Ramiz Alia: Ja kush do jetë “Demokracia” jonë

    1234
    Sigal

     Zbulohet diskutimi top-sekret i Ramiz Alisë në mbledhjen e Byrosë politike në vitin 1989 dhe  platforma që ai mori nga Gorbaçovi

    Takimi i partive komuniste që u mbajt në Katovicë (Poloni) në vitin 1986 vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më të mistershme të shekullit. Kjo, jo vetëm për faktin se, nuk ka asnjë të dhënë të hollësishme në lidhje me çfarë është diskutuar, por se ky takim shënoi përfundimisht shpërbërjen e bllokut komunist në tërësi dhe atij lindor në veçanti. Dihet në terma të përgjithshëm se në këtë takim ish-udhëheqësi i BRSS-së, Mihail Gorbaçov u ka deklaruar vendeve të lindjes se ekonomia jonë po shkon drejt katastrofës dhe se ne nuk jemi në gjendje të furnizojmë me material për industritë civile dhe ushtarake ekonomitë tuaja. Ndaj duhet të gjejmë metoda të reja të mbijetesës sipas sistemit perëndimor, por gjithmonë duke trashëguar pushtetin me metoda dhe mënyra të tjera. Kaq dihet dhe se ky takim ende edhe sot përbën një mister, i cili rri i fshehur apo arkivuar dhe askush nuk ka mundur të marrë më shumë informacion. Ky takim u pasua pas disa vitesh me rënien e Murit të Berlinit dhe shpërbërjen e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Kjo i detyroi vendet e lindjes që në bazë të një strategjie, e cila ishte e paracaktuar në nivele të larta midis Moskës dhe Uashingtonit të fillonin përgatitjet për një kalim të butë nga sistemi i mëparshëm socialist drejtë atij të kapitalizmit bashkëkohor. Sigurisht që, lufta e ftohtë jo vetëm që krijoi tensione mes dy blloqeve , të cilat po të mos ishin zbutur nga toleranca dhe mendjet e ftohta mund të kishin sjellë katastrofën atomike për rruzullin tokësor. Ndaj ky kapërcim i butë do të ishte në fund të fundit edhe ardhja e lirisë së pritur dhe krijimi dal ngadalë i demokracive të reja në vendet lindore. Pak ditë pas ndarjes nga jeta të Ramiz Alisë një nga figurat e botës akademike dhe më vonë të politikës të viteve 1986-1990 në një bisedë konfidenciale deklaroi se Alia ishte një nga njerëzit që në mënyrë të heshtur dhe me dijeninë e udhëheqjes së kohës, madje edhe të Enver Hoxhës mbante lidhjet e tërthorta me ish- bllokun lindor dhe se ka qenë ndër të vetmit që ka patur njohuri dhe dijeni për atë çka orientoi takimi i Katovicës. Kjo nuk ishte rastësi, pasi vetë Alia kishte studiuar dhe kishte një njohje të hershme me vetë Gorbaçovin.

     Deri në 1979, R. Alia ishte zëvendës i H.Kapos, drejtor ky, i Shërbimit Sekret të partisë që kontrollonte dhe vetë Sigurimin. Me vdekjen e tij, R. Alia mori krejt kontrollin gjë që, se ka pranuar kurrë edhe pse askush nuk e ka pyetur kurrë. Mirëpo ndërkaq kjo dihet brenda e jashtë vendit. Më vdekjen e E. Hoxhës agjencitë e huaja lajmëruan që zëvendësuesi i tij ishte shefi i Policisë Sekrete partiake. Si i tillë nuk të çudit e ashtuquajtura, mundësi e tij potenciale për të ushtruar dhunë edhe në “demokraci”. “Por kemi edhe organet tona të dhunës. Nëse do të jetë e nevojshme do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjikë në PUSHTET, që ju i dini mirë se sa na kanë ndihmuar… Pavarësisht konflikteve që kemi pasur me ta, duhet ta dini se na bashkon kauza e pushtetit të komunistëve pavarësisht nga nuancat dhe përplasjet e përkohshme” (Projekt Pluralizmi, R. Alia mbledhja e Byrosë Politike në 1989)

    Gazeta “Telegraf” nëpërmjet burimeve tepër konfidenciale nga një mik (shtet) i madh perëndimor ka mundur të sigurojë një faksimile të mbledhjes së Byrosë Politike që u mbajt në tetor të vitit 1989. Ja teksti i plotë i pacensuruar:

     

    Ja kush do të jetë demokracia jonë

    Marrë nga vendimet e Byrosë Politike në tetor, viti 1989

    Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij Kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji, u tha Ramiz Alia të pranishmëve.

    Kjo strategji do të synojë në dy drejtime:

    1) Në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në

    2)  Në krijimin e pluralizmit politik.

    Të drejtat e njeriut janë diçka brenda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do të bëhet se s’bën.

    Do t’i nxisim të krijohen parti sa të duan; të majta dhe të djathta e të qendrës, por gjithsesi këto parti duhen të kontrollohen e të drejtohen nga ne, programet e themelimit të këtyre partive do i formulojmë ne.

    Në krye të tyre duhen të nxirren njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin në themel e në çati, në këtë mënyrë do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të Disidencës anti-komuniste.

    Ata që janë në burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë, do të thonë për ne: Dhe këta e urrejnë Komunizmin. Do të aferohen e do na përkrahin. Ne na intereson karta morale e tyre, do t’i aferojmë dhe do t’u japim punë të parëndësishme; Por kurrë nuk do ti lemë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë, fillojnë dhe hakmerren, Neve bëhemi izmeqarët e tyre.

    Në zbatimin e të drejtave të njeriut, duhet që tu japim dhe kompensim në para të burgosurve e tu kompletojmë komoditete banimi. Të sekuestruarve dhe të ç’pronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë, që ju njihet prona, por asnjëherë nuk do tu a japim. Në forma të ndryshme do ti ngatërroni, nga Gjykata e Shkallës Parë në të Dytën dhe për difekte teknike kthehen për rigjykim në Shkallën e Parë. Këta janë të moshuar dhe fuqi nuk kanë, duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre; Por këta duke ju dhënë një pasaportë dhe me pak presion i largojmë jashtë, ata që do pretendojnë dhe do të këmbëngulin, do të lëndohen. Pasuria, e tëra na përket ne. Se ne e bëmë.

    Materialin që më dërgoi Gorbaçovi, kam dy vjet që studioj dhe ata kanë ecur shumë përpara, për këtë jeni në dijeni.

    Neve kemi kuadër sa për shtatë Komitete Qendrore dhe të mos kemi frikë. Ne kemi studimin dhe platformën gati për zbatim, do të ketë shumë intelektualë që do kundërshtojnë, këtyre nuk do ju japim punë.

    Një shqetësim mund të intelektualët pensionistë, këtyre do tu aferojmë krijimin e Shoqatës Veteranëve të Luftës dhe të Punës, do u japim një mini pension dhe do ju mbajmë ison. Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës, le të bëjnë si të duan, neve kemi Platformën tonë.

    Çdo gjë e kemi programuar, strategjinë e kini të gjithë të qartë dhe kemi caktuar rrugët për qëllimin e misionit tonë.

    Nën një propagandë ekstreme kundër Komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla të nomenklaturës së Lartë Komuniste, Ne Komunistët Reformatorë do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, që kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi ne Njerëzit tanë.

    Me këtë strategji brenda dy a tre legjislaturave do të kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste.