Reklamat përgjatë rrugëve, rrezik vdekjeje

    499
    Sigal

    Aksion për prishjen e tabelave reklamuese në rrugën dytësore,Tiranë-Durrës

    “Tabelat reklamuese” buzë rrugëve kryesore, shpesh janë burime aksidentesh, me pasojë vdekjen. Ky është skandali i radhës, që na servirin kompanitë private, të cilat përfitojnë reklamimin e bizneseve të tyre, në këmbim të jetës së qytetarëve shqiptar. Vënia e reklamave nga ana e tyre vend e pa vend, bëhen, shpesh, burime aksidentesh. Në fakt, Policia e Shtetit dhe Inspektorati i Ndërtimit kanë ndërmarrë, në mbrëmjen e së dielës, një aksion përgjatë rrugës dytësore Tiranë-Durrës, duke prishur shumicën e tabelave reklamuese në këtë aks rrugor, me një largësi prej 20 metrash nga rruga. Urdhri është dhënë nga Ministria e Brendshme, por askush nuk thotë se, kush ia ka dhënë lejen këtyre firmave për ngritjen e tabelave buzë rrugës, askush nuk flet për përfitimet e kompanive, askush nuk ka reaguar më parë për rrezikshmërinë që mbartin tabelat, si burime aksidentesh dhe askush nuk flet për mosrespektim të Kodit Rrugor. Vë re në këto tabela, thirrje për t’u bërë milioner nga monopolisti i Lotarisë Kombëtare që thërret për “Jackpot” në dy kryqëzime rrugësh, nga ku nuk e sheh dot (për shkak të tabelës) se nga të vjen makina. Dhe papritur, e gjen veten në spital, me një biletë lotarie në xhep. Sigurisht, nëse jeta jote është jashtë rrezikut, shpreson të fitosh “Jackpotin” për të paguar faturat e larta që servilen nga “Spitali Amerikan”. Nuk e harron dot këtë emër, se e ke përgjatë gjithë rrugës Tiranë-Durrës. “Spitali Amerikan” e ka menduar shumë hollë strategjinë e fitimit të pacientëve dhe përfitimit nga ta. Kjo është mizoria që na servirin kompanitë tona private, të cilat përfitimet e tyre i korrin në kundërshtim me Kodin Rrugor. Në NENIN 23, në pikën 1 dhe 7 të Kodit Rrugor thuhet se “1. Përgjatë rrugëve dhe në vende të dukshme nga mjetet që kalojnë në rrugë, është e ndaluar të vendosen shenja, parulla, impiante reklamimi etj., që për nga përmasat, forma, ngjyrat, pamja dhe vendndodhja mund të shkaktojnë konfuzion me sinjalizimin rrugor, ose ta bëjnë të vështirë kuptimin, dallimin apo efikasitetin e tij, si dhe të shkaktojnë shqetësime pamore a të tërheqin vëmendjen e përdoruesve të rrugës me pasojë rrezikimin e sigurisë së qarkullimit. Në çdo rast impiante të tilla nuk duhet të formojnë pengesë apo gjithsesi vështirësi për qarkullimin e invalidëve. ..  7. Është e ndaluar çdo lloj reklame përgjatë ose e dukshme nga itineraret ndërkombëtare, autostradat, rrugët interurbane kryesore dhe hyrjet e tyre. Në këto rrugë lejohet reklamimi vetëm në zonat e shërbimit ose parkimit, kur për këtë është marrë autorizimi nga enti pronar i rrugës, si dhe kur kjo reklamë nuk është e dukshme nga rruga”. Pra, vetëm nga këto pika duket qartë që të gjitha këto tabela reklamuese janë ngritur në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Gjithashtu, sipas një analize, rezultonte se të gjitha kompanitë private që reklamonin aktivitetin e tyre, nuk e kishin respektuar largësinë e detyrueshme nga rruga, duke u kthyer në jo pak raste edhe në burim aksidenti, për shkak të humbjes së vëmendjes nga to. Sipas Ministrisë së Brendshme, aksioni do të vijojë në të gjitha rrugët nacionale, ku nuk është respektuar ligji për vendosjen e tyre. Ministria e Brendshme bëri me dije se, për më shumë se një javë i kishte dërguar firmave, që i zotërojnë ato, të respektonin ligjin dhe t’i zhvendosnin në largësinë e detyruar, por asnjë prej tyre nuk i është përgjigjur thirrjes së Inspektoratit të Ndërtimit. Për këtë arsye, pasi ka përfunduar edhe afati i lënë, ka vijuar aksioni për shkatërrimin e plotë të tyre. Ministria e Brendshme tha se aksioni është i mirëmenduar dhe nuk do të ngelet vetëm te “tabelat reklamuese”. Pasi të jenë pastruar të gjitha rrugët nacionale nga to, do të fillojë prishja e të gjitha ndërtesave të ndërtuara buzë rrugës dhe që nuk kanë respektuar legjislacionin përkatës.

    Pjesë nga Kodi Rrugor shqiptar:

    NENI 23

    Reklamat në rrugë dhe mbi mjetet rrugore

    1. Përgjatë rrugëve dhe në vende të dukshme nga mjetet që kalojnë në rrugë, është e ndaluar të vendosen shenja, parulla, impiante reklamimi etj., që për nga përmasat, forma, ngjyrat, pamja dhe vendndodhja mund të shkaktojnë konfuzion me sinjalizimin rrugor ose ta bëjnë të vështirë kuptimin, dallimin apo efikasitetin e tij, si dhe të shkaktojnë shqetësime pamore a të tërheqin vëmendjen e përdoruesve të rrugës me pasojë rrezikimin e sigurisë së qarkullimit. Në çdo rast impiante të tilla nuk duhet të formojnë pengesë apo gjithsesi vështirësi për qarkullimin e invalidëve. Janë, gjithashtu, të ndaluara tabelat dhe mjetet e tjera të ndritshme të reklamimit që mund të sjellin verbim për drejtuesit e mjeteve rrugore. Në ishujt e trafikut në kryqëzime është e ndaluar vendosja e çdo lloj instalimi të ndryshëm nga sinjalizimi rrugor i përcaktuar. (…)

    3. Përgjatë rrugëve, në mjediset ose afërsitë e vendeve të mbrojtura, për shkak të bukurisë së tyre natyrore dhe peizazhistike, ose të ndërtesave a vendeve me vlera historike e artistike, është e ndaluar vendosja e tabelave ose mjeteve të tjera reklamuese.

    4. Për vendosjen e tabelave ose të mjeteve të tjera reklamuese gjatë rrugës apo në vende të dukshme nga rruga duhet autorizimi i entit pronar të rrugës që lëshohet, duke respektuar këto norma. Në brendësi të qendrave të banuara kompetenca është e komunave dhe bashkive, të cilat janë të detyruara të marrin miratimin teknik të entit pronar të rrugës, kur rruga është shtetërore apo e rrethit.

    (…)

    7. Është e ndaluar çdo lloj reklame përgjatë ose e dukshme nga itineraret ndërkombëtare, autostradat, rrugët interurbane kryesore dhe hyrjet e tyre. Në këto rrugë lejohet reklamimi vetëm në zonat e shërbimit ose parkimit, kur për këtë është marrë autorizimi nga enti pronar i rrugës, si dhe kur kjo reklamë nuk është e dukshme nga rruga.

    (…)

    11. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni dhe të akteve në zbatim të tij, si dhe kushtet e autorizimeve të parashikuara nga ky nen gjobitet me një shumë nga njëzet e pesë mijë deri njëqind mijë lekë dhe zbatohen masat plotësuese administrative që e detyrojnë autorin e shkeljes të heqë, me shpenzimet e tij, të gjitha veprat, tabelat, parullat dhe çdo tip impianti e formë reklame.