Rasim Nela: Duhen zhdukur fabrikat e furrat, që prodhojnë dhe tregtojnë miell e bukë “vrasëse”

    853
    Sigal

    Flet Rasim Nela, prodhues mielli e buke: Ministria dhe AKU, kanë forcuar kontrollet dhe ndëshkimet

     Sinjali i alarmit real që dha gazeta “Telegraf” për importimin e drithërave serbe e ruse me përmbajtje kancerogjene e tagji kafshësh dhe përdorja e tyre për prodhim mielli buke masive e produktesh të tjera ushqimore në Shqipëri, brenda ditës nxiti reagimin pozitiv të Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) zotit Afrim Baka. Për më tepër, shqetësimi u bë “problematikë urgjente dite” për ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit, Prof. Dr. Edmond Panariti, i cili pas shkrimeve në gazetën “Telegraf”, doli personalisht në terren në Tiranë dhe “desantoi” specialistët e kontrollit në të gjithë qytetet e vendit, për të verifikuar cilësinë dhe sigurinë e drithërave e miellit me të cilin prodhohet buka. Mirëpo, shqetësimi për sigurinë e bukës, për  miellin që importohet e prodhohet me drithëra importi dhe që përdoret për konsum, ka nxitur edhe reagimin e prodhuesve të miellit, bukës e produkteve të tjera prej brumi. Një nga këta prodhues, që reagoi e që kërkoi të bëhet pjesë e debatit publik në gazetën “Telegraf”, në lidhje me realitetin prodhues të miellit e bukës është presidenti i firmës “4 vëllezërit” në Yzberisht Tiranë, zoti Rasim Nela, prodhues mielli, buke e pastiçerish.

     Zoti Nela, pas shkrimeve në gazetën “Telegraf”, kërkuat të bëheni pjesë e debatit publik, lidhur me drithërat dhe miellin që importohet e prodhohet për prodhim buke e produkte të tjera. Përse?

     Sepse është një problem kryesor që kërkon mendimin dhe veprimin e të gjithëve, sidomos të ne prodhuesve. Unë jam prej 13 vitesh, pjesë e sektorit të miell-bukës si prodhues i tyre. E njoh mirë problematikën e këtij sektori. Gazeta “Telegraf”, ka ngritur një problem, i cili ka ekzistuar masivisht përpara disa vitesh dhe, që duhet pranuar se vazhdon të ekzistoj akoma në disa “skuta”, madje dhe në disa qendra importi e prodhimi ilegale në industrinë e miell-bukës. Këto “skuta” që prodhojnë miell, bukë e produkte brumi “vrasëse” (sidomos pastiçeri), ne si shoqatë miell-buka dhe si sindikatë e këtij sektori, u kemi shpallur “luftë” të ashpër, mbasi janë pikërisht këto “banda” të piraterisë dhe rrezikshmërisë së bukës, që futen në treg ilegalisht e me prodhime të pasigurta, me pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e konsumatorit. Kam qenë dhe jam në krahë të zbatimit të ligjshmërisë kundër tyre, ndaj kërkova të flasë publikisht.

     A janë të evidentuara këto “skuta” prodhimi mielli e buke “vrasëse”?

     Ne prodhuesit e miellit dhe bukës, që kemi bërë investime serioze në mjedise e teknologji prodhuese, jemi të parët që interesohemi të zbulojmë dhe “pastrojmë” nga aktiviteti miell-bukës këto “skuta” ilegale, që hedhin për konsum produkte të rrezikshme për jetën e qytetarëve. “Bandat e bukës e miellit” që futen ilegalisht në treg, por edhe ato të licencuara që abuzojnë me cilësinë dhe sigurinë, cenojnë imazhin e prodhuesve serioz e të sigurt, që operojnë me prodhime sipas ligjit dhe standardeve të përcaktuara prej katalogëve, udhëzimeve e standardeve të përcaktuar nga Ministria e Bujqësisë e Ushqimit, mbështetur në standardet e vendosur prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO). Ne si shoqatë dhe sindikatë e prodhuesve të miellit, bukës e produkteve të tjera të brumit, vazhdojmë të luftojmë individët dhe grupet të cilët hapin tregje, linja bloje e furra buke ilegale të pakontrolluara e të pa certifikuara, duke prodhuar me abuzime në cilësi, peshë e siguri. Ata zhvillojnë aktivitet tregtie buke e mielli edhe nëpër kioska çimentosh, në rrugë, me furgonë të pisët, me “dum-dum” e deri me karroca kuajsh. Ata prodhojnë miell e bukë në baraka, tunele, ish-stalla derrash, lopësh e në bodrume të qelbëta pallatesh, madje edhe në karroceri autobusësh të vjetër. Brenda këtyre mjediseve, që ata i quajnë “furra buke, dyqane buke e qendra bloje mielli” përdoret miell “vrasës”, ujë i ndotur, përbërës dëmtues, vajra të djegur kancerogjen, punonjës “zhulsa”, makineri e mjete primitive me ndotje radioaktive si kazanë, përzierës brumi, vaska e tava metalike në gjendje “skrapi”. Shkrimet në gazetën “Telegraf’ për ekzistencën dhe veprimtarinë e afro 1000 furrave të tilla banditeske në shkallë vendi, ishin sinjal alarmi për ne prodhuesit korrekt, në dy aspekte: Së pari, në aspektin e konkurrencës së pandershme dhe së dyti, në aspektin e cenimit të imazhit të prodhimeve tona, duke u futur “në një thes”. Evidentimi i krimit ushqimor në sektorin e bukës e miellit është një detyrim i institucioneve ligj-kontrolluese, por së pari është misioni dhe interesi ynë si prodhues. Mbasi ka abuzatorë, të cilët prodhojnë e tregtojnë bukë e miell “vrasës”, duke përdorur edhe ambalazhe e etiketa të falsifikuara, të furrave ose fabrikave serioze.

     A keni arritur t’i eliminoni këta individë ose grupe, që operojnë në prodhim e treg me abuzime e produkte të rrezikshme?  

     Natyrisht që jo plotësisht, ndryshe nuk do të vlerësonim si realitet shqetësimin e ngritur nga gazeta “Telegraf”. Nëse do të ishin zhdukur këto baza prodhimi e tregu “vrasës”, nuk do të kërkonim mbështetje nga institucionet dhe opinioni e media, për t’i eliminuar.  Këto “banda” kriminale ushqimore në sektorin e miell-bukës, ekzistojnë dhe veprojnë. Nuk është e lehtë të eliminohen, për vetë natyrën e zgjeruar të këtij sektori. Rëndësi ka, që prej kontrolleve dhe bashkëpunimit tonë me institucionet shtetërore MBU e AKU, që kanë subjekt të linjës sektorin e ushqimit, po arrijmë t’i minimizojmë e izolojmë gradualisht. Pas çdo informacioni që na vjen edhe nga konsumatorët, ne veprojmë së bashku me MBU e AKU dhe ata na mbështesin shpejt e fuqishëm në luftën kundër informalitetit dhe krimit ushqimor, madje e them publikisht, që në këtë “betejë” kemi mbështetjen e posaçme të ministrit Edmond Panariti. Po përmend vetëm një fakt: Prej bashkëpunimit tonë me AKU dhe Ministrinë e Bujqësisë e Ushqimit, vetëm në 7 muajt e fundit janë evidentuar e janë eliminuar nga prodhimi dhe tregu i miell-bukës, pastiçerive e prodhimeve të tjera të brumit, afro 290 “baza” ilegale e legale, që prodhonin dhe shpërndanin miell, bukë e prodhime të tjera brumi pa standarde, pa siguri higjieno-sanitare, me gatuar “çizme” e me teknologji “skrap” dhe me drithëra, miell e përbërës “vrasës” të shëndetit të popullatës.

     Po importi dhe tregu i drithërave e miellrave, a vuan nga fiktiviteti në “letrat” e sigurisë?

     Unë nuk jam importues mielli e drithërash, përkundrazi furnizohem prej kohësh në një distributor korrekt. Pa ia përmendur emrin, po ju them se drithërat që ai importon janë me garanci të plotë. Unë nuk mund të toleroj asnjë standard, mbasi më dëmtohet së pari puna ime, tregu im, investimi im me të cilin kemi lidhur jetën sot dhe të brezave në vazhdim. Edhe furrat, që furnizoj unë me miell, i kontrolloj nëse ato respektojnë standardet e miellit tim e kur konstatoj shkelje, shkëpus bashkëpunimin. Së pari, unë nuk fal veten time në standarde higjiene, cilësie, peshe e sigurie. Lidhur me pyetjen, nuk mund të mohohet fakti, që ka edhe raste abuzimesh me falsitetin e “letrave” të sigurisë, si nga importi edhe brenda tregut vendas. Por këtë import e treg drithërash e miellrash të pasigurt, madje dhe kancerogjen siç e keni publikuar ju në gazetë, nuk e bëjnë prodhuesit serioz, por ata që furnizojnë “skutat” prodhuese e tregtuese të miell-bukës. Përpara 15 vitesh, këta lloj importuesish kanë qenë “ushtri”, ndërsa tani janë me “kokrra” dhe drejt eliminimit. Por, ato ekzistojnë e veprojnë për shkak të klientelizmit, aferave, ryshfeteve dhe konfliktit të interesave më këtë biznes, të disa ligj-zbatuesve batakçinj që punojnë në disa “pika” të kontrollit e ndëshkimit.

     Flitet se prodhimi i miellrave në fabrika që punojnë me gurë bluarës, shkakton dëme deri helmuese, ju si e vlerësoni?

     Kemi diskutuar gjatë në lidhje me këtë çështje. Unë personalisht kam fabrikë bloje me mulli guri. Por jo me guri shtufi, apo malesh, por me gur bloje me përbërje natyrale e të standardizuar, prodhuar industrialisht me siguri teknologjike posaçërisht për bluarje masive. Këta gurë mullinjsh, prodhohen në impiante të specializuar jashtë Shqipërisë me gurë specialë, të “pastër” si përbërje fizike-ekologjike. Këta gurë duhen përdorur jo më tepër se 6 muaj, mbasi nga konsumi i syprinës bluarëse prej tejnxehjes maksimale nga xhirot gjatë punës, ato konsumohen gradualisht dhe çlirojnë oksidantë e thërrmija që përzihen me miellin e mandej, përfundojnë në organizmin e konsumatorit nëpërmjet produkteve. Shumica e fabrikave të vogla e të mesme, siç është edhe fabrika jonë “4 Vëllezërit”, ose “Nela e Yzberishtit” siç na njohin, kemi disa vite që aplikojnë prodhimin e miellit me mulli bloje guri. Por me gurë specialë e jo me “gurë rruge”, të nxjerr maleve e gërxheve dhe të gdhendur primitivisht, mbasi ata japin efekte ndotëse deri helmuese për miellin.

     A keni bindje, se sektori i miell-bukës do të vendoset në parametra të plotë sigurie?

     Duhet kohë dhe veprim, mbasi forma dhe përmbajtja me të cilat ka nisur e ka vazhduar ky sector, kanë qenë rrumpallë, jashtë kontrollit dhe veprimit të ligjit. Në pjesën më të madhe, prodhuesit shqiptarë të miell-bukës, janë ndërgjegjësuar për një zhvillim: Ka ikur koha e prodhimit pa certifikim, pa strandarte, pa siguri e ilegalisht. Shumë prodhues të mëdhenjë e të mesëm buke, por edhe prodhues të vegjël kanë futur në veprim modelin e modernizmit të prodhimit për nga teknologjia, cilësia, higjena dhe siguria. Por, duhet të ndryshojë krejt situata  në këtë sektor, deri tek sporteli më i vogël i shitjes në periferi të zonave periferike.

    Treguesit për të përcaktuar cilësinë e sigurinë e bukës

    Buka e prodhuar me abuzime në miell e teknologji përpunimi, ka tregues që shikohen me sy nga konsumatori, por ka dhe tregues që evidentohen vetëm me analiza laboratorike. Për të krijuar një bindje vizive, nëse buka është e sigurt dhe cilësore ose jo, pra pa “hile” e pa rrezik për shëndetin, konsumatori duhet të shikojë disa tregues fizik të bukës.

    – Kur korja e bukës është shumë e zezë, tregon se pjekja është mbi normën e lejuar deri në 210 gradë celcius.

    – Kur tuli i bukës është i qullët, tregon se është prodhuar me drithëra në fazë mbirje ose të mykur nga lagështia dhe vjetërsia e prodhimit.

    – Buka e zezë, duhet të përmbajë ashkla të rrëshqitshme në trupin e saj.

    – Buka nuk duhet konsumuar e ngrohtë, mbasi duhet një afat ftohje prej 5 orësh nga dalja prej furrës.

    – Kur buka ka sipërfaqe ose anë të çara, tregon se janë përdorur përbërës kimik të ndaluar  e të rrezikshëm.

     Bisedoi: Përparim Halili