Raporti i “Frontex”: Shqiptarët, mjeshtër të falsifikimit të dokumenteve!

575
Shqiptarët kryesojnë listën e falsifikatorëve të dokumenteve të udhëtimit drejt hapësirës “Shengen” dhe ishujve britanikë, sipas raportit të fundit të Frontex për vitin 2016 dhe katër muajt e parë të vitit 2017. Gjatë vitit 2016 shqiptarët kanë paraqitur 359 pasaporta të falsifikuara për të hyrë në kufijtë “Shengen”, ndërsa në muajt e parë të vitit 2017 kanë tentuar mashtrimin me dokumente udhëtimi 91 shqiptarë. Një e treta e udhëtarëve shqiptarë me pasaporta të falsifikuara janë zbuluar në rrugëtimin drejt Britanisë së Madhe dhe Irlandës sidomos nga aeroportet italiane, gjermane dhe spanjolle. Kosova renditet e dyta me dyqind shtetas që kanë tentuar kalimin në “Shengen” gjatë vitit 2016 me pasaporta të falsifikuara të vendeve anëtare të BE-së. Ndërsa shqiptarët kanë preferuar të falsifikojnë dokumente udhëtimi italiane, greke apo rumune, kosovarët kanë preferuar masivisht ato zvicerane. Pas ukrainasve, shqiptarët zënë vendin e dytë për refuzimin e hyrjeve në kufijtë “Shengen” ndërsa renditen të parët për kthimin me forcë të atyre që kanë mundur të hynë ilegalisht në BE. Të parët renditen shqiptarët dhe për falsifikimin e pasaportave të tyre biometrike. Në vitin 2016 janë kapur 266 shtetas të huaj që kanë tentuar ta përdorin pasaportën shqiptare të falsifikuar, ndërsa në muajt e parë të vitit 2017, janë 47 shtetas të huaj të tillë. Lista vijon me falsifikatorët serbë dhe ata turq. Surprizë në raportin e Frontex përbëjnë një numër pasaportash të falsifikuara kubaneze, rreth 11 në vitin 2016 dhe 7 të tilla në muajt e parë të vitit 2017, të përdorura për të hyrë në ish republikat jugosllave, me të cilat vendi komunist ka marrëveshje prej kohës së qeverisjes së Josif Broz Titos.
Sigal