Reagimi – Rusia: Ndërhyrjet e Tiranës në Shkup pjesë e planit për ‘Shqipëri të madhe’

467
Rusia akuzoi të enjten (2 mars) Shqipërinë, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, se po përpiqen për të imponuar një qeveri pro shqiptare në Maqedoninë e kapluar nga kriza.

Reagimi i Ministrisë së Jashtme ruse vjen një ditë pasi presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, refuzoi të mandatonte kreun e opozitës maqedonase Zoran Zaev për të formuar qeverinë e re dhe zotimit të tij për të lejuar përdorimin e gjuhës shqipe në rang vendi.

“Me bashkëpunimin aktiv të zyrtarëve të BE-së dhe NATO-s, një ‘platforme shqiptare’ e krijuar në Tiranë, në zyrën e kryeministrit (shqiptar), është duke u imponuar mbi maqedonasit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.

Ministria e Jashtme ruse thekson se një veprim i tillë është dëshmi për pretendimet e Shqipërisë mbi “rajone të gjera” në Mal të Zi, Serbi, Maqedoni dhe Greqi, si pjesë e projektit për të krijuar të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe”,

Sipas agjencisë ruse të lajmeve “Sputnik”, Perëndimi është duke përdorur pakicën shqiptare në përpjekje për të sjellë në pushtet opozitën duke përdorur ultimatume shqiptare që çojnë në shkatërrimin e parimeve kushtetuese të vendit.

“Përpjekjet e vazhdueshme dhe destruktive për të vendosur skema nga jashtë, në kundërshtim me atë që kanë vendosur votuesit maqedonas, vetëm mund ta përkeqësojnë situatën. Është e nevojshme për të ndaluar ndërhyrjet e huaja në punët e brendshme të Maqedonisë si dhe për të respektuar të drejtën e qytetarëve të Maqedonisë për t’i dhënë formë fatit të tyre në përputhje me parimet themelore demokratike”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse.
Sigal