Ramazan ÇEKA/ Myfarete Laze, një zë i fuqishëm i këngës shqiptare

690
Sigal

Myfarete Laze është një këngëtare e njohur. Ajo në shpirtin e saj ka të harmonizuar ngrohtësinë e vajzave të Jugut me çiltërsinë e vajzave shkodrane. Myfaretja trashëgoi butësinë e mirësinë e prindërve të saj duke i shtuar atyre virtyte të reja me të cilat e pajisi qyteti ku lindi, Shkodra e artit, kulturës, humorit e qejfit. .. Myfarete Laze fillon të këndojë që në shkollën fillore. Zëri i saj i veçantë, i kristaltë e tingëllues e bëri pjesëmarrëse të padiskutueshme të aktiviteteve muzikore të qytetit deri në performimin në Festivalet kombëtare të Këngës për Fëmijë dhe pionierë e më vonë në ata për të rritur lokale e kombëtare, duke fituar edhe çmime të ndryshme.  Me pjesëmarrjen e saj në Festivalin e Fëmijëve ajo fiton një çmim të parë, dy çmime të dyta dhe një çmim të tretë.  Në Festivalin e Këngës Qytetare shkodrane fiton Çmim të Parë me krijimtari të kompozitorit Zef Çoba, Çmim të Dytë me Adil Ujkashin dhe Zydi Barbullushin, Çmim të Tretë me Pjetër Gacin dhe kështu po përgatitej të ecte në përfaqësime kombëtare të këngës shqiptare… Vitet kalojnë, Myfaretja, tani një vajzë e re 17-vjeçare ngjitet në skenën e festivalit të këngës në RTSH në vitin 1979…  Interpretimi i parë befasoi audiencën dhe la me gojë hapur specialistët. Karriera e gjatë e Myfaretes në skenë sapo kishte filluar. Kënga që ajo debutoi titullohet “Shoqet tona ilegale” me tekst të Xhuljana Jorganxhi dhe muzikë të Agim Prodanit, të cilën e këndoi përkrah legjendës së këngës shqiptare Vaçe Zela, e cila kishte dhënë edhe pëlqimin e saj për këtë këngëtare të re. Ajo përfundoi studimet e larta, në mënyrë paradoksale jo për kanto, por për gjuhë-letërsi duke u bërë kështu një mësuese e mrekullueshme… Skena është vendi prej të cilit nuk u shkëput asnjëherë. Myfarete Laze, është këngëtarja, e cila ka triumfuar me 13 çmime në festivale, e lidhur pashmangshmërisht me këngën, të cilën e ka sjellë në skenë me një interpretim të jashtëzakonshëm e gati-gati të “frikshëm”. Myfarete Laze suksesin e saj ia dedikon edhe bashkëpunimit me figura të shquara të muzikës shqiptare. Zëri i saj, perfeksioni interpretativ, nuk mund të mos ishin pjesë e kompozitorëve më të njohur për krijimtarinë e tyre. Ajo, gjatë bisedave, me një kujtesë të jashtëzakonshme i përmend, siç thonë shkodranët “krye e për emër”: Agim Prodani, Kujtim Laro, Agim Krajka, Limoz Dizdari, Flamur Shehu, Edmond Zhulali, Alfred Kaçinari, Zef Çoba, Xhavit Ujkani, Luan Barova si dhe poetët Xhuliana Jorgaxhiu, Gjok Beci, Xhevahir Spahiu,  Jorgo Papingji, Agim Doçi, etj.. Ka marrë pjesë në 17 festivale, ka qenë pjesëtare e Koncerteve të Pranverës, në festivalin e interpretuesve dhe gjithmonë është vlerësuar nga juritë. Është nderuar me çmimin “Çesk Zadeja” dhe urdhrin “Naim Frashëri”, “Nderi i Kombit” nga shoqata Unioni Artistik Mbarëkombëtar. “Mirënjohje” nga shoqata kulturore Tiranë. “Mirënjohje e qytetit te Shkodrës” 2004 dhe së fundmi “HONORARY DEGEREE”.

 

Ja ttfarë thonë kolegë e bashkëpunëtorë për ‘të:

Agim Doçi: “Në kapërcyell të viteve ‘78-të, në korridoret e Radio Televizionit Shqiptar, kur të gjithë drejtuesit, krijuesit dhe interpretuesit ishin në “ethet” e përgatitjes së festivalit të fundvitit, një zë drithërues që doli nga studioja e madhe, ku bëheshin përgatitjet nën drejtimin e të paharrueshmit Ferdinand Deda, Eno Koço, apo Ermir Krantia dhe Jetmir Barbullushi, na rrëqethi të gjithëve me vibraton  e  saj!  O Zot na solli ndër mend  Edith Piaff, Mirel Matje… Është Myfarete Laze, është shkodrane! – u përgjigjën plot krenari e dashamirësi Bashkim Alibali dhe dirigjenti e kompozitori i talentuar Jetmir Barbullushi. Pa dyshim edhe unë, i lindur dhe i rritur në Shkodër, ndjehesha krenar sepse në suksesin e Myfaretes, kisha dhe unë “një hise”. Myfaretia ishte simbol i dashamirësisë, i mirësjelljes, i buzëqeshjes plot dritë dhe simbol i mirënjohjes, simbol i humorit të mençur dhe çiltërsisë. O Zot sa e mirë  dhe  fisnike  që  ishte  dhe  është!

I paharruari Kujtim Laro (Morikone Shqiptar), ishte kompozitori gjenial që lumturohej kur Myfaretja pranonte me “ia këndu muzikën e tij”. Jam shumë i kënaqur që në bashkëpunimet e mia të para me këta dy korifenj, ikona të këngës shqiptare, pata dhe unë fatin të bashkëpunoj.

Edmond Zhulali: “Myfaretja është një nga emrat më të spikatur të këngës shqiptare. Me një karrierë të gjatë e të suksesshme ajo mban në repertorin e saj krijime të shumta muzikore që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në memorien muzikore kombëtare. Që në hapat e parë të saj ajo u shfaq dinjitoze plot talent dhe e veçantë. Në opinionin publik ajo u identifikua që në interpretimin e saj të parë si një zë premtues dhe me vlera të vërteta artistike të veçanta duke sjellë një frymë të re. Fati e solli që Myfaretja të interpretonte në Festivalin e RTSH-së, ku këngët interpretoheshin në dy variante, të këndonte të njëjtën këngë me këngëtaren e madhe Vaçe Zela. Ishte një konkurrencë e paimagjinueshme për një vajzë të re. Por Myfaretja jo vetëm që interpretoi në mënyrë të shkëlqyer, por mori dhe vlerësimet më të larta nga Vaçja e madhe, duke u bërë menjëherë një yll i këngës. Padyshim që ky fillim ishte shumë impresionues për Myfareten, por dhe një hap i vendosur mirë për të ardhmen, të cilën e ndërtoi me shumë dashuri e pasion… Me Myfareten ndryshe nga shumë këngëtare me të cilët kam bashkëpunuar, kam patur një lidhje të veçantë, atë të shokëve të një klase në moshën më të sinqertë, atë të shkollës së mesme. Myfaretja edhe sot ashtu ka mbetur një shoqe e mirë korrekte, dinjitoze e plot humor e mbi të gjitha një mike e mirë. Kemi bashkëpunuar shumë bashkë dhe e njoh mirë zërin e saj të cilin e kam regjistruar sa herë në studion time. Një kujtim i paharrueshëm do të jetë kënga “Sa më mungon” me poezi të Gjokë Becit në festivalin e RTSH . Është një këngë që unë e kam kompozuar për Myfareten duke parë dhe aftësitë e mëdha vokale të saj. Aty Myfaretja ka dhënë tërë fuqinë e saj vokale e shpirtërore, duke bërë një interpretim të jashtëzakonshëm.. Myfarete Laze ka interpretuar këngën e saj në skena të ndryshme brenda e jashtë vendit. Nuk lihen pa përmendur turnetë jashtë shtetit, ku ka përçuar vlerat më të mira të muzikës shqiptare në vitet ’85-2014 në Itali, Francë, Gjermani, Austri, Belgjikë, Spanjë, Kanada, Amerikë, Greqi, Zvicër, etj..

Zef Çoba:”Këngëtarja Myfarete Laze e ka nisur karrierën e saj që në bankat e shkollës. Karakteri energjik e kurajoz, talenti e pasioni për artin muzikor, kanë qenë faktorët kryesorë që e kanë bërë të njohur emrin e saj. Myfaretja, arriti që në fillim të ecjes së saj si artiste, të tërheqë vëmendjen e muzikantëve që drejtonin institucione të rëndësishme artistike, e të prezantohet në skenat më të rëndësishme dhe aktivitetet më prestigjioze në shkallë kombëtare, duke fituar simpatinë dhe besimin e kompozitorëve. Emrat më të njohur të krijuesve i besuan asaj interpretimet e këngëve të tyre në koncerte e festivale. Që kur fillova aktivitetin tim në Shtëpinë e Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore në nëntor të vitit 1980 në Shkodër, u njoha me aftësitë e Myfaretit, me  talentin e saj, e mbi të gjitha me karakterin e hapur e kurajoz… “.

Ferid Bala: “Për diplomën e maturës Myfaretja përgatiti një program të gjerë pjesësh të huaja dhe shqiptare, ariesh, romancash dhe këngësh popullore. Ajo kishte një ndjeshmëri të madhe emocionale dhe gjithnjë kur këndonte arien finale të “Butterfly” ishte shumë e shqetësuar, jo për vështirësitë tekniko-vokale që paraqiste aria, por për atë thellësi emocionale e shprehëse që e përshkonte gjatë realizimit në interpretim e sipër. Ajo gjithnjë harronte vetveten dhe ndjehej deri në qelizën e fundit të trupit një “Butterfly” e vërtetë. “.

Behar Arllati :

“…

 Ne në Gjakovë kemi pasur privilegjin që ta ndjekim çdo festival të këngës në RTV dhe mbaj mend mirë se, që në Festivalin e Parë ku ka debutuar në vitit 1979, Myfarete Laze ka treguar se dallon nga këngëtaret tjera. Fillimisht ne në Gjakovë, duke mos pasur dijeni në atë kohë, mendonim se Myfaretja ka kryer studimet për kanto në Tiranë, pasi shtrirja e ambitusit të zërit të saj, përdorimi i regjistrave të zërit, deklamimi dhe artikulimi i fjalës-tekstite deri tek frymëmarrja, ishin në nivelin dhe lartësinë e një këngëtareje operistike. Kam mendimin se ngjyra dhe timbri tepër i veçantë i zërit të saj veçanërisht në regjistrin e lartë, e bëjnë këtë këngëtare krejt ndryshe nga të tjerat. Pothuajse të gjitha këngët e saj janë kënduar vazhdimisht në qytetin e Gjakovës, por do të dalloja sidomos këngët “Shoqet tona ilegale”, “Pragu i vegjëlisë”, “Nusja e maleve”, “Nën kurorën e ullirit”, “Kur çelin bozhuret” dhe sidomos “Udhët e atdheut më thërrasin” që në vitet ’90 ka qenë si një himn në Kosovë”. Bashkim Alibali: “Myfareten e njoh prej shumë vitesh.. Ne për shumë vite kemi kënduar me estradën e Shkodrës. Ka një koincidencë me pjesëmarrjen e saj në festivalet e RTSH, sepse e ndjek numri i fatit 7-ta. Ka marrë pjesë për herë të parë në festival në moshën 17 vjeçare dhe kjo në festivalin e 17, në vitin 1977 dhe është 17 herë pjesëmarrëse ndër festivale. Kur kjo filloi provat me orkestrën, në festivalin e 17 të gjithëve u ra në sy zëri i saj i bukur e duke e krahasuar me këngëtaren e madhe franceze  Mirel Matje. Dhe kështu vazhdoi të këndojë bukur dhe me shumë profesionalizëm në të gjitha festivalet  dhe  aktivitetet  e  tjera  muzikore… Ajo mbetet prapë një zë i bukur, i ri dhe vital, ku këngëtarët e rinj duhet të marrin shembull nga ajo.

           *      *     *

 Albumi “Më mungon” që Myfaretja ka nxjerrë kohët e fundit me 11 këngë të përzgjedhura nga krijimtaria e saj, siç thotë këngëtarja nuk erdhi thjesht si një album komercional, por si një peng, si plotësim i një boshllëku që do të plotësonte fondin e fonotekës së muzikës shqiptare, por njëkohësisht edhe si plotësim i dëshirës së adhuruesve të saj. Në këtë album spikasin këngët: “Të ndez një shpresë”, “Sa më mungon”, “Unë e dua Çamërinë”, bashkëpunim me Aleksandër Gjokën, “Zemër nëne”, “Zemër e trazuar”, “Për një  grua”, “Po të lindja dhe një herë”, “Bozhur” duet me vëllezërit korçar, “Shoqet ilegale” duet me Anjeza Shahinin, Potpuri me këngë të Jugut së bashku me Ervin Bushatin, Soni Malaj, duet me Françesk Radin, etj., që janë edhe arritjet më të spikatura të karrierës së saj si këngëtare.

   Jo për statistikë, por për një njohje më të gjërë të veprimtarisë së saj po evidentojmë edhe pjesëmarrjet dhe çmimet që ajo ka fituar në mënyrë të veçantë në festivalet e këngës në RTSH deri në vitin 2002, ku nuk ka munguar asnjëherë.

  Në repertorin e kësaj këngëtareje numërohen mbi 85 këngë, kompozuar vetëm për zërin e saj.