Rapi Simo/ Zoti kryeminister! A do zbatohet Ligji mbi “Statusin e Ushtarakut”?

    462
    Sigal

    Kanë kaluar mbi 21 vjet nga dita kur në qershor të vitit 1992 u liruan me mijëra ushtarakë. U liruan dhe u hodhën në rrugë të madhe pa kurrëfarë kriteri. Punuan dhe sakrifikuan një jetë të tërë për atdheun në shërbim të popullit dhe më në fund morrën si shpërblim braktisjen, diskriminimin dhe persekutimin ekonomik dhe politik duke i quajtur ata të kuq dhe enveristë. U deshën 12 vite përpjekje dhe protesta të shumta dhe më në fund u miratua ligji mbi Statusin e Ushtarakut. U miratua në prill të vitit 2004, në fund të mandatit të Qeverisë “Nano”. E më pas ai u konsiderua si një ligj elektoral nga Qeveria “Berisha”. Kanë kaluar 12 vjet nga miratimi i këtij ligji e nëse vështrojmë dhe e krahasojmë, apo e ballafaqojmë se si është zbatuar ky ligj nga Qeveria “Berisha”, ai është zhvlerësuar e përgjysmuar me hedhje e përdredhje të Qeverisë përmes vendimeve dhe akteve normative me të “drejtën e Maliqit” dhe jo në zbatim të ligjit, e për pasojë në dëm të ish ushtarakëve që numërohen mbi 20 000 të tillë. E sot, po shikojmë që diferencimet e masës së pensionit për ish ushtarakët janë të mëdha dhe me standarde të ndryshme. Brenda këtij lloji numërohen mbi 4-5 grupe. Grupi i ish ushtarakëve që u liruan në qershor 1992 e më pas 1993, 1994, është grupi më i dëmtuar dhe i diskriminuar. Të gjithë këta ish ushtarakë që kanë dalë në pension të plotë pleqërie, para vitit 2000, pavarësisht detyrave që kanë patur, gradave apo të ardhurave mujore që kanë marrë, sot marrin një pension minimal pa përjashtim. Kjo ndodh, se përveç ndërhyrjeve që janë bërë në ligj përmes vendimeve dhe akteve normative dhe për faktin se shumica e viteve të punës nga këta ish ushtarakë janë para vitit 1991, ndërsa përllogaritja e pensionit bëhet sipas ligjit të ri që ka dalë në vitin 1993. Në përllogaritjen e pensionit nuk ka konvertim të vlerës së lekut, kjo, sepse koeficienti i përdorur është pothuajse zero. Po kështu e në mos më keq ndodh edhe me pensionet e parakohshme, ku në kundërshtim me ligjin është ulur masa e pensionit të parakohshëm dhe çfarë është më e keqja po i kthejnë paratë Qeverisë, që atyre u takonte të merrnin sipas ligjit.

    Zoti Rama, kryetar i PS-së, në një takim që zhvilloi me ish ushtarakët në Tiranë kërkoi mbështetjen e ish ushtarakëve për PS dhe premtoi se kur të vijnë në pushtet do të zbatojnë ligjin e Statusit të Ushtarakut dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se do të heqin Aktin Normativ të Qeverisë “Berisha”. Zgjedhjet u zhvilluan dhe u fituan nga koalicioni i majtë me në krye PS, Qeveria e re u krijua me në krye zotin Rama. Natyrshëm, ne ish ushtarakët sot pyesim Kryeministrin Rama: A do të zbatohet ligji mbi Statusin e Ushtarakut, ashtu siç është? A do të shfuqizohen vendimet dhe Akti Normativ i Qeverisë “Berisha”? Dhe nëse po, atëherë kur? Ne nuk besojmë se ky ndryshim do të kërkojë shumë punë dhe kohë, nëse është dëshira dhe përkushtimi i Qeverisë dhe e Kryeministrit Rama. Ne ish ushtarakët e bëmë detyrën tonë dhe mbështetëm PS për të ardhur në pushtet. Shpresojmë dhe besojmë se Kryeministri Rama dhe qeveria e tij do të mbajë premtimin e do ta zbatojnë shpejtë atë, për ta zgjidhur problemin e ish ushtarakëve në zbatim të Ligjit dhe Vendimit të Gjykatës Kushtetuese.