Ramazan HOXHA/ Tre klerikët martirët e gjuhës dhe të arsimit shqip në Gollobordë

966
Sigal

Hoxhë Moglica, Haziz Lila dhe Vasil Pleushku, iniciatorë të ngritjes së shkollave shqipe. Braktisën veladonin  morën armët për liri e pavarësi

*Historian

 Lufta dhe përpjekjet për gjuhën dhe shkollën shqipe në krahinën e Gollobordës i kanë rrënjët e tyre në luftën e pandërprerë të popullsisë së saj kundër pushtuesve të huaj, që shkelën truallin shqiptar; kundër qarqeve shoviniste fqinje serbo-sllave dhe të Fuqive të Mëdha, që i përkrahnin ato. Në zjarrin e kësaj lufte, nëpërmjet sakrificave ekstreme dhe me çmimin e gjakut të dhjetëra patriotëve të kësaj krahine, ndërmjet, të cilëve Haziz Lila dhe Islam Lama nga Stebleva, Hasan Moglica dhe Abdi Sallaku nga Okshtuni, Elez Koçi dhe Qazim Duka nga Ostreni, Hysen Destani e Veli Balla nga Trebishti, Vasil Mlladen Pleushku nga Klenja, Murat Qoli nga Zabzuni etj., populli i kësaj krahine mbrojti gjuhën dhe kulturën e tij kombëtare shqiptare… Historia e krahinës së Gollobordës, ku janë gërshetuar kultura dhe gjuhë, është shembull tipik i ashpërsisë së kësaj lufte nëpërmjet kul-turës autoktone të krahinës me kulturat dhe gjuhët e imponuara të pushtuesve sllavë,serbë e bullgarë. Kultura dhe gjuha shqiptare e krahinës, në këtë përplasje të pabarabartë, arriti të mbijetojë dhe t’i shpëtojë asimilimit të plotë, në saj të rezistencës heroike të kësaj krahine, gjë që e tregon edhe hapja e të parës shkollë shqipe në Trebisht të Gollobordës, më 14 prill 1914,shkollë që rezulton si shkolla e parë shqipe në të gjithë krahinën e Dibrës… Po kush janë këta martirë, që u sakrifikuan e dhanë jetën port gjuhën e shkollën shqipe në Gollobordë, në këtë krahinë që nga shumëkush paragjykohet si me etni të dyshimtë nga që është dy gjuhë-folëse?!Ata janë me dhjetëra, por për mungesë hapësire në një numër gazete, do të kufizohemi në disa prej tyre, që me veprën e tyre kanë bërë histori jo vetëm në shkallë krahine, por edhe në shkallë kombëtare.

Haziz Lila, profesori i Gostivarit dhe i Strugës, që solli alfabetin e gjuhës shqipe në Gollobordë

Emra të mëdhenj kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar për arsimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe në këtë krahinë. Jo rastësisht, delegat në Kongresin e Manastirit do të shkonte një nga bijtë më të shquar të Steblevës së Gollobordës, si një ndër 50 delegatët në shkallë kombëtare në këtë kongres: Hoxhë Haziz Lila, siç njihet në dokumentet e Kongresit të Manastirit si Haziz Efendi (Hoxhë Lila), delegat i Steblevës dhe i Bërzhestës. Në agim të shekullit XX një Hazif i ri nga Stebleva e Gollobordës, i porsa ardhur nga studimet e larta që kishte kryer në Stamboll e Paris, u emërua profesor i gjuhës turke dhe frënge në Gostivar, në Strugë e më pas drejtor i shkollës “Idadije” në qytetin e Dibrës së Madhe…Studimet e mesme i kreu në Selanik, ndërsa studimet e larta në Stamboll për teologji, me mbarimin e të cilave mori titullin Hafiz. Më pas u specializua në Francë për teologji dhe astronomi. Si astrolog, ai, njihte ligjësinë e lëvizjes së yjeve dhe bënte parashikime me anë të tyre…Mbas mbarimit të studimeve, kur në moshën 30-vjeçare u kthye në Shqipëri, u përfshi në vorbullën e veprimtarive patriotike të kohës, ku njihet dhe futet në veprimtari të përbashkët me Vehbi Dibrën, Hasan Moglicën, Said Najdenin e patriotë të tjerë. Një aktivitet të gjerë fetar e patriotik në periudhën para shpalljes së pavarësisë, ai do të zhvillonte në Manastir, kur u emërua si Myftiu i Manastirit. Aty, ai bëhet anëtar i klubit “Bashkimi” të Manastirit, që me formimin e tij, në korrik të vitit 1908…Në kuadër të aktiviteteve që zhvillonte ky klub patriotik, Haziz Lila do të merrte pjesë aktive në përgatitjen e kushteve normale për zhvillimin me sukses të Kongresit të Manastirit, që u mblodh nga 14-21 nëntor 1908, kongres që do të merrej me njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe dhe shkrimin e tij me germa latine. Ai, në këtë kongres, u gjet përkrah 50 burrave të shquar të kombit shqiptar, si: Luigj Gurakuqi, Shahin Kolonja, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mihal Grameno, Sotir Peci, Hil Mosi, Mati Logoreci, Bajo Topulli, Gjergj Qiriazi etj..

Menjëherë mbas kongresit, Haziz Lila e zhvendos veprimtarinë patriotike në krahinën e tij. Ai kthehet në vendlindje dhe menjëherë vendos kontaktet me Hasan Moglicën (Hoxhë Moglicën) e Okshtunit dhe patriotë të tjerë të krahinës dhe formojnë grupin e veprimtarëve me figurat më në zë të kohës në krahinë, që njihet si Grupi Patriotik i Gollobordës. Ai solli nga Stambolli dhe një bibliotekë të tërë me libra shqip, përfshi dhe alfabetin e gjuhës shqipe me germa latine, të cilat i shpërndante fshehurazi tek bashkëfshatarët e tij nëpërmjet anëtarëve të grupit dhe veprimtarëve, të cilët merreshin me shpërndarjen e librave shqip dhe mësimin e gjuhës shqipe në fshatrat e krahinës, si: në Steblevë, Okshtun, Klenjë, Tebisht, Ostren e kudo dhe nëpërmjet Vasil Mlladen Pleushkut, i cili kishte profesionin e terziut (rrobaqepës shajaku) edhe në të gjithë krahinën e Çermenikës… Në 1911 ai organizon djegien simbolike të mejtepeve turke në krahinë, në fshatrat Steblevë, Okshtun, Ostren e Trebisht, për t’u dhënë zemër e shpresë banorëve të krahinës se fundi i pushtimit të gjatë turk nuk ishte i largët. Po përgatitej dhe dalëngadalë po dukej në horizont kryengritja e përgjithshme e popullit shqiptar…  Ai hynë në kontakt me patriotë e veprimtarë jo vetëm të Dibrës së Madhe, Ohrit, Strugës e Manastirit, ku kishte pasur aktivitetin e tij, por edhe me patriotin Aqif Pashë Biçaku, prefektin e Elbasanit, me të cilin do ta lidhte një miqësi e ngushtë. Po afrohej ora e madhe e historisë, delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë po marshonin drejt Vlorës, dhe së bashku me ta dhe Haziz Lila si delegat i krahinës së Gollobordës, për të marrë pjesë në Kuvendin e Vlorës, më 28 nëntor 1912 për ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë. Me rikthimin e Aqif Pashës, Haziz Lila, nga qeveria provizore e Ismail Qemalit, emërohet kryetar i parë i krahinës së Gollobordës me qendër në Klenjë. Me t’u kthyer nga Vlora, ai shpalli bashkimin e krahinës me prefekturën e Elbasanit dhe qeverinë e Vlorës, ngriti administratën dhe vendosi gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, në kushtet e një represioni të egër të ushtrisë serbe, e cila kishte pushtuar trojet shqiptare deri në lumin Shkumbin. Në të gjitha aktivitetet, mbledhjet, tubimet dhe në përpilimin e dokumentacionit të përdorej vetëm gjuha shqipe. Gjatë të gjithë kohës, si kryetar i krahinës së Gollobordës, ai nuk pushoi së punuari në mbrojtje të pavarësisë së Shqipërisë dhe të ruajtjes së tërësisë territoriale të saj… Në këto kushte të vështira, Haziz Lila ngriti një forcë vullnetarësh të armatosur dhe nën komandën e patriotit Ahmet Bejtaga nga Kavaja, i cili ishte emëruar nga qeveria e Ismail Qemalit, komandant i xhandarmërisë së krahinës së Gollobordës me qendër në Klenjë, u vu në mbrojtje të çdo pëllëmbe toke të shtetit shqiptar të sapoformuar… Më 22 janar 1914, kur qeveria e Ismail Qemalit dha dorëheqjen dhe qeverisjen e vendit e mori komisioni ndërkombëtar i kontrollit, ai vazhdoi të kryente detyrën edhe në qeverinë e Princ Vidit, e cila u formua më 7 mars 1914. Por, Haziz Lila, edhe më tutje, nuk do ta ndalonte aktivitetin e tij patriotik në mbrojtje të gjuhës dhe arsimit shqip, si dhe lufton kundër reaksionit serb e mbrojtjen e trojeve shqiptare, deri sa më 7 qershor 1915 vritet e masakrohet barbarisht nga shovinistët serb. Kjo vrasje politike u realizua pikërisht në Llakavicë të Steblevës, aty ku ai kishte bërë rezistencën më të madhe të tij kundër elementëve serbofil dhe Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve, të cilët kërkonin edhe më tutje ndryshimin e kufirit shtetëror në dëm të interesave të krahinës e të shtetit shqiptar. Aq e thellë ishte urrejtje e kriminelëve sadist serb kundrejt këtij patrioti,sa që i zhdukën edhe kufomën, që ai të mos kishte varr dhe, në vendin e krimit u gjendën vetëm rrobat e përgjakura të tij. Kështu mbaroi jeta dhe veprimtaria e intelektualit dhe patriotit të krahinës së Gollobordës, Haziz Lila; një jetë kushtuar tërësisht interesave kombëtare. Haziz Lila është shpallur “Dëshmor i Atdheut” dhe, tani, së bashku me Komitetin Shtetëror të Vlerësimit të figurave të rëna para vitit 1944, po punojmë për të ringritur një varr simboli në “Varrezat e Dëshmorëve të Kombit” në Tiranë. Në nëntor të vitit 2008, me rastin e ceremonive të organizuara në kujtim të 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, me ftesë të Komisionit Qendror, të ngritur nga shqiptarët e Maqedonisë, morën pjesë dhe nipi (djali i vajzës) së Haziz Lilës dhe të afërm të tjerë të familjes, ku, për herë të parë, panë fotografinë e gjyshit të tyre, të ekspozuar në stendat e muzeut.

Vasil Mlladen Pleushku, patrioti që inspironte shqiptarizmin në Gollobordë

Vasil Mlladen Pleushku u lind më 1863 në një familje me tradita të shquara patriotike nga Klenja e Gollobordës. Ishte njeri i thjeshtë i pajisur me virtyte të larta e ndjenja patriotike dhe ushtronte profesionin e terziut. Familja e tij njihej si një familje e ndershme dhe patriote, e cila ushtronte brez pas brezi profesionin e terziut (rrobaqepësi të shajakut). Babai i tij, Mlladeni, si dhe gjyshi, Ilia, si njerëz të ndershëm dhe mjeshtër të vërtetë të profesionit të terziut, kishin edukuar tek Vasili jo vetëm dashurinë për profesionin e tyre familjar, por e kishin pajisur me virtyte të larta humane e ndjenja patriotike. Nga origjina e tij trashëgoi jo vetëm zanatin, por edhe trimërinë, trashëgoi pushkën dhe besën e i vuri ato në shërbim të çështjes kombëtare. Veprimtaria e tij patriotike ka një diapazon të gjerë, që shtrihet në të dyja etapat e historisë sonë kombëtare, si përpara shpalljes së pavarësisë nga robëria turke më 1912, ashtu edhe më pas kundër ushtrive pushtuese serbe në krahinën e Gollobordës. Qysh në fillimet e veprimtarisë së tij aktivizohet në grupin patriotik të Gollobordës. Profesioni e kishte bërë që të njihej dhe të formonte një rreth të gjerë miqsh e të njohurish. Duke qenë aktiv dhe në marrëdhënie të ngushta me patriotë të tjerë të grupit, ai propagandonte kundër robërisë turke dhe inspironte shqiptarizmën kudo. Në grup ai kishte detyrën e korrierit dhe të shpërndarësit të librave dhe periodikëve në gjuhën shqipe, të cilat i merrte nga patrioti Haziz Lila dhe i shpërndante kudo nëpër fshatrat e krahinës. Duke qenë rrobaqepës ambulant shajaku, që endej në çdo fshat për të siguruar bukën e gojës, e kishte më të lehtë kryerjen e detyrës së korrierit e të shpërndarësit të librave shqip pa rënë në sy të pushtuesit. Kudo që shkonte, librat shqip i mbante me vete, në calikun e bukës, ngjeshur pas brezit dhe në torbën e veglave të punës, ndërsa në krahë mbante pushkën. Duke u endur fshatrave të Gollobordës, por edhe në ato të Çermenikës për të ushtruar profesionin e tij të terziut, shpërndante edhe librat shqip sipas rrethit miqësor, që kishte në fshatrat Prevall, Orenjë, Gurakuq etj., e në të gjitha fshatrat e kësaj krahine, ku ai shkelte. Në veprimtarinë e tij patriotike të shpërndarësit të librave shqip, ai ishte i vetëdijshëm për rrezikun e madh që kishte kjo veprimtari po të binte në sy të autoriteteve turke. Por, në dejet e gjakut të këtij patrioti vlonte gjak shqiptari, ndaj kudo që shkonte bënte thirrjen: “Që të gjithë sa jemi, shqiptarë, myslimanë e të krishterë, të jemi në një mendje e jo të përçarë për të kërkuar lirinë e vatanit nga pushtuesit otomanë. Në vitin 1911, Vasil Pleushku, në përbërje të grupit patriotik të Gollobordës, së bashku me patriotë të tjerë, si: Haziz Lila, Hasan Moglica, Abdi Sallaku, Murat Qoli, Elez Koçi, Hysen Destani etj., ndërmorën aksionin e djegies të mejtepeve turke në fshatrat Steblevë, Okshtun i Madh e Trebisht. Shembull i lartë patriotizmi qe veprimtaria e tij, jo vetëm kundër perandorisë turke, por mbas vitit 1912 edhe kundër veprimtarisë shoviniste të shteteve fqinj serbo-sllav. Ai mori pjesë në luftën kundër ushtrisë pushtuese serbe në vitet 1912-1913 e deri sa dha jetën më 7 gusht 1915 në përpjekje me agresorët shovinist serb në malin e katundit Jabllanicë, të cilët i zhdukën dhe kufomën. Veprimtaria patriotike e këtij elementi ortodoks kundër shovinistëve serbë, vërteton më së miri se edhe ortodoksët e krahinës së Gollobordës janë me origjinë shqiptare, në kundërshtim me teorinë e sllavëve se elementi ortodoks në këtë krahinë i përket kombësisë serbe. Vrasja e këtij patrioti shënoi vrasjen politike të radhës nga ana e shovinistëve serbë ndaj anëtarëve të grupit patriotik të Gollobordës, ashtu siç kishin bërë me Haziz Lilën, Hasan Moglicën, Abdi Sallakun, Elez Koçin, Qazim Dukën, Hysen Destanin, Murat Qolin etj…

Hoxhë Hasan Moglica, martir i gjuhë dhe i arsimit shqip në Gollobordë

Në qoftë se Haziz Lila mund të konsiderohet si ideologu i lëvizjes kombëtare në krahinën e Gollobordës, padyshim që, Hasan Moglica (Hoxhë Moglica) ishte krahu i armatosur i kësaj lëvizjeje. Historia e martirëve shqip-tarë të gjuhës dhe arsimit shqip, ka regjistruar në vitin 1915, edhe Hoxhë Moglicën e Okshtunit të Gollobordës, i cili ra nga plumbat e ushtarëve serbë tek Ara e Sheremetit të Moglicës, me thirrjen burrërore:”Rroftë Shqipëria! Rroftë kombi shqiptar!”. Kjo thirrje i tmerroi ushtarët serbë, të cilët kishin bërë shumë përpjekje që ta kapnin këtë hoxhë arrogant, por elokuent, këtë hoxhë që së bashku me fjalët e Zotit, luftoi edhe për Shqipërinë e lirë e të pavarur. Hasan Sheremeti (Sula) Alias Hoxhë Moglica, ka lindur në Okshtun të Madh të Gollobordës, më 1852,në një familje me ndjenja të thella patriotike e atdhetare. Ai, shumë shpejt, ndjeu peshën e rëndë të pushtimit turk dhe u rrit e u burrërua me urrejtjen që kishte familja e tij ndaj pushtuesit turk, që u kishte marrë frymën. I pajisur me një zgjuarsi natyrale, ai, mbaroi mejtepin (shkollën fillore turke) në Peqin të Elbasanit, ku i ati i tij punoi si usta dhe në moshën 24 vjeçare mbaroi edhe medresenë (shkollë e mesme) turke në Elbasan, duke marrë titullin hoxhë (për mësues e predikues të fesë islame), titull të cilin do ta mbante deri në çastet e fundit të jetës së tij. Mbas mbarimit të medresesë, i pajisur me një kulturë fetare të admirueshme, kthehet në fshat si imam i xhamisë së Okshtunit. Aty, përveçse predikimeve fetare, duke u nisur nga fjalët e Profetit “Hulum vatan, minel imam”, se “Pa atdhe, nuk ka as fe”, ai, iu përkushtua veprimtarisë patriotike, duke grumbulluar rreth vetes bashkëkrahinarët e tij. Xhamia e Okshtunit, ku shërbente si imam dhe shtëpia e tij, shumë shpejt u kthyen në strehën e veprimtarive të armatosura të krahinës, që kishin dalë për liri a vdekje kundër pushtuesit otoman e që ndiqeshin nga qeveritarët turq të kohës. Hoxhë Moglica u brumos me idenë e rilindësve se, lufta e armatosur për liri e pavarësi nuk mund të ketë sukses pa zgjuar ndërgjegjen kombëtare nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe dhe të ruajtjes së kulturës kombëtare. Këtyre ideve iluministe, ai, u kushtoi të gjithë jetën e tij, duke i propaganduar e përhapur kudo, e duke i zbatuar në shërbim të popullit të krahinës së tij. Ai ishte një shkëndijë e gjallë e veprimtarive kombëtare në krahinën e Gollobordës, për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe e të librit shqip ndër banorët e kësaj krahine. Në vitet 1877-1878, Hoxhë Moglica zhvilloi një veprimtari konkrete patriotike, duke luftuar me armë më dorë kundër pushtuesve tradicional turq, por edhe kundër synimeve grabitqare të shovinistëve të rinj ballkanas, që kishin filluar të aktivizoheshin në dëm të trojeve shqiptare. Kjo veprimtari e tij i kaloi kufijtë e Okshtunit dhe u përhap në të gjithë krahinën e Gollobordës e të Dibrës. Për të përballuar rrezikun, që u kanosej trevave shqiptare të krahinës, ai ngriti një repart vullnetarësh të armatosur për vetëmbrojtje me bashkëfshatarë të tij të përkushtuar e trima. Në vitet e stuhishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke qenë anëtar i Lidhjes për krahinën e Dibrës, ai zhvilloi një veprimtari të dendur patriotike. Në këtë kohë, ai shoqëroi ideologun e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, Abdyl Bej Frashërin, i cili në rrugëtimin e tij nga Jugu në Veri, për të marrë pjesë në mbledhjen e Lidhjes në Prizren, kaloi nëpër Gollobordë e malet e Okshtunit dhe mbasi bujti e u çlodh për dy net në shtëpinë e Hoxhë Moglicës, u nis për në Prizren, i shoqëruar nga Hoxha deri në Dibër të Madhe. Edhe mbas mbarimit të punimeve të mbledhjes, kur Abdyl Frashëri u kthye, duke ndjekur të njëjtin itinerar, Hasan Moglica e priti atë në Dibër të Madhe e duke kaluar nëpër Okshtun, e shoqëroi vetë deri në teqenë e Martaneshit dhe, prej këtu e deri te miqtë e tij në Tiranë, Abdyl Frashërin e shoqëruan njerëzit e besuar të Hoxhës, ndër të cilët edhe Myslim Koka nga Okshtuni, bashkë me njerëzit e “Babait” të teqesë së Martaneshit. Në këto vite të stuhishme të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, Hoxhë Moglica u mobilizua totalisht në zbatim të orientimeve të saj. Kjo e bëri të njohur në të gjithë Dibrën, por veçanërisht në krahinën e Gollobordës, ku mban-te lidhje me patriotë të shquar të saj, si me Haziz Lilën e Islam Kurt Samën e Steblevës, Elez Koçin e Qazim Dukën e Ostrenit, Karahasanët e Radoveshit etj. Ai mori pjesë aktive edhe kundër forcave të Dervish Pashës, përkrah forcave të tjera të Dibrës, me vullnetarët e tij të armatosur nga Okshtuni e Golloborda. Autoritetet turke, duke njohur reputacionin e tij në popull, u përpoqën ta afronin, duke i dhënë poste, për ta larguar nga aktiviteti i tij patriotik. Ata i afruan atij postin e myderrizit për krahinën e Gollobordës, duke e shoqëruar atë dhe me një rrogë të majme, por edhe me një fond për të mbajtur 5 (pesë) sejmenë si gardë personale e tij. Duke e parë se kjo detyrë e lejonte të ushtronte aktivitetin e tij patriotik, të maskuar në petkun e shtetarit turk, ai e pranoi atë. Tani e tutje të gjithë lëvizjet e tij nëpër krahinë dhe në të gjithë Dibrën, si dhe në qytetin e Dibrës së Madhe, Elbasanit etj., duke mbajtur lidhje me patriotë të tjerë e atdhetarë, si: Said Najdeni, (Hoxhë Voka), Haziz Lila etj., do të bëheshin më të sigurta në maskën e dovletit. Tani e kishte më të lehtë të siguronte libra shqip nga Said Najdeni, Haziz Lila dhe intelektualë të tjerë të mëdhenj dhe, me shpenzimet e veta t’i sillte në malësinë e Okshtunit e t’i shpërndante nëpërmjet djemve të mejtepit turk të fshatit, që ishte tek Ara e Martinit në Moglicë. Për çdo ditë, pas mbarimit të mësimit në gjuhën turke në mejtep, ai do t’i grumbullonte fëmijët tek Valanica e Sulajve pronar i së cilës ishte ai vetë dhe do të zhvillonte mësim në gjuhën shqipe me ta. Në këtë mënyrë Valanica e Sulajve, krahas rrahjes e ngjeshjes së shajakut, u bë edhe mësonjëtorja e parë e gjuhës shqipe në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX. Detyra e myderrizit dhe veprimtaria intensive patriotike, nuk i linin shumë kohë Hoxhë Moglicës të merrej më mësimdhënien e fëmijëve. Për këtë qëllim ai aktivizoi Hoxhë Qalin nga Zabzuni për t’u dhënë mësim fëmijëve në mejtep, si dhe tinëzisht dhe në gjuhën shqipe në Valanicën e Sulajve… Hoxhë Lila i Steblevës dhe Hoxhë Moglica i Okshtunit, si themelues e organizator të Grupit Patriotik të Gollobordës, gjatë vitit 1909 morën pjesë bashkë në dy kongrese radhazi. Më 22 korrik 1909, ata morën pjesë në Kongresin e Dibrës, ku, përveç të tjerash, u morën vendime që të kërkohej dhe të bëheshin përpjekje për hapjen e shkollave shqipe në të katër vilajetet shqiptare të perandorisë turke, ku mësimi të zhvillohej me germa dhe alfabet latin të miratuar në Kongresin e Manastirit. Ndërsa, në shtator 1909 ata morën pjesë në Kongresin e Elbasanit, ku, midis të tjerave, u vendos edhe hapja e shkollës “Normale” të Elbasanit për të përgatitur mësues për gjuhën shqipe. Të dy bashkë, në zbatim të detyrave të Kongresit të Elbasanit, organizuan shumë kuvende me banorët e krahinës, ku propagandonin vendimet e këtij kongresi. Ndër këto kuvende më me rëndësi ishte ai i Fushës së Klenjës, në tetor të vitit 1909, ku u grumbulluan përfaqësues të armatosur nga çdo fshat i krahinës, në çajret e Imer Bashës nga Gjinoveci në “Bellovodë” (Uji i Bardhë). Në këtë kuvend u fol mbi rëndësinë e ngritjes së shkollës Normale të Elbasanit dhe u kërkua që nga çdo derë e parisë së Gollobordës të dërgohej nga një djalë në këtë shkollë… Të entuziazmuar thellë nga vendimet, që u morën në këtë tubim, Hoxhë Moglica dhe Hoxhë Lila e dendësuan veprimtarin e tyre duke kaluar fshat më fshat për të përgatitur mishjen e djemve për në Normalen e Elbasanit. Dërgimi i 8 nxënësve nga zona e Gollobordës në Normalen e Elbasanit në vitin e parë të hapjes, kur numri i përgjithshëm i nxënësve nga të gjitha trojet shqiptare ishte 29 nxënës, jo vetëm tregon prirjet dhe etjen arsimdashëse të popullsisë së Gollobordës, por edhe punën durimplotë që kishin bërë Hoxhë Moglica me shokë dhe rëndësinë që ai i jepte përgatitjes të njerëzve të dijes me gjuhë amtare shqip. Autoritetet turke të Dibrës së Madhe, të shqetësuara nga Kuvendi i Fushës së Klenjës dhe vendimet e tij për dërgimin e djemve në Normalen e Elbasanit, dërguan me ngut dy ekspedita ushtarake radhazi nën komandën e kapiteneve turk dhe, në bashkëpunim me karakollin turk të Klenjës donin të arrestonin Hoxhë Moglicën… Por, të dy ekspeditat dështuan në planin e tyre, përballë qëndresës së armatosur të forcave të krahinës, të cilat shfrytëzuan më së miri avantazhet që u jepte terreni i përthyer, me qafat e grykat e maleve të kësaj krahine malore të pamposhtur. Hasan Moglica nuk e ndërpreu për asnjë çast veprimtarinë e tij në shërbim të shkollimit të fëmijëve të Okshtunit e të Gollobordës, duke e kthyer shtëpinë e tij në një shkollë të vërtetë. Në vitet 1910-1912, Hasan Moglica, si mësues e atdhetar që i dëgjohej fjala në çdo kuvend burrash, bënte thirrje për forcimin e çetave të armatosura, duke dhënë fjalën se malësorët e Gollobordës e të Okshtunit do të luftonin deri në fund për trojet e të parëve tanë, kur në Vlorë ndodheshin bashkëluftëtarët e tij, Vehbi Dibra, si përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Mbarëkombëtar dhe Haziz Lila si përfaqësues i Gollobordës, ndërsa Hasan Moglica, me gjithë dëshirën e madhe nuk mori pjesë për shkak të angazhimeve dhe ndjekjes nga pushtuesit serbë… Hasan Moglica, si një fetar që i dëgjohej fjala anë e mbanë maleve të Dibrës, duke e ndjerë rrezikun e madh, që po i kanosej Atdheut të vetë, lëshoi kushtrimin :”Nuk ka kohë për predikime, por, o sot, o kurrë!” Hoqi përkohësisht petkun fetar dhe rrëmbeu pushkën e luftëtarit kombëtar dhe në krye të burrave të krahinës doli tek Ura e Spiles, mbi lumin Drin, ku ushtria serbe e zënë në lak në grykat e maleve të krahinës, la mijëra të vrarë, por dhanë jetën edhe qindra luftëtarë në mbrojtje të trojeve e të shtëpive të tyre. Ndër të rënët për Atdhe ishin edhe 80 bashkëluftëtarë e tij nga okshtunas e gollobordas… Pas pushtimit, serbët nuk harronin disfatën që pësuar në luftë më këta luftëtarë patriotë e trima, ndaj, ata kërkonin hakmarrje, kërkuan të zhduknin krerët, me qëllim që populli, përfundimisht të pranonte robërimin e tjetërsimin e trojeve. Por, me atdhetar të flaktë si Hasan Moglica, pushtuesit kurrë nuk do të gjenin qetësi. Bënë ç’ishte e mundur ta shtinin në dorë. Ndërkohë, që i dogjën shtëpinë dhe familja e tij u largua në fshatrat e Çermenikës, tradhtia e bëri punën e vet. Serbët i arrestuan djalin e vetëm që kishte, Osmanin, i cili kishte mbaruar Normalen e Elbasanit. Patrulla serbe ia solli të lidhur djalin për t’i bërë presion që të dorëzohej, në këmbim të lirisë së djalit, dhe ia arritën qëllimit. E torturuan mizorisht, por nuk arritën ta përkulnin dhe as ta bënin bashkëpunëtor të tyre për të pranuar pushtimin, përkuljen e nënshtrimin. Nuk ishte Hasan Moglica nga ata burra që e shiste Atdheun, por nga ata që për Atdheun e jepte jetën si me le. E çuan tek vendi i ekzekutimit bashkë me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Abdi Sallakun. Ishte 17 qershor i vitit 1915. Në ato pak çaste që i mbeteshin, Hoxhë Hasan Moglica, mori frymë thellë, vështroi Okshtunin e tij e malet përreth me besim se nuk kishte forcë në botë që e vriste lirinë e popullit të vet, që një ditë do të gjendej i lirë e krenar e zot në trojet e veta, e thirri me sa zë kishte: “Rroftë Shqipëria! Rroftë flamuri i Skënderbeut!”Por, plumbat ia prenë fjalën në mes dhe pastaj, trimat ranë në gropën që e kishin hapur vetë me duart e tyre nën kërcënimin e bajonetave serbe. Ndonëse shpirti akoma nuk u kishte dalë e përpëliteshin, u hodhën dheun sipër. Tre ditë më vonë, pasi u largua komanda serbe nga Moglica, familjarët, të afërmit e fshatarët i morën kufomat dhe i varrosën; Hoxhë Moglicën në varrezat e Sulajve në Moglicë dhe Abdi Sallakun në Okshtun të Madh, në varrezat e Sallakëve tek xhamia. Në vitin 1975, Hoxhë Hasan Moglica është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor si dëshmor i kombit, prandaj eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve…