Sigal

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar në profilin e tij zyrtar në “Facebook” raportin e 10 muajve të platformës së komunikimit me qytetarët “Shqipëria që duam”.

Sipas këtij raporti janë 9454 qytetarë që janë bërë pjesë e platformës si përdorues e kontribuues. Po kështu iu është dhënë zgjidhje sipas kryeministrit Edi Rama në 10 muaj 13,694 halleve e problemeve konkrete të njerëzve. Për kryeministrin ky është një afirmim kuptimplotë i këtij mekanizmi inovativ që fuqizon qytetarin.

STATUSI I KRYEMINISTRIT RAMA
Për të gjithë ju RAPORTI 10 MUJOR I PLATFORMËS shqiperiaqeduam.al
Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm, në 10 muaj ka marrë jetë si një praktikë efikase ndërveprimi mes qytetarëve dhe qeverisë, duke dëshmuar vlerën dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm për Shqipërinë që Duam.
9.454 qytetarë pa dallim moshe, gjinie, statusi social, bindjeje e përkatësie politike, numërohen sot, 10 muaj nga ndezja e platformës, si përdorues e kontribues të koalicionit tonë bashkëqeverisës për Shqipërinë që Duam.
Me vetëm një mesazh, në adresën shqiperiaqeduam.al qytetari ka në dispozicion të drejtpërdrejtë qeverinë, përmes ministrit përkatës që adreson menjëherë rrugën e trajtimit të përmbajtjes së mesazhit të qytetarit.
Zgjidhja përmes kësaj platforme, në vetëm 10 muaj, e 13,694 halleve e problemeve konkrete të njerëzve konkretë të këtij vendi, është një afirmim kuptimplotë i këtij mekanizmi inovativ që fuqizon qytetarin. Vendos qeverinë gjithnjë e menjëherë në krah të tij. Garanton ndërveprimin e suksesshëm mes tyre në të mirë të çdo qytetari dhe identifikimin e punonjësve që duhet të mbajnë përgjegjësi për mosdhënien e shërbimeve të duhura për qytetarët.
Nuk ka më asnjë dyshim!
Platforma shqiperiaqeduam.al është rruga jonë e re, e shkurtër dhe e shpejtë, për të zgjidhur së bashku hallet e problemet tuaja me administratën. Po ashtu, shqiperiaqeduam.al është edhe fuqia jonë e përbashkët kundër parazitizmit e korrupsionit në zyrat e shërbimeve të shtetit për qytetarin.
Mos ngurroni dhe as mos humbni kohë! Zgjidhni shqiperiaqeduam.al për të zgjidhur hallin a problematikën Tuaj, duke e përcjellë fjalën Tuaj drejt e në qeveri dhe kësisoj ndikoni edhe që, hap pas hapi, në çdo zyrë të shtetit tonë njerëzit e zakonshëm të marrin në kohë e me cilësi, shërbimin që meritojnë.