Raporti i INSTAT, Rama: Inkurajues, por problem mungesa e kualifikimit!

423
Sigal

TIRANË – Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vlerësuar raportin e bërë publik dje nga Instituti i Statistikave lidhur me shkallën e rritjes së punësimit në tremujorin e tretë të këtij vitit, ku numri i të punësuarve është rritur me 3.7% ose 78 844 persona më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në sallën e Kuvendit, duke bërë një analizë të gjithë raportit dhe sektorëve ku raportohen më shumë të punësuar, kryeministri Rama theksoi se edhe raporti i INSTAT faktoi me shifra rrugën e ndërmarrë nga qeveria, në kuadër të shtimit të numrit të të punësuarve.

Pavarësisht kësaj, shefi i qeverisë, nënvizoi se ka ende shumë punë për të bërë dhe shumë sektorë të cilët kanë hapësira të mëdha përmirësimi siç është sektori i industrisë përpunuese.

Kjo sipas kryeministrit vjen për shkak të një sistemi arsimor jo të duhur që ishte praktikuar deri më tani në vendin tonë, ku të gjithë përfitonin arsim të lartë duke lënë mënjanë arsimin profesional.

Në këtë kontekst Rama u shpreh se ende në vendin tonë mungon krahu i punës i kualifikuar dhe kjo u tregua qartë edhe nga raporti i INSTAT.

“Ajo çka mbetet problem dhe për të cilin duhet të gjejmë rrugën e përshtatshme është kualifikimi i forcave të punës. Kemi një nivel kualifikimi tragjik i forcave që kërkojnë punë në mënyrë aktive në administratë. Me hyrjen në fuqi të ligjit të dakordësuar me BE, kemi një sistem krejtësisht të ri aplikimi, dhe të pavarur nga ministritë dhe politika. Por çfarë ndodh, në valën e parë, mbi 5000 konkurentë për 150 pozicione, arritën të zënë punë 38 vende ndërsa të tjerët bosh. Kjo tregon se kemi një problem të madh që është kualifikimi. Dhe të gjitha ato diploma prej kristali, tani po ju vijnë me një faturë të madhe zhgënjyese. 7000 aplikime të reja kemi të atyre që janë rifutur në konkurim, por çka ne duhet të bëjmë është të rrisim vetëdijen se këta njerëz duhet të punojnë me kualifikimin. I njëjti problem shfaqet në industri, ku kualifikimi që kërkohet, dhe në mungesë të një rrugëtimi në një sistem normal arsimi që nuk ka ekzistuar, shumë raste kemi ku investitorët hapin edhe portofolin e trajnimit profesional.” theksoi kryeministri