Raporti për klasat e pesta, çereku i nxënësve mbetës

1140
I pari testim kombëtar për dijet e nxënësve në përfundim të arsimit fillor rezulton me arritje jo të kënaqshme. Nga testimi i kombinuar: Gjuhë shqipe, Matematikë e Dituri natyre, thuajse ¼ e nxënësve rezultojnë të jenë nën nivelin mesatar, gjysma e tyre janë në nivelin mesatar e vetëm 7% kanë shkëlqyer. Rezultatet jo të kënaqshme, në raport arsyetohen me punën e pakët që zhvillohet nga mësuesit e Gjuhës, por jo vetëm ata.Edhe në Matematikë ka rezultuar që nxënësit nuk zotërojnë mirë njohuritë gjeometrike, të shtrojnë problema e t’i zgjidhin ato. Nga rezultatet totale, të paraqitura në tabelën përbri shkrimit, vajzat kanë njohuri më të mira në krahasim me djemtë e klasave të pesta. Po ashtu, klasat e qytetit rezultojnë me arritje më të larta se ato në fshatra. Ndërkaq, kanë befasuar nxënësit që frekuentojnë shkollat private, të cilët kanë dalë më mirë në test. Kjo shpjegohet në raport me nivelin socioekonomik të familjeve nga ata burojnë dhe numrin e nxënësve për klasë. Sa i takon nivelit të arritjeve sipas qyteteve, Tirana kryeson listën, e në fund të saj është Bulqiza.
MANGËSITË
Nxënësit e sotëm mësojnë mekanikisht. Mësuesit zhvillojnë ende procesin e të nxënit në dy faza: njohje dhe riprodhim, duke mos realizuar pjesën e tretë dhe të rëndësishme në ditar: reflektimin e nxënësve. Kjo është vënë re nga një sërë pyetjesh ku nxënësit kanë preferuar t’u përgjigjen më tepër atyre me alternativa, e vetëm një pjesë e vogël kanë arsyetuar në pyetjet me zhvillim.
“Përqendrimi i punës së mësuesit është kryesisht në nivelet e para të kompetencave, pra riprodhim, njohje dhe kuptim të tekstit dhe pak ose aspak i vënë nxënësit në situatë reflektimi e vlerësimi dhe thuajse asnjëherë të merren me fragmente tekstesh të panjohura më parë. Kjo sjell që pak nxënës aftësohen në nivele të larta ku kërkohet mendimi kritik, arsyetimi, interpretimi dhe përgjigjja personale”, thuhet në raport, ku evidentohet mangësia në të kuptuarit dhe të shprehurit e nxënësve.
Të mësuarit praktik është një nevojë imediate, jo vetëm për universitetet, por që në fillore. Kjo thuhet në një nga pikat e raportit të vlerësimit kombëtar që u zhvillua në fund të vitit të kaluar mësimor. “Puna e mësuesit duhet të përqendrohet në zhvillimin e kapaciteteve vëzhguese për zgjidhjen e problemeve, duke përdorur mjete konkrete didaktike. Mësuesi duhet ta orientojnë orën e mësimit në zhvillimin e veprimtarive praktike, me qëllim që nxënë- si të nxërë duke punuar”, thuhet në raport, i cili veçon sidomos mësimin në lëndën Dituri natyrore, që duhet të kryhet mbi bazën e eksperimenteve në klasë apo në natyrë.
Sigal