Regjisori grek refuzon marrjen e çmimit: “T’u jepet nënshtetësia fëmijve të emigrantëve”

    400
    Regjisori grek, Panos Kutras ka refuzuar të marrë çmimin e madh të akademisë kinematografike greke, për filmin e tij, “Ksenia”. Në ceremoninë e zhvilluar të hënën në mbrëmje, Kutras ka preferuar që në vend të marrjes së statujës, të dërgojë një mesazh të fuqishëm kundër racizmit dhe në favor të dhënies së nënshtetësisë fëmijve të emigrantëve. “Vendosëm ta marrim çmimin vetëm atëherë kur të votohet ligji për nënshtetësinë e emigrantëve të brezit të dytë… Ne do të donim ta marrnim me vete këtë çmim vetëm pasi të jetë votuar ligji, i cili do të mundësojë që fëmijtë e emigrantëve, të cilët u lindën apo u rritën këtu, të kenë të drejta të barabarta me ne”, theksoi Kutras përmes duartrokitjeve të publikut. Të njëjtin mesazh dërgoi edhe skenaristi Panajotis Evangelidis: “Filmi trajton temën e nënshtetësisë. E dimë se tash 20 vjet ekziston ky problem dhe se ministrja e emigracionit po punon për këtë. Shpresojmë që të votohet ky ligj, sepse ka me mijëra fëmijë, disa thonë 100 mijë, disa 200 mijë”. Filmi Ksenia ishte fituesi i çmimit të madh për filma me metrazh të gjatë. I shfaqur fillimisht në festivalin e Kanës, vitin e kaluar, ai mori kritika mjaft të mira, që kanë vlerësuar sidomos intepretimin e dy protagonistëve shqiptarë, Kosta Nikuli dhe Niko Ngjela. Filmi trajton historinë e dy adoleshentëve shqiptarë të brezit të dytë të cilët, kur nëna e tyre shqiptare vdes, nisen nga Athina për në Selanik që të gjejnë babain e tyre grek, që i kishte braktisur kur këta ishin shumë të vegjël. Motivimi i dy adoleshentëve është më tepër praktik, pasi, ata duan të kërkojnë ndihmën e tij që të marrin nënshtetësinë greke, sepse me vdekjen e nënës ata kanë humbur mundësinë e qëndrimit të ligjshëm. Kutras ka bërë një film të bukur, shumë njerëzor, të spërkatur me humor, me karakteret të vendosur në sfondin e realitetit grek, ku nuk mungojnë as skenat e dhunës dhe terrorizimit të emigrantëve nga Agimi i Artë
    Sigal