Ramazan Çeka: “10 personazhet shkodranë të vitit 2015”

716
Është privilegj të jesh mes miqve të artit, miqve të pendës e krijuesve të rinj, të cilët kanë treguar gjithnjë interes dhe përkushtim të veçantë. Për të tretin vit radhazi Agjencia e Spektakleve “Buna 1” me producent dhe president z. Arben Mazi, organizoi në qytetin e Shkodrës një mbrëmje gala në lokalin “Kurora e Artë”, një angazhim afirmues për të nderuar personazhet më të spikatur publikë të këtij qyteti, të vitit që lamë pas, për kontributin e tyre në vite në fusha të ndryshme sociale, kulturore dhe artistike të jetës, ata që na emocionuan dhe na nderuan me punën e tyre gjatë gjithë vitit, jo vetëm në Shkodër, por edhe jashtë saj. Për disa javë me radhë ka qenë publiku që ka votuar në adresën e internetit të kësaj agjencie për figurat më të shquara si: shkrimtari më i mirë i vitit, fotografi artistik më i mirë, këngëtari më i mirë, sportisti më i mirë, biznesmeni më i mirë, politikani më i mirë etj. Risia e këtij edicioni të tretë të “BEST 10 NORTH” 2015, filloi që në hyrje të lokalit, duke u duartrokitur nga të pranishmit, u bë parakalimi në tapetin e kuq i personazheve të kësaj mbrëmje. Salla e lokalit “Kurora e Artë” me një publik të zgjedhur u bë pjesë e kësaj mbrëmje gala të ndarjes së çmimeve, të organizuar jo si një ceremoni solemne, por si një spektakël që do ta bënte atë të këndshëm e impersionues. Një spektakël, i cili që nga momenti që është vendosur në skenë edicioni i parë, pati një sukses dhe vëmendje të menjëhershme. Edhe këtë vit ndodhi e njëjta gjë, si në procesin e votimit, ashtu vazhdoj deri në fund të spektaklit. 

Drejtuesit e këtij spektakli 
Drejtuesit e këtij spektakli, moderatorët Siçiliana Mazi dhe Blendi Kola, i uruan mirëseardhjen pjesëmarrësve të ftuar, si dhe shikim të këndshëm telespektatorëve që po ndiqnin nëpërmjet ekranit të TVSH edicionin e tretë të “Best North 2015”, të cilët po e pritnin me padurim startimin e kësaj mbrëmje vërtetë të bukur. Ishte një natë e gjatë, u ndanë plot trembëdhjetë çmime, ku tetë prej tyre ishin votuar nga vetë publiku dhe pesë të tjerë u dhanë nga Agjencia e Spektakleve “Buna 1”. Larmishmëria e çmimeve ishte veçantia në këtë natë gala, pasi brenda një spektakli ishin përfshirë arti i shprehur me muzikë, pikturë, biznes, politikë, sport e shumë të tjerë. Është me të vërtetë diçka e bukur kur njeriu vlerësohet për punën që bën dhe merr një çmim, i cili votohet nga publiku. Ashtu si vjet, çdo personazh ishte i ndarë në kategoritë përkatëse të fushës që ata ushtrojnë dhe mbas kandidimeve, të cilët kanë qenë të afishuar ne websitin www.buna1.net, u bë edhe vlerësimi i punës së tyre.
Piktori më i mirë
Piktori më i mirë i vitit u shpall z. Nikolin Luca, Shkrimtarja më e mirë Vera Sakaj, Talenti i ri Nelidon Pepushaj, Fotografia artistike më e mirë Brigela Demaj, Këngëtarja më e mirë Orjeta Kelaj, Sportisti më i mirë Nelson Hysa, Biznesmeni i vitit Frang Podja, Kryebashkiakia e Bashkisë e vitit Voltana Ademi, Politikania e vitit Irma Kopliku dhe Filantropja e vitit Diela Ana Preka, të cilës ikona e televizionit shqiptar Silvana Braçe, i dorëzoi çmimin; për kontributin e saj që ka dhënë për shtresat në nevojë dhe për mbështetjen ndaj artit.
Agjencia e Spektakleve “Buna 1” shpalli edhe disa vlerësime të veçanta ku emocione krijuan tek të pranishmit çmimet e karrierës për të ndierin Bik Ndoja dhe aktorin e humorit Paulin Preka, si dhe çmimi i mirënjohjes për veteranin e atletikës Vildan Tufi. I veçantë ishte çmimi i karrierës. Nuk kanë reshtur nostalgjitë, vështirësitë, arritjet në skenë të qindra roleve, të cilat edhe pse kanë kaluar mbi tetë dekada jete, janë të freskëta në mendjen e gjithsecilit. Askush nuk mund ta harrojë një emër si Paulin Preka, i cili këtë natë kishte ardhur nga Italia në Shkodër vetëm për të nderuar popullin shkodran.
Çmimi i mirënjohjes
Çmimi i mirënjohjes është një çmim që nuk ka munguar asnjëherë në “Best 10 North”, për shkak se Shkodra ka shumë artistë apo sportistë të cilëve duhet t’i jemi mirënjohës për atë çka i kanë dhënë Shkodrës dhe më gjerë. E bija e Bik Ndojës tha se magjia e Bik Ndojës do të mbetet e pavdekshme. Paulin Preka në fjalën e tij, i cili u duartrokit disa herë, ndër të tjera tha: “Ne kemi bërë humor në kohen kur ju në shtëpitë tuaja nuk keni pasur as bukën e gojës dhe iu kemi bërë me qesh. Kolegët e mi janë pikantë”. Ndërsa Deputeti i LSI z. Agron Çela, duke i dorëzuar çmimin boksierit Nelson Hysa u shpreh: “Në Shqipëri ka shumë kampion, por Shkodra prodhon pafundësisht. Kampion si Nalson Hysa; shtatëmbëdhjetë herë kampion i Shqipërisë, dhjetë herë Kupën e Republikës, tri herë kampion ballkanik. Djali që ka dhënë shumë për Shkodrën, ndaj e meriton çmimin. Njëkohësisht ai falënderoi edhe Agjencinë e Spektakleve “Buna 1” me President z.Arben Mazi. Ky aktivitet u shoqërua edhe me këngë me pjesëmarrjen e këngëtarëve Orjeta Kelaj, Adelina Corraj, Isli Ademi, Nimet Leka dhe Elsida Sina. 

Një larmi të veçantë këtij aktiviteti i dhanë edhe humoristët profesionistë, aktorët e Estradës së Teatrit “Migjeni” Besnik Çinari dhe Drande Xhai. Në mbyllje, Kryetari i Këshillit Bashkiak Shkodër z.Xhemal Bushati i dorëzoi titullin “Mirënjohja e Qytetit” Presidentit të Agjencisë së Spektakleve “Buna 1” z.Arben Mazi, për kontributin e veçantë dhe të vazhdueshëm për promovimin e vlerave më të mira artistike e kulturore të qytetit të Shkodrës në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Këtë mirënjohje e kishte marrë që në vitin 2014, por z. Mazi e kishte menduar si diçka personale, prandaj nuk e ka bërë publike, por me që ishin në ndarje të çmimeve iu duk momenti më i përshtatshëm për ta publikuar. Z.Arben Mazi i morëm edhe një intervistë ku ai u prononcua duke na thënë se: “Në këtë kaos të vlerave të vërteta që duket sikur na ngërthen gjithnjë e më shpesh, mundohemi që me punën tonë të mbajmë të ekuilibruar vlerat intelektuale. Ndaj, nominimet dhe më pas ndarja e çmimeve për personazhet më të mirë të vitit, në një farë mënyre është vlerësim për artistët e dëshmuar që afirmojnë kulturën, artin, cilësinë intelektuale dhe nëpërmjet tyre mbarë shoqërinë tonë”. 

Ai falënderoi pjesëmarrësit, përgëzoi të nominuarit për punën e shkëlqyer, e cila do t’ju shërbejë për ambicie të reja në fushën intelektuale dhe krijuese, si dhe premtoi se aktivitete të tilla nuk do të mungojnë asnjëherë. Nuk është e tepërt të themi se; që nga viti 1998 Agjencia e Spektakleve “Buna 1” ka realizuar mbi dyqind e dyzet spektakle, njëqind prej tyre në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër. Ishte e pamundur që për këtë aktivitet mos të merrnim edhe opinionin e shkrimtarit dhe dramaturgut të shquar prof. Fadil Kraja: “Ceremonia manifestive që organizon z. Mazi për dhjetë shkodranët më të suksesshëm të çdo viti, është ndoshta një ndër ngjarjet më të bukura kulturoro-artistike që bëhen në Shkodër dhe është bërë e dashur dhe e këndshme për të gjithë, sepse lançon vlerat, talentet shkodranë në çdo sferë të jetës shoqërore, politike, artistike, kulturore, sportive, ekonomike etj. Një festë që nisi me marrjen e mendimit qytetar përmes internetit dy muaj më parë dhe përfundon me shpalljen e fituesve. Pra, një manifestim popullor dhe që tërheq vëmendjen qytetare. Do të kisha një propozim për të ardhmen. Do të ishte shumë më interesante dhe joshëse nëse përveç çmimit moral, të kishte edhe një çmim material. Sado simbolik. Një biçikletë, një kompjuter, një televizor, një pushim dhjetë ditor në një nga hotelet e Velipojës etj. Për këtë do sponsorizonin shumë firma dhe biznese, sepse kjo do të ishte edhe një reklamë me efekt perfekt. 

Pse jo edhe Bashkia e Shkodrës të merrte pjesë në ndonjë çmim”. Edicioni i tretë i “Best 10 North” që u organizua në Shkodër nga Agjencia e Spektakleve “Buna 1”, ishte në bashkëpunim me Radio Televizionin Shqiptar. Skenografia ishte realizuar nga Hysni Halili, fonia nga Bledi Doçi, ndriçimi nga piano event sistem dhe grafika nga Valmir Hysaj. Mederatorja dhe ideatorja e këtij spektakli Siçiliana Mazi, përveç të pranishmëve, falënderoi të gjithë televizionet lokale: Si TV1 Channel, Star Plus, Antena Nord, TV Rozafa dhe TV Kopliku për publicitetin që i bënë këtyre personazheve rreth një muaj të tërë. Gjithashtu falenderoi ata që e mbështeten për realizimin e këtij spektaktakli, Abcom dhe firmën Berttoni, Beauty Center Star, Familjen e z. Astrit Meshnuni dhe pronarin e restorantit “Kurora e Artë” z.Artur Lushi për kontributin e tyre. Agjencia e spektakleve “Buna 1” mbyll kështu një edicion tjetër të suksesshëm të “Best 10 North”, duke premtuar që vit pas viti të sjellë të tjera risi dhe surpriza.
Sigal