Regjistrimi i tokave bujqësore deri në 2016-ën, MB: Pezullim tokave me qira

    353
    Sigal

    Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese propozon që regjistrimi i tokave bujqësore të vijojë deri më 2016. Ky propozim i deputetëve të shumicës erdhi pas mungesës së shifrave konkrete për tokat e zëna, duke sjellë mospërputhje të shifrave me situatën në terren. Ndërsa përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë bënë me dije se janë pezulluar qiradhënia e tokave nga njësitë e qeverisjes vendore, teksa procesi po vijon në mjaft njësi të cilat nuk realizuan dot këtë detyrim me ligjin e mëparshëm deri më tetor të 2013. Sipas relatorit të këtij projektligji, Robert Bitri, ndarja e tokës bujqësore, dhënia e saj në përdorim dhe më pas kalimi në pronësi është shoqëruar me mangësi e probleme të ndryshme. Nga informacionet e strukturave përgjegjëse për këtë proces si dhe nga ankesat e shumta të qytetarëve ka rezultuar se komisionet e tokës në fshat, në shumë raste, nuk kanë plotësuar dokumentacionin e fitimit të pronësisë, aktin e marrjes së tokës në pronësi (AMTP) për të gjitha familjet bujqësore, që kanë plotësuar kriteret ligjore si përfitues. Plotësimi dhe riparimi i mangësisë kryesore, plotësimi i dokumentacionit të pronësisë, solli si nevojë përgatitjen e një ligji të ri, ligjit nr. 57/2012, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore”, i cili nuk ndryshoi parimet kryesore të legjislacionit të mëparshëm, por rregulloi disa aspekte të tij. Pas diskutimeve komisioni miratoi projektligjin “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore përfituesve”.