Raporti i KShH: Në vitin 2013, Shqipëria ka rënie në standardet e të drejtave të njeriut

    373
    Sigal

    Problemet kryesore: Problemi i pazgjidhur i pronës, rritja e kriminalitetit, shërbimi shëndetësor, mosrespektimi i të drejtave të njeriut

    Dje u publikua raporti i KShH-së për vitin 2013. Problemi i pazgjidhur i pronës, rritja e kriminalitetit, shërbimi shëndetësor, mosrespektimi i të drejtave të njeriut, ishin ndër shqetësimet kryesore të evidentuara në këtë raport. Midis të tjerave në këtë raport të KShH thuhet: “Situata e të drejtave të njeriut për vitin 2013 karakterizohet, në përgjithësi, nga rënia e standardeve. Për fat të keq është bërë e zakonshme tashmë që në vitet zgjedhore, veçanërisht të zgjedhjeve parlamentare, konstatohet rënie e ndjeshmërisë së institucioneve në drejtim të respektimit të standardeve të lirive dhe të drejtave të njeriut, sepse klasa politike angazhohet së tepërmi me fushatën zgjedhore dhe si forcat politike të pozitës, ashtu dhe ato të opozitës, ndodh që lënë jashtë vëmendjes probleme dhe çështje me rëndësi jetësore për shtetasit. Gjithashtu, shpesh dhe administrata publike orientohet të kryejë detyra që kanë rëndësi, ose që mund të japin efekt politik për fushatën zgjedhore, e për pasojë mjaft shpenzime buxhetore shkojnë në këtë drejtim. Në këtë raport trajtohen problematika që flasin për cenimin e të drejtave,  që lidhen me jetën, shëndetin dhe pasurinë e shtetasve,  problematika lidhur me ushtrimin e të drejtës së votës, apo me lirinë e shprehjes, si dhe me të drejtën për një proces të rregullt ligjor.”

    KRIMINALITETI

    Gjatë vitit 2013 kriminaliteti ka qenë në nivele të larta, sidomos veprat penale që vënë në rrezik jetën,  shëndetin dhe pasurinë e shtetasve si, vrasjet,  plagosjet, kanosjet, dhuna në familje, marrëdhëniet seksuale me dhunë, vjedhjet me dhunë, etj.. Shkaqet e krimeve kundër jetës e shëndetit vazhdojnë të mbeten kryesisht ato të natyrës social-ekonomike si p.sh. konfliktet për shkak të pronës, varfëria, papunësia, xhelozia, konfliktet midis organizatave kriminale, etj.. Shqetësuese ka qenë dhe mbetet vënia e eksplozivëve të telekomanduar nëpër automjete apo rezidenca private. Përveç kësaj, aktiviteti kriminal është rritur në përgjithësi, sidomos vrasjet e regjistruara dhe grabitjet, ku veriu i Shqipërisë ka një përqindje më të lartë të krimeve me përdorim të armëve. Shumë shqetësuese, mbetet gjendja e vështirë dhe siguria tepër e ulët e rrugëve, të cilat janë rrugë të amortizuara, ose me investime të papërfunduara, me sinjalistikë të mangët e me një kulturë të mangët në përdorimin e rrugës nga shoferët. Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 1104 aksidente, me 155 jetë të humbura dhe 1362 të plagosur e të lënduar, duke shënuar një rritje të ndjeshme.  Krimi brenda familjes ka marrë jetën e 19 femrave këtë vit, ndërkohë që, fenomeni i gjakmarrjes vazhdon të jetë ende prezent në realitetin e dhimbshëm shqiptar. Sugjerohet që organet e policisë, prokuroria, gjykatat, pushteti vendor, sistemi arsimor e shëndetësor duhet të përmirësojnë veprimtarinë e tyre për të parandaluar këto fenomene. Rritje kanë shënuar këtë vit denoncime të shtetasve që pretendojnë mjekim të pakujdesshëm nga institucionet shëndetësore publike ose private. Nga janari deri në shtator numërohen 25 kallëzime, ndërsa 12 mjekë janë vënë nën akuzë.

    GJYQËSORI

    Gjatë vitit 2013 kemi marrë ankesa të shumta lidhur me shkeljen e të drejtës për proces të rregullt gjyqësor, zvarritje të tij, për refuzim të informacionit nga gjykata, mosekzekutim të vendimeve gjyqësore etj.. Problematika e zvarritjes së çështjeve gjyqësore, lidhet jo vetëm me kohëzgjatjen dhe numrin e lartë të seancave gjyqësore, por dhe me kthimin e shpeshtë për rigjykim tek shkallët më të ulëta të gjyqësorit nga Gjykata e Lartë. Rezulton se, zvarritjet e proceseve gjyqësore vijnë për shkaqe si: mungesa e pajustifikuar e avokatëve mbrojtës, mungesa e prokurorëve, pamundësi për formimin e trupit gjykues, neglizhencës së gjyqtarëve, etj.. Një shqetësim tjetër lidhur me sistemin gjyqësor është humbja e besimit të shtetasve ndaj tij dhe ekzistenca e perceptimit se ky sistem është i korruptuar… KShH mendon se luftimi i korrupsionit dhe rritja e besimit të shtetasve tek drejtësia lidhen dhe me ndëshkueshmërinë e rasteve të korrupsionit dhe verifikimin më të mirë, se deri tani, të integritetit moral të kandidatëve që dëshirojnë të bëhen gjyqtarë e prokurorë, ose të atyre që ngrihen në detyrë brenda sistemit… Ka një numër të konsiderueshëm çështjesh penale, dosjet e të cilave prej vitesh janë pa autor, si vrasja e E. A, vrasja e oficerit të Sh.I.Sh, të ndjerit I.Ç, vrasja e volejbollistit J.G, etj. Një cenim i të drejtës për akses në organet e drejtësisë, duket se ekziston sipas personave të dëmtuar nga vepra penale dhe trashëgimtarëve të tyre, sepse atyre nuk i jepet një rol aktiv në procesin hetimor, e më pas në procesin gjyqësor. Për këtë qëllim, KSHH ka dërguar në Gjykatën e Lartë çështjen e refuzimit të fillimit të çështjes penale nga organi i Prokurorisë, për vdekjen e SH.K, gjatë vuajtjes së dënimit, pa marrë shërbimin e nevojshëm shëndetësor. Ne mendojmë se gjykatat shqiptare kanë krijuar një praktikë të gabuar duke mos i dhënë mundësi trashëgimtarëve të kundërshtojnë në gjykatë vendimin e Prokurorisë për mos fillim e hetimeve. Një qëndrim i tillë nuk i shërben interesit të drejtësisë dhe cenon të drejtën për akses në drejtësi. Vërehet se gjatë 2013 u shënjua një rënie në lidhje me klimën në burgje e paraburgime. Infrastruktura e institucioneve të vuajtjes së dënimit, të trashëguara nga vitet 1990 është problematike, por dhe mirëmbajtja e institucioneve të ndërtuar rishtazi lë për të dëshiruar. Mbipopullimi mbetet problem në disa Institucione paraburgimi e burgimi, ndërsa furnizimi me medikamente, pavarësisht se personat e paraburgosur dhe të dënuar u futën në skemën e sigurimeve shëndetësore, nuk ka gjetur zgjidhje për shkak se praktikat e punës në këtë drejtim duhen përmirësuar më tej… Lidhur me organet e policisë së shtetit ka pretendime të qytetarëve për mos marrje të kallëzimeve penale ose mos reagimit në kohë ndaj konflikteve të ndryshme, si dhe lidhur me efektivitetin e punës së këtij organi. Janë konstatuar probleme si: ndjekja e praktikave të gabuara lidhur me shoqërimin, ndalimin dhe arrestimin e personave; mos pasqyrimin ose pasqyrimin jo të saktë të të dhënave në regjistrat përkatëse për momentin e hyrjes dhe të daljes së një personi të shoqëruar, ndaluar ose arrestuar; mos njoftimin e të drejtave të personave të shoqëruar, ndaluar ose arrestuar; mos njoftimin e familjeve të tyre, etj.. Na ka rezultuar se në pikën kufitare të Kakavijës, nga data 1 Gusht – 19 shtator 2013, janë ndaluar gjithsej 488 shtetas  të vendeve të treta të ardhur nëpërmjet Greqisë. Ata kanë qenë kryesisht nga Pakistani, Somalia, Afganistani, Siria, Sudani, Algjeria, Palestina, Maroku, India, Gana, Iraku. Gjatë intervistimit për kryerjen e procedurave të kthimit ka ekzistuar vështirësia e komunikimit për shkak

    ROMËT DHE LGBT

    Grupet vulnerabël të shoqërisë shqiptare si minoriteti Rom, Komuniteti LGBT, gratë, personat me aftësi të kufizuar, të moshuarit, fëmijët, etj., kanë qenë viktimë e formave të ndryshme të diskriminimit. Minoriteti rom vazhdon të përballet me të njëjtat problematika si në të kaluarën si mungesa e strehimit, mungesat në infrastrukturë në lagjet ku ata jetojnë, papunësia, probleme me arsimimin, kujdesin shëndetësor, shërbimet sociale, regjistrimin në gjendjen civile etj.. Edhe heshtja e institucioneve tona publike në lidhje me çështjen e 502 fëmijëve shqiptar romë të zhdukur në Greqi, me gjithë rekomandimet e detyrat që i janë lënë shtetit nga organizmat ndërkombëtare, që e kanë marrë në analizë atë, tregon për një indiference të pafalshme të institucioneve tona publike ndaj këtij komuniteti. Diskriminim është konstatuar edhe ndaj personave me aftësi të kufizuara. Problematikat me të cilat përballen ata kanë të bëjnë me vonesat dhe abuzimet e bëra me pagesat e tyre të paaftësisë, mungesën e mundësive të punësimit, mungesën e qendrave të shërbimit social dhe shërbimeve sociale, probleme në arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuar sipas nevojave të tyre specifike, mungesën e infrastrukturës së përshtatshme në spitalet psikiatrike për personat me probleme të shëndetit mendor, cenim ose pamundësi për ushtrimin e të drejtës së votës, etj..

    RRITJE E KRIMINALITETIT

    Vitet e fundit, në Shqipëri, kriminaliteti ka qenë në nivele të larta, sidomos veprat penale që vënë në rrezik jetën, shëndetin dhe pasurinë e shtetasve, si vrasjet, plagosjet, kanosjet, dhuna në familje, marrëdhëniet seksuale me dhunë, vjedhjet me dhunë, etj.. Gjatë vitit 2013, kanë ndodhur një sërë vrasjesh që kanë tronditur opinionin publik për shkak të dinamikës së tyre, mënyrës së kryerjes, kategorizimit të viktimave, etj.. Krimi i organizuar mbetet një problem serioz dhe pse në tërësi situata e sigurisë dhe rendit është përmirësuar, thuhet në raportin “Krimi dhe Siguria në Shqipëri për vitin 2013” të Byrosë Diplomatike për Siguri, të Departamentit Amerikan të Shtetit.

     

    Aksidentet në rrugë, 7 mijë viktima nga viti 1991

    Sipas raportit të këtij viti, në ndryshim nga dy vitet e kaluara, krimi i rrugës ka një rritje të konsiderueshme dhe është mjaft shqetësues në zonat urbane, sidomos gjatë natës. Mbeten shqetësuese dhe përdorimi i eksplozivëve të telekomanduar, me qëllim kriminal, nëpër automjete apo rezidenca private. Janë shtuar veprat penale të vrasjes dhe grabitjet, ku veriu i Shqipërisë ka një përqindje më të lartë të krimeve me përdorim të armëve.  Sipas statistikave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, të publikuara që prej vitit 1991 deri në gjashtë mujorin e parë të vitit 2013, numri i aksidenteve rrugore në Shqipëri arrin në 20 000, nga të cilat janë lënduar lehtë rreth 15 mijë persona, janë plagosur rëndë rreth 8 mijë dhe kanë vdekur mbi 7 mijë të tjerë. Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 1104 aksidente, me 155 jetë të humbura dhe 1362 të plagosur e të lënduar, Drejtimi i mjeteve pa leje drejtimi, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, përdorimi i alkoolit, neglizhenca e kalimtarëve, mungesa e sinjalistikës dhe amortizimi i rrugëve dhe kontrolli teknik jo korrekt i mjeteve, etj., janë disa nga shkaqet e drejtpërdrejta të aksidenteve. Të dëmtuarit i përkasin pothuajse të gjitha grupmoshave, nga të miturit deri tek të moshuarit. Strukturat e shtetit kanë përgjegjësinë për garantimin e sigurisë në rrugët e qarkullimit publik.

    KRIMI I VRASJES

    Në mënyrë të veçantë, krimi brenda familjes ka marrë jetën e një numri të konsiderueshëm femrash (më shumë se 19 për vitin 2013), ndërkohë që fenomeni i gjakmarrjes vazhdon të jetë ende prezent në realitetin e dhimbshëm shqiptar. Në raste sporadike, sipas medias së shkruar, viktimat e dhunës në familje raportojnë se efektivat e policisë, kur ata denoncojnë aktet e dhunës, nuk u japin mbështetje dhe i konsiderojnë ngjarjet si të zakonshme. Gjatë vitit 2013, krimet kundër jetës dhe shëndetit nuk kanë kursyer as funksionarë publikë, të kryera gjatë detyrës së tyre ose për shkak të cilësive të tyre. Kështu, mund të përmendim sulmin me acid ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe plagosjen e rëndë të shefit të krimeve në organet e policisë së Burrelit. Nga të dhënat zyrtare, të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, në Shqipëri ndodhin mesatarisht 4 vepra penale në çdo orë dhe rreth 95 vepra penale në ditë. Lufta kundër kriminalitetit dhe atij të organizuar në veçanti, rrit sigurinë në vend, u garanton shtetasve qetësinë e nevojshme për të zhvilluar të qetë jetën e tyre, krijon kushte më të mira për zhvillimin ekonomik të vendit dhe rrit mundësitë për integrimin e shpejtë të vendit në BE. Edhe gjatë vitit 2013, numri i vetëvrasjeve të shtetasve ka qenë tepër i lartë.

    ZGJEDHJET PARLAMENTARE

    Gjatë këtyre 22 viteve të fundit, ndonëse janë vërejtur zhvillime pozitive nga zgjedhjet në zgjedhje, përsëri standardet e Kopenhagenit ende nuk janë plotësuar, por me konsensus të subjekteve monitorues u vlerësua se zgjedhjet e Qershorit 2013 shënuan përmirësime të ndjeshme. Në këto zgjedhje u konstatuan përmirësime të dukshme në drejtim të cilësisë së listës së zgjedhjeve, në drejtim të respektimit të procedurave të procesit të votimit ashtu dhe në atë të numërimit të votave, si dhe u vërejtën disa hapa pozitivë në drejtim të mundësimit të votimit për personat me aftësi të kufizuara. Zgjedhësit morën masivisht pjesë në zgjedhje (rreth 54% e tyre) duke treguar respekt për të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.  Fushatat zgjedhorë jo vetëm u kryen në tejkalim të afateve ligjore por u zhvilluan, kryesisht, nga liderat e partive politike, duke shmangur bashkëbisedimin e zgjedhësve me kandidatët për deputetë. Takime të pakta njohëse e bashkëbisedimi me kandidatët për deputetë u organizuan, kryesisht, nga shoqëria civile. Lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme mbetet detyrë e rëndësishme e Kuvendit të Shqipërisë, përmirësimi i mëtejshëm i legjislacionit përkatës, rishikimi i mundësisë për depolitizimin e organeve të administrimit zgjedhor, si dhe përmirësimi i veprimtarisë së tyre në drejtim të ushtrimit të kompetencave që u cakton ligji, veçanërisht në procesin e numërimit të votave dhe nxjerrjen e rezultateve brenda një afati të arsyeshëm, e në përputhje me vullnetin e zgjedhësve.

    RESPEKTIMI I TË DREJTËS SË PRONËS

    Në adresë të KShH-së kanë ardhur disa ankesa të cilat adresojnë shqetësime lidhur me pretendimin për vendime të padrejta të organeve administrative, prokurorisë dhe gjykatës lidhur me konfliktet e pronësisë. Këta shtetas ankohen për zvarritjen e gjatë të proceseve administrative, hetimore dhe gjyqësore, prezencën e praktikave korruptive nga funksionarët e administratës publike dhe organet e drejtësisë, ndryshimet e vazhdueshme të legjislacionit, çka mund të ketë ndikuar në cenimin e parimit të sigurisë juridike, etj. Shpesh herë, konfliktet e pronësisë midis shtetasve janë bërë shkak për kryerjen e veprave penale si rrahje, plagosje, vrasje, etj.. Gjithashtu, konfliktet për pronën kanë degraduar deri në krime brenda familjes, si plagosje apo vrasje midis vëllezërve, motrave, etj.. Nga monitorimi i medias për vitin 2013, rezulton se, çështjet lidhur me të drejtën e pronësisë kanë të njëjtat problematika, si ato të evidentuara në vitet pararendëse. Procesi i kthimit dhe i kompensimit të pronave vazhdon të jetë tepër i debatuar. Shoqatat e ish pronarëve ankohen për mungesë të planifikimit real të fondeve, në buxhetin e shtetit, për të mundësuar kompesimin e ish pronarëve në vazhdimësi, të cilët presin prej vitesh realizimin e kësaj të drejte… Nga ankesat që KShH ka marrë rezulton se, familjet që janë larguar forcërisht nga banesat e ish- pronarëve nuk kanë përfituar një strehë tjetër, pasi të ardhurat e tyre kanë qenë të pamjaftueshme për të marrë kredi me kushte favorizuese për blerjen e banesave sociale, siç parashikon ligji. Ata ankohen se nuk u është ofruar asnjë alternativë tjetër strehimi dhe se nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiratë, që ka tregu i qiramarrjes realisht në vend. Situata ka qenë

    mjaft shqetësuese për ato familje të qiramarrësve, që jetojnë në pronat e ish pronarëve, të cilat kanë në përbërje të tyre persona të moshuar, fëmijë dhe persona madhorë të papunë. Në kuadër të këtyre ankesave ka patur pretendime për moszbatim të ligjit nga ana e autoriteteve përgjegjëse si Enti Kombëtar i Banesave, organet e policisë, organet e përmbarimit etj.. Largimet e qiramarrësve nga banesat e ish-pronarëve, përveç se gjeneruan probleme sociale dhe pasoja, sepse privuan ata shtetas nga gëzimi i të drejtës për një jetë familjare të qetë, në disa raste largimet me forcë u shoqëruan edhe me incidente të tilla si, tentativa për akte vetëvrasje, ose vdekje për shkak të kushteve tepër të rënda të jetesës, të cilat u imponuan si rezultat i mungesës së një alternative tjetër strehimi. Kështu, mund të përmendim rastin e humbjes së jetës së 87- vjeçares Sofie Qëndro, qiramarrëse e rregullt në banesën e një ish- pronari, në qytetin e Durrësit. E moshuara bashkë me nipin e saj 67- vjeçar, pasi u larguan forcërisht nga banesa u detyruan të jetonin, për 6 javë, në kushte tepër të rënda dhe jo humane, në një barakë të improvizuar, të vendosur në një lulishte pranë Bashkisë Durrës. KShH respekton të drejtën e pronësisë së shtetasve, por dëshiron të tërheqë vëmendjen e autoriteteve shtetërore se, nismat legjislative, që kanë si qëllim kthimin e pronave tek ish- pronarët, duhet të shoqërohet dhe me rregullime që imponojnë marrjen e masave të nevojshme, që do të sigurojnë strehim për të gjithë ata shtetas që kanë banuar ligjërisht në këto pasuri dhe nuk kanë mundësi financiare për të vetësiguruar strehim. Marrja e masave të tilla është, jo vetëm tregues i ekzistencës së një shteti social, por dhe i trajtimit të shtetasve në mënyrë të barabartë. KShH gjatë vitit 2013, trajtoi një ankesë kolektive nga disa qytetarë të Tiranës për shpronësimet në interes publik, në lidhje me zbatimin e projektit të zgjatimit të Bulevardit “Zogu i Parë”. Ata pretendonin cenim të të drejtave të pronësisë, nga shpronësimi dhe të interesave të tjera të ligjshme.

    Konkretisht, banorët e truallit të shpronësuar pretenduan mungesë transparence nga grupi i punës së Komisionit të Posaçëm të Shpronësimeve pranë Ministrisë së Brendshme, për vlerësimin paraprak të pronave të tyre, zbatimin e procedurave të pabazuara në ligj, pabarazi dhe diskriminim në caktimin e vleftës së shpronësimeve dhe ofrim i shpërblimit që nuk mundëson as minimumin jetik për strehim, etj..

    KORRUPSIONI NË GJYQËSOR

    Një çështje tjetër e diskutuar shumë, kohët e fundit, është fenomeni i korrupsionit në sistemin gjyqësor. Ashtu si gjatë vitit 2012, nga kontaktet dhe komunikimi me ankuesit, që na janë drejtuar, rezulton se besimi i shtetasve në organet e drejtësisë është ulur më tej. Ekziston gjerësisht perceptimi se gjyqtarët janë të korruptuar, të njëanshëm dhe në disa raste ankuesit shprehen se e vetmja mënyrë për të vendosur drejtësi në Shqipëri është vetëgjyqësia. Ministria e Drejtësisë së fundmi i ka dhënë prioritet denoncimit të rasteve të korrupsionit dhe për këtë arsye ka hapur në portalin e saj dhe një faqe nëpërmjet të cilës të gjithë qytetarët mund të denoncojnë rastet e korrupsionit në gjyqësor. Deri në fillim të dhjetorit 2013 në këtë portal, numri i denoncimeve ishte rreth 450. Në raportin e Transparency International, bazuar në perceptimin e qytetarëve për korrupsionin, për vitin 2013 e ka renditur Shqipërinë në vend të 116, nga vendi 113 që ishte në vitin 2012. Një rast flagrant lidhur me fenomenin e korrupsionit në sistemin gjyqësor u evidentua nga emisioni “Fiks Fare”, i cili kishte investiguar denoncimin e qytetarit që pretendonte korrupsion nga Kryetari i Gjykatës së Pukës, Prokurori i kësaj gjykate si dhe disa punonjës të administratës gjyqësore8. Aktualisht nga të gjitha institucionet shtetërore, duke përfshirë dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Çështja “21 janari” gjithashtu është ndër çështjet të cilat kanë një sensibilitet të lartë.  Çështja Lika & Laska – Lidhur me shqyrtimin gjyqësor për këtë çështje Gjykata e

    Strasburgut ka konstatuar proces të parregullt gjyqësor. Pasi një vit më parë, me kërkesën tonë, Gjykata e Lartë vendosi rishikimin e vendimeve penale të dhëna për këtë çështje, të pandehurit u përfaqësuan në Gjykatën e Apelit Shkodër, e cila vendosi përfundimisht pushimin e çështjes penale, për shkak të mos provimit të fajësisë së tyre. Ky vendim i dha fund përpjekjeve disavjeçare të KShH-së për rivendosjen e të drejtës së shkelur të ankuesve për një proces të rregullt gjyqësor. Një çështje tjetër që KSHH po ndjek që prej vitit 2011, është përfaqësimi i rastit të një personi që ka humbur jetën në kushte çnjerëzore në ambientet e një spitali publik, ku ishte shtruar për t’u mjekuar, gjatë kohës që ishte duke vuajtur një dënim penal. Çështja është ende në proces shqyrtimi në Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk pranoi legjitimimin e vëllait të të ndjerit për të ushtruar ankim ndaj vendimit të prokurorit për të refuzuar fillimin e çështjes penale. Koha e gjatë, më shumë se një vit e gjysmë, që kjo çështje pret për shqyrtim në Gjykatë të Lartë, zvogëlon mundësinë rihetimit të drejtë të kësaj çështjeje.