Regjistrimi on-line nuk zgjidhi asgjë, studentët do të mbajnë radhë në sekretari për dokumentet

    435
    Sigal

    INTERVISTA/Flet dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës Prof. Mynyr Koni, për regjistrimin e studentëve

    Regjistrimi on-line nuk ka sjellë ndonjë lehtësim të punës nëpër sekretaritë e fakulteteve, për aq kohë sa në fazën e dytë studentët duhet të dorëzojnë sërish nëpër sekretari dokumentet. Një fakt të tillë e thekson edhe dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës Prof. Mynyr Koni në një intervistë për “Telegraf”. Sipas zotit Koni, ky regjistrim sjell një qetësim për fituesit tani, por duke qenë se nuk është përfundimtar ky regjistrim nuk e lehtëson punën dhe ngarkesën nëpër sekretaritë.

    -Zoti Koni, si ka shkuar  procesi i regjistrimit on-linë këtë vit për fituesit e universiteteve a ka pasur shumë studentë që janë paraqitur pranë sekretarive?

    -Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës unë kam ngritur një sallë më dhjetë kompjutera dhe kam lënë një specialist të IT-së dhe kjo sallë luan rolin e një salle të internetit. Numri i studentëve që mund të jenë regjistruar në ambientet e kësaj salle dhe nga autoriteti i fakultetit është i kufizuar, për faktin se studentët kanë ardhur kanë marrë informacion dhe pastaj aplikimin e kanë bërë vetë nëpër qendrat e internetit. Unë nuk mund të ju jap një shifër ekzakte për numrin e të regjistruarve pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Por mund të them më përafërsi që janë më shumë 100 persona që kanë zgjedhur që të regjistrohen në ambientet e vëna në dispozicion nga fakulteti.

    -Sa është numri i personave që janë regjistruar pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në total?

    -Nga 1360 kuota që ne kemi në fakultetin tonë për vitin e ri akademik janë regjistruar rreth 1260 vetë. Pra janë rreth 100 persona që nuk janë regjistruar, dhe po ta llogarisim janë rreth 6 -7 % që nuk janë regjistruar nga numri total. Ky regjistrim ka qenë korrekt. Ka pasur disa probleme me studentët që janë regjistruar vetë nëpër pikat e internetit dhe pastaj kanë ardhur në fakultet dhe kanë dashur që të interesohen për opsion që të vazhdojnë garën apo të ndalojnë garën. Për këtë ne i kemi dërguar studentët për tek Agjencia Kombëtare e Provimeve, sepse nuk është në kompetencat tona për të ndërhyrë në këtë drejtim. Nëse ne do të vepronim në këtë drejtim do i kalonim kompetencat tona. Ne udhëzonim vetëm ato persona që nuk mund të regjistroheshin vetë, vetëm për këto kemi pasur kompetencat që të vepronim.

    -Le të ndalemi edhe njëherë tek regjistrimi pranë sekretarive të fakulteteve, a keni pasur shumë raste kur nuk kanë mundur që të regjistrohen on-line fituesit dhe janë regjistruar në sekretari?

    -Po unë u thash edhe më lart që ne kemi pasur sallën me specialistin e IT-së dhe një sekretare. Këto bënin edhe regjistrimin on-line që e bënte kryesisht specialisti kur nuk arrinte studenti, por bënin edhe regjistrimin e të dhënave në një regjistër të veçantë kur ishte e nevojshme.

    -Ju si mendoni a ka eliminuar një sërë vështirësish nëpër sekretaritë e fakulteteve regjistrimi on-line?

    -Unë besoj që nuk është ndonjë lehtësim i punës me këtë regjistrim për sekretaritë e fakulteteve sepse menjëherë pas daljes së listës përfundimtare do të mblidhet sërish dokumentacioni në sekretaritë e universiteteve. Të gjithë studentët do të kalojnë nëpër sekretari për të dorëzuar dokumentacionet e nevojshme. Po të ishte regjistrim përfundimtar ky i bërë on-line do të ishte shumë mirë dhe do të lehtësonte shumë punën. Por kjo nuk është një fazë regjistrimi që bëhet në mënyrë përfundimtare, kjo bëhet për të qetësuar njerëzit në fillim. Por përsëri javën e parë të tetorit në sekretaritë e fakultetit të Shkencave të Natyrës do të ketë një dyndje të studentëve që duhet të bëjnë dorëzimin e dokumenteve. Dorëzimi i dokumenteve do të bëhet nga çdo student që do të ketë emrin në lista. Pra ne sërish ngarkesën do ta kemi në sekretari, por do e kemi në një fazë të dytë jo në fazën e parë siç ka qenë vitin e kaluar.

    -A ka pësuar rritje tarifa e shkollimit për këtë vit të ri akademik për studentët që do të studiojnë pranë fakultetit tuaj?

    -Tarifa për këtë vit ka pësuar një rritje të lehtë për programet e vitit të parë të sistemit të “Bachelor”. Nga viti i kaluar në këtë vit rritja është e lehtë, vitin e kaluar tarifa ishte 16000 lekë, ndërsa këtë vit është bërë 17100 lekë. Pra po të krahasosh shifrat vihet re një rritje e vogël, i bie që të jetë diku tek 5% rritja e bërë. Ndërsa rritja e kuotave kanë një rritje nga 5-10 %.

    -Ju theksuat se keni rritje për 5-10% për degët e informatikës dhe Teknologjisë së informacionit, kjo ka ardhur nga kërkesat e viteve të kaluara apo ka ndonjë arsye tjetër?

    -Kjo rritje nuk ka ardhur thjesht për shkak të kërkesave po ka ardhur edhe për shkak të mbështetjes së  politikës së qeverisë e cila po synon që të informatizojë dhe zhvillojë vendin. Natyrisht ne kemi vështirësi, por jemi duke marrë masa përsa i përket plotësimit të kushteve.

    -Ju u shprehët që keni vështirësi, në çfarë drejtimi janë këto vështirësi dhe a janë ambientet e mjaftueshme për këtë rritje?

    -Vështirësia e parë është mjedisi, dhe ne këtë vit na shtohet edhe një vit, pasi deri më tani kemi pasur dy vite tek Teknologjia e informacionit, këtë vit ajo bëhet cikël i plotë. Ne kemi rreth 500 studentë më shumë po ta marrim përafërsisht , kjo do të thotë që kërkon shtesën e katër grupeve, në vitin e parë, 4 në vitin e dytë dhe po ashtu 4 grupe të tjera në vitin e tretë.