Receta fallco për fëmijët dhe gratë shtazëna

600
Sistemi i shëndetësisë kohët e fundit është përfshirë nga skandali me rimbursimin e ilaçeve. Ndërkohë fakte të reja abuzuese janë zbuluar në radhët e bluzave të bardha me recetat e rimbursuara, të cilat lëshohen pa kriter. Skandali nuk ka të sosur duke arritur deri në pikën e vendosjes së diagnozave edhe në raste ku pacientët nuk janë të sëmurë. Janë qytetarët të cilët kanë bërë denoncimin e radhës në gazetën “Telegraf” përmes një letre, ku zbulojnë fakte të reja mbi skandalin e rimbursimit të recetave. Ata denoncojnë lidhjet abuzive mes mjekëve të familjes dhe farmacistëve, ku kanë lidhur kontrata në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Skandali i radhës flet për lëshimin e recetave të rimbursuara sidomos për fëmijët 0-12 muaj, pasi ato rimbursohen 100%. Kryesisht janë mjekët e familjes që i lëshojnë këto receta për këtë grup moshë, ku më pas i drejtojnë në ato farmaci të cilat kanë lidhur kontratë dhe janë bashkëpunëtorë, e më pas i ndajnë lekët e grumbulluara nga këto shkelje. 
Ndërkohë të gjitha këto raste abuzuese zhvillohen nën “hundën” Ministrisë së Shëndetësisë. Bluzat e bardha janë përfshirë në këtë rrjet kriminal i cili përveçse po shkatërron xhepat e pacientëve, po përbën një rrezik të madh edhe për shëndetin e qytetarëve shqiptarë, sidomos fëmijëve të vegjël nga 0-12 muaj, duke lëshuar mjekime edhe në ato raste kur ata nuk kanë probleme shëndetësore. Gjithashtu abuzime janë shënuar edhe me lejet e lindjeve, ku përfituese të tyre janë edhe gratë të cilat vetë deklarohen shtatzëna pa qenë, vetëm për të përfituar raporte mjekësore. Rast tjetër skandaloz është edhe ai i lëshimit të insulinës për diabetin e sheqerit, ku janë të lidhur mjekët e familjes, laboratorët, mjekët endokrinologë dhe farmacistët që i shesin insulinat, ku më pas fitimi ndahet në pjesë. Përmes letrës qytetarët kërkojnë hetim të zgjeruar rreth këtij skandali nga organet kompetente me qëllim parandalimin e abuzimit që po bëhet në kurriz të atyre që i drejtohen bluzave të bardha për ndihmë, dhe më pas bëhen viktimë e këtij rrjeti kriminal. Më poshtë po ju njohim me letrën denoncuese të qytetarëve rreth skandalit me recetat për ilaçet e rimbursuara. 
Skandali i barnave, arrestohen drejtori me 3 zyrtarë të FSDKSH dhe 5 drejtues farmacish 
Pas firmosjes së 10 urdhër-arresteve nga Prokuroria e Tiranës, policia ka ekzekutuar në 4 qershor 2015 arrestimet e para lidhur me skandalin e rimbursimit të barnave, ndërsa nj ditë më pas ka ndaluar Drejtorin e FSDKSH-së. Në dhomat e shoqërimit kanë përfunduar Drejtori Rajonal i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, Pjerin Xhuvani, Frida Lamçe, ekonomiste, dy zyrtarë të tjerë të kësaj drejtorie si dhe 5 drejtues farmacish. Është një skandal në të cilin përfshihen 47 farmaci. Në cilësinë e provës materiale, prokurorët kanë sekuestruar të gjithë informacionin ku bëhet fjalë për 600 receta ilaçesh që kapin vlerën e 56 milionë lekëve.
Të ndaluarit
1. Pjerin Xhuvani, Drejtori Rajonal i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë.
2. E. Mara, Juriste pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit.
3. K. Mahmutaj, Punonjëse pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit.
4. H. Roci. Administrator i Farmacisë, Lundër.
5. M. Tufi, Drejtuese teknike e Farmacisë Lundër.
6. N. Thanasi, Drejtues Teknik i farmacisë “Nutrimed”.
7. A. Spahiu, Drejtues Teknik i Farmacisë Bërzhitë.
8. A. Manaj, Drejtuese Teknike e Farmacisë “Adelina”.
9. Frida Lamçe, ekonomiste.
Sigal