazhd. Pavarësisht se u deklarua vite më parë, që kur kanë nisur ndryshimet politike se, “godinat e reparteve do të përdoren për strehimin e ushtarakëve”, asnjëherë kjo gjë nuk ka ndodhur. Edhe në rastet kur ndonjë familje ushtarakësh ka hyrë, dhe ka kthyer në ambient banimi ndonjë kapanon reparti të rrënuar, edhe kur ai ka mundur të sigurojë ndonjë dokument madje të firmosur nga titullarë të Ministrisë Mbrojtjes “për t’u bërë blerës i parë kur do të niste shitja me ankand”, ka ndodhur e kundërta. Dikush tjetër ka trokitur në derën e ish-repartit ushtarak, ka treguar dokumentin e blerjes së krejt objektit, dhe ka nxjerrë në rrugën e madhe ish-ushtarakun bashkë me familjen. Ish-ushtarakët nuk përfituan asgjë nga mundi dhe djersa e 40 viteve punë të palodhur në shërbime ushtarake, dhe vlerësimi minimal ndaj tyre duket tek pensionet që sot marrin, dhe përjashtimi që atyre u është bërë nga çdo proces shitjeje, duke i konsideruar shpesh edhe si “rojet e sistemit komunist”.