Rama takon Fulen në Bruksel: Zgjedhjet e 23 Qershorit, prova e demokracisë shqiptare

390
Sigal

Sot dhe nesër, Konferenca Kombëtare e Programit për Rilindjen

Kryesocialisti Rama u takua dje, në Bruksel, me Komisionarin për Zgjerimin, Stefan Fule, me të cilin ka diskutuar për zgjedhjet e ardhshme e retorikat nacionaliste. Lajmi bëhet i ditur nga vetë Rama, i cili në faqen e tij në rrjetin social Twitter shkruan: “Me Komisionerin Fule sapo mbaruam një bisedë shumë të vlefshme për lirinë e zgjedhjeve dhe retorikën nacionaliste”.  Ai shkruan më tej se: “Përditë rritet vëmendja ndërkombëtare ndaj zgjedhjeve të qershorit dhe forcohet bindja se këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen tonë”.  Rama thekson në Twitter se: “Ne jemi të vendosur të garantojmë votën e lirë dhe të udhëheqim vendin drejt BE duke lënë pas fantazmat e manipulimit e të nacionalizmit”.

 Rama: Sot Konferenca për programin

Pas takimit të Kryesocialistit Rama, me Komisionerin, Fule, sot, PS-ja do të mbajë konferencën Kombëtare të programit për Rilindje Shqiptare në datat 22 dhe 23 Shkurt. Lajmin e ka dhënë vetë kreu i PS-së, Edi Rama, përmes një njoftimi në profilin e tij në Twitter. Rama ka njoftuar se do të mbajë një konferencë online në dy ditët në vijim ku në fokus do të jetë Programi i socialistëve për një “Rilindje Kombëtare”. “22-23 shkurt dy dite intensive drejt fitores. Mbajmë Konferencën Kombëtare të programit për një Rilindje Shqiptare. Mund ta ndiqni live nesër pasdite e pasnesër paradite dhe të dielën 12.00 do u përgjigjem në Twitter e Facebook gjithë pyetjeve tuaja”, shkruan Rama. PS-ja  ndez motorët e fushatës zgjedhore, në një takim 2- ditor, ku do të bëhet publik platforma elektorale për zgjedhjet e 23 Qershorit. Prezantimi i detajuar e programit për një rilindje shqiptare do të realizohet në Konventën e PS-së do të mbahet pasditen e sotme në Pallatin e Kongreseve, ndërsa aktiviteti do të kulmojë të shtunën e 23 Shkurtit, ditë kjo e zgjedhur në mënyrë simbolike për ta përqasur atë me 23 Qershorin. Sekretari organizativ, Blendi Klosi zbulon detajet dhe deklaron se, nëpërmjet Konventës shqiptarët do mësojnë arsyet pse duhet të zgjedhin koalicionin e majtë në 23 Qershor.“Për dy ditë PS, në përmbushje edhe të premtimeve elektorale do të zhvillojë një konventë kombëtare, ku do të marrin pjesë të gjithë ekspertët dhe të gjithë ata që duan të japim një ide të re në qeverisjen e kësaj partie”,- tha Klosi. Në konventë pritet të jenë të pranishëm 1300 delegatë të kongresit, është parashikuar që kryetarët e grupeve të punës për çdo seksion të programit, por edhe ata që kanë dhënë ndihmën e tyre do të prezantojnë për disa orë rresht, të gjithë strategjinë që ata do të ndjekin për të Rilindur Shqipërinë. Sot në mbrëmje, Kryetari i PS-së, Edi Rama, do të zhvillojë një takim të përzemërt me miq, dashamirës, drejtues të strukturave dhe forumeve të PS-së në rrethe, si edhe  diplomatë të përfaqësive diplomatike të akredituar në Tiranë, me rastin e zgjedhjes së tij në postin e lartë të zëvendës/presidentit të Internacionales Socialiste, në Kongresin e saj, të zhvilluar pak kohë më parë në Lisbonë të Portugalisë