Reagim si ish- dënuar politik për ligjin e ri mbi dëmshpërblimin për të përndjekurit politikë

    425
    Sigal

    Pasi mbarova shkollën e mesme u arrestova në Tiranë me 13 gusht 1960. Akuzohesha për një letër anonime me përmbajtje politike kundra udhëheqësve të regjimit komunist dhe për thirrje për reagimin e regjimit komunist. U dënova nga gjykata ushtarake e Tiranës me nenin 67 të Kodit Penal të vitit 1952 për veprat terroriste me 10 vjet burg. Gjyqi u zhvillua në Elbasan, ku unë me argumente dhe fakte të pakundërshtueshme, vërtetova se letra në fjalë ishte e sajuar nga vet dega e brendshme e Elbasanit, në bashkëpunim me laboratorin kriminalistik të Tiranës. Nga Zyra Analitike e shkrimeve, për qëndrimin demaskues që demonstrova, u cilësova si terrorist dhe me rrezikshmëri të theksuar shoqërore për pushtetin e ashtuquajtur popullor. Në përmbajtjen e këtij neni nuk ka asnjë paragraf që të thuhet se kush quhet vepër terroriste. Nuk bëhet fjalë për disponim arme apo kërcënim me armë. Kjo përmbajtje është bërë me qëllim, që terrorist të quhej kushdo që ishte i dyshimtë, por që nuk ekzistojnë fakte konkrete. Për një shashke që hodhi një provokator i sigurimit të shtetit në oborrin e Ambasadës Sovjetike, u arrestuan brenda ditës e u pushkatuan disa persona pa asnjë fakt. Edhe në këtë rast regjimi komunist terrorizoi Tiranën, për faktin se ky terror gjente mbështetje në nenet për gjoja vepra terroriste. Argumenti i fundit, pa dashur të keqkuptohem është: në qoftë se neni 67, prej të cilit unë jam dënuar, ku nuk bëhet fjalë as për armë, as për përdorim armësh, për zotin ish- ministër të Drejtësisë quhet se përmbledh vepra terroriste, po neni 69 organizim dhe pjesëmarrje në banda të armatosura, neni 70 për diversion, neni 72 për sabotim, si do ta quante? Pas shumë peripecish, komisioni i ligjeve ku bëjnë pjesë deputetët e Partisë Demokratike e Socialiste, e mori në konsideratë duke e quajtur të drejtë ankesën. U shkrua mjaft në shtyp dhe në media. Duke u nisur nga fakti që puna e pa paguar e të përndjekurve që është e pallogaritshme, për çdo qeveri që merr përsipër të qeverisë vendin e majtë apo e djathtë, duhet të ndjej detyrimin ligjor për dëmshpërblim financiar të kësaj shtrese dhe jo ta përdorin për fushate elektorale. Unë si person sipas ligjit të ri mbi dëmshpërblimin financiar nuk bëj pjesë as tek të gjallët as tek të vdekurit, dënuarit e të padënuarit, dënuarit politikë apo të dënuarit ordinerë, as tek të rinjtë e as tek të vjetrit. Më e keqja është se asnjë ministër i Drejtësisë ose përfaqësues i kësaj ministrie nuk prononcohet për nenin 67.

    Shaqir Yzeiri, ish i dënuar politik, Elbasan